Dallimi midis krijimit të medhhebit selefij dhe ndjekjes së medhhebeve ekzistuese



Çdo ditë e më tepër selefizmi tek ne konsiderohet si medhheb i veçant dhe mëton të krahasohet, të themi, me medhhebin hanefi. Ne tani do të orvatemi të shpjegojmë se selefizmi është shenjë e epokës së artë islame dhe atë e tre shekujve të parë, e assesi medhheb islam.

Ndjekja e të parëve të ndershëm (selefu-s-salih) dhe mënyrën e të kuptuarit të tyre të Kur'anit dhe Sunnetit dhe të vepruarit sipas tyre, është obligim i çdo muslimani që i përmbahet Librit të Allahut dhe udhëzimit të të Dërguarit, s.a.v.s..

Allahu, xh.sh. i ka obliguar robërit e Tij që të jenë të dëgjueshëm ndaj të Dërguarit, s.a.v.s.: "Çka t'ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t'ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër.", (El-Hashr, 7).

Kurse i Dërguari s.a.v.s., urdhëroi që njerëzit të ndjekin sunnetin e tij dhe praktikën e hulefai rashidinëve dhe të kapen për jetët e as'habëve dhe njerëzve të mirë të cilët jetuan në tre shekujt e parë të Islamit. Në këtë kontekst ka thënë: "Keni kujdes nga risitë, sepse ato janë lajthitje. E kush prej jush i arrin ato, le t'i përmbahet Sunnetit tim dhe prakitës së Hulefai Rashidinëve, në rrugën e drejtë. Intenzivisht përmbajuni kësaj". Po ashtu ka thënë: "Njerëzit më të mirë janë ata të shekullit tim, pastaj ata të cilët do të vijnë pas tyre, dhe pastaj ata pas tyre".

Të shpallurit e mirësisë dhe kualitetit të tyre është për shkak të përmbajtjes dhe të kapurit e tyre për sunnetin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. E dimë që ekziston krijimi dhe kreacioni i medhhebit të ri (selefist) i cili qëndron në themelet fanatike. Duhet të themi që ky pasim nuk është ai që potencohet në hadith.


Cili është dallimi midis vendosjes së medhhebit të ri i cili sot quhet selefizëm dhe pasimit të të parëve të ndershëm (selefu-s-salih)?

Dallimi ndërmjet kësaj është identik me dallimin i cili ekziston midis fjalëve muhamedan dhe musliman. Dihet që emërtimi i muslimanëve me fjalët muhamedan është karakteristikë e një numri të madh orientalistësh dhe hulumtuesish të huaj. Gjithashtu dihet që një adresim i këtillë, sipas Islamit, është i refuzuar dhe atë sipas mënyrës së jetesës së muslimanëve të sinqertë.

Fjala muhamedan nënkupton lidhjen e muslimanit për Muhammedin a.s., kthimin nga personaliteti i tij, si dhe të përmbajturit e ideve dhe udhëzimeve të tij. Gjersa fjala musliman nënkupton konfesionin e cili i takon sundimit dhe urtësisë së Allahut, dhe pranimin e të gjithë asaj e cila ka ardhur nëpërmjet të Dërguarit të Allahut, Muhammedit, s.a.v.s.. Të preokupuarit me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., është borxh nga Allahu, xh.sh., ndërsa respektimi i tij është sikur të respektuarit e Allahut xh.sh.. Dashuria ndaj tij nuk është për asgjë tjetër, por vetëm se e meriton si i Dërguar i Allahut. Ky dallim, i cili qartë vërehet midis fjalës muhamedan dhe musliman, është dallim i njëjtë që mund të parashihet ndërmjet krijimit të medhhebit selefij dhe ndjekjes së selefëve të parë.

