'Et-Taklidu' - të besuarit me imitim



Prej çështjeve, për të cilën kanë diskutuar dijetarët islamë, është çështja e të besuarit me imitim. Ekziston një pjesë e caktuar e muslimanëve, të cilët bazat e besimit islam i kanë arritur nëpërmjet imitimit, e jo nëpërmjet soditjes dhe leximit. Kjo çështje, në terminologjinë shkencore identifikohet me emrin 'et-taklid' - të besuarit me imitim, apo 'imanu'l-mukal-lidi' - besimi i imituesit. Në vijim, le të shohim se si qëndron çështja e 'taklidit'. A është formë e drejtë dhe e pranueshme tek Allahu, apo nuk është e pranueshme?


Domethënia e nocionit "et-taklidu"

Shprehja 'taklid' është nocion i gjuhës arabe, përkatësisht infinitiv i llojit të II-të të foljeve të prejardhura (المزيدات الثلاثي المزيد فيه) dhe rrjedh prej foljeve të rregullta. Koha e shkuar e nocionit 'taklid' bën 'kal-lede' (قلّد) , koha e tashme dhe e ardhshme bën 'jukal-lidu' (يقلّد) , ndërsa infinitivi 'taklid' (تقليد) , që do të thotë: t'i vendosësh dikujt gushore apo lak në qafë për ta tërhequr pas (قلادة في العنق) . E, imituesi që e ndjek fjalën e atij që imitohet, i bie sikur i ka vënë atij një lak në qafë, e ai i pason veprat e tij, pa kurrfarë meditimi, persiatje e as gjykimi, p.sh. thuhet: 'filani e kishte kapur për gushe filanin' (قلّد فلان فلانا) , d.m.th. ka vepruar sikurse vepron ai, pa e njohur realitetin e atij veprimi dhe pasojat e tij, qofshin të mira apo të këqia. [1] Ndërsa 'mukal-lid' (e që është participi aktiv i fjalës 'taklid'), si term fetar nënkupton "atë musliman, i cili i ka besuar të gjitha kushtet e fesë Islame, dhe i ka deklaruar ato, pa e njohur argumentin e tyre" (هو الذي إعتقد جميع أركان الإسلام و أقر بها من غير دليل) . [2]


Fokusimi i çështjes

Të besuarit në Allahun e Lartësuar, sipas perceptimit të fesë islame, është obligim i domosdoshëm për secilin njeri në sipërfaqen e tokës. Ky besim nuk mjafton vetëm të besohet dhe të deklarohet me gojë, por duhet të argumentohet, duke e njohur argumentin fetar, në të cilin mbështet një çështje e caktuar e besimit (imanit). Mirëpo, duke patur parasysh, se njerëzit nuk janë njësoj nga aspekti i zhvillimit mendor dhe kapacitetit të intelegjencës, edhe çështja e perceptimit të besimit islam nuk është e njëjtë te të gjithë muslimanët. Disa besojnë në Allahun, dhe e arrijnë besimin në mënyrë të argumentuar, e, disa të tjerë besojnë në Allahun, por nuk kanë aftësi që ta arrijnë atë besushmëri në mënyrë të argumentuar. Në bazë të kësaj, mund të konkludojmë se perceptimi i besimit islam është dy sosh:

Perceptimi i besimit islam nëpërmjet argumentimit (el-istidlal).
Perceptimi i besimit islam nëpërmjet imitimit (et-taklidu).

Sa i përket, aspektit të parë, ajo është forma ideale, që secili musliman duhet ta arrijë, sepse duke e njohur argumentin fetar, shtohet dashuria ndaj besimit islam. Kjo ndikon në forcimin e imanit dhe vendosmërinë në të, duke i zbatuar obligimet fetare, me të cilat Allahu i Lartësuar i ka obliguar robërit e Tij.

Ndërsa, sa i përket aspektit të dytë, pra nëpërmjet imitimit, dijetarët islamë kanë diskutuar, nëse është e ligjshme dhe e pranuar, apo jo.


Llojet e 'taklidit'

Fakti që çështjet e fesë ndahen në dy sfera, në ato që janë bazike (aslijjeh) dhe ato që janë dytësore (fer'ijjeh), edhe taklidi është dy llojesh:

1). taklidi në bazat e besimit islam (أصول الإعتقاد) , dhe
2). taklidi në elementet dytësore të fesë (فروع الشريعة) .

