Bajrami i Kurbanit



Falenderimi i takon Allahut, Zotit të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet (Salavatet dhe Selami) qofshin për Pejgamberin Muhamed savs, për familjen e tij të nderuar, për sahabët dhe të gjithë pasuesit.


Vëllezër të respektuar!

Allahun e dashur e falënderojmë që edhe këtë Bajram të Kurbanit po e presim në këtë shtëpinë tonë të bukur të Allahut, për të cilën Pejgamberi savs ka thënë se ajo është shtëpi e njerëzve të devotshëm.


Vëllezër të dashur!

Në këtë kohë të demokracisë, kur për njerëzit të gjitha janë të arritshme dhe të kuptueshme, kur besimi në Zot po konsiderohet si shenjë e prapambetjes, kur të gjitha të këqijat po konsiderohen të lejueshme, ndërsa të gjitha çoroditjet ndryshime të dëshirueshme, për të qenë i devotshëm nuk është aspak e lehtë. Mallkimet që sjellin me vete "vlerat" perëndimore po na i kërcënojnë zemrat tona dhe zemrat e familjarëve tanë me vdekje dhe errësirë.

Allahu i Madhërishëm, në lidhje me këtë thotë: "A barazohet ai që është i vdekur (i humbur) e Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecë në mesin e njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj. Kështu, mohuesve u janë zbukuruar ato vepra që kanë punuar", (el-En'am, 122).


Vëllezër të respektuar!

Allahu është burimi i dritës së qiejve dhe tokës. Atij që Ai i jep dritë, ai do ta gjejë rrugën që e çon te Zoti i botëve. Dhe duhet ta dimë se Allahu i dashur i udhëzon vetëm ata që dëshirojnë të jenë të udhëzuar.

Ndërsa ata që nuk e duan Udhëzimin, Allahu i dashur do t'ua ndalojë dritën dhe ata do të jetojnë në errësirën e mashtrimit.


Vëllezër të dashur!

Çelësi i suksesit tonë është zemra e ndriçuar dhe e gjallë. Zemra ndriçohet me namaz, kurse ringjallet me dhikër. Nga ana tjetër, ekzistojnë pesë situata të cilat e shuajnë dritën në zemër dhe e vdesin atë.

Situata e parë është kalimi i kohës me njerëz me zemra të vdekura. Ata janë të cilët nuk e duan Allahun, Pejgamberin savs dhe besimtarët, të cilëve nuk iu intereson a do të ketë xhemat dhe muslimanë apo jo, për të cilët interesat personale janë më të rëndësishme se interesat e përbashkëta, të cilët mendojnë vetëm për këtë botë, ndërsa botën e përjetshme e harrojnë.

Situata e dytë është jetesa në iluzione dhe dëshira të vazhdueshme të cilat njeriun e shtyjnë që vazhdimisht të bëjë plane të reja, do të thotë, të jetojë në të ardhmen, e ta lë pas dore të tashmen. Një njeri i tillë, i cili shpirtin e ushqen me materie, dëshirat do ta çojnë në braktisje, vetmi, drogë, infarkt apo vetëvrasje.

Situata e tretë është nënshtrimi i jetës së vet ndaj dikujt tjetër përveç Allahut. Për shembull, ndaj pasurisë, pozitës, fatit, familjes, vendit të punës, etj.. Njerëzit e tillë Allahu ua lënë atyre të cilëve ju janë nënshtruar.

Situata e katërt është preokupimi me ushqim dhe pije, si dhe shpenzimet e tepruara dhe shkapërderdhja e gjërva të lejuara.

Tregohet se Iblisi i mallkuar kishte biseduar me Jahjan a.s. dhe Jahja e kishte pyetur atë: "A më ke mashtruar mua ndonjëherë dhe më ke larguar nga Allahu"? Iblisi ishte përgjigjur: "Po të kam mashtruar vetëm njëherë, kur ke ngrënë ushqim. Unë të nxita që të ngopesh tepër, pastaj ti e ke lënë pas dore detyrën ndaj Allahut". Pas kësaj, Jahja a.s. ishte betuar se kurrë nuk do të hajë tepër, ndërsa Iblisi ishte betuar se ai kurrë nuk do ta këshillojë ndonjë nga bijtë e Ademit.

Situata e pestë është gjumi i tepruar. Ai e shkakton përtacinë, neglizhencën dhe humbjen e kohës kot. Besimtarët nuk guxojnë ta humbasin kohën. Ata duhet të angazhohen që kohën e tyre të lirë ta investojnë në përmirësimin e gjendjes në bashkësi.


Vëllezër të respektuar!

Të përpiqemi për dritën dhe udhëzimin e të ikim nga errësira dhe ligësia!

Në këtë kuptim ju ftoj!

Mos të bëhemi si ata që për shkak të dikujt apo diçkahit nuk duan të vijnë në xhami.

Gjithashtu, mos të bëhemi si ata që vetëm për shkak të dikujt apo diçkahit vijnë në xhami.

Çdo gjë që e bëjmë, ta bëjmë me ndershmëri, vetëm për Allahun dhe kënaqësinë e Tij.

Dhe mos të bëhemi si ata që interesohen se çka po ndodh në xhemat, e nuk duan të vijnë në xhami për ta mësuar të vërtetën, por kënaqen me trillimet që qarkullojnë nëpër tubime.

Mos të bëhemi si ata që duan ta shkatërrojnë xhematin, sepse ata do të përfundojnë në plehrat e historisë. Pejgamberi savs ka paralajmëruar: "Dora e Allahut është mbi xhematin, kush e përjashton vetvetën nga xhemati, ai vetveten e ka mënjanuar në zjarrin e xhehenemit"!


Vëllezër të dashur!

Le ta shfrytëzojmë kohën e Bajramit të Kurbanit si mundësi për të kuptuar se jeta jonë është kurban, të cilin duhet ta bëjmë për Zotin tonë, kurse vizita jonë në këtë xhami është haxhillëk, të cilin duhet ta bëjmë të paktën një herë në ditë.

Këto ditë të bekuara le të jenë nxitje për t'i harruar mospajtimet apo grindjet tona reciproke, në mënyrë që së bashku të ecim përpara me qëllim të forcimit të kësaj bashkësisë sonë.

Besimtarët janë vëllezër, kurse armiku ynë i vetëm është shejtani i mallkuar dhe ushtria e tij e njerëzve dhe xhinëve.


Vëllezër të respektuar!

Ta ndajmë gëzimin e bajramit me më të afërmit tonë: 'familjen, miqtë, fqinjët dhe farefisin'.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që ta pranojë agjërimin tonë në ditën e Arafatit, që t'i pranojë kurbanet tonë, si dhe haxhilerëve tonë t'ua bëj kabull haxhin e tyre. Amin!



Përshtati: Miftar AJDINI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...