Ruajtja e nderit dhe moralit



Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Salavat dhe selam i dërgojmë të Dërguarit të fundit dhe të dashurit të Allahut, Muhamedit (s.a.v.s.), shokëve të tij, familjes së tij dhe të gjithë atyre që kanë jetuar dhe vdekur me besim në zemrën e tyre.

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: "Imani (besimi) përbëhet nga 60 e disa pjesë, edhe turpi është pjesë e besimit", (Buhariu).

Njëra nga komponentët e besimit është edhe ruajtja e nderit dhe moralit, e me këtë nënkuptohet edhe ruajtja nga kurvëria, homoseksualizmi, lesbicizmi dhe të gjitha ato që shpijnë te këto veprime.


Vëllezër të respektuar

Trajtimi i kësaj teme është një detyrim të cilin nuk guxojmë ta anashkalojmë, sepse po jetojmë në një shoqëri ku gjithnjë e më shumë po ndjehet mungesë e vlerave morale, e virtyteve dhe normave njerëzore. Gjendemi në një shoqëri ku imoraliteti po përhapet me shpejtësi të madhe, duke na kërcënuar me shkatërrim të plotë të familjes.

Vëllezër, kurvëria (zinaja) definohet si: akt seksual jashtëmartesor që bëjnë personat e rritur. Allahu i Plotfuqishëm në Kur'an na urdhëron duke thënë: ﴾وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنَىٰ ۖ إِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةً وَسَاءَ سَبِيلًا﴿٣٢ - "Dhe mos iu afroni amoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë e keqe", (el-Isra, 32).

Allahu i Madhërishëm e krijoi njeriun, e me të edhe instinktet e tij, të cilat duhet të kontrollohen, që të mos barazohet me kafshët. Që në fillim duhet të theksojmë se Islami nuk është kundër marrëdhënieve intime (bashkëshortore). Islami nuk kërkon nga njeriu të bëhet murg (të mos martohet). Ajo që Islami kërkon prej njeriut është martesa, dhe në martesë lejohen marrëdhëniet intime. Për më tepër, për marrëdhëniet që i bëjmë me bashkëshorten, për të do të shpërblehemi nga Allahu i Plotfuqishëm. Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë:

"Në marrëdhëniet bashkëshortore të secilit prej jush ka sadakë"! Sahabët e pyetën: "O i Dërguari i Allahut, a do të shpërblehet edhe kur ndonjëri prej nesh i përmbush nevojat e tij intime"? Ai u përgjigj: "A mendoni se nuk do të bënte mëkat, nëse këtë pasion do ta përmbushte në mënyrë të palejuar? Gjithashtu, kur ai këtë e bën në mënyrë të lejuar, do të ketë shpërblim"!

Vëllezër, ajo që duhet veçanërisht të na shqetësojë është fakti se sot, me fjalën kurvëri apo prostitucion, nënkuptohet vetëm kur ky mëkat praktikohet me para, ndërsa format e tjera të marrëdhënieve jashtëmartesore quhet "bërje dashuri". Ndërsa kur thuhet se kurvëria është prostitucion, pavarësisht a bëhet me para apo jo, atëherë, disa ndjehen të fyer dhe të lënduar, dhe kjo na tregon se për këtë temë flitet pak ose aspak si në familje, ashtu edhe në shkollë e në xhami.

Si rezultat i heshtjes mbi këtë temë kemi një numër të madh të njerëzve të pamoralshëm, dhe bashkë me ta edhe një numër i madh i sëmundjeve infektive të pashërueshme.

Vëllezër, numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitiv për vitin 2013, është 96, ku midis tyre 5 janë fëmijë, ndërsa numri total i fëmijëve të infektuar shkon në 33. Sipas raporteve studimore të ISHP-së, deri në Nëntor 2013 janë regjistruar 671 raste me HIV/AIDS në Shqipëri.

Ky është numër shqetësues, nëse merret parasysh fakti se në vendin tonë deri kohët e fundit as nuk dihej për këtë sëmundje të tmerrshme.

Vëllezër, duhet ta dimë se "arusha" do të luajë edhe para shtëpive tona, nëse ne vazhdojmë t'i shikojmë aktet imorale më normale se sa pastërtinë morale. A është normale -vëllezër- sot që babai dhe nëna ta ndalojnë vajzën e tyre të vishet sipas rregullave islame. Po më tregon një shok: Para pak dite e pyeta një shoqe të njohur për vajzën e saj, dhe ajo më tha: "A nuk e di se çka na ka gjetur"? Unë menjëherë mendova për sëmundje apo rast vdekje, sepse ajo aq seriozisht e tha, dhe vazhdoi: "Po ajo është mbuluar"! Estagfirullah.

Shikoni vëllezër se në çfarë niveli kemi ardhur si shoqëri! Në vend se të jemi të kënaqur, të jemi krenar, kur fëmija jonë sillet sipas rregullave të fesë islame, ne këtë e gjykojmë.

A është normale, që vajzat 13-14 vjeçe i hidhen mësuesit të tyre, e kur mësuesi e paraqet këtë si problem, merr vërejtje edhe nga prindërit, edhe nga drejtoria e shkollës?

Vëllezër, ta dimë se kjo nuk na çon në të mirë, sepse popujt të cilët kanë kaluar nëpër faza të ngjashme i kanë pasur vetëm dy zgjidhje: ose shkatërrimi i vetvetes dhe zhdukja e heshtur ose dënimi i Allahut, i cili ju ka ardhur në forma të ndryshme.

