Me forcën e Argumenteve apo me Argumentet e forcës



Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Bamirësit, Mëshiruesit! Salavati dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin më të zgjedhur Muhammedin a.s., i cili ka qenë në shkallën më të lartë të moralit. O Zoti ynë, na bër neve të jemi prej atyre të cilët para vetes do ta kenë pasqyrë të ndritshme të moralit Muhammedin a.s., për të cilin ke thënë: {وَ إِنَّكَ لَعَلَى خُلُقٍ عَظِيم ...} - "Vërtet ti (Muhammed) je në shkallën më të lartë të moralit-etikës".

Morali i dikujt, bontoni ose etika, para së gjithash njihet përmes fjalëve, përmes bisedës së drejtpërdrejtë, korespodencës me shkrim, dialogut, diskutimit, polemikës, etj., në këtë kontekst populli ynë thotë: "Fol, të të shoh kush je", përkatësisht sa vlen. Derisa heshtësh, nuk paraqitesh, nuk dihet kush je!

Teksti të cilin këtyre ditëve pata rastin ta lexoj nga M. Shtullanoviqi është vetëm konfirmim i qëndrimeve dhe shikimeve të mia të mëhershme të cilat i kam shprehur dhe treguar popullit tonë boshnjak-musliman mbi rrezikun e ri për boshnjakët, i cili është në dalje e sipër, pjesërisht nga protagonistë të vetëdijshëm, e pjesërisht nga protagonistë të pavetëdijshëm. Teksti mban titullin "Mjerë, atëherë për Gënjeshtarët". Do të doja që ky tekst të jetë sa më tepër në qarkullim dhe ta lexojnë boshnjakët-muslimanët. Shihet qartë se është shkruar në shpejtësi, sepse autori në disa fjali i pasigurtë pyet ose konstaton: "Për shkak të gjithë kësaj nuk është dashur as të paraqitet", fq. 4. Këto janë shenja të qarta të lëkundshmërisë, pasigurisë, tërbimit, shpejtësisë, zemërimit, pakënaqësisë, që zakonisht këto janë simptome kur shejtani fillon ta fluturojë njeriun, por nuk di kah të niset dhe si të veprojë.

Ai tekst më është i dashur për shkak të konfirmimit të asaj që kam shkruar, folur dhe njohur mbi ju dhe mbi punimin tuaj. Dhe nga ana tjetër që teksti është mbushur me rrebesh fjalësh të ndyra, pseudonimesh, etiketimesh ndaj meje dhe disa vëllezërve tjerë muslimanë, që dëshmon për shkallën e moralit, etikës, bontonit dhe shkallës së vetëdijes islame të autorit. Allahu xh.sh. thotë: {... وَ لاَ تَناَبَزُوا بِاْلأَلْقاَبِ ...} - "... dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape ...", (El-Huxhurat, 11).

Të falënderoj për komplimente dhe këshilla. Mirëpo, sa për syza, ato gjatë leximit nuk më nevojiten, por ja edhe pa syza do të përgjigjem nga teksti yt për atë që pyesësh. E mohon se gjatë tekstit "Ebu Hanifja interpretues i ri i Islamit", veten e ke quajtur "specialist" dhe "dijetar i merituar" dhe e mohosh kategorikisht "Askund ashtu për vete nuk kam thënë". Merre tekstin tënd dhe lexo pak në faqen e parë prej rreshtit "... në diskutim rreth këtij problemi janë lajmëruar pikërisht jospecialistët ...", andaj sipas ligjeve të logjikës, e di ti Muharrem, se nëse e deklaron këtë konstatim, dhe pastaj paraqitesh rreth temës mbi të cilën "janë marrë" të tjerët, atëhetë kjo automatikisht do të thotë se ti pasiqë që po paraqitesh rreth temës rreth së cilës janë paraqitur "jospecialistët" - ti je "specialist". Ndoshta vetëm te ju nuk është ashtu, ndoshta ju as logjikën nuk e pranoni dhe ndoshta e radhitni në "bid'ate" - "novatori" të cilat çojnë në mashtrim. Dhe çdo mashtrim çon në zjarr! Nëse është ashtu, atëherë unë të kërkoj falje.

