A janë vehabistët shqiptarë kamikazët e ardhshëm?



Myslimanët e Shqipërisë ende nuk e kanë dënuar tentativën terroriste të katër shqiptarëve në New Jersey.

Ata kanë djegur kopje të Kur'anit, sepse "janë prej Turqie", por në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë (KMSH) mendojnë se kjo është e pamundur. "Nuk ka mysliman që djeg Kur'anin", siguron gati me frikë zëdhënësi Dorian Demetja i KMSH-së, i cili vetëm pak minuta më parë nuk e kishte fshehur habinë për pyetjen që iu drejtua në lidhje me mosreagimin e këtij komuniteti për arrestimin e katër shqiptarëve në afërsi të bazës "Fort Dix" në New Jersey. Problemet që nxori greva e urisë e disa besimtarëve te xhamia e Tabakëve, për shkak të shitjes së një trualli vakëf në mes të Tiranës, janë një motivim i mirë për mosmarrjen me çështje ndërkombëtare, për më tepër kur të arrestuarit "nuk janë nën juridiksionin territorial të KMSH".

Megjithatë, ndoshta mungesa e pranuar e bashkëpunimit me komunitetet simotra (sipas Demetjes, KMSH ka kontrata bashkëpunimi me 4-5 vende), ka bërë që askush të mos jetë në dijeni të reagimeve të të gjitha bashkësive myslimane shqiptare në botë, me përjashtim të Shqipërisë. Madje kjo gjë as që duket e nevojshme, edhe pse përfundimisht dënohet përpjekja e katër shqiptarëve nga Dibra e Madhe për të organizuar akte terroriste në SHBA.

Në mënyrë interesante, në komunitet mendojnë se akte të tilla terroriste, si ai që po përgatiteshin të organizonin tre vëllezërit Duka e bashkëkombësi Abdullai, në bashkëpunim me një turk dhe një jordanez, nuk janë në natyrën e myslimanëve shqiptarë. Pak a shumë i këtyre mendimeve është edhe imami i ri i një xhamie të rëndësishme në veri të vendit. Por, pavarësisht se historia gati 600-vjeçare e islamit shqiptar dëshmon tolerancë dhe harmoni fetare, si atribute të shumicës ndaj besimeve tjera, duket e pasigurt të thuhet se kombësia është imunitet ndaj terrorizmit.


"Ujë nën rrogoz"

Thuajse të gjitha të realizuara jashtë vendit, botimet fetare myslimane që mësynë Shqipërinë e fillimviteve '90 ishin në pjesën e tyre më të madhe të pakontrolluara nga strukturat e ngritura pas gati 30 vjet ndalimi të Komunitetit Mysliman, por vetëm të mirëpritura për shkak të boshllëkut në literaturë. Këtë etje të besimtarëve filluan ta shuajnë edhe libra të tillë si "Monoteizmi islam" ("Libri i monoteizmit", Kitab et-tevhid) e ndonjë tjetër që u mësonte shqiptarëve të dalë nga pavijonet e muzeut të një ateizmi të dhunshëm se "të gjitha objektet e adhurimit, përveç Allahut, janë të rrejshme".

Padyshim, breza të tërë besimtarësh deri para vitit 1963 e dinin "La ilahe ilall-llah", por askush s'u kishte thënë atyre se "të gjithë ata që praktikojnë adhurim të tillë [përveç Allahut] meritojnë vdekje". Pranimi i tjetrit kishte qenë një nga vetitë themelore të islamit tradicional shqiptar, që shkonte deri në "ktheji faqen tjetër", por në mënyrë të heshtur gjërat nisën të ndryshonin.

Ishte koha kur shkohej falas për haxh, kur edhe për imamët ofrohej shkollim falas në vende të largëta. Nisi rikonstruksioni i xhamive-gërmadha e ndërtimi i të rejave dhe shpenzimet mbuloheshin në formën e donacioneve nga shoqata të shumta islamike, që nuk e patën të vështirë ta plotësonin me Shqipërinë gjeografinë e shtrirjes së tyre në vendet e ish-bllokut komunist, përfshi rajonet myslimane në Ballkan, por edhe disa shtete të Azisë Qendrore.

