E drejta për shkollim dhe Shamia (Kapitulli i dytë)



Kapitulli i dytë

E drejta për shkollim

Njëra nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut është edhe e drejta për shkollim. Arsimimi është një e drejtë e pamohueshme, është një nga të drejtat themelore të individit, duke ja mundësuar këtë të drejtë, atij i mundësohet e drejta që ti ushtroj të drejtat e tjera, pasi nëpërmjet ushtrimit të kësaj të drejte, individi ka mundësi të ushtrojë të drejtat e tjera, siç janë ato civile, politike, ekonomike, kulturore. Për të realizuar këtë të drejtë, arsimi duhet të jetë i mundshëm, i arritshëm, i pranueshëm dhe i përshtatshëm. Në këtë mënyrë, arsimi e pajis individin me njohuri, shprehi dhe shkathtësi që e ndihmojnë për të bërë zgjedhjet e duhura në jetë.

E drejta për shkollim ka rëndësi të madhe për njeriun si qenie njerëzore dhe si qenie politike e shoqërore. Kjo ka rëndësi të madhe edhe për shoqërinë përkatëse, ngase paraqet parakushtin themelor për zhvillimin e saj të gjithanshëm, sidomos në kushtet e zhvillimit të hovshëm teknologjik dhe kushtet e kompjuterizimit, që e kanë përfshirë botën. Nëpërmjet kësaj të drejte sigurohen elementet e së drejtës së njeriut që, duke u shkolluar, ta zhvilloj personalitetin e tij dhe të krijojë mundësi për përmbushjen e nevojave, por edhe sendërtimin e të drejtave të tij politike e personale. [12]

Arsimi nëkupton një veprimtari të organizuar, që synon përvetësimin dhe zotërimin e sistemit të fakteve dhe të përgjithësimeve shkencore, të diturve nga fusha të ndryshme të shkencës dhe të artit, të prodhimit dhe të teknikës, si dhe formimin mbi bazë të atyre diturive të reja, të shkathtësive dhe të shprehive intelektuale, kulturore, shëndetësore, punuese, etj..

Një e drejtë e tillë i ofron individit më shumë kontroll për drejtimin e jetës së tij apo saj, në veçanti kontrollin mbi veprimet e shtetit kundrejt individit. Me fjalë të tjera, ushtrimi i të drejtës së arsimimit, aftësimit i ndihmon personit që t'i përjetojë të mirat e të drejtave të tjera. Gëzimi i shumë të drejtave politike dhe civile, siç është e drejta për informim, liria e të shprehurit, e dreja për votim dhe për t'u zgjedhur dhe shumë të tjera, varen nga së paku një shkallë minimale e arsimimit. Ngjashëm, një numër i të drejtave ekonomike, shoqërore dhe kulturore, sikurse e drejta për zgjedhjen e punës, për të marrë pagë të njëjtë për punë të njëjtë, për të gëzuar të mirat e përparimit shkencor e teknik dhe për të marrë arsimim të lartë në bazë të aftësive, mund të ushtrohet në mënyrë kuptimplote nëse është arritur një shkallë minimale e arsimimit. E njëjta mbanë të vërtetën për të drejtën e pjesëmarrjes në jetën kulturore. Për minoritetet etnike dhe gjuhësore, e drejta për arsimim është një mjet thelbësor për ta ruajtur dhe forcuar identitetin kulturor.

Mohimi dhe shkelja e të drejtës për arsimin dëmton aftësinë e njerëzve që t'i zhvillojnë personalitetet e tyre, të mbështesin dhe t'a mbrojnqë vetvetën dhe familjet e tyre, si dhe të marrin pjesë përshtatshmërisht në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Në shkallën e gjerë të shoqërisë, mohimi i arsimimit dëmton çështjen e demokracisë dhe të përparimit shoqëror, dhe si vazhdim paqen ndërkombëtare dhe sigurinë njerëzore. Nëpërmjet arsimimit dhe mësimit për të drejtat e njeriut dhe për të drejtat humanitare, mund të ndalohen apo rregullohen shkeljet e të drejtave të njeriut dhe konfliktet e armatosura, si dhe mund të lehtësohet rindërtimi shoqëror pas përfundimit të konflikteve. [13]

Kur një shoqëri ka bindje të atilla që duhet respektuar njëri-tjetrin, patjetër se edhe mirëqenia brenda saj do vijë në shprehje. Por, që të arrihet kjo, patjetër se duhet pasur një sistem edukativo-arsimor të mirëfilltë, sepse ai është indikatori kryesor në krijimin e rrethanave të formimit dhe emancipimit të një shoqërie multi-kulturore.

Nëse shohim sot se cilat janë vendet kryesore ku ekziston mirëqenia e banorëve të tyre, se ku ekziston respektimi më i madh i të drejtave dhe lirive të njeriut, mund të kuptohet lehtë se ato janë vendet të cilat i kanë kushtuar rëndësi që moti arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të tëra.

E drejta për Arsimim ka bazë solide në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ajo ishte e shtruar me kujdes në disa dokumente regjionale dhe universale për të drejtat e njeriut.

Për shkak të vlerës dhe rëndësisë që ka shkollimi, të drejtën për shkollim e gjejmë në të gjitha marrëveshjet, rezolutat, konventat ndërkombëtare, kushtetutat e ligjet e shteteve demokratike.


E drejta për shkollim sipas akteve ndërkombëtare

Të drejtës për shkollim, si njëra nga të drejtat që ndihmon në përparimin dhe zhvillimin e individit dhe shoqërisë, i është kushtuar një vëmendje e veçantë nga ana e shteteve dhe i është dhënë një rëndësi në konventat dhe deklaratat për të drejtat e njeriut, si në ato regjionale dhe në ato ndërkombëtare.