Të krijuarit e medhhebit selefij do të nënkuptonte që selefi veç kishte medhhebin e tij i cili pasqyronte identitetin e tij shoqëror. Pastaj, kjo do të nënkuptonte që ata të cilët hyrën në atë medhheb janë përfaqësuesit e vërtetë të islamit dhe se vetëm ata e dinë esencën e tij. Pra, islami paraqitet nëpërmjet këtyre imazheve dhe kuptimeve, ndaj edhe ndjekja e medhhebit selefij, dispozitave dhe principeve të tij, paraqet islamin e vërtetë autentik.

Të parët e ndershëm (Selefu-s-salih) janë njerëzit të cilët jetuan në tre shekujt e parë të islamit, duke e besuar sinqerisht fenë e Allahut dhe duke u kapur sinqerisht për litarin e Tij. Prandaj i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., na ka urdhëruar që t'i respektojmë dhe të kapemi për to. Të kapurit e këtillë shihet në të kuptuarit e Kur'anit dhe të Sunnetit dhe të gjeturit e principeve dhe dispozitave, ashtu sikurse ata i kuptuan.

Islami, pra, është ai që ndiqet, ndërsa metoda e të hulumtuarit dhe të kuptuarit e islamit nga ana e selefu-s-salihinëve është themeli dhe boshti kryesor. Të parët e ndershëm sinqerisht e besuan fenë e Allahut. Ata janë udhëheqës dhe udhëzues të popullit me anë të metodës së drejtë. Ata që nuk e ndoqën këtë metodë u hoqën nga rrethi i të parëve të ndershëm, edhe pse jetuan në kohën e tyre. Islami dhe mënyra e të komentuarit dhe të kuptuarit e tij është shkak i suksesit të njerëzve, mirëpo ndonjëherë edhe i humbjes, siç thotë prijësi i besimdrejtëve, Omer ibn el-Hattabi, r.a. Në këtë shihet dallimi ndërmjet atyre të cilët veten e quajnë pjesëtar të medhhebit selefij dhe pasuesve të vërtetë të selefu-s-salihinëve.

Shihet qartë që selefizmi është fiksion të cilin nuk e lejon Allahu dhe risi e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë gjatë historisë, derisa selefu-s-salih është thelbi i fesë dhe baza e Sunnetit me të cilën ka predikuar i Dërguari, s.a.v.s.. Në tre shekujt e parë të islamit, në hapësirat e ummetit islam, nuk ka ekzistuar medhhebi selefij apo medhhebi i selefëve i cili i posedon bazat dhe karakteristikat e veta që e kanë dalluar nga muslimanët e tjerë. Ka ekzistuar dallimi midis njerëzve të cilët e kuptonin fenë me anë të metodës së drejtë dhe sinqerisht i besonin Allahut dhe midis atyre të cilët ishin kundër islamit ose atyre të cilët u larguan nga kuadri islam dhe metodave të të menduarit dhe të hulumtuarit. Ky dallim nuk ka pasur mundësi që të mohohet. Ai që u shoqërua me grupin e parë të njerëzve morri dekorata të mëdha në këtë botë dhe ahiret, ndërsa ai i cili nuk e pati fat të ketë këtë karakteristikë, ai ose ishte kundër islamit, ose ishte i larguar nga kuadri islam dhe metodave të tij të të menduarit dhe të hulumtuarit.

E dimë që në kohën e selefëve ka pasur fraksione dhe grupacione të ndryshme të cilat janë shmangur nga vlerësimet dhe metodat e drejta. Selefizmi i tyre aspak nuk u ka ndihmuar tek Allahu dhe ishin më të këqij sesa shumë novatorë të cilët, më vonë, u paraqitën pas tyre.

Pra, mbase është lehtë që njeriu i arsyeshëm të kuptoj se të kuptuarit e drejtë të Kur'anit dhe Sunnetit dhe të besuarit e drejtë, i cili është në pajtueshmëri me logjikën dhe shkencën, është suazë e cila e kufizon shoqërinë e drejtë islame. Ai që do t'i përmbahet kësaj do të hyj në rrethin e muslimanëve, pavarësisht kohës në të cilën jeton.

