Akuzat ndaj Esharive dhe Maturidive janë shumë me rrezik për umetin e Muhamedit a.s.



I dëgjova fjalët që thoshin dy hoxhallarë në gj. shqipe për esharitë dhe maturiditë. Nuk mund të besoja çfarë dëgjova prej tyre kundër këtyre dy shkollave sunite! Ato video shpërndahen si zjarri në barin e thatë. Të rinjtë që nuk e njohin islamin i marrin si të mirëqena fjalët e tyre.

Pastaj ata i akuzonjë maturiditë dhe na shohin me akide të devijuar! Akidja maturidi mësohet në të gjitha medresetë tona. Ligjërohet edhe në Fakultetet tona fetare. Mos vallë ne po ligjërojmë akiden e devijuar?!

Dikush mund të thotë këto çështje janë akademike dhe nuk i kupton xhemati. Po është e vërtetë që janë akademike. Por nuk është as akademike, as në rregull dhe as e vërtetë të thuhet se maturiditë e esharitë kanë akide të devijuar! Të shpërndahen video kundër tyre! Nuk është e saktë sepse në shkollën e Furkanit në Damask por edhe në Universitetin e Ez'herit kam mësuar akiden maturidi-eshari.

Jo vetëm kaq por edhe në Universitetet e Turqisë, Marokut, Tunizisë, Algjerisë, Somalisë, Sudanit, Jordanisë, Indonezisë, Pakistanit e shumë e shumë universitete të botës islame mësohen shkolla esharite dhe maturidite.

Unë këto fjalë nuk i shkruaj për të rinjtë. I shkruaj për ca hoxhallarë që të jenë të kujdesshëm. Esharizmi dhe Maturidizmi janë shkolla të ehli sunetit. Të gjithë hoxhallarët mbi 500 vjet i kemi pasur në hapësirat tona maturidi. Shumicën e hoxhallarëve edhe sot e kemi hanefi-maturidi. Përveç disave.

Disa i kanë vu mision vetes që të flasin, pa i njohur sa duhet këto dy shkolla, kundër tyre. Thjesht i përcjellin thëniet e disa shujuhëve të tyre.

Kur shoh sulmet e tyre më duhet të pyes mos vallë El-Furkani në Damask dhe El-Ez'heri në Kajro dhe gjithë ato universitete në botën islame predikojnë akide të devijuar?! Mos vallë i patëm hoxhallarët tanë maturidi për 500 vjet me akide të devijuar?!

Me keqardhje më duhet të pyes çfarë po ngjet, kush po i fryn kësaj agjende të rrezikshme duke akuzuar dijetarët e umetit se akiden nuk e kanë të saktë?



Autor: Dr. Ajni SINANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...