Deklarata universale mbi te drejtat e njeriut neni 26:

1. Çdo njeri ka të drejtën e shkollimit. Shkollimi duhet të jetë pa pagesë, së paku në shkollën fillore dhe fazat themelore. Shkollimi fillor do të jetë i detyruar. Shkollimi profesional dhe teknik do të jenë në dispozicion të përgjithshëm, dhe shkollimi i lartë do të jetë në qasje i barabartë për të gjithë mbi bazë të meritës.

2. Arsimi duhet të drejtohet nga zhvillimi i plotë i personalitetit të njeriut dhe nga forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ai duhet të nxisë kuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të racave dhe besimeve, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.

3. Të drejtën për të zgjedhur llojin e arsimit për fëmijët e tyre e kanë në radhë të parë prindërit. [14]

Pika 1 e këtij neni i cek disa të drejta të njeriut për shkollim, se çdo njeri ka të drejtë në shkollim pa përjashtim; shkollimi fillor duhet të jetë pa pagesë dhe i detyruar; shkollimi profesional në dispozicion për të gjithë dhe shkollimi i lartë i barabartë për të gjithë me kriter të vetëm meritën.

Dituria është ajo që e ngrit njeriun, e zhvillon dhe e bën që ta kuptojë më mirë botën dhe gjerat që e rrethojnë, dhe kjo dituri arrihet nëpërmjet shkollimit, kështu e kuptuan edhe burrështetasit dhe njerëzit e ditur qysh ne kohërat e hershme kur filluan të njihen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nëpërmjet deklaratave dhe konventave, duke qenë të bindur se me arsimimin e individit do të mundësohet zhvillimi dhe përparimi i shoqërisë, do të krijohet një shoqëri më e sigurt sepse shkollimi i mundëson individit ti kërkojë të drejtat e tij dhe të di ti respektojë te drejtat e tjetrit. Për këtë arsyeje e drejta për shkollim i takon çdo individi pa përjashtim, dhe shteti duhet të angazhohet që t'u afroj këtë të drejt qytetarëve te vetë duke ju lehtësuar arsimimin me shkollim te obliguar e pa pagesë.

Kjo deklaratë kërkon nga shtetet që të ofrojnë për individin arsimin i cili ndihmon në zhvillimin e personalitetit, në respektimin e të drejtave të njeriut, që nxitë në tolerancë, miqësi ndërmjet individëve, popujve, grupeve racore e fetare.

Bazuar në fjalinë e parë të nenit 26 "Çdo njeri ka të drejtën në shkollim", kjo i referohet si të rriturve ashtu edhe fëmijëve. Ndërkaq fjala "shkollim" duhet kuptuar në kuptim më të gjerë. Kjo nuk duhet kufizuar vetëm në shkollim të përgjithshëm, por gjithashtu të përfshijë edhe shkollimin më të lartë dhe trajnimet profesionale. [15]

Protokolli i Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, e drejta për arsimim: "Askujt nuk mund t'i mohohet e drejta për arsimim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike". [16]

Mohimi i të drejtës për shkollim është mohim i një jete dinjitoze të individit dhe shoqërisë në përgjithësi, krijohet shoqëri e cila nuk di ti kërkoj dhe ti shfrytëzoj të drejtat e saj, por edhe nuk i respekton të drejtat e tjerëve, një shoqëri që i mungon zhvillim dhe siguria. Për këtë arsye, hartuesit e kësaj konvente kërkuan nga shtetet nënshkruese që kjo e drejtë t'u njihet të gjithëve dhe mos ti mohohet askujt, të kenë qasje të barabartë në institucionet shkollore sipas mundësive pa diskriminim të çfarëdo lloji.

Në propozimin e komitetit hartues për Deklaratën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dispozita mbi të drejtën në shkollim ishte formuluar në nenin 31.

"Çdo njeri ka të drejtën në shkollim. Shkollimi fillor do të jetë pa pagesë dhe i detyruar. Do të ketë qasje të barabartë për të gjithë në objektin e tillë për shkollim teknik, kulturor dhe më të lartë që do të mund të afrohet nga shteti apo komuniteti, në bazë të meritës dhe pa dallim për shkak të gjinisë, gjuhës, religjionit, gjendjes sociale, bashkimit politik, apo mjeteve financiare". [17]

Arsimimi është proces i formimit të njeriut si qenie njerëzore, me cilësitë e tij fizike, mendore, morale, teknike, shëndetësore, estetike, të punës etj.Arsimimi është një kusht themelor i ruajtjes dhe zhvillimit të shoqërisë njerëzore.

Arsimi dhe edukimi si veprimtari, mund të organizohen edhe në familje, por shkolla është ajo e cila ua jep këto dy gjëra ashtu siç duhet njerëzve.

Shkolla është njëra nga vlerat më të mëdha e më të qëndrueshme të civilizimit në përgjithësi dhe të secilit popull në veçanti.

Shkolla paraqet bazën e sistemit edukativo - arsimor në të cilën arrihen dituritë, shprehitë dhe shkathtësitë elementare, të cilat zgjerohen dhe formësohen nivel pas niveli, dhe plotësohen gjithashtu nga veprimi reciprok edhe i faktorëve të tjerë edukativë.

