Gjashtë ditët agjërim të Shevvalit



Sipas kalendarit hënor, në vijim pas Ramazanit, vjen muaji Shevval. Gjatë Ramazanit, myslimanët u mësuan ta kalojnë kohën 24-orëshe me një durim të gjatë e të posaçëm, gjatë të cilit u edukuan në mënyrë krejt të ndryshme nga koha tjetër, nga ditët e tjera. Tashmë për ta u bë e zakonshme ta mendojnë jetën ndryshe, të nxjerrin kuptime mbi jetën të ndryshme nga ato që kanë pasë nxjerrë më parë.

Njerëzit relativisht të pasur ose, që kanë pasë mundësi normale për të siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe të mirë, vunë re se edhe njerëzit e varfër ose, ata të cilëve u është dashur zakonisht të bëjnë përpjekje suplementare për të siguruar ushqimet sasiore dhe cilësore që kanë ngrënë ose hanë në ramazan, gjatë ramazanit e kanë pasë më të lehtë. Vëllazëria dhe solidariteti kanë qenë një e re që është shndërruar çdo ditë e më mirë në një tipar të rregullt të së përditshmes.

Kalendari biologjik i trupit u bë shprehi aq sa s'duheshin më përpjekje të veçanta për ta realizuar. Trupi tregohej gati në syfyr dhe jo i padurueshëm në iftar. Ditën e fundit të Ramazanit, trupi kërkoi përsëri të ngrihej në syfyr dhe përsëri të shtrohej në iftar. Kështu, pra, në mbarim të Ramazanit, trupi nuk qe gati për ndryshimin e ri, madje qe shumë i gatshëm për të vazhduar me një agjërim tjetër.

Agjërim farz (fard) është, për myslimanin, agjërimi i muajit të Ramazanit që urdhërohet në Kur'an. Agjërimet e tjera përveç Ramazanit janë që të gjitha nafile.

Në krye të agjërimeve nafile ose suplementare vijnë 6 ditët e Shevvalit. Këtu na duhet të hapim një parantezë. Kuptimi i parë i fjalës arabishte nafile është i kotë (veprim i panevojshëm, punë e panevojshme). Kuptimi i dytë është i padobishëm (veprim i padobishëm, punë e padobishme). Kurse kuptimi i tretë, specifik, është suplementar, me të tepërt (rit suplementar, me të tepërt, adhurime suplementare, me të tepërt).

Agjërimet e tjera veç atyre farz dhe vaxhib, pra, janë emërtuar nafile (shtesa, agjërime suplementare). Ashtu siç ndodh gjatë trajtimit të llojeve të namazeve, nafile nuk do të thotë i panevojshëm, i kotë, i paqëllim, por përveç farzeve dhe vaxhibeve, shkurt, jashtë detyrimeve dhe domosdoshmërive. Meqë adhurimi nafile bëhet me qëllim për të fituar më shumë mirësi (thevab), në mund të shprehemi kështu, të bësh adhurim nafile, do të thotë të bësh punë suplementare, të punosh më gjatë e më shumë.

Ndodh që agjërimet nafile të emërtohen edhe sunnet, mustehab, mendub dhe tatavvu (kryerje adhurimi që nuk është farz). Agjërimi nafile mund të mbahet në të gjitha ditët mubah (normalitet) për agjërim. Ndërkaq, agjërimi në disa ditë të caktuara është parë si më i vlefshëm, prandaj dhe është pranuar si sunnet ose mendub (i pëlqyeshëm, etik).

Forma më e përgjithshme dhe më e rregullt e agjërimit të Shevvalit janë 6 ditë radhazi menjëherë pas ditës së Bajramit.

Agjërimi i Shevvalit është mustehab, domethënë, i pëlqyeshëm dhe i pasuar me mirësi si shpërblim.

Por agjërimi mund të bëhet edhe i shkëputur, i shtrirë gjatë muajit Shevval. E njëjta mirësi (thevab) arrihet edhe me anë të mbajtjes gjatë këtyre ditëve të agjërimeve kaza dhe të kushtimit. Disa dijetarë e kanë theksuar thënien e Profetit se personi që e kalon ramazanin me agjërim duke i shtuar edhe gjashtë ditë nga Shevvali, do të jetë sikur ta kishte kaluar gjithë vitin me agjërim (Muslim, Sijam, 204).



Autor: Mithat HOXHA

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...