Thuajse në të gjitha qytetet shqiptare gëlonin kurset e arabishtes, me gjasë vetëm të mësimeve fetare, të pakontrolluara dhe të pamiratuara nga ndonjë institucion i shtetit shqiptar që mëtonte të shkëputej prej centralizmit partiak. Vetëm pak vjet përpara kësaj kohe, Khomeini i revolucionit islamik kishte denoncuar botërisht vendin simbol të islamit për dhunim të Kur'anit, nëpërmjet "shtrembërimit të vargjeve të shenjta". Të bëra pak para rënies së Murit të Berlinit, deklarimet e liderit të ashpër nuk kishin mundur të depërtonin në Shqipëri as atëherë e as tani, falë edhe natyrës introverse të institucioneve që duhet të komunikojnë me botën. Nuk ishin myslimanët shqiptarë ata që i zgjidhnin bashkëpunëtorët në nivel komuniteti a shoqate në botë, por këta të fundit që në varësi të interesit hidhnin para për medresetë, minaret, librat, e jo pak herë edhe ushqimet që duheshin për të shuar një uri 30-vjeçare.

Lufta e Kosovës e periudha mbas kësaj shtroi rrugën për shoqatat e fondacionet e shumta islamike, që fillimisht nën flamujt e bamirësisë mbërritën deri edhe në investime madhore, si rasti i kullave binjake të Tiranës, pronari i të cilave, Jasin El-Kadi, krenohej se ishte takuar disa herë me Osama bin Ladenin, në të njëjtën kohë që sfidonte me miqësinë e Dick Cheneyt e Jimmy Carterit. Por, të përzënë nga ndërhyrja e detyruar e qeverisë shqiptare në kuadër të fushatës botërore antiterrorizëm, elementë të ngjashëm duket se po përgatisin nga brenda terrenin për ndonjë rikthim të mundshëm.


Besimtarë 100 eurosh

Më parë në Bosnjë e Kosovë, e tani në Maqedoni e Shqipëri, një numër në rritje myslimanësh po paguhet në mënyrë informale me shuma që shkojnë nga 50-200 euro në muaj për ushtrimin e besimit në formën që përcaktohet nga disa parime si ai i lartpërmenduri. Pjesa më e madhe e besimtarëve që marrin këto pagesa "nën dorë" i përket shtresave të varfra: njerëz të papunë, me probleme personale dhe familjare të pazgjidhura. Në mes njëri-tjetrit ata thirren vëllezër dhe përgjithësisht janë tipa të pakomunikueshëm, periferikë dhe me formim të mangët, kryesisht vetëm me arsimin bazë. Thuajse të gjithë kanë hequr dorë nga emrat që u kanë vënë prindërit dhe janë vetëquajtur me emra tipikë myslimanë, kryesisht të pjesëtarëve të familjes, apo të miqve të profetit. Në KMSH nuk besohet, por "ata paguhen për me ndejtë tanë ditën në xhami", thotë një teolog në veri të vendit, duke iu referuar papunësisë, e gjithashtu edhe shpërfilljes që ky kontingjent besimtarësh ka për ummetin, apo për krejt shoqërinë. Nëpërmjet lëvizjeve, kryesisht në muzg ose para agimit, këta besimtarë shpeshherë e kalojnë kufirin politik, duke realizuar me vëllezërit e tyre në anën tjetër takime, qëllimi i të cilave mbetet mister, në mos për të shkëmbyer libra fetarë. Në shumë qytete shqiptare, por sidomos në Tetovë, Shkodër, Prizren, por edhe në Tiranë, Elbasan, etj., kanë shkaktuar probleme të rënda sociale, ndarje brenda familjeve që nuk kanë rënë dakord me praktikat e reja të besimit, dhunime prone apo personi familjar, por edhe dhunime të organizuara ndaj personave ose objekteve të kultit.

Raste si ai i rrahjes së imamit të një xhamie tradicionaliste në Shkodër, përpjekja për dhunimin e varrezave të vjetra në një qytet në Kosovë, etj., nuk janë të vetmet. (Të shumtë ishin edhe misionarët bamirës e fetarë të rimartuar gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri me vajza të zgjedhura, të cilat me fëmijë apo shtatzëna i braktisën kur u kthyen në vendet e tyre). Ky tip i ri besimtari, për qëllimet dhe aspiratat e të cilit mungon krejtësisht informacioni, shihet jo pa frikë nga myslimanët e tjerë. Më shumë se për haxh, të gjithë ëndërrojnë dhe përpiqen të mbledhin para për të jetuar një orë e më parë në vendet e shenjta, por ata nuk flasin me kënd për këto gjëra. Drejtues të xhamive në disa qytete të vendit nuk janë fort të shqetësuar për këta besimtarë, "pasi ata i falin rregullisht të pesë vaktet" edhe pse "në një mënyrë të ndryshme". Në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, edhe pse e njohin dukurinë, pranojnë se nuk ka asnjë masë mbrojtëse ndaj tyre, por mjaftohen duke i quajtur "jashtë rrethit shumë të gjerë të islamit" besimtarët e çuditshëm që nuk pranojnë të nderojnë të vdekurit. KMSH i konsideron protagonistët e rasteve të dhunës ndaj funksionarëve apo besimtarëve të vet, si objekt i punës së policisë, duke hequr dorë kështu jo vetëm nga çdo përgjegjësi për njerëzit e vet, por edhe nga të qenit zotërues realë të "territorit" aspak në kuptimin gjeografik të fjalës. Zëdhënësi dhe njëkohësisht drejtori i kulturës në KMSH, Dorian Demetja, ndihet i mbrojtur, kur thotë se statuti i institucionit të tij sanksionon drejtimin hanefij për besimtarët shqiptarë, ndaj nuk beson se në ndonjë të ardhme sado të largët, ky drejtim mund të ndryshojë në.


