Falja e dy rekateve ndërkohë që imami mban hytben



Pyetje: "A është obligim falja e dy rekateve kur hyjmë në xhami, edhe pse imami po mban hytben e ditës xhuma"?


Përgjigje:

Në përgjithësi, falja e dy rekateve (përshëndetja e xhamisë) sa herë që hyjmë në xhami, është e pëlqyeshme dhe vepër e mirë, por nuk ngrihet në nivelin e obligimit. Falja e këtyre dy rekateve, teksa imami mban hytben, është një mesele e debatueshme mes dijetarëve. Ka të ditur që e kanë lejuar faljen e dy rekateve përshëndetje të xhamisë, teksa imami mban hytben. Ata mbështeten tek hadithi i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, ku Xhabir ibnu Abdilah thotë: "Selik Gatafani erdhi ditën e xhuma, ndërkohë që i dërguari i Allahut po mbante hytben dhe menjëherë u ul. Profeti a.s. i tha: O Sulejk! Ngrihu dhe fali dy rekate të shpejtë"! Më pas tha: "Nëse ndonjëri prej jush hyn në xhami ditë ne Xhuma, ndërkohë që imami mban hytben, le të falë dy rekate të shpejta", (Imam Muslimi).

Dijetarët e medh-hebit Maliki e ndalojnë faljen e namazit gjatë hytbes dhe mendojnë se hadithi i lartpërmendur është i shfuqizuar. Thotë Khalil: "Namazet nafile (vullnetare) janë të ndaluara gjatë lindjes së diellit, perëndimit të tij si dhe gjatë hytbes ditën e xhuma".

Në librin "Elfevakih Eddevanij" i medh-hebit maliki, thuhet: "Mendimi i medh-hebit tonë është ndalimi i namazit nëse imami është ngjitur në minber". Sakaq, mendimi i kundërt e lejon namazin edhe gjatë hytbes. Këtë mendim e ndan Sujjurij, i cili është nga dijetarët maliki dhe dijetarët e medh-hebit Shafi. Ata mendojnë se namazi është më i vlefshëm, bazuar dhe në hadithin e transmetuar nga imam Muslimi dhe Buhariu, ku Profeti a.s. e pyeti Sulejk-un: "A u fale"? Ai u përgjigj: "Jo". Mandej Profeti a.s. i thotë: "Ngriu dhe fal dy rekate të shkurtër". Në një hadith tjetër, Profeti a.s. thotë: "Nëse dikush prej jush hyn në xhami teksa imami është duke mbajtur hytben, le të falë dy rekate të shkurtër dhe të ulet".

Argumenti ynë është hadithi i transmetuar nga Ebu Daudi dhe Nesaij, sipas të cilit një burrë hyri në xhami duke kaluar mbi supet e njerëzve prezentë, ndërkohë që Profeti a.s. po predikonte. Profeti a.s. i tha: "Ulu se i lëndove njerëzit"! Pra, e urdhëroi të ulet pa i kërkuar të falej me parë dhe të urdhërosh për diçka, do të thotë ta ndalosh nga e kundërta. Në një hadith tjetër, Profeti a.s. thotë: "Nëse i thua personit në krah "hesht" teksa imami po mban hytben, ke thyer rregullin (e xhamisë)".

Sakaq, urdhri që Profeti a.s. i dha Sulejk Gatafani për të falur dy rekate para se të ulej, mund të jetë shfuqizuar nga hadithi që e ndalon namazin gjatë hytbes. Por edhe sikur ky hadith të mos jetë i shfuqizuar, hadithin ku mbështetemi ne e përforcon dhe të vepruarit e banorëve të Medines. Veç kësaj, dëgjimi i hytbes është obligim, sakaq dy rekatet përshëndetje të xhamisë janë sunet dhe një obligim nuk mund të lihet për shkak të një suneti.

Zoti e di më mirë!



Autor: Dr. Muhamed Sadij

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...