Vëllezër, çfarë mund të shpresoj një popull i cili në qytetet e tij ka klube të homoseksualëve, ka "shtëpi publike" e të ngjashme? Në këto qytete, ku qytetarët madje edhe fëmijët e porsalindur, janë vrarë e masakruar nga armiku, tash vetëm pas disa viteve populli bën aso veprime për të cilat është shkatërruar populli i Lutit (a.s.).

Çfarë po ndodh me popullin tonë? Ku është ndërgjegjja e popullit tonë? Ku është krenaria dhe fytyra e tyre?

Kur disa vende evropiane e zgjidhin çështjen e veshjes se nxënësve dhe mësuesve në shkolla, atëherë kjo është gjë normale. Kur disa vende evropiane e zgjidhin çështjen e alkoolit dhe cigareve në vendet publike, atëherë kjo është një gjë krejt normale. Kur disa vende evropiane e zgjidhin çështjen e lojërave të fatit dhe basteve në afërsi të objekteve fetare dhe të shkollave, përsëri kjo është një gjë krejt normale. Por, kur ne muslimanët, i diskutojmë të njëjtat çështje, atëherë dikush na akuzon për fundamentalizëm dhe ekstremizëm.

Askush neve nuk na pengon që të miratojmë ligje të njëjta. Prandaj përfaqësuesit e pushtetit e kanë fjalën, si ata lokalë, ashtu edhe më gjerë, por ata e kanë edhe përgjegjësinë më të madhe, sepse ata janë aty për të na ndihmuar të gjithëve që të jetë më mirë, jo vetëm për vete. Nëse na dëshironi të mirën neve dhe fëmijëve tanë, atëherë ju lutemi ngrini dorën dhe votoni ligjin që alkooli, cigaret, droga, bixhozi, dhe imoralitetet tjetër të largohen nga shkollat dhe objektet tona fetare.

Vëllezër, i gjithë ky imoralitet na tregon se dita e Kiametit është shumë afër, sepse Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: "Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të bëhet kiameti derisa një njeri ta merr një grua e ta shtrijë në rrugë (për zina), dhe njeriu më i mirë atëherë do të jetë ai që do tu thotë atyre: "Sikur të ishin shmangur pas këtij muri""!?

A nuk është plotësuar kjo parashenjë e Kiametit?

Një i ri kishte ardhur tek Pejgamberi (s.a.v.s.) dhe i kishte thënë: "O i dërguari i Allahut, më lejo të bëj zina (tradhti, imoralitet)". Sahabët ju afruan duke i bërtitur "uh, uh"! Por Pejgamberi (s.a.v.s.) atyre ju tha lëreni të qetësohet, pastaj djaloshit i tha: "Eja këtu". Ai shkoi dhe u ul para të dërguarit të Allahut, i cili i tha: "A do të doje që dikush të bëjë zina me nënën tënde"? Ai tha: "Jo, o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty, dhe askush nuk dëshiron që dikush të bëj zina me nënën e tij". Pejgamberi (s.a.v.s.) vazhdoi: "A do të doje që dikush të bëjë zina me vajzën tënde"? Ai tha: "Jo, o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty, dhe askush nuk dëshiron që të bëhet zina me vajzën e tij". Pejgamberi (s.a.v.s.) tha: "A do të doje që dikush të bëjë zina me motrën tënde"? Ai tha: "Jo, o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty, dhe askush nuk dëshiron që të bëhet zina me motrën e tij". Pejgamberi (s.a.v.s.) tha: "Po a do të doje që dikush të bëjë zina me hallën tënde"? Ai tha: "Jo, o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty, dhe askush nuk dëshiron që të bëhet zina me hallën e tij". Pejgamberi (s.a.v.s.) tha: "A do të doje që dikush të bëjë zina me tezën tënde"? Ai tha: "Jo, o i Dërguari i Allahut, Allahu më bëftë kurban për ty, dhe askush nuk dëshiron që të bëhet zina me tezën e tij".

Pastaj i dërguari i Allahut e vuri dorën në kraharor dhe tha: "O Allah falja gjynahet, pastroja zemrën dhe ruaje nga zinaja"!

Dhe në fund unë dua të ju informoj se para disa muajve në një shkollë kishte ndodhur që një organizatë me ndihmën e mësuesve kishte ndërmarrë fushatë për shpërndarjen e mjeteve mbrojtëse gjatë marrëdhënieve intime nxënësve, dhe atë ndoshta nën sloganin: "Goma ta mbron kokën"!

Rini e dashur, prindër dhe mësues të dashur, largohuni nga këto fushata, sepse nuk është e vërtetë se 'goma ta mbron kokën', por e vërteta është se 'Islami ta mbron kokën'. Islami e pengon problemin në rrënjë, andaj populli thotë: "Më mirë të mbrohemi se sa të shërohemi", ndërsa praktika e të tjerëve është: "më mirë të shërohemi se sa të mbrohemi"!

O Zot, të lutemi na udhëzo në rrugë të drejtë, sepse nëse Ti nuk na udhëzon, nuk mund të na udhëzojë askush!

O Zot, të lutemi na i fal mëkatet tona, na mëshiro dhe na shpërble me xhenet!

Amin!



Përshtati: Miftar AJDINI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...