Fuknsionet e shkollës janë të shumëfishta. Ajo, përpos që ndikon në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, ndër të të tjera ndikon edhe në aftësimin e nxënësve për t'i gjykuar gjërat drejtë, për t'i edukuar fëmijët lidhur me respektimin e mendimeve dhe të të drejtave të njeriut, për t'i kuptuar vlerat materiale e shpirtërore, për të krijuar tek fëmijët ndjenjën e përgjegjësisë, për zhvillimin e vetëdijës dhe për t'i kuptuar nevojat e të tjerëve, për zhvillimin e vetëdijës për të kuptuar veçantitë, llojllojshmërinë e ideve dhe të mendimeve, si dhe zhvillimin e ndjenjës së tolerancës e të mirëkuptimit, etj..

Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, i mbron të drejtat dhe liritë e njeriut që i observon brenda vetes dhe nuk pranon asnjë kufizim ose shkelje të të drejtave themelore të njeriut qoftë nga shteti, grup apo individ ato të drejta që janë të njohura në një vend me bazë të ligjeve dhe konventave. Prej të drejtave që njehë ky pakt, është edhe e drejta për shkollim.

"Asgjë në këtë Pakt nuk mund të interpretohet asisoj sikur i njeh një shteti, një grupi ose një personi çfarëdo të drejte për të ndërmarrë ndonjë veprimtari ose për të kryer një veprim, duke pasur për qellim zhdukjen e të drejtave dhe të lirive të njohura në këtë Pakt ose kufizime më të gjëra se sa ato të parashikuara në këtë Pakt. Nuk do të pranohet asnjë kufizim ose shkelje e të drejtave themelore të njeriut që janë të njohura ose që ekzistojnë në fuqi në çdo vend në bazë të ligjeve, konventave, rregulloreve ose zakoneve, me pretekstin se ky Pakt nuk i njehë ato ose i njehë në një shkallë më të vogël". [18]

Ky pakt, të drejtën për shkollim e jep mjaft në mënyrë të zgjeruar dhe të detajuar, duke i siguruar të drejtën e çdo personi për shkollim një shkollim që forcon respektimin për të drejtat e njeriut, shkollim fillor të detyrueshëm, shkollim të mesëm në të gjitha format dhe i hapur për të gjithë, shkollim të lartë për të gjithë dhe plotësisht të barabartë.

1. Shtetet palë të këtij Pakti, njohin të drejtën e secilit për arsim. Ato pajtohen se arsimi duhet të orientohet drejtë zhvillimit të plotë të personalitetit njerëzor dhe të ndjenjës së dinjitetit të tij dhe të forcojë respektin për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ato pastaj pajtohen se arsimi duhet t'i mundësojë secilit për të marrë pjesë në mënyrë efektive në një shoqëri të lirë, të ndihmojë mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjitha kombeve dhe të gjitha grupeve racore, etnike ose fetare dhe zhvillimin e veprimtarive të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.

2. Shtetet palë të këtij Pakti pranojnë se për të arritur realizimin e plotë të kësaj të drejte:

a. Arsimi fillor duhet të jetë i detyrueshëm dhe falas për të gjithë

b. Arsimi i mesëm, në format e tij të ndryshme, duke përfshirë arsimin e mesëm teknik dhe profesional, duhet të jetë i përgjithshëm dhe i hapur për të gjithë me të gjitha mjetet e përshtatshme sidomos me vendosjen progresive të ndjekjes së mësimit falas.

c. Arsimi i lartë duhet të bëhet i hapur për të gjithë në mënyrë të barabartë sipas aftësive të secilit, me të gjitha mjetet e përshtatshme e sidomos me vendosjen progresive të ndjekjes së mësimit falas.

d. Arsimi themelor duhet të inkurajohet ose të intensifikohet, mundësisht sa më shumë, për ata persona të cilët nuk kanë pasur ose nuk kanë përfunduar plotësisht tërë periudhën e arsimit të tyre fillor. [19]

Pakti ndërkombëtar mbi të drejtat civile dhe politike obligon shprehimisht shtetet qe t'i respektojnë dhe t'i sigurojnë të drejtat për të gjithë individët në territorin e tyre dhe që janë nën pushtetin e tyre pa kurrfarë dallimi; të ndërmarrin masat e nevojshme për të aprovuar aso masash ligjore e të tjera që janë të përshtatshme për të realizuar të drejtat që janë të pranuar në këtë pakt, dhe t'i sigurojnë çdo njeriu të drejtat që i janë shkelur, të drejtën për ankesë efektive, madje edhe kur shkeljen e ka bërë personi në ushtrimin e detyrave të veta zyrtare. [23]

Deklarata për të drejtat e fëmijëve e shpallur nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në preambulën e saj thekson se, duke konsideruar se nevoja për mbrojtjen e fëmijëve është e formuluar edhe në Deklaratën e Gjenevës, është njohur edhe në Deklaratën e përgjithshme për të drejtat e njeriut si dhe në statutet e institucioneve e organizatave të specializuara ndërkombëtare, që i janë kushtuar mirëqenies së fëmijëve.

Të drejtën për shkollim të fëmijëve, kjo deklaratë e cek në parimin e 7 të saj:

"Fëmija ka të drejtën e arsimit falas dhe të detyrueshëm së paku në nivelin fillor. Ai duhet të marrë një edukim që të kontribuoj për kulturën e tij të përgjithshme dhe që t'i lejoj atij, në kushtet e barazisë së mundësive, të zhvilloj aftësitë e tij, gjykimin personal dhe ndjenjën e tij të përgjithshme morale dhe shoqërore, si dhe të bëhet anëtar i dobishëm i shoqërisë".

Konventa për të drejtat e fëmijëve garanton në mënyrë më të detajuar të drejtat e fëmijëve në përgjithësi, por edhe të drejtën e shkollimit.