Vehabi apo selefi?

Autorë dhe enciklopedi të shumta janë mjaft të afërt në përcaktimin si vehabistë të besimtarëve që mëtojnë ta përjetojnë islamin selefi, si të parët, miqtë bashkëkohës të profetit Muhamed. Kush i ka vërejtur edhe në rrugë, burra me mjekra të lëshuara ecin përpara grave, gjithashtu të veshura në gri o në të zezë, e në të shumtën e rasteve të mbuluara me perçen që mbreti Zog e ndaloi 80 vjet më parë. Burrat mendojnë se mbajtja e mjekrës në atë mënyrë, por edhe mbulimi i grave, është detyrim për çdo mysliman, por shumë dijetarë dhe teologë islamë theksojnë se lëshimi i mjekrës, si dhe mbulimi i femrave mbi 6 vjeç ishte një veçori e Arabisë së shekullit të lindjes së islamit, dhe se në këtë aspekt islami nuk është i ngurtë.

Termi vehabizëm, që në botën perëndimore u bë veçanërisht i njohur pas 11 shtatorit të vitit 2001, u dedikohet pasuesve të Muhammed ibn Abdulvehhabit (1703-1792), vepra kryesore e të cilit, "Kitab et-tevhid", hodhi bazat e një lëvizjeje që më shumë se fetare rezultoi të ishte politike. Duke mëtuar se ishte ndjekës i rrymës hanbelij, sipas dëshmive dhe teologëve, ai synonte të hidhte poshtë katër shkollat ligjore hanifije, malike, shafije e hanbelije të vërtetë, për të shkëputur Gadishullin Arabik prej sundimit 200-vjeçar të perandorisë osmane, si fuqia më e madhe myslimane e kohës, në një aleancë aspak të ndershme me britanikët.

Edhe pse si Abdulvehhabi pasuesit e tij në Shqipëri martohen në heshtje, pa muzikë, urrejnë më shumë se hebrenjtë dhe të krishterët vetë myslimanët e tjerë "turq", atyre nuk u pëlqen të deklarohen vehabistë. Në përpjekjen "Muhammed Ibn Abdulvehhabi dhe vehabizmi në dritën e provave", (botuar nga "Zëri Islam", Kosovë, 2004), Nexhat Ibrahimi thekson se vetë vehabistët njihen me termin muvehhidun, unitarë dhe e dinë veten pasues hanbelij të Ibn Tejmijes. Kjo ndoshta është arsyeja që në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, por edhe gjetkë nëpër Tiranë, Tetovë, etj., besimtarët me mjekrat e lëshuara, me veshje të gjatë e të errët, që për më tepër kanë "pushtuar" xhamitë edhe në kryeqytet, nuk preferohen të quhen vehabistë, por selefij, apo edhe hanbelij. "Këta janë frymëzuar nga Pakistani, sepse edhe veshjet i kanë gri si andej, e jo të bardha si në Arabinë Saudite", përpiqet të largojë çdo dyshim zëdhënësi Demetja. I pyetur se në ç'nivele është bashkëpunimi me Arabinë Saudite, ai mjaftohet me "kemi marrëveshje gojore". Ndërkaq, në një skanim origjinal e të guximshëm të shkaqeve që çuan në rrëzimin e simbolit të Kullave Binjake, ndryshe nga Noam Chomsky në "11 septembre, la raggione di chi"? (botuar nga "Mondadori", Itali, 2002), autori mysliman Stephen Sulejman Schwartz në librin e tij "Dy fytyrat e islamit" (botuar nga ARS, Shqipëri, 2005), akuzon pikërisht vehabizmin e Arabisë Saudite për financimin e terrorit, madje duke cituar disidentë fetarë të atjeshëm. Ka tre lloje myslimanësh në mbretërinë saudite: ata që duan t'i vrasin të gjithë (vehabistët ekstremistë); ata që duan t'i vrasin të gjithë myslimanët jovehabistë, por që duan edhe të mbajnë marrëdhënie të mira me fuqitë e krishtera (mbretërorët) dhe myslimanët tradicionalë që s'duan të vrasin njeri.