Të parët e ndershëm kishin vetëm një karakteristikë, e ajo është afërsia e Dërguarit, s.a.v.s., dhe vështrimi i drejtë në principet e islamit dhe të Tekstit të Kur'anit dhe Sunnetit. Për shkak të kësaj, me të drejtë ishin mësues, në të përmbajturit e metodave dhe rregullave të të komentuarit të Teksteve, për ata që erdhën pas tyre. Ata janë sikur arabët e parë, të cilët më vonë gjeneratave të popullit të vet ua mësuan gjuhën dhe gramatikën arabe. Nga këtu mund të vërejmë dallimin midis medhhebit selefij dhe grupit të parë të muslimanëve, të cilët me të drejtë ishin mësues për ata që erdhën pas tyre. Pra, fenomeni i selefizmit nuk ka ekzistuar në kohën e selefëve të parë, kurse ndjekja e këtyre është obligim nga i Dërguari, s.a.v.s., në kuptimin të cilin e sqaruam.

Sikur të ishte korrekt ekzistimi i selefizmit dhe të selefëve të sotshëm, duke pasur parasysh që ky emërtim u nxor nga koha islame në të cilën vepruan selefu-s-salihinët, atëherë, për njerëzit e tjerë, do të ishte korrekte që të shpiknin drejtim tjetër islam, të nxjerr nga koha në të cilën vepruam hulefai-r-rashidinët dhe pas kësaj, të thonë për vete se janë rashidinë. Ndoshta do të ishte argument i fuqishëm kundër atyre që veten e quajnë selefij, sepse i Dërguari, s.a.v.s., ka thënë: "Përmbajuni sunnetit tim dhe praktikës së hulefai-r-rashidinëve, të udhëzuarve", dhe nuk ka thënë përmbajuni selefëve. Kështu do të ishte korrekt që edhe grupi i tretë të shpikte një medhheb, emri i të cilit do të asoconte në periudhën e as'habëve dhe, pas kësaj, të thonë se ne jemi sahabij.

Dhe nuk është fare çudi që sajuesit e medhhebeve të këtilla të tubojnë elemente të mjaftueshme për kredibilitet medhhebor, me të cilin do të dalloheshin nga medhe'hebet e tjera, e që do të reflektohej në ixhtihad, në pikëpamjet mbi besimin dhe mirësjelljen.

Atëherë, pa kurrfarë dyshimi, ithtarët e çdo medhhebi do të vazhdonin që, ithtarët e medhhebeve të tjera, t'i përbuznin dhe t'i shpallnin për novatorë dhe mashtrues dhe që dallimet në ixhtihad dhe mendim do të ishin armë në luftën kundër njëri tjetrit. Pa dyshim që çdo ithtar nga këto medhhebe do të ishte në kundërshtim me metodën islame të cilën e praktikuan të parët e ndershëm, qofshin ato sahabe, hulefai-r-rashidinë, apo të tjerë. Ata u dalluan në mendime, mirëpo nuk u ndanë në parti dhe degëzime. Ata ishin ithtarë të një metode të të kuptuarit të fesë dhe është normale që të ketë pasur mospajtueshmëri gjatë ixhtihadit në kuadër të asaj metode. Mirëpo ata gjendeshin nën patronazhin e solidaritetit islam i cili i bashkonte.

Andaj, nuk dimë ndonjë nga muxhtehidët që ta ketë zhvleftësuar ixhtihadin e tjetrit me të cilin nuk është pajtuar, apo t'i jetë drejtuar muxhtehidit tjetër për novator, apo pikëpamjet e tij me të cilat është shquar ai dhe medhhebi i tij t'i ketë drejtuar në konkurrim me medhhebet e tjera dhe ithtarët e tyre. Ata që u shkëputën nga kjo, siç janë fraksionet jashtë Ehli-s-sunnetit dhe Xhematit, pa dyshim se tendencat e tyre, në përgjithësi, përbëjnë barriera të forta ndërmjet tyre dhe Ehli-s-sunnetit dhe Xhematit dhe i ndajnë prej trupit islam.

