Vlera e muajit Shaban dhe Nata e Beraetit



Në kalendarin islam ndodhen disa data dhe muaj të shënuar, të cilët feja islame i ka dhënë një rëndësi të veçantë. Ashtu sikundër jemi mësuar të dimë për muajin Ramazan dhe mirësitë e tij, po ashtu edhe data të shënuar dhe muaj te shënuar feja islame i jep një rëndësi të veçantë.

Ndër muajt hënor kalendarik është dhe muaji Shaban, i cili ndodhet dhe përkon gjithmonë para muajit të madhënueshëm të Ramazanit. Muaji Shaban për ne myslimanët ka një rëndësi të veçantë për arsye se Profeti (a.s.) i ka dhënë një rëndësi të veçantë dhe në këtë muaj kanë ndodhur ngjarje te cilat kanë vlerë për myslimanin.

Muaji Shaban na rikujton për disa momente të bukura historike, që kanë përkuar me jetën e Profetit (a.s.) dhe shokëve të tij. Ndër momentet më të veçanta për këtë muaj është edhe zbritja e verseteve kur'anore, të cilat kanë të bëjnë me ndryshimin e orientimit të drejtimit të faljes.

Në fillimet e jetës fetare të myslimaneve dhe të Profetit (a.s.) në Medine ishte se gjithmonë kur kryheshin ritet e faljes, besimtarët orientoheshin kah Jeruzalemi dhe pikërisht në drejtim të Xhamisë Aksa. Një ditë prej ditësh Profeti (a.s.) ndërsa ishte duke falur dhe duke qenë i drejtuar kah Jeruzalemit, menjëherë zbret ajeti Kur'anor, ku Profeti (a.s.) urdhërohej të ndryshonte drejtimin e orientimit të tij falës, duke e ndryshuar drejt Qabes tonë të madhërueshme.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë, duke na rikujtuar këtë moment të veçantë: "Të vërejmë tek kthen fytyrën nga qielli. Ja, po të kthejmë nga kibla e dëshiruar. Ktheje fytyrën nga Faltorja e Shenjtë! Kudo që të jeni, kthejeni fytyrat nga ana e saj! Ta dinë ithtarët e Librit se ajo është e vërteta nga Zoti i tyre. Zoti nuk është i shkujdesur ndaj veprave të tyre".

Ky ishte një moment historik për myslimanet, që në fakt na tregon se feja islame erdhi për të korigjuar dhe për të konfirmuar vazhdimësinë e Profetësive pa dallim kombi dhe për të treguar universalitetin e mesazhit të cilin do të mbarte Profeti (a.s.) dhe myslimanët.

Prej gjërave të veçanta që e karakterizojnë këtë muaj dhe që i japin vlerë morale dhe lartësim shpirtëror është se në këtë muaj aktet dhe veprat e njeriut marrin një tjetër kuptim të lartë. Profeti (a.s.) na thotë se ky muaj është një muaj në të cilën njerëzit dhe besimtaret janë të shkujdesur ndaj urdhëresave hyjnore.

Transmeton Usama ibn Zejd i cili tha: "e pyeta Profetin (a.s.), duke i thënë se nuk të kam parë asnjë muaj tjetër sesa në muajin Shaban duke agjëruar". Profeti (a.s.) tha: "Shabani është një muaj në të cilin njerëzit janë të shkujdesur sepse është muaj i cili ndodhet ndërmjet Rexhepit dhe Ramazanit. Dhe ky është muaj në të cilin veprat ose aktet njerëzore ngjiten te Zoti - dhe dëshiroj që veprimet e mija të ngjiten te Zoti duke qenë në agjërim", Transmeton Imam Ahmedi.

Po ashtu edhe në një transmetim tjetër, i cili përkon me të njëjtën logjikë me hadithin që thamë më sipër është kur Profeti (a.s.) tha: 'Punët e mira ngjiten tek Zotit çdo ditë të enjte dhe të hënë, e në këtë ditë Allahu fal dhe mëshiron çdo besimtar i cili është agjërueshëm, përveç atyre që i bëjnë Zotit ortak, duke mos e njësuar si të vetëm në adhurim dhe dedikim dhe po ashtu Allahu nuk fal ata besimtarë, të cilët janë grindur me njëri tjetrin dhe nuk janë pajtuar'.

Edhe në koleksionin e Imam Bukhariut gjejmë të transmetuar veprat e Profetit (a.s.), që na e thotë nëna e besimtarëve Aishja (r.a.) e cila thotë se kurrë nuk e kam parë të agjërojë gati pothuajse të gjithë muajin vetëm se në muajin Shaban. Pra në muajin në të cilin ndodhemi ne sot. E gjithë kjo tablo transmetimesh na lë të kuptojmë për rëndësinë e muajit Shaban dhe vlerën e lartë, që merr agjërimi dhe adhurimet e tjera te cilat duhen bërë.

