Paralelizmi në udhëheqjen islame është deformim i islamit



Dihet mire parimi nga të gjithë ne se, myslimanët kudo që jetojnë, brenda shtetit islam apo jashtë tij, janë të obliguar (farz) që të zhvillojnë një jetë të organizuar. Ky parim mbështetet në hadithin e Pejgamberit a.s., i transmetuar nga Abdullah b. Amri se vërtetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: "Nuk lejohet për tre individë qofshin edhe në një shkretinë e të mos e emërojnë njërin prej tyre udhëheqës", (Ahmedi).

Duke u bazuar në këtë hadith, si dhe shumë argumente tjera të pa theksuara në këtë punim, dijetarët islam janë unik në mendimet e tyre (përveç një grupi nga mu'tezilët) se zgjedhja dhe ekzistimi i një udhëheqësi islam i cili do të udhëheqë, qeverisë me çështjet islame dhe që bartë përgjegjësi para myslimanëve dhe para Allahut xh.sh. është detyrim islam (farzi kifaje).

Jo rrallë herë e dëgjojmë nga hoxhallarët dhe e lexojmë në literaturë një të vërtetë madhore, kur thotë se Islami përveç se është Fe e Allahut që rregullon adhurimet, ai është edhe sistem i jetës njerëzore. Kur themi sistem, vetvetiu nënkuptohet se dalja nga sistemi është çrregullim dhe deformim i sistemit, nënkupton anarki totale kurse në aspektin juridik islam nënkupton veprim penal me përgjegjësi penale. Prandaj, është interesant të shohësh veprimet e disa "hoxhallarëve" që pretendojnë se janë njohës të mirë të islamit, dhe në emër të islamit zgjedhin nënshtrim ndaj pasionit dhe egos së tyre për të dalë nga sistemi islam.

Kur diskutojmë për çështjen e sistemit, ne si hoxhallarë por edhe si mysliman, detyrimisht duhet të marrim mësime nga praktike Muhamedit a.s. si e instaloi sistemin e funksionimit të shoqërisë, jo vetëm asaj islame por edhe të asaj multikonfesinale. Atë që e bëri Muhamedi a.s. në Medinën e ndritshme me vëllazërimin e myslimanëve, me bashkimin njerëzve dhe grupacioneve, me themelimin e shtetit islam dhe me hartimin e normativës (kushtetutës) për sistemin e funksionimit të shtetit dhe shoqërisë njerëzore, na jep të kuptojmë se për herë të parë në historinë njerëzori bëri që shteti dhe pushteti t'i nënshtrohen ligjit.

Mirëpo, paralelizmi në udhëheqjen islame është akt i pa pranuar islamikisht, duke filluar nga gjërat më të përditshme, ta marrim si shembull, të kemi dy imamë paralel në të njëjtën kohë tu falin namazin njerëzve! Mund të paramendoni si duket ky namaz i tyre! Ose të kemi dy myftinj paralel në një vend, ose të kemi dy kryetar komunash paralel, ose të kemi dy qeveri paralele në të njëjtën kohë! Në këto raste mund të paramendoni se në ç'hall është gjendja e atij populli që udhëhiqet nga paralelizmat. Përderisa paralelizmi nuk pranohet në asnjë sistem, atëherë si mund të pranohet në islam, kur ne themi se Islami është sistem?!

Edhe në rastin më të keq, kur udhëheqësi islam bënë shkelje të ndonjë rregulli, ose tregon paaftësi për menaxhim të çështjeve që ndërlidhen me islamin dhe myslimanët, përderisa nuk ka shpalosur kufirin, sërish paralelizmi është veprim i ndaluar. Në këto raste është detyrim i të tjerëve t'ua tërheqin vërejtjen udhëheqësit islam, ta shkarkojnë nga detyra, por jo të krijojnë paralelizma. Pikërisht për këtë çështje Ebu Seid El Hudriju transmeton hadithin e Pejgamberit a.s. ku thotë: "Vërtetë xhihadi (lufta) më e madhe është, fjala e drejtë se udhëheqësi i shtrembët (i pa drejtë)", Muslimi. Pra, Pejgamberi a.s. luftën, përpjekjen për ta përmirësuar dhe t'ia tërheqin vërejtjen udhëheqësit të pa drejtë, e konsideron pjesë të xhihadit, e jo daljen nga sistemi duke manipuluar popullin dhe krijuar përçarje, me përjashtim nëse konstatohet se udhëheqësi ka bërë Kufr.



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...