I Dashuri i zemrave tona Muhammedi a.s.



Bota para ardhjes së Muhammedit a.s.

Nëse ne sot bëjmë krahasim me kohën para ardhjes së Muhammedit a.s. dhe kohës në të cilën jetojmë, do të shohim se shumë dukuri që janë pranishme në mesin tonë, janë identike me ato të kohës para ardhjes së Pejgamberit a.s.. Këtë krahasim e kanë bërë edhe shumë dijetarë. Realisht, nëse dëshirojmë të ndryshojmë, ka një mundësi, por nuk presim që të vijë një pejgamber, por ajo që kërkohet prej nesh është që t'i praktikojmë mësimet që i la për botën Pejgamberi i fundit i All-llahut të Plotfuqishëm.

Me të vërtetë, është e pamundur të shprehet brenda disa rreshtave të varfra jeta e veçantë dhe e zgjedhur e Muhammedit a.s.. Mirëpo, përpjekja e kujtdo, me aq sa ka mundësi, për ta treguar dhe kuptuar atë, ka dobi të panumërta.

Pa dyshim se ndodhia më e madhe që i ndodhi njerëzimit dhe të gjitha botëve ishte ardhja e Muhammedit s.a.v.s.. Ai pritej nga të gjithë ata që kishin dëgjuar nga librat e shenjtë të mëparshëm, pritej nga pemët që t'i përulen, pritej nga gurët që t'i japin selamin, pritej nga reja që t'i bënte hije, pritej nga njerëzimi, gjithësia dhe të gjitha botët. Atë Pejgamber s.a.v.s. e priste njerëzimi që t'i nxjerrë nga errësira në dritë, e priste bota bimore e shtazore se e dinin se ai ka për t'i mësuar njerëzit se si të sillen me to, e priste hëna që të qahej për të dhe të bëhej argument për pejgamberinë e tij, e priste edhe meleku Xhibril që ta përmbyll shpalljen me vulën e pejgamberisë. Muhammedin s.a.v.s. e prisnin sepse çdo gjë u krijua për të. Në një hadith kudsijj thuhet: "(O robi im) Po të mos ishe Ti, nuk do ta krijoja gjithësinë".

Ebu Hurejreja r.a transmeton: "Shokët e pyetën pejgamberin s.a.v.s.: Kur të është dhënë pejgamberia, o i Dërguari i Allahut? Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: Kur Ademi ishte ndërmjet ujit e dheut".

Ardhja e pejgamberit s.a.v.s. ishte e lajmëruar edhe nga pejgamberët e mëhershëm. All-llahu regjistron në Kur'anin Famlartë paralajmërimet e tyre si dhe Pejgamberi a.s. ka thënë: "Unë jam lutja i Ibrahimit a.s. dhe Sihariqi (përgëzimi) i Isait a.s.".

Ndërkaq, Allahu në lidhje me lutjen e Ibrahimit a.s. thotë: "Zoti ynë! Dërgoju një përfaqësues nga mesi i tyre që t'u lexojë ajetet e Tua, t'u mësojë Librin dhe Urtësinë e t'i pastrojë (prej idhujtarisë), Ti je i Dituri, Sovrani".

Ndërkaq, sihariqi i Isait a.s. regjistrohet po ashtu në Kur'anin Famëlartë: "Kujto se Isai, i biri i Merjemes tha: O Beni Israilë, Unë jam i dërguari i All-llahut tek ju, jam vërtetues i Teuratit, të dërguar para meje dhe përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje emri i të cilit është Ahmed. Dhe kur u paraqiti argumentet e qarta ata thanë: Kjo është një magji e hapur", (Saff, 6).

Paralajmërimet nga librat e mëhershëm për ardhjen e Muhammedit a.s. i dinin të gjithë njohësit e librave të shenjtë, por, disa e pranonin e disa jo, për shkak të xhelozisë dhe lakmisë që të vazhdojnë ata pushtetin e tyre. Të gjithë librat që flasin për biografinë e pejgamberit tonë, Muhammedit a.s., te të gjithat është bërë si një lloj ligji që të fillojnë këtë përshkrim me situatën dhe gjendjen e botës në momentet para se të lindte Muhammedi s.a.v.s.. Në fakt, në këtë rast mund të lindë një pyetje: Çfarë lidhje ka situata dhe gjendja e botës me lindjen e Pejgamberit a.s.?. Pse nuk fillohet direkt me lindjen e tij. Në fakt kjo gjë nuk i takon vetëm historisë, edhe pse kjo pyetje është më shumë çështje historike, që të dish për gjendjen e botës para lindjes së Muhammedit a.s., por kjo ka edhe lidhje të drejtpërdrejtë me jetën e tij. Ndoshta nga përgjigjet që dalin prej kësaj pyetje është edhe ajo se kush nuk e njeh errësirën nuk ia di vlerën dritës, kush nuk e di botën se si ka qenë ajo para ardhjes së Muhammedit a.s., s'ka për ta besuar dhe vlerësuar kur Islamin të cilin e solli Zoti nëpërmjet Pejgamberit a.s..