Rregullin e njëjtë vendose për citimin e ajetit të surës Huxhurat. Secili që e ka lexuar atë pjesë të tekstit e ka kuptuar se fjalën "fasik" ua atribuon personave që i ke përmendur më vonë në tekstin tënd. Gjithashtu në titullin e tekstit tënd të ri "Mjerë, atëherë për Gënjeshtarët", aludon në mua. Vetëm se kur synon në mua nuk kënaqesh vetëm me porosi "isharet" por më quajsh të tillë (pra gënjeshtar) me fjalët tua të qarta të ofendimit.

Ajo për Albanin, të lutem kthehu dhe së paku edhe një herë lexo tekstin tim. Mirë, unë nuk do ta shoh ty për të madhe, sepse e shoh se ke qenë i zemëruar kur ke shkruar, por kur je ftohur, është dashur së paku ta lexosh edhe një herë, sepse unë askund nuk e përmendi Albanin, si konfirmim të qëndrimit tim. Do të them edhe diçka, jo aq për ty, sa për të tjerët, mbi "Sherh akide Tahavijje" dmth. "Komentimi i akaidit të Tahavisë", kopjen e të cilit e kam unë, parathënien e ka shkruar Nasuruddin Albani, ku i qeron hesapet me dijetarin Abdul-Fettah Ebu Guddeh. Atë libër e ka botuar "Mektebe selefijje" - (Libraria selefiste), dhe kjo vepër as në akaid, e në fikh kurrsesi, nuk konsiderohet burim hanefij. Nëse dikush ka dashur të punojë në përkthim të literaturës së ehli sunnetit, të orientimit hanefij, përse nuk iu përvesh përkthimit të "Fikhul-ekberit" nga Mulla Ali El-Kari në të cilin mbështetem unë kur them se ka skeptikë rreth çështjes së autenticitetit të "Sherh akide Tahavijje".

Imami muhaddithi Mulla Ali El-Kari El-Hanefi, në komentin e tij të fundit të "Fikhul-ekberit", komentuesin e Akaidit të Tahavisë e quan "mubtedi" (ai që vë novatori-bid'ate) dhe e radhit në grupin e "el-medhabil-batile" (medhhebe të pasakta). Në faqen 172, rreshti i tretë thotë: "Shihet qartë se komentuesi thotë për lartësinë e vendit (uluvu mekani) pa e mohuar ngjashmërinë (teshbih), andaj në këtë qëndrim i ka pasuar përfaqësuesit e bid'atit", fjala është për komentuesin Ibn Ebi El-Izzin.

Hasan Eth-Thekaf, në studimin e tij "Et-Tenbih ve redd ala mu'tekadi kidemil-alemi vel-haddi" në faqen 11, thotë: "Është e domosdoshme t'i citoj disa fjali nga Sherh akide Tahavijje, për të dëshmuar autencitetin e citateve nga veprat e Ibni Tejmijjes, dhe që të sqarohet se në realitet ky komentim (Sherh akide Tahavijje) është përmbledhje e mendimeve dhe qëndrimeve të Ibni Tejmijes, as më shumë e as më pak ...", (mbaron citati).

Për mua këta dy autorë janë kompetentë për të dhënë qëndrimin e tyre dhe unë atë e pranoj, por, as juve selefijëve nuk e përjashtoj mundësinë as nuk ua mohoj të drejtën e pikëpamjes. Albani sikur të ishte recensionues i librave hanefite, duke e nxituar plasmanin e tyre një rrethi sa më të gjerë lexuesish, ndërsa është i njohur qëndrimi i tij ndaj medhhebeve në përgjithësi, kurse ndaj atij hanefij në veçanti. Unë me asnjë fjali timën nuk jam mbështetur në Albanin.