Në këtë konventë, me fëmijë kuptohet çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeçare. [21]

Neni i dytë shprehë angazhimin e shteteve për të respektuar të drejtat e fëmijëve që dalin nga kjo konventë dhe të i'a garantojnë ato çdo fëmije, që përfshihet në juridiksionin e tyre, pa asnjë lloj dallimi, pavarësisht nga raca, gjinia, gjuha, feja, opinioni politik, nga origjina kombëtare, pasuria, paaftësia, prejardhja familjare,angazhohen të marrin të gjitha masat legjislative, administrative e të tjera të nevojshme, për të vënë në jetë të drejtat e njohura në këtë konventë.

Lidhur me të drejtat ekonomike,shoqërore e kulturore.

Konventa për të drejtat e fëmijëve e njeh në mënyrë shprehimore të drejtën e shkollimit në nenin 28 të saj.

1. Shtetet palë njohin të drejtën e fëmijës për arsimim, dhe me qëllim që të arrihet kjo e drejtë hap pas hapi dhe mbi bazën e mundësive të barabarta, në mënyrë të veçantë ata:

a. Bëjnë arsimin fillor të detyrueshëm dhe falas për të gjithë.

b. Inkurajojnë zhvillimin e formave të ndryshme të arsimit të mesëm, si të përgjithshëm dhe profesional, i bëjnë ato të hapura e të mundshme për çdo fëmijë dhe marrin masa të përshtatshme, si vendosja e arsimit falas dhe dhënia e një ndihme financiare në rast nevoje.

c. U sigurojnë të gjithëve arsimin e lartë, sipas aftësive të secilit, me të gjitha mjetet e përshtatshme.

d. Bëjnë të mundshëm dhe të arritshëm për çdo fëmijë informacionin dhe orientimin shkollor e profesional.

e. Marrin masa për të inkurajuar frekuentimin e rregullt të shkollës dhe uljen e përqindjes së braktisjes së shkollës. [22]

Kjo konventë vazhdon duke kërkuar nga shtetet palë të kësaj konvente bashkëpunim ndërkombëtar në luftimin e paditurisë dhe analfabetizmit kudo ne bot duke ber lehtësira në shkollim në menyr që bëhet përvetësim më i madh i njohurive shkencore e teknike.

Angazhimi i shteteve demokratike për te mbrojtur fëmijët dhe të drejtat e tyre është mjaft i madh dhe i vazhdueshëm dhe kjo dëshmohet nga nxjerrja e deklaratave dhe konventave për te drejtat e fëmijëve duke dëshiruar që të kemi një shoqëri më të zhvilluar dhe të avancuar.

Edhe Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijëve garanton të drejtën e fëmijëve për shkollim.

Fëmija ka të drejtën e shkollimit. Për të garantuar këtë të drejtë, shtetet duhet:

- të ofrojnë shkolla elementare falas dhe të detyrueshme për të gjithë.

- të garantojnë shkollën e mesme dhe të ndihmojnë ata që kanë kapacitetin për të frekuentuar

- të informojnë fëmijët mbi shkollat e ndryshme që ekzistojnë.

- të kontrollojnë që në shkollë të respektohen të drejtat e fëmijëve. [23]

Përveç konventave që i cekëm, edhe konventat regjionale jashtë Evropës e mbrojnë të drejtën e shkollimit. Karta Afrikane mbi të Drejtat e njeriut dhe popujve, në nenin 17 (1) thotë si në vijim "Çdo individ do të ketë të drejtë në shkollim".

Në nenin 26 të Konventës Amerikane mbi të Drejtat e Njeriut (KADNJ, 1978) shtetet pjesëmarrëse marrin obligim miratimin e masave të përfshira në standardet për shkollim të shpallura në Kartën e organizatës së shteteve Amerikane.

Protokolli i San Salvadorit, në nenin 13 (1) përfshin dispozitën që citon se "Çdo kush ka të drejtën në shkollim", ndërsa në nenin 13 (3), gjuha është e ngjashme me atë të MDESK - së.


E drejta për shkollim sipas kushtetutës dhe ligjve të Kosovës

Ndikimi i deklaratave të miratuara nga fundi i shekullit XVII, me të cilat proklamohen një mori të drejtash të njeriut dhe të shtetasit, në kushtetutat e miratuara krahas apo pas këtyre deklaratave ishte mjaft i fuqishëm. Përmbajtja e deklaratave ka shërbyer si bazë për sanksionimin e instutucionve të lirive dhe të drejtave themelore në kushtetutat e para ,por edhe në ato që janë miratuar edhe gjatë shekullit XIX e XX. Ky qëllim edhe pse në vende të ndryshme dhe në periudhat e ndryshme ishte vetëm si dekoracion, nuk është harruar me rastin e miratimit të kushtetutave të reja deri në ditët e sotme. [24]

Kur është fjala për Kushtetutën e Republikës së Kosovës,edhe kjo kushtetutë nuk ka mundur te ju ik ndikimeve të deklaratave për të drejtat e njeriut që brenda saj ti njeh dhe ti mbroj te drejtat e njeriut, kësaj problematike i është dedikuar kapitulli II, që mbanë emërtimin "TË DREJTAT DHE LIRITË THEMELORE". Ky është kapitulli më i vëllimshëm dhe përmban gjithsej 42 nene, duke i detajizuar këto të drejta me ligjet e saj.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës avancon në sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke inkorporuar brenda saj të drejtat dhe liritë e njeriut të cilat janë vërtetuar në marrëveshjet dhe instrumentet përkatëse ndërkombëtare, si dhe janë të garantuara në kushtetutë dhe zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në territorin e Republikës së Kosovës.

"Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:

1. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut.

2. Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj.

3. Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj.

4. Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

5. Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor.

6. Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas.