Për shkak të kësaj u ndanë në fraksione të veçanta që u ngjajnë fanatikët dhe ekstremistët. Arsyet e tyre të vetme për metodën e këtillë janë fanatizmi dhe egoizmi.

Duhet ditur se të parët e ndershëm janë munduar në gjetjen e dispozitave juridike, andaj edhe kjo i ka çuar deri te krijimi i shkollave të ndryshme juridike. Këto medhhebe janë vetëm pasqyrë e mendimeve tek të cilat erdhën muxhtehidët nëpërmes hulumtimeve dhe studimeve. Lidhjet e përfaqësuesve të medhhebeve me njëri tjetrin kanë qenë në nivel lakmues. Ata i kanë ndihmuar njëri tjetrit në ixhtihad dhe kanë qenë të vetëdijshëm për obligimin që duhet respektuar çdolloj ixhtihadi.

Ne sot nuk e gjejmë tolerancën tek të ashtuquajturit selefij të cilët mendimet dhe kuptimet i marrin si armë në luftën kundër atyre që nuk mendojnë sikur ato. Ekzistojnë çështje dhe zgjidhje të shumta të ixhtihadit në kuadër të të përmbajturit të Kur'anit dhe Sunnetit, rreth të cilave janë kundërshtuar vetë të parët. Si gjykojnë ata që e quajnë veten selefij të diskutojnë mbi ato çështje dhe ta kufizojnë të drejtën dhe të vërtetën potenciale në një mendim dhe arsyetim i cili iu përgjigjet atyre.

Nga ky mendim i tyre ata bëjnë adresë të fesë së vërtetë dhe dëshmi për lajthitjen dhe marrëzinë e atyre të cilët nuk pajtohen me ata, pa vështrim në kriteret dhe dispoizitat të cilat tolerojnë ekzistimin e më shumë se të një mendimi dhe faktin se pararendësit e respektuar janë ndarë në shumë çështje.


Argumenti se medhhebi selefij është risi

Të gjithë neve na është e njohur që periudha e selefëve ka numëruar grupe të cilat ishin jashtë islamit, qofshin ata ehlu-l-kitabë apo të tjerë. Gjithashtu, ka pasur fraksione dhe grupacione të cilat në mënyrë deklarative janë numëruar si muslimanë, mirëpo me tendencë të shpërfilljes së metodës së të komentuarit dhe të kuptuarit të islamit nëpërmjet së cilës kanë ecur dijetarët dhe udhëheqësit muslimanë. Tendencat e tilla krijuan fraksione të ndryshme nga të cilat mund t'i veçojmë mu'tezilitët, murxhitët, harixhitët, ejt. Çdo njëra prej këtyre fraksioneve u nda në shumë sekte nga të cilat njëra tjetrën e akuzuan për herezi dhe ateizëm.

Periudha e të parëve të ndershëm (selefëve) u gjend në atë idil, dhe se shumica e muslimanëve ndoqën kriterin të cilin e morën nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., dhe nga shokët të tij, të cilët i interpretuan Tekstet dhe u morën me ixhtihad.

Ata realizuan lidhjen midis arsyes dhe Teksteve, andaj dhe me të drejtë bartën emrin e Ehli Sunnetit dhe Xhematit. Arsyeja që bartin këtë emër gjendet në të përmbajturit e metodës së njohjes e cila qëndron në lidhjen precize të shqyrtimit racional dhe rrëfimit tradicional, si dhe në të përmbajturit e gramatikës së gjuhës arabe gjatë interpretimit.

