Frutet e Hixhretit



Do të ishte absurditet i llojit të vet dhe tërësisht iracionale sikur hixhretin ta përkujtojmë vetëm si ngjarje të thjeshtë historike pa u ndalur në përfitimin e mësimeve dhe dispozitave juridike islame. Në kontekst të kësaj do të mundohemi që në bazë të mundësive tona të kufizuara, të shtjelloj vetëm disa segmente nga kjo ngjarje madhështore.

Fillimisht të theksoj se hixhreti është jo vetëm transfer fizik nga vendi në vend, por transferim nga e keqja në të mirë, nga destruktiviteti në konstruktivitet, nga deformimi në formim, nga anarkian totale në sistem, nga kriminaliteti në veprimtari profitabile dhe afatgjate, nga injoranca në dituri, nga errësira në dritë dhe thënë thjesht e shkurt nga shtazëria në njerzore. Nga kjo nënkuptohet se hixhreti është një evolucion i brendshëm shpirtërorë dhe sentimental që ndikon pozitiv në jetën e njeriut dhe shoqërisë në përgjithësi. Këtë kuptim e ka edhe thënia e Muhamedit a.s. ku thotë: "Hixhret konsiderohet largimi i njeriut nga ajo që i ndaloi ligjdhënësi dhe të vepruarit e asaj që i lejoi ligjdhënësi".

Pra, hixhreti në këtë kuptim nënkupton individin dhe shoqërinë e cila zhvillon një jetë të organizuar dhe të sistemuar brenda kornizave jo vetëm të normativës juridike Islame, por edhe asaj morale dhe shpirtërore.

Emigrimi i Muhamedit a.s. prej Mekes së bekuar në Medinen e ndritshme shënonë një kthesë vendimtare, për formimin e një shoqërie me baza stabile, e cila në të ardhmen e afërt do të shënojë rezultatet me një dinamikë aq të përshpejtuar saqë edhe sot bota e kompjuterizuar këtë dinamikë vetëm mund ta imagjinojë.

Emigrimi është shenjë e përgëzimit për muslimanët, ngase ai është segment ndarës nga organizimi i jetës private individuale në ate kolektive dhe institucionale.

Emigrimi i Muhamedit a.s. nuk ishte thjesht vetëm shpëtim fizik i muslimanëve nga torturat, presionet e masakrimet që i ushtronin jomuslimanët mbi muslimanët e paorganizuar mirë, të pambrojtur juridikisht dhe ushtarakisht, por ishte fillimi i një epoke të re, hapje e një faqeje të re në historinë jo vetëm të muslimanëve por edhe mabrë njerzore, në sferën e riorganizimit të jetës së muslimanëve si në aspektin social, arganizativ, ekonomik, politik, juridik, administrative dhe ushtarak.

Hixhreti shënon ngjarjen historike të fillimit të funksionimit të sistemit juridiko-administrativ i cili me një shpejtësi marramendëse tërësisht ndrroi fizionominë e organizimit, jo vetëm në Hixhaz, por edhe më gjërë, e pse të mos themi edhe të evropës së vjetër. Hixhreti shënon fillimin e funksionimit të sistemit i cili në spikamë vuri luftën kundër politeizmit dhe bestytënive, kundër injorancës, luftën kundër feudalizmit dhe shoqërisë së klasave, luftën kundër dezorganizimit krimit të organizuar, korrupcionit, etj, etj..

Ky system përqëndrohet në formimin e personalitetit të shëndoshë dhe konstruktiv, të liruarit e femrës nga padrejtësia dhe dhuna e xhahilijetit, formimin e familjes së shëndoshë, çrrënjosjen e anomalive individuale si alkooli, prostitucioni dhe sëmundjet tjera sociale. Në lirimin e ekonomisë në baza të shëndosha dhe të drejtën e pronësisë. Në drejtësi ndaj njerëzimit në formimin e një shoqërie të barabartë pa diferencime dhe klasa, në solidaritet të plotë shoqëror, etj..

Andaj emigrimi i Muhamedit a.s. nuk ishte fillimi i asimilimit, e as kthyerje e shpinës atdheut, por ishte fillimi i luftës psiko-fizike kundër asimilimit dhe padrejtësive, fillim i frymëmarrjes së shlirshme të atdheut duke përgatitur platformë dhe strategji.

Për këtë arsye dhe nga ky motiv Pejgamberi a.s. me ardhjen e tij në Medine pa humbur kohë startoi për të vënë themelet e një shoqërie stabile, e për këtë vendosi hapat e parë konkret për formimin e qeliave të para formuese të shtetit.

Këtë aktivitet Muhamedi a.s. e përqëndroi në formimin e këtyre tre elementeve bazë që formojnë shtetin e që janë:

Ndërtimi i xhamisë, që nënkupton formimin e institucionit të parë shtetërorë.

Vëllazërimi i muslimanëve, krijimin e umetit që është symbol i forcës dhe unitetit.

Hartimi i legjislativës-kushtetutës e cila është garancë e frymëmarrjes dhe mundësimit të funksionimit të mekanizmave plotësuese për funksionimin e shtetit dhe pushtetit juridik.


1. Xhamia

Xhamia si institucion bazë në shoqërinë islame është një epiqendër për organizimin e jetës islame.