Raportime të shumta, sidomos gjatë 10 viteve të fundit, flasin për praninë gjithnjë e më të madhe të investimeve arabo-saudite në rajon, nëpërmjet ndërtimit të xhamive, hapjes së medreseve e shkollave, ndihmave humanitare dhe sidomos nëpërmjet dhurimit të literaturës fetare, kryesisht ribotime të Kur'anit, botimet e të cilit në të gjitha gjuhët e botës, të kritikuara edhe nga Khomeini gati 20 vjet më parë, janë ekskluzivitet i Arabisë Saudite. Sipas dëshmitarëve të shumtë, por edhe sipas fakteve të dokumentuara në librin e cituar të drejtuesit të Qendrës për Pluralizëm Islamik në Washington, Schwartz, kjo dekadë e fundit përkon edhe me rritjen e numrit të përkrahësve të vehabizmit në rajon e deri në Uzbekistan, Turkmenistan, Azerbajxhan, Kirgiztan, etj..

Ndërkohë që numri i të kthyerve nga ajo botë është i pakët. Ata që kanë pranuar të "rrëfejnë" në mirëbesim janë ende nën efektet traumatike të një periudhe të errët të jetës së tyre. E dinë mirë se ajo nuk ishte ferri, por ata nuk gjejnë fjalë tjetër për të përshkruar makthet prej të cilave luftojnë të shpëtojnë, sidomos për sa i takon ndjenjës së urrejtjes, që u induktohej për gjithçka dhe për gjithkënd.


25000 dollarë për çdo kamikaz

Pak kohë para rënies së Sadam Huseinit, u mësua se diktatori i paguante deri në 25000 dollarë familjes të çdo kamikazi që shpërthente në Izrael. Burime të tjera flasin për shuma deri në 40 milionë dollarë, të dhëna nga agjenci zyrtare saudite, përfshi princin e kurorës, Abdullah, vetëm gjatë vitit 2000 për familjet e rreth 600 kamikazëve. Natyrisht, përfituesit e këtyre shumave nuk mund të jenë më besimtarë, pasi vetëvrasja është e dënueshme nga islami, por jo edhe nga varfëria që mund të blejë veç vdekjen.


Një ideolog vehabist shqiptar

Nasiruddin El-Albani, djali i dëbuar i një dijetari mysliman nga veriu, është ndoshta shqiptari që u ngjit më lart në shkollën vehabiste. Orëndreqësi i rritur në Jordani mendon se në rastin e rikthimit, Isaia (Jezu Krishti), do të gjykojë sipas Kur'anit e jo sipas ndonjë gjëje tjetër si "Inxhili, fikhu hanefij". Ai lëshoi një fatva, duke u kërkuar përfund të gjithë myslimanëve ta braktisnin Bregun Perëndimor dhe Izraelin.


Bushi është i mirëseardhur

Duhen edhe disa ditë deri në 10 qershorin e ardhjes së Bushit në Tiranë, vizitë për të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, meqë nuk ka lidhje me politikën, dëshiron vetëm ta urojë në funksion të ecjes mbarë të Shqipërisë e shqiptarëve drejt integrimit euroatlantik. Natyrshëm që George W. Bush është i mirëseardhur si Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që viziton Shqipërinë. Në KMSH askush nuk mendon se mund të ketë reagime negative nga radhët e myslimanëve për mysafirin e rrallë që mban në burg katër besimtarë myslimanë shqiptarë, me gjasë vehabistë. "Aq më pak akte terroriste". Por kur flasin për besimtarë myslimanë, në KMSH nuk kanë parasysh të ashtuquajturit ekstremistë vehabistë, sepse siç përforcon edhe zyrtari Demetja, lëvizja vehabiste nuk u krijua për fe e pastërti, por u krijua për politikë e "lëvizje të tilla dihet se si përfundojnë". Në këtë mënyrë komuniteti pranon se, ndonëse e palegjitimuar, ekziston një lëvizje e tillë edhe në Shqipëri, ku mbrëmjen e 11 shtatorit 2001 jo të gjithëve u erdhi keq për viktimat e avionëve kamikazë, që nga 17 protagonistë, 11 ishin nga Arabia Saudite.



Përgatiti: shqip-media.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...