Qabeja qendër e energjisë shpirtërore



Në drejtim të Qabesë lirohen energji të mëdha shpirtërore nga miliona besimtarë ditë e natë gjatë faljes në namaz. Prandaj ajo është qendër tërheqjeje ku graviton e gjithë forca e tyre shpirtërore dhe më pas ajo e shpërndan atë energji në formë ta valëve magnetike në të gjitha anët, fuqia e së cilës ndihet deri në skajet më të largëta të botës muslimane.

Qabeja është epiqendra shpirtërore, morale, fetare e hapësinore e fesë islame dhe atdheu shpirtëror i çdo muslimani. Në drejtim të saj ndërtohen mihrabët e të gjitha xhamive dhe kthehen fytyrat e gjithë muslimanëve të botës gjatë faljes. Por, në drejtim të saj madje duhet të kthehen jo vetëm fytyrat dhe kraharorët tanë, por edhe zemrat, shpirtrat, mendjet dhe mendimet tona.

Muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm që të gjitha pikat në tokë, me linja të padukshme, janë të lidhura me qendrën unike, Qabenë, në drejtim të së cilës e kthen pesë herë në ditë në namaz fytyrën e vet. Shtëpia e Zotit gjatë gjithë kohës është nikoqire e miliona besimtarëve të sinqertë të cilët me vite të tëra kanë qenë në pritje të vizitës së këtij vendi të shenjtë.


Haxhi

Haxhi zhvillohet në një pikë të caktuar gjeografike, në Mekë, dhe në një kohë të caktuar. Ai është udhëtim dhe shkuarje me qëllim dhe çdokush që lëviz në këtë rrugë, me përpjekje dhe devotshmëri, arrin lumturinë dhe të vërtetën. Haxhi është përgjigje ndaj thirrjes së Ibrahimit të bërë qysh prej mijëra vitesh, një zë që jehon nëpër kohë dhe që zë vend në zemrën dhe shpirtin e miliona besimtarëve. Ky lum i qenieve njerëzore nuk është shterur kurrë. Nëpër shekuj, ata kanë ardhur me numër të madh nëpër 'Derën e Shpëtimit (Babu Selam)', duke thënë: "Lebejke All-llahumme lebbejk, Lebbejke la sherike leke lebbejk, ..." - "Të përgjigjem o Allahu im, të përgjigjem , Të përgjigjem Ty, që je Një dhe i Vetëm, ...'.

Haxhi është një mundësi për të gjithë besimtarët që nga të gjitha anët e ndryshme të botës të shpejtojnë drejt Qabesë së shenjtë që me pendim dhe lutje të pastrojnë trupin dhe shpirtin nga mëkatet dhe, kur të kthehen, të kthehen në vendin e tyre si të rilindur.

Ai ofron një pamje impozante me njerëz me ngjyra dhe pamje të ndryshme, të cilët në haxh janë të barabartë dhe nuk ka asnjë dallim mes tyre, ashtu sikurse në Ditën e Ringjalljes kur njerëzit do të qëndrojnë të barabartë para Allahut duke pritur fatin e tyre, kur nuk do të merret parasysh prejardhja, raca dhe ngjyra e tyre dhe ku dallimi i vetëm do të varet nga niveli i devotshmërisë.

Haxhi është kthim drejt Burimit dhe udhëtim në kërkim të zbulimit të identitetit shpirtëror. Ky identitet shpirtëror i cili i mungon njeriut të sotëm është një nevojë jetike dhe qëndron mbi të gjitha identitet e tjera sepse në mungesë të tij, ai rrezikon të ardhmen e vet.



Autor: Dr. Ajni SINANI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...