E veçantë për këtë muaj është se në këtë muaj ka zbritur edhe një ajet tjetër Kur'anor, i cili vlerëson pozitën e lartë, që ka Profeti (a.s.) dhe se çdo besimtarë duhet me patjetër të përshëndesë dhe të bie në salavatë për Profetin (a.s.). Allahu në Kur'anin famëlartë thotë: "Zoti dhe engjëjt e Tij e bekojnë Profetin (a.s.). Besimtarë, bekojeni dhe përshëndeteni atë me bindje"!

Në këtë muaj ndodhet dhe një natë, e cila quhet ndryshe dhe nata e gjysmës së muajit Shaban. Natë e cila ka vlera dhe vlerësim të madh nga Allahu i madhëruar dhe Profeti (a.s.).

Teksa mbajmë në mëndje kuptimin e këtij ajeti kur'anor, që na thotë se pavarësisht gjynaheve, duhet medoemos që të shpresojmë se Allahu (xh.sh.) me mëshirën e madhe, që ka do të na i falë mëkatet dhe gjynahet, që bëjmë me apo pa dashje gjatë jetës, punës apo tregtisë, le të kalojmë tek atmosfera e mëshirës, që ka filluar të ndjehet tani në prag të ardhjes së muajit të Ramazani Sherifit, muaj gjatë të cilit kjo mëshirë arrin nivelet më të larta dhe kulmon në Natën e madhe të Kadrit.

Kjo atmosferë mëshirë në prag të Ramazanit ka dy burime burime: 'burimi i parë është muaji i Shabanit dhe vlera e tij, dhe burimi i dytë është nata e mirë, Nata e Beraetit, ku mëshira e Allahut zbret mbi ne me bollëk të madh për të na falur mëkatet dhe për të na dhënë begati, mbarësi e bereqet në jetën dhe punët tona'. Kjo është nata që lidh të shtunën me të dielën dhe që literaturën islame njihet me disa emra, të tillë si: 'nata e mesit të muajit Shaban, nata e faljes së mëkateve të vitit, nata e shkarkimit nga mëkatet, negativitetet dhe vështirësitë, nata e jetës së lumtur'.

Për ata që janë të interesuar, kjo natë është një ftesë, që na bëhet për t'i bërë bilancin të kaluarës tonë, për të bërë një vlerësim të së tashmes dhe për ta projektuar të nesërmen sipas dëshirës dhe vullnetit të Allahut (xh.sh.). Nga kjo pikëpamje Nata e Mirë e Beraetit është një mundësi pendimi për mëkatet dhe gabimet tona të së shkuarës dhe një rreze shprese për një të ardhme më të mirë.

Çfarë duhet të bëjmë ne si besimtarë me rastin e kësaj nate?

Natën me iradet (adhurim), kurse ditën me agjërim, përveç të tjerave është dhe synet i fortë të agjërosh tre ditët e bardha, që janë datat 13, 14 dhe 15 të çdo muaji.

Transmeton Ibn Maxheh prej Aliut (r.a.) i cili tha: "ka thënë Profeti (a.s.) se nëse ndodhet Nata e gjysmës së Shabanit (nata e Beraetit) vlerësojeni natën duke u ngritur për të falur dhe agjëroni ditën e saj, sepse Allahu zbret mëshirën e tij në qiellin e dynjasë, e thotë: 'A gjendën në këtë kohë besimtarë që kërkojnë falje! A gjenden në këtë kohë besimtarë që kërkojnë pasuri! A gjenden njerëz te sëmurë që i luten Zotit për t'i shëruar'! E kjo ndodh derisa të dalë agimi".

Kjo natë është nata e faljes dhe e mëshirës. Resulullahu (a.s.) na mëson se në këtë natë Allahu e shton edhe më shumë mëshirën e tij mbi tokë dhe urdhëron e thotë: "A ka ndonjë që kërkon falje dhe unë ta fal? A ka ndonjë që kërkon rrizk dhe unë ta furnizoj me rrizk? A ka ndonjë që kërkon të shpëtojë prej vështirësive që unë t'i jap shpëtim"?

Edhe në një transmetim tjetër të cilin na e sjell Imam Muslimi në koleksionin e tij prej Imran ibn Husejnit (r.a.) se Profeti (a.s.) i ka thënë njërit prej sahateve "a agjërove mesin e Shabanit"? Ai i thotë: "jo". Profeti tha: "nëse e ke prishur agjërimin atëherë agjëro dy ditë më pas".

Ndërkohë që ne rendim pas ëndërrimeve, dëshirave, punëve e halleve të kësaj dynjaje, po harrojmë se kush jemi, nga vijmë e ku shkojmë. Ne duhet një ndalesë, një pauzë, që ne të kujtohemi se kush jemi në të vërtetë, cila është arsyeja që jemi krijuar, kush na ka krijuar, përse kemi ardhur në këtë botë. Kjo mënyrë e të menduarit merr akoma më shumë kuptim, pikërisht në këtë natë, e cila ka një vlerë të madhe.



Përgatiti: dritaislame

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...