Mirëpo, nëse megjithatë duash t'i mësosh të tjerët apo edhe t'ua përmirësosh gabimet boshnjakëve, të cilat i bëjnë në medhhebin hanefij, atëherë megjithatë duhet t'i konsultosh librat e fikhut hanefij, e jo librat nga "akaidi". Mua së paku ashtu m'u kanë dukur.

Sa i përket testit tënd të vogël që xhematlinjtë të më provojnë se a i fali sunnetet në xhami apo në shtëpi. I fali në xhami sepse banoj 3,5 km larg nga xhamia, ashtu që para hyrjes së kohës së namazit unë jam në xhami. Pastaj pas ezanit i fali sunnetet në xhami, por jo në mihrab, ku e fali farzin, por në ndonjë vend tjetër në xhami. Sikur banesa të më ishte përbri xhamisë, ashtu që ezani të dëgjohej në banesë dhe të mund vetëm ta qetë hapin prej shtëpisë në xhami, sigurisht se ndonjëherë do t'i kisha falë sunnetet edhe në shtëpi. Por kjo për shumicën e muslimanëve p.sh.: "në Munih është e parealizueshme sepse të gjithë banojnë larg nga xhamia". Në kohën e Pejgamberit a.s. situata krejtësisht ka qenë ndryshe.

Sa u përket "ummehatul-mu'minine" grave të ndershme të Pejgamberit a.s. do të duhej ta kesh të ditur se për to vlejnë "ahkam hassa" - "dispozita të posaçme", ashtu që për këtë çështje nuk po të përkujtoj asgjë. Vetëm se nëse vazhdosh ashtu, nuk do të më çudit nëse së shpejti dëgjohet se edhe grave tuaja do t'ua ndaloni martesën pas vdekjes suaj, duke u thirrur në tretmanin e grave të Pejgamberit a.s., për çka flitet në Kur'an.

A e keni ngritur diku zërin tuaj kundër "zavaxhu binijjeti-ttalak" (lidhje e kurorës së boshnjakes-muslimanes me vëllezërit muslimanë, të cilët përkohësisht janë në vatanin tonë, me nijjet të talakut)? Me keqardhje e kam dëgjuar rrëfimin e një motre nga Gornji Vakufi, e cila kishte mbetur më fëmijën pasi që burri i saj (muxhahid), e kishte lënë pa iu lajmëruar fare, dhe pas një kohe të caktuar i lajmërohet nga Zagrebi duke i thënë: "Unë po shkoj më tutje për xhihad në Çeçeni", duke ia dërguar një letër dhe njëmijë DM. Kjo është problematika me të cilën janë ballafaquar motrat e mia, tuat dhe të gjithë neve, dhe kjo është problematikë e cila na mbetët barrë neve. Sipas medhhebit hanefij nëse dikush hyn në kurorë, duke e patur nijjet që pas një kohe të caktuar ta lëshojë gruan, kurora e tillë është e pavlefshme-batil dhe jolegale. Nuk e di si e shihni ju këtë? E kam të qartë se çka thuani për kurorën mut'a te shiijtë. Çka thuani për këtë të parën, e cila është dukuri e dukshme në Bosnje? Dikush bëhet kumbarë i këtyre kurorave dhe nuk e respekton fetva-në e Rijasetit të BI e cila e konsideron bid'at. Me te kërkohet që kurorëzimi së pari të bëhet te organet (institucionet) shtetërore, e pastaj sipas sheriatit, nëse ka të bëjë me vëllezërit muslimanë që nuk janë shtetas të shtetit tonë.