7. Konventa për të Drejtat e Fëmijës

8. Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese. [25]

Pika 1 e nenit 21 e kushtetutës, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut u'a jep vlerën edhe më të madhe duke i bërë ato të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme, ashtu siç i gjejmë me këto vlera edhe në marrëveshjet dhe dokumentet ndërkombëtare .

Pra të drejtat e njeriut janë të pandashme janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe e plotësojnë njëra tjetrën dhe kështu i ben të mundur individit një jetë të dinjitetshme vetëm si të përbashkëta, janë të patjetërsueshme nuk mund ti mohohen askujt sepse janë të lidhura me personalitetin e personit qe i bart, i takojnë secilit person individualisht.

Termet që flasin për pandashmërinë, patjetërsueshmërinë dhe pacenueshmërinë, përdoren në shumë vende në kushtetutë. Kësisoj, dispozitat kushtetues nga neni 2, paragrafi 2, që i dedikohet sovranitetit të shtetit të Kosovës, përcakton që ky sovranitet (dhe integritet) është "i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm". Kur bëhet fjalë për pandashmërinë e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, atëherë duhet thënë se ato janë të lidhura me personalitetin e bartësve të tyre, pra të secilit person individualisht, dhe se atyre askush nuk mund të u'a kontestojë të drejtat. [26]

Njërën nga të drejtat themelore që i garanton kushtetuta, është edhe e drejta për shkollim:

"Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm rregullohet me ligj dhe financohet nga fondet publike. Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t'u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj". [27]

Të drejtën e arsimimit, kushtetuta e garanton si të drejtë të përgjithshme të njeriut, që gëzon çdo person, mundësi të barabarta për t'u arsimuar sipas aftësive.

Realizimi i plotë i së drejtës së arsimimit nënkupton obligimin e shtetit për ndërmarrjen e masave që do të mundësojë që, çdo kush të arsimohet dhe të përsoset sipas mundësive dhe prirjeve të tij. Në rend të parë, kjo e drejtë nënkupton që të fitohet arsimi në mënyrën që është e arritshme për të gjithë dhe që arsimi fillor është i obligueshëm, falas dhe i arritshëm për të gjithë. [28]

Duke pasur parasysh se kushtetuta është akti me i përgjithshëm juridik në shtet, edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës vetëm parimisht e përcakton se arsimimi i obligueshëm është i rregulluar me ligj (neni 47, paragrafi 1). Për shpjegim dhe konkretizim më të mirë të kësaj dispozite, kushtetuta udhëzon në dispozita ligjore, të cilat janë mjaft konkrete dhe të detajuar.

Rolin kryesor në sigurimin dhe zbatimin e së drejtës së arsimimit e ka Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Detyra themelore e saj është që t'a promovoj arsimimin e njerëzve në Kosovë dhe që të jap programe adekuate dhe efikase për shkolla fillore dhe të mesme, që të jenë të arritshme për të gjithë. Kushtetuta, po ashtu i garanton çdo personi mundësi të barabartë në shkollim, në bazë të nevojave dhe aftësive individuale të atij personi, që me dispozitat e veta shprehimisht e parashikon Ligji për Arsimim Parauniversitar në Republikën e Kosovës: "Asnjë personi nuk guxon t'i mohohet e drejta për arsimim. Arsimi parauniversitar është përgjegjësi e përbashkët e prindërve, institucioneve arsimore dhe aftësuese, komunave dhe qeverisë, sipas funksioneve dhe detyrave përkatëse të përcaktuara në këtë ligj. Është obligim i përgjithshëm i Ministrisë, komunave, institucioneve arsimore dhe të gjitha organeve të tjera, të përfshira në ofrimin e arsimit parauniversitar, siç është rregulluar përmes këtij ligji dhe ligjeve të tjera në fuqi, që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t'u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim, në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor e social". [29]

Ministra e Arsimit, me ketë ligj e detyron veten që të ofroj sistem të arsimit gjithpërfshis për secilin person në mënyrë të barabartë sipas aftësive jo diskriminuese, dhe angazhohet që të bëj avancimin e tyre nëpërmjet arsimimit cilësor.

"Të promovojë sistem jo diskriminues të arsimit, në të cilin respektohen të drejtat e secilit person për arsim dhe aftësim, si dhe ofrohen mundësi të barabarta për arsim cilësor". [30]

Qëllimet e arsimimit parauniversitar i parasheh ky ligj me nenin 1, si në zhvillim të nxënëse në aspektin mendor e fizik, në zhvillim të personalitetit, në përgatitjen e nxënësit për një jetesë të përgjithshme, në zhvillimin e respektit të nxënësit për prindërit dhe mësuesit, por edhe respekt të nxënësit për të drejtat e njeriut.

"Zhvillimi i respektit te nxënësi për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe për parimet e përcaktuara me Kartën e Kombeve të Bashkuara, me konventat përkatëse dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës". [31]

Parimi i arsimimit gjithëpërfshirës, këtë ligj e detajon në nenin 40 të tij, që thotë:

1. Qëllimi i qartë i këtij Ligji është që parimi i arsimit gjithëpërfshirës të zbatohet në Republikën e Kosovës si praktika më e mirë në përputhje me normat ndërkombëtare, si parashihen në Konventën e UNESCO - s për të Drejtat e Fëmijëve (1989), në Deklaratën e Salamankës (1994), Konventën e OKB - së për të Drejta të Personave me Aftësi të Kufizuara (2007) dhe në konventat apo rekomandimet e tjera përkatëse ndërkombëtare.