Është më se e njohur, se elementet dytësore të fesë, e të cilat ngrihen mbi parimet bazë të Fesë, parimisht nuk janë ato që shkaktojnë hyrjen në fenë Islame, e as daljen nga ajo, sepse karakteri i tyre është suplementar në Fe. Por, mosbesimi shkaktohet nga mohimi a përgënjeshtrimi eventual i atyre pikave që janë bazike dhe shtylla të fesë Islame. Madje, taklidi në çështjet dytësore të fesë, është i lejuar dhe i urdhëruar nga Allahu i Lartësuar, ngase, të gjithë njerëzit nuk mund t'i specializojnë çështjet e fesë, sepse ato janë sferë shumë e gjërë. Por, për njohjen e tyre, duhet drejtuar kompetentëve. Në këtë kuptim është ajeti i Kur'anit Famëlartë: فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لَا تَعْلَمُونَ - "... Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini", (En-Nahl, 43).

Ndërsa, taklidi në bazat e besimit islam, pa dyshim është i nënçmuar, i urrejtur dhe aspak i lavdëruar. Obligohet secili musliman që është në moshën madhore dhe i mençur, që t'i njohë individualisht çështje bazike të fesë dhe nuk i lejohet që nëpërmjet imitimit të mbështetet në tjetrin. Në këtë çështje të gjithë ata që janë të mençur janë njësoj, qofshin meshkuj apo femra.

Se taklidi në bazat e besimit është çështje e nënçmuar, kjo ka ardhur në ajetin kur'anor, ku Allahu i Lartësuar një cilësim të këtillë ia atribuon pabesimtarëve: بَلْ قَالُوا إِنَّا وَجَدْنَا آَبَاءَنَا عَلَى أُمَّةٍ وَإِنَّا عَلَى آَثَارِهِمْ مُهْتَدُونَ - "Jo, por ata thanë: ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre", (Ez-Zuhruf, 22). [3]

Prandaj, taklidi në çështjet dytësore nuk është objekt trajtimi në këtë punim, sepse, përmendëm më lartë se ai është i lejueshëm. Por, objekt trajtimi në këtë punim është 'taklidi' në bazat e besimit islam.

Shtrohet pyetja, çka konsiderohet prej çështjeve bazike të besimit. Dijetarët çështjet bazike të besimit islam që muslimani është i obliguar t'i besojë, i kanë përmbledhur me një formulë të vetme, e ajo është "gjërat që dihen haptazi se janë domosdoshmëri të besimit" (ألمعلوم من الدين بالضرورة) . Kjo formulë përfshinë "të gjitha ato çështje që dihen si qeniesore të ardhjes së Muhamedit a.s., që kanë mbështetje në burimet tradicionale, që janë të transmetuara me rrugë tevaturi, që në ekzistencën subjektive të tyre nuk pranojnë kurrfarë interpretimi, që nuk mund të mendohet ekzistimi i ndonjë argumenti që e kundërshton atë dhe, që për ekzistencën parimore të tyre si qenësore të besimit islam, dijetarët nuk kanë diskutuar, ato konsiderohen se janë domosdoshmëri të Fesë, sikurse është besimi në Allahun dhe cilësitë e Tij, besimi në melaikët, pejgamberët, namazi, zekati, ringjallja, ekzistimi i xhenetit dhe xhehenemit, ndalimi i zinasë, i alkoolit, i bixhozit, etj.". [4]

Pra, këtu nuk bëjnë pjesë çështjet që i nënshtrohen mospajtueshmërisë (el-ihtilaf) ndërmjet dijetarëve. Me këtë nuk synojmë të themi se gjërat tjera veç këtyre, nuk janë të rëndësishme, sepse secila çështje e ka rëndësinë e vet të pazëvendësueshme, porse këto janë ato, që secili musliman, që është i mençur dhe në pubertet, duhet t'i njohë me argumentin në të cilin mbështeten.


Mendimet e dijetarëve rreth 'taklidit'

Çështja e taklidit, është polemizuar mjaftë shumë, sidomos ndërmjet maturidinjve, esh'arinjve dhe mu'tezilëve. Dijetarët kanë disa mendime në raport me vlefshmërinë e imanit të mukal-lidit - imituesit të besimit. Kryesisht ekzistojnë katër mendime:

1. Imani i mukal-lidit nuk është i vlefshëm dhe se mukal-lidi është mosbesimtar (عدم صحة إيمان المقلد فيكون المقلد كافرا)
2. Justifikohet imitimi në besim (et-taklid), por ka mëkat për të, nëse muslimani është i aftë për të vrojtuar, e nëse nuk është i aftë nuk ka mëkat (ألإكتفاء بالتقليد مع العصيان، إن كان فيه أهلية للنظر، و إلا فلا عصيان) .
3. Kush e ndjek (imiton) Kur'anin dhe Sunetin me normë të prerë, është i vlefshëm besimi i tij, për shkak të ndjekjes së asaj që është e prerë në argumentim. E kush ndjek përveç tyre, nuk është i vlefshëm imani i tij, ngase mungon siguria për t'u mbrojtur nga gabimi, dhe
4. Justfikohet imitimi në besim (et-taklid), dhe për këtë nuk ka kurrfarë mëkati absolutisht, sepse vrojtimi (en-nadhru) është kusht që konsiston kompletimin. Prandaj, ai që është i aftë për ta bërë atë e nuk e bën, ai vetëm se e ka lënë një prioritet e asgjë më shumë. [5]


Mendimi i bazuar

Prej të gjitha këtyre mendimeve, më adekuati prej tyre, në të cilin mund të bazohemi (ألمُعوَّل) është mendimi i dytë. [6] Pra, Justifikohet imitimi në besim (et-taklid), por ka mëkat për të, nëse muslimani është i aftë për të vrojtuar, e nëse nuk është i aftë nuk ka mëkat (ألإكتفاء بالتقليد مع العصيان، إن كان فيه أهلية للنظر، و إلا فلا عصيان) . Dispozita e fesë Islame ndaj tij, është sikurse ndaj muslimanëve tjerë. Nëse është mëkatarë, çështja e tij i nënshtrohet dëshirës së Allahut, nëse do e fal, e nëse do e dënon në pajtim me vlerën e mëkatit, porse fundi i tij do të jetë patjetër në xhennet (و عاقبة أمره الجنة لا محالة) . [7]

Ky është qëndrimi i Ebu Hanifes, Eth-Thevris, Malikut, Evzaiut, Shafiut, Ahmed bin Hanbel, dhahirinjve dhe i të gjithë fukahenjve dhe hadithologëve, të cilët thonë se: imani i mukal-lidit është i drejtë, por mëkaton për shkak të lërjes së imanit në mënyrë të argumentuar (ألإستدلال) . [8] Po ashtu, i këtij mendimi është Imam Maturidiu, imam Nesefiu, imam Sabuni dhe të gjithë dijetarët tjerë të hanefinjve. Edhe imam Esha'riu është i këtij mendimi, ndonëse prej tij transmetohet edhe mendimi ndryshe.

Sikundër kësaj, janë mu'tezilët, të cilët thonë se gjersa nuk njihet çdo mes'ele (çështje besimore) përmes argumentit të arsyes duke eleminuar çdo dyshim, nuk konsiderohet besimtar. [9]


Konkludimi akaidologjik i çështjes

Bazuar në atë që u tha më lartë, konkludimi akaidologjik për çështjen e 'taklidit' është me sa vijon:

1. Imani i mukal-lidit, në parim është i drejtë dhe i vlefshëm, për shkak se imani është 'et-tasdik' (besim i plotë), e nuk është 'el-ma'rifetu' (njohje).

E vërteta është se imani është 'et-tasdiki' - besim i plotë. Domethënë, nëse dikush lajmërohet me një lajm, e i beson atij, është e drejtë që të thuhet: ka besuar në të dhe i ka besuar atij. Ngjashmërisht është edhe me mukal-lidin. Kur mukal-lidi informohet me atë që obligohet imani në të, dhe i beson asaj, ai është besimtar dhe është meritor në atë që Allahu ka premtuar për besimtarët. [10] Sepse, siç thotë imam Bezdeviu r.h., ai që e kërkon udhëzimin (el-huda) nëpërmjet 'taklidit', është sikurse ai që e kërkon udhëzimin nëpërmjet argumentit. Dhe ai arrin në synimin e dëshiruar, sikurse ai që arrin nëpërmjet argumentit. Kjo ngjason me atë i cili e kërkon rrugën për në Mekkë nëpërmjet taklidit, ai arrin atje njësoj si ai që e kërkon rrugën nëpërmjet argumentit. [11]