Interpretimi i Kur'anit nga ana e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., dhe të as'habëve, si dhe ixhtihadi i tyre, ishin bazat kryesore të hermeneutikës. Të gjithë ata që iu përmajtën kësaj metode do të llogariten nga rrethin e Ehli Sunnetit dhe Xhematit, madje edhe nëse do të jetonin në shekullin e fundit. Përkundër kësaj, të gjithë ata që nuk iu përmbajtën kësaj metode, nuk do të llogariten nga rrethi i Ehli Sunnetit dhe Xhematit, madje edhe nëse kanë jetuar në shekullin e parë të islamit.

Arritëm që të përfundojmë se ndjekja e të ashtuquajturit "medhheb selefij", të cilin shumë njerëz e konsiderojnë si përcaktim të drejtë të muslimanit, nuk njihej tek Ehli Sunneti dhe Xhemati, respektivisht te të parët e ndershëm (selefu-s-salihinët) në shekujt e parë të islamit. Një gjendje e tillë vazhdoi edhe për disa shekuj me radhë. Bashkëkohësit e asaj periudhe ishin ithtarë besnik të bontonit islam dhe metodës së të kuptuarit të islamit, duke qenë të kapur për të parët e tyre nga Ehli Sunneti dhe Xhemati. Kishte edhe prej atyre të cilët pjesërisht ose tërësisht e braktisën atë mënyrë të sjelljes dhe të të kuptuarit. Grupi i parë i njerëzve ishte me shekuj nën flamurin e Ehli Sunnetit dhe Xhematit, i cili në të gjitha periudhat paraqet shumicën e ummetit islam. Grupi tjetër i njerëzve ishin larg nga Ehli Sunneti dhe Xhemati, për arsye se u larguan nga metoda e drejtë.

Nuk dimë se a ka pasur ndonjë në ato shekuj që ta ketë kompozuar atë rrugë dhe atë metodë për t'iu bashkangjitur ndonjë medhhebi, të quajtur selefizëm, në kuptim që kjo ka qenë hyrja në mesin e të udhëzuarve, apo që mbetja eventuale në atë medhheb, të ketë nënkuptuar mbetjen në humnerë dhe novatori.

Nuk kemi dëgjuar një medhheb të tillë të ketë ekzistuar në shekujt e kaluar të islamit, ose tek muslimanët te ketë ekzistuar grupi i cili veten ta ketë quajtur si selefij, që ka caktuar identitetin e tij medhhebor të mendimeve me të cilat thirret dhe me etikën që praktikon. Nga ana tjetër nuk ekziston grup i cili quhet si novatorë dhe i humbur. E dimë që elementi vlerësues i saktësisë së muslimanit, ose pasaktësisë eventuale, është mënyra e të përmbajturit të metodës së Ehi Sunnetit dhe Xhematit e cila pasqyrohet në jetën e të parëve të ndershëm.

Ithtarët e selefizmit janë karakteristikë e përgjithshme e muslimanit. Njëjtë sikur ishte e drejtë që të parët e ndershëm të hasnin në mospajtime nën hijen e metodës të cilën ata e ndoqën, ashtu është e drejtë që të hasin në mospajtime edhe ata që vijnë pas tyre. Ashtu sikur ajo mospajtueshmëri nuk ndikoi në ndarjen e ummetit në të devotshëm dhe mëkatarë, atëherë as mospajtimi i tyre nuk do të ndikoj në ndarjen e unitetit islam dhe prej tyre të formohen selefitët dhe bida'txhitë (novatorët).

Kështu kaluan katërmbëdhjetë shekuj e nuk dëgjuam asnjë dijetarë të thotë që dëshmia e saktësisë së muslimanit dhe përudhjes së tij është në të bashkangjiturit e medhhebit i cili quhet selefizëm, dhe ata që nuk do t'i bashkëngjiten këtij medhhebi të trajtohen si novatorë dhe të humbur!



Autor: Rexho XHEMATOVIQ
Përktheu: Mehas ALIJA



_________________________

(Shkëputur nga artikulli "Thirrja vehabiste në selefizëm")

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...