2. Parimi i arsimit gjithëpërfshirës nënkupton se:

2.1. Institucionet arsimore dhe aftësuese duhet të akomodojnë të gjithë fëmijët, pa dallim të kushteve të tyre fizike, intelektuale, sociale, gjuhësore apo të tjera dhe duhet të promovojë integrimin dhe kontaktin mes fëmijëve.

Në bazë të asaj që shtjelluam më lartë, mund të përfundojmë se e drejta për shkollim si një e drejtë themelore e njeriut, garantohet nga e drejta ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë kushtetutën dhe ligjin për arsim parauniversitar.


Mosdiskriminimi në shkollim

Njëra nga të këqijat që vazhdimisht është luftuar dhe ende bëhet përpjekja nga shtetet demokratike që ta eliminojnë, zvogëlon ketë te keqe e që është diskriminimi apo mos barazia ndërmjet njerëzve ku behet dallim ne mes individëve dhe grupeve te njerëzve duke ju mohuar apo zvogëluar disa të drejta në çdo pore të jetës qoftë për shkak të prejardhjes së tyre,ngjyrës,gjinisë,besimit etj. Diskriminimi është prej elementeve që hedh farën për një shoqëri të pa sigurt sjell deri te lindja e konflikteve mes grupeve dhe popujve.

Termi diskriminim në marrëdhënie ndërkombëtare shënon tretmanin e ndryshëm të shteteve ose të shtetasve të tyre, me ç'rast në një anë zvogëlohen, kufizohen ose s'njihen të drejtat e disa subjekteve, kurse në anën tjetër, në të njëjtën kohë ato pranohen dhe zbatohen ndaj subjekteve të tjera Termi është marrë nga gjuha latine, në të cilën kishte kuptimin ndaj, bëj, dallim, kufizoj të drejtat. [32]

Termi është dhënë edhe në konventa të tjera. Pasi tema ka të bëj me mosdiskriminimin në shkollë, po e sjellë përkufizimin e këtij termi nga Konventa për luftën kundër diskriminimit në lëmin e arsimit, në të cilën diskriminimi përkufizohet: "Fjala "diskriminim" përfshin çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë, e cila e bazuar në racën, ngjyrën, gjininë, gjuhën, fenë, opinionin publik ose çdo opinion tjetër, prejardhjen kombëtare ose shoqërore, gjendjen ekonomike ose lindjen, ka për objektiv të shkatërrojë apo të prishë barazinë e trajtimit në lëmin e arsimit". [33]

Komenti i përgjithshëm i Komitetit për të Drejtat e Njeriut mbi klauzolën e mosdiskriminimit thekson: Derisa këto konventa merren vetëm me rastet e diskriminimit mbi baza specifike, komiteti beson se termi "diskriminim" siç është përdorur në marrëveshje, duhet të nënkuptohet si aplikim i çfarëdo dallimi, përjashtimi, kufizimi apo preference e cila është e ndërtuar në çfarëdo baze, siç është raca, ngjyra, gjinia, gjuha, religjioni, mendimi politik apo mendimet tjera, prejardhja nacionale apo sociale, pasuria, lindja apo statusi tjetër dhe e cila ka qëllim apo efekt të anulimit apo cenimit të njohjes, gëzimit apo ushtrimit nga të gjithë personat, në kushte të barabarta, të të gjitha të drejtave dhe lirive. [34]

Klauzolat e mosdiskriminimit të përfshira në të gjitha instrumentet e ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, janë të bazuara në besimin se tretmani i ndryshëm, për shkak të vetive të posaçme të personit apo grupit të cilit personi i takon, nuk është në përputhje me parimet e barazisë së të drejtave. Klauzolat e mosdiskriminimit mund të jenë të përgjithshme dhe specifike për të drejtat individuale.

Në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, mosdiskriminimit të përgjithshëm i është dhënë vend qendror në nenin 2 të saj, dhe që përmban mbrojtje të përgjithshme kundër diskriminimit: "Çdokush është i autorizuar në të gjitha të drejtat e shpallura në këtë deklaratë, pa asnjë dallim të çfarëdo lloji, siç është raca, ngjyra, gjinia, gjuha, religjioni, mendimi politik apo mendimi tjetër, prejardhja kombëtare apo shoqërore, pasuria, lindja apo statusi tjetër".

Njëherit, kjo deklaratë në një sërë dispozitash të tjera ndalon diskriminimin në situata specifike edhe atë të shkollimit [35]

Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, kufizon vetveten në parandalimin e diskriminimit lidhur me të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë konventë.

"Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër". [36]

Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor, vërteton parimet nga Deklarata dhe përcakton një sistem të përpunuar të masave për zbatimin e rregullave të saj, d.m.th. atyre u jep formën e detyrimeve juridike ndërkombëtare.

Konventa e ka gjykuar diskriminimin dhe i ka obliguar shtetet të mos kryejnë çfarëdo vepre të diskriminimit ndaj personave, grupeve të personave ose institucioneve, as të nxisin, t'a mbrojnë apo të përkrahin diskriminimin, të ndërmarrin masa efikase për ndryshimin, ndërprerjen ose anulimin e çdo ligji dhe çdo dispozite, që ka për qëllim të zbatojë diskriminimin ose vazhdimin e tij, dhe të ndalojnë diskriminimin me të gjitha mjetet përkatëse, duke përfshirë edhe masat ligjore. [37]

Konventa precizon më hollësisht të drejtat që duhet të garantohen, e posaçërisht ndër to janë: barazia para ligjit, mbrojtja nga dhuna, e drejta për të marrë pjesë në qeveri, liria e mendimit dhe shprehjes, liria e tubimeve, e drejta e punës, liria e mendimit, e bindjes dhe besimit, e drejta për arsimim. [38]

Dy marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përmbajnë klauzola të përgjithshme dhe specifike të diskriminimit, të cilat janë shumë të ngjashme. Me diskriminim në këto marrëveshje i referohet vetëm diskriminimit të të drejtave të garantuara në to.

