Çka pasqyron Hixhreti?



Hixhreti pasqyron:

– Lirinë e besimit,

– Durimin për besim,

– Sakrificën për besim,

– Dashurinë për besimin,

– Ndihmën e Zotit,

– Vlerën e jetës, etj..


Pasqyrimi i lirisë së besimit

Nuk mund të llogaritet liri e besimit nëse thuhet: "'Ne kemi fenë tonë, ndërsa ju nuk e keni fenë tuaj', por liri e besimit është kur thuhet 'Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time'", (El-Kafirunë, 6).

Si mund të konsiderohen mendime të drejta kur në njërën anë të thuhet liri e besimit, ndërsa në anën tjetër të thuhet: 'Mos e dëgjoni Kur’anin, mos i dëgjoni thëniet e Ligjeve të Kur’anit sepse janë ligje të prapambetura'!? Mendimet e tilla nuk pasqyrojnë liri të mendimit.

Zoti i Lartmadhëruar thotë: "Ata që nuk besuan thanë: Mos dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni!", (Fussilet, 26).

Liria e mendimit buron nga Kur’ani ku Zoti i Lartmadhëruar thotë: "Thuaj: "Kush ju furnizon nga qiejt e nga toka"? Thuaj: "All-llahu". E atëherë, ose ne ose ju jemi në rrugë të drejtë, apo në një humbje të dukshme! Thuaj: "Ju nuk jeni përgjegjës për gabimet tona, e as ne nuk përgjigjemi për atë që veproni ju!", (Sebeë, 24-25).


Pasqyrimi i durimit për besim

13 vite, muslimanët e dobët u maltretuan vetëm pse besuan, por ata e ruajtën BESIMIN, u torturuan por ata e ruajtën BESIMIN, ata qëndronin përballë torturave vetëm për të ruajtur BESIMIN dhe kur erdh koha, ata bënë hixhretin, sepse BESIMI ishte më i rëndësishëm se pasuria e tyre.


Pasqyrimi i sakrificës për besim

Hixhreti pasqyron sakrificën për besim. Sakrifica për besim pasqyrohet me rastin e Aliut r.a. i cili ishte i sigurt se mbi mbulojën e shtratit të Muhamedit a.s. do të ngrihen shpatat, por ai me bindje të thellë dhe i qetë vendoset nën mbulojën e shtratit të Muhamedit a.s..


Pasqyrimi i dashurisë për besimin

Madhështia e dashurisë kurorëzohet kur bëhet me qëllim të dobisë së përgjithshme. Gjatë hixhretit, Ebu Bekri i qëndronte si mburojë Muhamedit a.s.: 'ndonjëherë para tij, herën tjetër pas tij, herën tjetër para dhe herën tjetër pas Muhamedit a.s.'. Kur e pyeti Muhamedi a.s. se "pse po vepron kështu". Ebu Bekri i është përgjigjur: "Nëse mbytem unë, mbytem vetëm unë, ndërsa nëse mbytesh ti, shkatërrohet umeti i Muhamedit a.s.".


Pasqyrimi i ndihmës së Zotit

Ndihma e Zotit fitohet duke ndihmuar fenë e cila i ka zbritur Muhamedit a.s..

Zoti Lartmadhëruar thotë: "Nëse nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), atë pra e ka ndihmuar All-llahu, kur e përzunë ata që nuk besuan të dytin prej dyve. Kur ishin në shpellë, ai (Muhamedi a.s.) i tha shokut të vet (Ebu Bekrit r. a.): "Mos u brengos, vërtet All-llahu është me ne"!", (Et-Tevbe, 40).


Pasqyrimi i vlerës së jetës

Vlera e jetës pasqyrohet me Hixhretin sepse Kalendari i jetës fillon me ndodhinë e HIXHRETIT dhe nuk fillon me datën e lindjes së Muhamedit a.s. sepse me rastin e HIXHRETIT fillon një jetë e re ku vëllazërohen muslimanët, fillojnë jetën e re për këtë botë dhe për botën tjetër sepse kjo jetë është bahçe për të mbjellë ndërsa frytet mblidhen në botën tjetër.



Autor: Dr. Musli VËRBANI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...