Poashtu edhe në jetën tonë të përditshme,ai që nuk e njeh se në çfarë situate ka jetuar përpara se ta shohë dritën, e ka shumë vështirë që t'ia dijë vlerën kësaj drite.Prandaj edhe All-llahu Fuqiplotë vetë në Kur'an ua rikujton muslimanëve kohën kur vetë ata ishin jomuslimanë, kohën e xhahilijetit, kohën e injorancës, i rikujton që ata të dinë vlerën e Islamit. Edhe vetë shokët e Pejgamberit a.s. e rikujtonin kohën e para Islamit, jo për t'u krenuar me atë kohë.Nga njëherë e kujtonin atë kohë dhe qeshnin, nga ndonjëherë e kujtonin dhe qanin.Por, Pejgamberi a.s. nuk i ndalonte muslimanët që ta rikujtojnë atë kohë, bile dhe disa herë vetë Pejgamberi a.s. i nxiste ata që ta rikujtojnë atë periudhë, që t'ia dinë vlerën e ditëve të Islamit.Nga kjo mund të kuptojmë se nuk mund të dihet vlera e kësaj feje, nëse përpara kësaj nuk e dimë se si ishte bota përpara se të vinte Islami, feja e fundit e Zotit. Si arsye tjetër që ne duhet ta dimë dhe të mësojmë pse duhet ta dimë se si ishte gjendja e botës përpara se të vinte Muhammedi a.s. është për të parë realisht ndryshimine madh që ndodhi me ardhjen e Islamit. Pra, të gjitha këto njohuri na shërbejnë për të fituar njohuri, që të bëjmë një krahasim se si ishte bota dhe si ajo ndryshoi me ardhjen e Islamit dhe Pejgamberit s.a.v.s..

Pra, ky ndryshim është mahnitës.Gjendja në botë ndryshon plotësisht, e në veçanti arabët për shumë pak vite përjetojnë një lulëzim të pakrahasueshëm. Ky ndryshim ishte si dita me natën, pra ndryshimi i madh që pësoi njerëzimi me ardhjen e Pejgamberit të fundit. Dhe arsyeja e tretë është se në çdo kohë që të na duket neve se bota i përjeton të njëjtat sëmundje që i përjetonte në kohën që erdhi Pejgamberi a.s., kjo gjendje, me lejen e Zotit, mund të ndryshohet.Tashmë ne e kemi të qartë dhe besojmë se nuk do të vijë pejgamber tjetër pas Muhammedit a.s., por mësimet e tij, vlerat e tij ekzistojnë dhe sa herë që do të punohet me këto vlera dhe mësime, gjendja jonë dhe e botës mund të ndryshohet.Po nëse ne sot bëjmë krahasim me kohën para ardhjes së Muhamedit a.s. dhe kohës në të cilën ne jetojmë, do të shohim se shumë dukuri që janë prezente në mesin tonë janë identike me ato të kohës para ardhjes së Pejgamberit. Këtë krahasim e kanë bërë edhe shumë dijetarë.Realisht, nëse dëshirojmë të ndryshojmë, ka një mundësi, por nuk presim që të vijë një pejgamber. Ajo që kërkohet prej nesh është që t'i praktikojmë mësimet që i la për botën Pejgamberi i fundit i Zotit, Muhammedi s.a.v.s. Analiza e gjendjes së botës para ardhjes së Pejgamberit a.s. edhe pse realisht ka edhe lidhje historike, por pa këtë analizë nuk mund të shpjegohet dhe nuk mund të kuptohet mirë jeta e Muhammedit a.s..

Që nga viti 750, para Isait a.s. historia fillon të shënojë ngjarje. Dy shekuj pas vendosjes së pushtetit romakë në Iran u lajmërua Zaratustra me idetë e reja; në Japoni dhe Kinë paraqiten Lao Ce dhe Konfuçi; në Indi Buda, kurse në Greqi Aristoteli dhe Platoni. Meqë fryma e materializmit kishte dominuar te njerëzit, Isai a.s. mori për detyrëpër tëpërmirësuar këtë shoqëri, për ta shpëtuar njerëzimin nga kthetrat e materializmit hebre. Isau a.s. për të eliminuar prapësinë dhe mashtrimin, ai tek njerëzit zhvillonte virtytet morale dhe pastronte shpirtrat e tyre . Por, kur vijmë në periudhën para lindjes së Pejgamberit a.s., superfuqitë e asaj kohe ishin dy, Romakët ose më mirë thënë Perandoria Bizantine dhe ajo Perse.