Veç kësaj, imani nuk është njohje, e që do të interferonte çvlerësimin e imanit, për shkak të mungesës së njohjes. Domethënë, "njohja" (el-ma'rifetu) nuk llogaritet iman, bazuar në argumentin se ajo është e ndarë nga ai. Ehli Kitabi (hebrenjtë dhe të krisherët) e njihnin pejgamberinë e Muhamedit a.s., ashtu sikurse i njihnin bijtë e tyre, mirëpo nuk i besonin atij, siç fletë për këtë Kur'ani: الَّذِينَ آَتَيْنَاهُمُ الْكِتَابَ يَعْرِفُونَهُ كَمَا يَعْرِفُونَ أَبْنَاءَهُمْ وَإِنَّ فَرِيقًا مِنْهُمْ لَيَكْتُمُونَ الْحَقَّ وَهُمْ يَعْلَمُونَ - "Atyre që u kemi dhënë librin, ata e njohin ate (Muhamedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup prej tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën", (El-Bekare, 146). [12]

Prandaj, i gjithë ummeti islam janë unikë se imani i mukal-lidit është i vërtetë (sahihan). Të tillë kanë qenë edhe sahabët, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë ata. Kush e thotë të kundërtën, ai e ka kundërshtuar unitetin e ummetit, e kundërshtimi i unitetit të ummetit është humbje (dalal) dhe novatori e keqe (bidat). [13] Në këtë kontekst, imam Maturidiu ka thënë: të gjithë hanefinjtë janë unikë se popullata e thjeshtë (el-avvam) janë besimtarë që e njohin Zotin e tyre, dhe se ata janë të merituar për xhennet, ashtu siç kanë ardhur transmetimet nga Kur'ani dhe Sunneti. Uniteti (el-ixhma) në këtë çështje është bërë traditë e pathyeshme, sepse prirja e lindur e tyre është në natyrën origjinale të tyre se Allahu është Një i Vetëm dhe i pafillim, ndërsa gjithçka tjetër përveç Tij është e krijuar, edhe nëse ata nuk dinë ta artikoluojnë këtë sipas terminologjisë së ekspertëve (kelamistëve). Allahu e di më së miri. [14]

2. Ai që ka mundësi për ta arritur njohjen e besimit e nuk e bën këtë, konsiderohet mëkatar. Shumë ajete në Kur'an stimulojnë për studim dhe njohje sa më të madhe të cilësive të Allahut të Lartësuar. Nëse muslimani ka aftësi për të vrojtuar apo lexuar rreth Allahut, dhe nuk e bën këtë, konsiderohet mëkatar, ngase nuk është duke e përvetësuar një çështje që konsiderohet themelore në besim. Allahu i Lartësuar në Kur'an ka thënë: وَإِذَا قِيلَ لَهُمُ اتَّبِعُوا مَا أَنْزَلَ اللَّهُ قَالُوا بَلْ نَتَّبِعُ مَا أَلْفَيْنَا عَلَيْهِ آَبَاءَنَا أَوَلَوْ كَانَ آَبَاؤُهُمْ لَا يَعْقِلُونَ شَيْئًا وَلَا يَهْتَدُونَ - "E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): Pranoni atë që Allahu e shpalli! Ata thonë: Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t'i pasonin)", (El-Bekare, 170).

Ky ajet, argumenton se ndalohet taklidi për atë që ka mundësi vrojtimi (دليل علي المنع من التقليد لمن قدر علي النظر) . [15] Veç kësaj, përvetësimi i taklidit, krahas mundësisë për vrojtim, mund të marrë karakter të nënçmimit ndaj udhëzimit të Allahut të Lartësuar. Ngase, ka prej njerëzve që qëllimisht abstenojnë njohjen e besimit, me arsyen se sa më shumë që e njohësh atë, aq më shumë je përgjegjës për moszbatimin e tij. Mirëpo, ky qëndrim abstenues është akoma më i rëndë dhe më i rrezikshëm, se sa vetë njohja sado e madhe e besimit, pa marrë parasysh intensitetin e zbatimit të përmbajtjes së tij. Ai që interesohet për njohjen e besimit, por çalon në zbatimin e përmbajtjes së tij, akuzohet vetëm për mëkatim ndaj Allahut për ato gjëra që i di, e nuk i zbaton. Por, sikudër kësaj, ai që e refuzon interesimin për ta njohur imanin, atij i bie akuza e dyfishtë:

1). për kundërshtim të njohjes së imanit, dhe
2). për moszbatim të përmbajtjes së tij.