"Tё gjithё njerëzit janë tё barabartë përpara ligjit dhe kanё tё drejtё mbrojtjeje tё barabartë tё ligjit pa kurrfarё dallimi. Lidhur me kёtё, ligji duhet tё ndalojё çdo diskriminim dhe tё garantojё pёr tё gjithё mbrojtje tё barabartё dhe efektive, kundër çdo diskriminimi e sidomos pёr shkak tё racёs, ngjyrёs, seksit, gjuhёs, fesё, opinionit politik dhe çdo opinioni tjetёr, origjinёs kombёtare apo shoqёrore, pasurisё, lindjes ose çdo situate tjetёr". [39]

Nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut, ky nen ishte interpretuar të nënkuptonte se e drejta në mbrojtje të barabartë nga ligji e obligon legjislatorin të mos diskriminojë në asnjë formë në asnjë ligj. [40]

Edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e ndalon diskriminimin:

1. Shtetet palë angazhohen të respektojnë të drejtat e përmendura në këtë Konventë dhe të i'a garantojnë ato çdo fëmije, që përfshihet në juridiksionin e tyre, pa asnjë lloj dallimi, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, gjuha, feja, opinioni politik ose çdo opinion tjetër, nga origjina kombëtare, etnike ose shoqërore, pasuria, paaftësia, prejardhja familjare apo çdo gjendje tjetër e fëmijës ose prindërve të tij ose përfaqësuesve të tij ligjorë.

2. Shtetet palë marrin të gjitha masat e duhura, me qëllim që fëmija të jetë efektivisht i mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit ose ndëshkimit, për shkak të pozitës, veprimtarive, opinioneve të shprehura ose bindjeve të prindërve të tij, të përfaqësuesve të tij ligjorë ose të anëtarëve të familjes së tij. [41]

Konventa për luftën kundër diskriminimit në lëmin e arsimit, në nenin 3 thotë: Me qëllim që të eliminohet dhe të parandalohet çdo dallim në kuptimin e kësaj konvente, shtetet palë të saj zotohen:

a). Të anulojnë çdo dispozitë ligjore e administrative, si dhe të ndalojnë çdo praktikë administrative që do të përmbante ndonjë diskriminim në lëmin e arsimit.

b). Të ndërmarrin masat e rastit, po që e nevojshme t'a bëjnë këtë me rrugë legjislative, në mënyrë që të mos bëhet asnjë dallim lidhur me pranimin e nxënësve në institucionet shkollore.

Përveç këtyre deklaratave dhe konventave ndërkombëtare, edhe Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj e ndalojnë diskriminimin e të gjitha llojeve:

1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal. [42]

Ky nen garanton barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit dhe përcakton të drejtën e tyre për mbrojtje të barabartë gjyqësore pa asnjë dallim mes tyre. Në të vërtetë, kuptimi i këtij neni është ndalimi kushtetues i diskriminimit, si parakusht themelor i sigurimit të respektimit të të gjitha të drejtave të tjera të njeriut që i garanton kushtetuta dhe realizimit të tyre në kushte të barabarta. Kushtetuta shprehimisht e ndalon çfarëdo forme të diskriminimit duke mos përmendur format konkrete të diskriminimit direkt (të drejtpërdrejtë) dhe indirekt (të tërthortë), porse shprehimisht ndalon diskriminimin mbi bazën e cilësdo veti personale të individit (racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër persona:

l). Kushtetuta përcakton edhe një dispozitë të veçantë që ndalon çdo formë të diskriminimit të bazuar në përkatësinë e komunitetit, pra grupeve të caktuara nacionale apo etnike, gjuhësore apo edhe religjioze, që është tradicionalisht i pranishëm në territorin e Kosovës (neni 57, paragrafi.

2). Lidhur me sigurimin e barazisë para ligjit, e rrjedhimisht lidhur me ndalimin e diskriminimit mbi çfarëdo baze, duhet thënë se neni 24, paragrafi 3, përmban dispozita kushtetuese, qëllimi i të cilave është të eliminojnë ose të ndryshojnë rrethanat që pengojnë arritjen e barazisë së personave ose grupeve të personave, të cilët faktikisht gjenden në pozicion të pabarabartë në raport me qytetarët e tjerë. [43]

Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, ju mundëson të gjithë fëmijëve qasje të barabartë ne institucionet shkollore në baze të mundësive pa diskriminim.

Qasja dhe përparimi nëpër të gjitha nivelet e arsimit dhe aftësimit parauniversitar do të mundësohet në pajtim me dispozitat e këtij ligji, pa diskriminim në baza ekzistuese ose të supozuara, siç është ai: gjinor, racor, i orientimit seksual, i paaftësisë fizike, intelektuale ose i çfarëdo paaftësie tjetër, i gjendjes martesore, i ngjyrës, i fesë, i opinioneve politike apo të tjera, i përkatësisë kombëtare, etnike ose shoqërore, i shoqërimit me ndonjë komunitet, i pronës, i lindjes ose i ndonjë gjendje tjetër të nxënësit apo familjes së tij. [44]

Andaj,ne bazë të asaj që shtjelluam duke u mbështetur ne konventat dhe deklaratat ndërkombëtare në kushtetutën dhe ligjet të shteti Tonë mund të konkludojmë se diskriminimi në shkollim në bazë të çfarëdo lloji duke përfshi edhe atë të besimit apo fes është i ndaluar dhe nuk i lejohet askujt të bëj diskriminim ne shkollim.