Kryerja e ritit fetar, faljes së namazit në mënyrë të organizuar në xhami është vetëm një prej dobive dhe funksioneve të saj. Xhamia është simbol i unitetit dhe vëllazërisë, ngase në te besimtarët bashkohen pesë herë në ditë në bazë vullnetare, kurse në mënyrë detyrimore një herë në javë dhe ate për faljen e namazit të xhumasë.

Xhamia në kohën e Muhamedit a.s. kishte këto funksione:

Vend ku tubonte dhe bashkonte muslimanët që absorbonin dashurinë reciproke mes veti.

Xhamia ishte edhe shkolla e parë ku mësoheshin shkronjat e para të alfabetit.

Në xhami organizoheshin ligjerata fetare dhe shkencore në grupe, që nënkupton se ajo ishte edhe në funksion të Universitetit.

Në xhami hartoheshin dhe miratoheshin vendime, që nënkupton se luante rolin e odës ku sjelleshin vendime legjislative.

Xhamia ishte edhe rezidenca e Muhamedit a.s. ku ai kryente punët dhe obligimet e tij si i dërguar i Allahut xh.sh., si komandos dhe burrë shteti.

Xhamia ishte vendi ku gjykoheshin ata që shkelnin parimet islame dhe aktet tjera normative, që luante rolin e gjykatës.

Xhamia ishte vend ku kryheshin shërbime publike që luante rolin e ministrive të ndryshme.

Xhamia ishte vend ku hartoheshin edhe strategji ushtarake dhe në te ndërtoheshin dhe ngriteshin burra që do t'i dalin zot fesë, atdheut, moralit dhe dinjitetit, e nga kjo nënkuptohet se ishte edhe akademi dhe kazermë ushtarake.

Xhamia ishte vend ku të ngratët dhe të vobekëtit u ndahej ndihma konkrete materiale që simbolizon organizatat humanitare dhe kultivohej humanizmi.

Dhe krejt në fund xhamia në raste konkrete ishte edhe vendstrehim i sigurtë i udhëtarëve që kishin ngelur në rrugë. Xhamia pra ishte edhe çka tjetër për muslimanët, ishte symbol i rezistencës, unitetit, dashurisë, shkencës,kulturës, humanizmit e tolerancës.


2. Vëllazërimi i Muslimanëve

Vëllazërimi i muslimanëve nuk nënkupton se të gjithë njerëzit duhet të mendojnë njësoj, por ai nënkupton të kenë një parim të përbashkët që është "Ndihma në të mirë e drejtësi dhe ndalim nga e keqja".

Ky parim imanent për formimin e shtetit islam është mëse i nevojshëm, dhe pa këtë parim nuk mund të ketë shtet të fuqishëm dhe stabil. Në kontekst të kësaj edhe për funksionimin shoqërisë islame Muhamedi a.s. ka thënë: "Shembulli i funksionimit muslimanëve është sikur shembulli ifunksionimit të organizmit tënjeriut ...".

Nga kjo nënkuptohet se muslimanët janë të mbështjellur nën një lëkurë dhe njësoj përjetojnë edhe hidhërimin edhe gëzimin, ngjashëm si] përjeton dhembjen dhe gëzimin edhe organizmi i njeriut.

Megjithate vëllazërimi i muslimanëve patjetër duhet të përqëndrohet në baza të shëndosha ngase vëllazërimi i njerëzve me vizione dhe ideologji të ndryshme konsiderohet devijim bile disa herë shkakton edhe asimilim.


3. Hartimi i Normatives

Edhe pse emërtimi "e drejta kushtetuese" si nocion është paraqitur vonë, rrespektivisht kah fundi i shekullit 18, ajo si sistem normash me vlerë e rëndësi kushtetuese është paraqitur shumë herët, dhe ate me paraqitjen e institucioneve themelore shtetërore dhe të rregullave për funksionimin e tyre.

Kjo kushtetutë ishte e përpiluar në frymën e islamit dhe konkretizonte çështjet, andaj me të drejtë konstatohet se përmbante elementet bashkëkohore për hartimimin e një kushtetute që janë (objekti, përmbajtja dhe sistemi).

Kushtetuta është ruajtur dhe trajtuar si dokument themeltar juridiko-politik dhe ka funksione të rëndësishme. Ajo ishte akti i formimit dhe organizimit të shtetit.

Kushtetuta në fjalë në objektin dhe normativën e saj përmbante marrëdhëniet dhe raportet e individit brenda shoqërisë islame, garantonte të drejtat dhe obligimet e çdo anëtari të shoqërisë, e gjithashtu përmbante edhe raportet e tërësishme të shoqërisë islame me shoqëritë tjera joislame. Nga kjo nënkuptohet se bënte sihronizimin e pushtetit të brendshëm e njëkohësisht rregullonte edhe raportet ndërkombëtare. Përmes kësaj kushtetute vërehet transparenca dhe kujdesi i sistemit islam ndaj minoriteteve fetare, probleme këto që Islami i shëroi me kohë, kurse bota bashkëkohore jo vetëm që filloi vonë të merret me këto probleme, por edhe sot e kësaj dite ballafaqohet me to.



Autor: Jusuf ZIMERI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...