Nëse flasim për Perandorin Romake do të shohim se kjo jetonte me kushte mjaftë të vështira, me sëmundje shoqërore. Pra, kjo ishte një perandori e bazuar mbi luftë, e bazuar mbi pushtim dhe mbi shkatërrim.

Persët e kishin për zakon që të martohen me njerëzit më të afërt.Nga njëherë këtë e bënin me qëllim që të mos dilte pushteti nga duart e tyre.Nuk ishte për çudi që mbretërit persë të martohen me motrat e tyre, me vajzat e tyre, me nënat e tyre.Këto ngjarje janë të regjistruara me emra në histori.

Historitë tregojnë edhe për situatën në Evropë. Evropa në atë kohë vuante nga injoranca dhe padituria, femrës i kishte humbur nderi, ndërsa disa mendonin se ajo është djall, ia kishin ndaluar të drejtën e trashëgimisë saqë nuk kishte të drejtë të zotërojë diçka .

Kjo gjendje në Evropë vazhdon edhe mëtuje ku në vitin 476 filloi era e Mesjetës e cila është përplot me shumë ngjarje të rëndësishme. Krahas pushtetit fetar, kisha impononte edhe mënyrën e jetës. Evropën e kësaj periudhe e karakterizon injoranca, pabarazia, barbarizmi dhe gjakderdhja. E njëjta situatë ishte edhe në Kinë e Indi.

Vijmë tek arabët, te vendi ku lindi dhe jetoi Pejgamberi a.s. tek ai vend ku e kishte misionin Pejgamberi a.s. për t'i udhëzuar ata njerëz.

Çfarë njerëzish ishin arabët? A ka qenë e lehtë situata për Muhammedin a.s. kur Siujedhesa arabe nuk ka qenë në gjendje më të mirë se të tjerët. Arabët për nga aspekti i besimit ishin besimtarë i besonin Zotit. Mirëpo besimi në zot kishte filluar të njolloset me besimin në idhuj. Arabët kanë qenë shumë bujarë dhe për të shtuar bujarinë pinin alkool.

Poashtu, tek arabët në atë kohë ka qenë shumë i përhapur edhe prostitucioni, imoraliteti në forma të ndryshme. Ishte e përhapur edhe varrosja e vajzave.

Pra, arabët ishin një popull që bastisshin, plaçkitnin, vidhnin pra jetën e kishin të bazuar në këto punë, sepse nuk kishin kushte për të mbjellë. Shpesh herë ndodhte që arabët të bëjnë lufta për ujë e për ushqim. Nga fanatizmi apo inati për fisin mund të ndizeshin luftëra që zgjatnin me qindra vite.

Është e njohur një luftë që quhet Harbul Besus, Besus është emri i një deveje. Kjo deve e fiton një garë. Pala tjetër e godet dhe e vret këtë deve, pastaj zihen dy pari, pastaj fisi dhe 40 vjete vazhdon këtë, sa që thuhet se ky fis është zhdukur. Kur ta pyesësh veten pse vdiqën të gjithë këta njerëz? Pra, deveja ishte shkak për këtë luftë. Shumica e fiseve arabe kishin hasmëri në mes vete. Pejgamberi a.s. kur u shpërngul në Medine i bashkoi dy fise që kishin hasmëri me qindra vite. Pak a shume kjo situatë që mbretëronte në mesin e arabëve para ardhjes së Muhammedit a.s. që të dalë në pah se sa vështirë e ka pasur Pejgamberi a.s. të merret me këta njerëz, të ngjallë këtë popull. Nga kjo gjendje mund të na lindë një pyetje tjetër: a mund të ngjallet me besim populli ynë, që ne shpesh herë i nxjerrim në pah vetëm anët negative? Me siguri se po, pasi që Allahu këtë fe e ka dërguar vetëm që t'i ngjallë popujt, përndryshe nuk do ta sillte fenë e tij.

Para se të lindej Muhammedi a.s. gjithësia ndodhej në një errësirë moralo-shpirtërore të tmerrshme. Njerëzit qenë zhytur gjer në fyt në një errësirë të thellë të injorancës. Jeta ishte bërë që të mos mund të jetohej. Gjithësia qe e mërzitur, qeniet të vuajtura, zemrat në ankth. Të dobëtit e të pafuqishmit kishin harruar se ç'është e qeshura! E drejta për të jetuar u përkiste vetëm të fuqishmëve! Me afrimin e kohës së ardhjes së tij në botë, çdo njeri dhe çdo gjë, me një mall dhe dëshirë gjithnjë e më të madhe, prisnin atë dritë të lartë që t'u vinte në ndihmë e t'i shpëtonte prej errësirës. Ai erdhi, ai ishte Muhamedi paqja e Allahut qofte mbi te.



Autor: Afet BEADINI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...