Për brengën kujtesën tënde se "çfarë poena mbledh, që vetëm unë i ditkam, me shkrimin dhe punimin tim", nuk kam veçanërisht çka të them, pos: parandje, mendo, çaj kokën, dysho, supozo, spiuno, etj., bën çka të duash, je i lirë. Vetëm ndihem i obliguar që t'u përkujtoj në fjalët e Pejgamberit a.s. "Innemel-e'amalu bi nnijjati" - "Vërtetë veprat do të vlerësohen sipas qëllimeve". Ai, Subhanehu ve teala, do të na gjykojë ty, mua dhe robët tjerë të Tij, dhe atë sipas qëllimeve tona. Por, ja, neve nuk na është mundësuar të depërtojmë në qëllime të njëri-tjetrit, dhe unë të them të drejtën nuk vuaj nga kjo. Do të rekomandoja që ta forcosh pak shërbimin informativ, sepse po më befason që po m'i përshkruani edhe disa emra njerëzish të cilët, së paku me sa di unë, janë shumë të afërt me ty. Ata janë aty, pranë jush, si hije e juaj. Nuk largoheni prej tyre për asnjë moment, janë si hija e juaj.

{... ياَ أَيُّهاَ الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيراً مِنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ وَ لاَ تَجَسَّسُوا ...} - "... O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit ...", (El-Huxhurat, 12).

Nuk më kujtohet se diku kam folur pahijshëm për bamirësitë e vëllezërve tonë nga bota islame, dhe nuk lejoj që dikush këtë të ma varë për qafe. Por pak mundëm edhe të të kuptoj, sigurisht se raportet të cilat je i detyruar t'i shkruash, do të jenë më efikase kur ta njollosësh dikë, kush të ka penguar në rrugën e veprimit dhe nuk ke përmirësim. Sepse me diçka duhet të arsyetohet mossuksesi. Secili mossukses duhet t'i ketë shkaqet e tij. Më së lehti është atëherë që krejt të shkarkohet mbi dikë dhe të thuhet se është lajkatar, kundërshtar, dashakeq, i urren të gjithë ata të cilëve u dërgosh takrire (raporte), dhe i ke shtuar ç'ke dashur. Sigurisht, se në sqarimet tua nuk ke harruar Shejh Nasirit t'ia bësh me dije, se si sillet "një imam boshnjak" dhe me shpifje tjera, ndërsa kur "je në pyetje ti dhe vogëlria jote, se ka të bëjë me personalitetin i cili inkurajohet nga shkenca autentike islame, dhe se nuk je sikur dofarë individë jokompetentë, të cilët shpesh janë shërbëtorë të regjimeve despotike në botën islame", (Nga punimi yt, Ebu Hanifja, interpretues i ri i Islamit, fq. 8).

Ja, me ngatërrimin e disa rrethanave e kam parë një faks dhe emrin tim në të i cili ka ardhur nga një vend i bukur arab ... por ... nuk është me rëndësi se çka duan dhe mendojnë njerëzit, me rëndësi është diçka tjetër. Vel-akibetu lil-muttekin.

Dhe ty, më dukët, të kam parë atë vit në haxhxh me të plagosurit që kanë qenë musafirë të Hadimul-haremejni sherifejni Melik Fehdit, më fal por nuk e kam ditur deri tash, që edhe ti je i plagosur. Allahu të shëroftë! Vetëm nuk e di se në cilin front të patën plagosur. Por, me gjasë je shëruar, sa po shihet, sepse të shkrepën nga tërbimi dy fjali të përseritura: "Ty, thjeshtë duhet me ta mbyllë gojën". Dhe, ato ishin vendimtare, që megjithatë vendosa të të lajmërohem me këtë letër. Argumentin e forcës e përdorë pala e cila humbë. Nëse tevbeja nuk ta ka ngacmuar zemrën deri tash dhe nëse edhe më tutje konsiderosh se: "Ty, thjeshtë duhet me ta mbyllë gojën", atëherë bëru ti ai.



Autor: Fikret ARNAUT, Përktheu: Miftar AJDINI,
marrë nga libri: "Medh'hebet në islam - novatori apo domosdoshmëri",
boton: KBI-Prizren, 2000 Prizren.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...