Autor: Lulzim KASTRATI



Literatura:

- Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008.
- Enver Hasani & Ivan Qukaloviq, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2013.
- Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut (Standardi i Arritjes së Përbashkët).
- Marjana Sinani dhe të tjerët, Komentar i Deklaratës Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, UNESCO, 2008.
- Dr. Ismail Hasani, Vetëdija fetare dhe kombetare tek shqiptaret, Prishtinë, 2001.
- Dr. Kurtesh Salihu, E Drejta Kushtetuese (Libri 1 botimi I katërt), Prishtinë 2004.
- Dr. Zejnullah Gruda, E drejta Ndërkombëtare Publike, Prishtinë 2003.
- Ekrem Sarikçioglu, Historia e Feve, Shkup 2007.
- Kuptimi i të drejtave të njeriut-doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut. publikuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Austris ne bashkëpunim me ETC-Grac, 2003.
- Arsimimi për të drejtat e Njeriut-Te Arriturat dhe Sfidat. Univerziteti i Abo Akademisë ne bashkëpunim me UNESCO-n, 1998.
- Ahmet H. Sherif, KUR'AN-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe.

Deklaratat, konventat, ligjet:

- Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut. (E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar, Rezoluta 217 (III),10 dhjetor 1948).
- Mbështeten në Fe ose Besim,(E shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me rezolutën 36/55, të datës 25 nëntor 1981).
- Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966. HYRË NË FUQI: 23 mars 1976).
- Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore. (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966. HYRË NË FUQI: me 3 janar 1976).
- Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe protokollet e saj.
- Konventa për të drejtat e fëmijëve,(Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 44/25 të datës 20 nëntor 1989. HYRË NË FUQI: 2 shtator 1990).
- Konventa për luftën kundër diskriminimit në lëmin e arsimi
- Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial,(Miratuar dhe hapur për nënshkrim e ratifikim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutёn e saj 2106 A (XX) të datës 21 dhjetor 1965. HYRË NË FUQI: mё 4 janar 1969).
- Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijëve.
- Ligji për lirit fetare në Kosovë, (Ligji Nr. 02/L-31).
- Ligji për arsimin paraunverzitar në Republiken e Kosovës, (Ligji Nr. 04/ L-032 29 gusht 2011).
- Udhëzimi Administrativ nr. 6/2010, dt.11.05.2010, (kodi mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit të shkollave të mesme të larta). - Udhëzimi Administrativ nr. 6/2014, dt,28.01.2014, (kodi mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit të shkollave të mesme të larta).

_________________________

[12] - Salihu Dr. Kurtesh, "E drejta kushtetuese", Prishtinë 2004, fq. 232.
[13] - "Kuptimi i të drejtave të njeriut, Doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut", ETC-Grac 2003, fq. 203.
[14] - Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, neni 26.
[15] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, "Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut", (Standardi i Arritjes së Përbashkët), fq. 566.
[16] - Protokolli nr. 11, neni 2.
[17] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut, (Standardi i Arritjes së Përbashkët), fq. 564.
[18] - Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, neni 5, paragrafi (1 dhe 2).
[19] - Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, neni 13.
[20] - Gruda Dr. Zjnullah, E drejta ndërkombëtare publike, Prishtinë 2003, fq. 371.
[21] - Konventa për të drejtat e femijve, neni 1.
[22] - Konventa për të drejtat e femijve, neni 28.
[23] - Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijëve, neni 26.
[24] - Saliu Dr. Kurtesh , E drejta kushtetuese, Prishtinë 2004, fq. 207.
[25] - Kushtetuta e Republike së Kosoves, 2008, neni 22.
[26] - Hasani Dr. Envei & Qukaloviq Dr. Ivan, Komentar - Kushtetuta e Republikes së Kosovës, Prishtinë 2013, fq. 79.
[27] - Kushtetuta e Republikes së Kosoves, 2008, neni 47.
[28] - Hasani Dr. Envei & Qukaloviq Dr. Ivan, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë 2013, fq. 177, pika 4.
[29] - Ligji për arsimin parauniverzitar në Republikën e Kosovës, neni 3, paragrafi 1, 2, 3.
[30] - Po aty, neni 5, paragrafi 1 (3).
[31] - Ligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, neni 1, paragrafi 2 (3).
[32] - Gruda Dr. Zejnullah, E drejta ndëkombëtare publike, Prishtinë 2003, fq. 382.
[33] - Konventa për luften kundër diskriminimit në lemin e arsimit, neni 1 (1).
[34] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Dëklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut(Standarti I arritjes së përbashkët), fq. 169-170.
[35] - Nenet 4, 7, 10, 16, 18, 21, 23, dhe 26 që kan te bejn me ndalimin e skllavris, e drejta e barabart para ligjitë,e drejta për martes a mashklit dhe femres te moshes madhore pa kufiszim, e drejta e religjionit besimit,e drejta per te marr pjes ne qeverisje, e drejta per punë, e drejta për shkollim.
[36] - Konventa Evropjane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, neni 14.
[37] - Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskdiminimit racial, neni 2.
[38] - Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskdiminimit racial, neni 5.
[39] - Pakti ndërkombëtar mbi të drejtat civile dhe politike, neni 26.
[40] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Dëklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, (Standarti I arritjës së përbashkët), fq. 83.
[41] - Konventa për të drejtat e femijëve, neni 2.
[42] - Kushtetuta e Republikes së Kosovës, 2008, neni 24.
[43] - Hasani Dr. Envei & Qukaloviq Dr. Ivan, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, fq. 86-87.
[44] - Ligji për arsimin parauneverzitar në Republikën e Kosovës, neni 3, paragrafi 6.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...