Këto janë shumë të rrezikshme e sidomos e para. Në lidhje me këtë Allahu thotë: وَمَنْ أَعْرَضَ عَنْ ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنْكًا وَنَحْشُرُهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ أَعْمَى قَالَ رَبِّ لِمَ حَشَرْتَنِي أَعْمَى وَقَدْ كُنْتُ بَصِيرًا قَالَ كَذَلِكَ أَتَتْكَ آَيَاتُنَا فَنَسِيتَهَا وَكَذَلِكَ الْيَوْمَ تُنْسَى وَكَذَلِكَ نَجْزِي مَنْ أَسْرَفَ وَلَمْ يُؤْمِنْ بِآَيَاتِ رَبِّهِ وَلَعَذَابُ الْآَخِرَةِ أَشَدُّ وَأَبْقَى - "E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e Kijametit do ta ringjallim të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy? Ai (Allahu) thotë: Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t'i ofruam, ashtu je i harruar sot. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm", (Ta ha, 124-127).

3. Imitimi nuk është formë e mirë, ngase e cungon rezultatin e besimit. Arritja e njohjes së imanit, ndikon te muslimani që rezultatet e tij t'i jetësojë në mënyrë të drejtë në jetën e vet, dhe që përmbajtjen e imanit t'ia transmetojë drejtë edhe familjes së tij. Në saje të njohjes, besimi do të lëshojë efekte të jashtëzakonshme në vetëdijën e besimtarit, duke e përmirsuar atë në të gjitha aspektet e veprimtarisë. I njëjti do të flasë si musliman dhe do të jetojë si musliman. Në rastin e kundërt, imituesi në besim, nuk i posedon këto favore.

4. Imitimi implikon paqartësi në konceptimin e imanit. Kur muslimani nuk e njeh imanin, nëpërmjet formës së argumentit, ai mund të ruajë në vetëdijën e tij besimore mendime jo kredibile për besimin. Kjo gjendje, mund të mbjellë në zemrën e njeriut rezervë ndaj të vërtetave të besimit islam. Ngase, intrigat kundër besimit islam gjithmonë kanë qenë dhe do të vazhdojnë. Prandaj, muslimani që nuk e njeh me argument besimin e vet, shumë lehtë mund të bie viktimë e këtyre intrigave, dhe për pasojë të luhatet në ndonjë çështje prej bazave të besimit.



Autor: Mr. Orhan BISLIMAJ



_________________________

[1] - Belkasim El-Gali, "Ebu Mensur El-Maturidij hajatuhu ve arauhu el-akdijjetu" pa vend dhe vit botimi, fq. 248-249.
[2] - Muhamed bin Muhamed bin Abdu'l Kerim El-Bezdevij, "Kitabu usuli'd-din" me përpunim shkencor të Dr. Hans Peter Linss, boton 'Daru ihjai'l kutubi'l arebijjeh' 1383 h / 1963 m, Kairo, fq. 152..
[3] - Shih: Ebul Mudhaf-fer El-Isfirajini "Et-Tebsiru fid-din" boton, darul kutubil ilmijjeh, Beirut-Liban, botimi i dytë, 1408/1988, fq. 168.
[4] - Abdul Kerim Tetan, Muhamed Edib El-Kilanijj, "Avnu'l muridi lish-sherhi xhevheret'it-tevhidi" fi akideti Ehli Sunneti ve'l xhemaati, boton Darul Beshair, botimi i dytë, 1999/1419, pa vend botimi vëll. II, fq. 1149.
[5] - Tetan & El-Kilanijj, "Avnu'l muridi ..." op.cit. 1/172.
[6] - Tetan & El-Kilanijj, "Avnu'l muridi ..." op.cit. 1/172.
[7] - Ebul Muin Mejmun bin Muhamed En-Nesefi "Tebsiretul edil-leti fi usulid-din" Ankara, 2004, vëll.1, fq. 42.
[8] - Imam Nurud-din Es-Sabuni, "Kitabu'l-bidajeti mine'l-kifajeti fi'l-hidajeti fi usulid-din" verifikimin shkencor dr. fet'hullah Hulejf, boton 'darul mearif' Egjipt, 1969, fq.154; shih: En-Nesefi "Tebsiretul edil-leti ..." op.cit. fq.42.
[9] - Es-Sabuni, "Kitabu'l-bidajeti ..." op.cit. fq. 154.
[10] - Es-Sabuni, "Kitabu'l-bidajeti ..." op.cit. fq. 154.
[11] - El-Bezdevij, "Kitabu usuli'd-din" op.cit. fq.153.
[12] - Es-Sabuni, "Kitabu'l-bidajeti..." op.cit. fq. 154.
[13] - El-Bezdevij, "Kitabu usuli'd-din" op.cit. fq.153.
[14] - Tetan & El-Kilanijj, "Avnu'l muridi ..." op.cit. 1/173.
[15] - Tetan & El-Kilanijj, "Avnu'l muridi ..." op.cit. fq. 1/170.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...