Dispozita dhe udhëzime mbi Agjërimin



Agjërimi është një detyrë fetare për njerëzit, e caktuar nga ana e Allahut të Madhërishëm. Prej agjërimit, sikurse edhe prej namazit, kemi dobi të shumta materiale, fizike dhe shpirtërore. Mirëpo, prapseprap, agjërimi mbetet një detyrë fetare, respektivisht ibadet, që është një ushqim shpirtëror për njeriun, i cili e afron atë me Krijuesin e gjithësisë.


Dobitë dhe urtësitë e agjërimit

Çdo gjë në ekzistencë ka urtësinë, fadiletin e tij, vetëm se duhet njohur atë. Disa gjëra janë të një vlere shumë të madhe, ndërkohë që disa të tjera janë më pak të vlefshme dhe më pak të rëndësishme, mirëpo, nuk ka diçka që ka krijuar Zoti e të mos ketë vlerë dhe të jetë e parëndësishme. Është detyrë e njeriut që t'i njohë urtësitë dhe vlerat e gjësendeve, fenomenve, njerëzve, obligimeve, etj.. Të kësaj natyre janë edhe urdhëresat dhe ndalesat e Allahut të Madhërishëm, të cilat, s'do mend se janë në dobinë dhe për të mirën e njeriut. Një nga adhurimet më të rëndësishme të diskutuara dhe studiuara më shumë është dhe agjërimi.

Fillimisht duhet ditur që qëllimi kryesor i agjërimit është që ta ngrejë njeriun në nivelin më të lartë të devotshmërisë (takvallëkut). Këtë e mësojmë shprehimisht në librin plot urtësi të Allahut xh.sh. Kuranin Famëlartë: "O besimtarë. Ju është urdhëruar agjërimi ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat dhe të arrini devotshmërinë ...", (Bekare, 2: 183-184).

Agjërimi, duke e futur besimtarin në një edukim shpirtëror, i mundëson atij që ta çlirojë shpirtin dhe trupin nga gjynahet e mbledhura gjatë kohës. Janë një sërë citatesh kuranore dhe profetike të cilat dëshmojnë për këtë mirësi të madhe të këtij adhurimi të veçantë. Është shumë e rëndësishme që njeriu të ushqejë besimin, mendjen, zemrën dhe shpirtin gjatë Ramazanit, në mënyrë që të zbërthejë në qenien e vet urtësitë e mëdha të agjërimit. Nga të mirat e agjërimit, po ashtu, është edhe ajo se ai e mbron besimtarin në këtë botë dhe në botën tjetër. Në këtë kontekst kemi një hadith të profetit të Zotit, Muhammedit a.s., i cili, në një rast, një shokut të tij, Muadh ibn Xhebelit, i pati thënë: "A dëshiron të të udhëzojë kah dyertë e mirësisë? Atëherë agjëro, sepse agjërimi është mburojë, ndërsa sadakaja i shlyen mëkatet, ashkur sikuse uji e shuan zjarrin".

Një tjetër bukuri dhe gëzim është edhe agjërimi i të rinjve dhe të rejave në Ramazan, të cilët, për hirë të Zotit, pranojnë që përkohësisht t'iu shmangen dëshirave kalimtare të kësaj bote. Zoti i gjëthësisë, agjëruesit e rinj, i ka krahasuar edhe me melekët, ku në një hadith kudsi thotë: "O ti i ri, që për hatrin Tim ke lërë pasionin tënd, ti që për Mua sakrifikon rininë tënde, vlera jote tek Unë është sikur e një malaqes time". Me fjalë të tjera, me agjërim forcojmë bindjen në Zotin, forcojmë lidhjen me besimin, ngrisim moralin, freskojmë shpirtin dhe ripërtërijmë qenien tonë.


Kush obligohet me agjërim gjatë muajt të Ramazanit?

Çdo musliman e muslimane me aftësi mendore, që ka arritur moshën e pjekurisë (pubertetit) dhe që nuk ka pengesë për të agjëruar, e ka obligim (farz) agjërimin e Ramazanit.


Në cilat raste mund të mos agjërohet gjatë Ramazanit?

Duke i ditur tiparet psiko-fizike të njeriut, situatat në të cilat mund të bie ai, Zoti i Madhërishëm, Allahu xh.sh., në Kur'anin famëlartë në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka përmenduar disa kategori njerëzish, të cilët kanë arsye të shëndosha, që të mos agjërojnë në Ramazan, pasi që feja nuk iu shpall njeriut që ta ngarkojë dhe ta rëndojë përtej mundësive të tij. Juristët muslimanë (fukahatë), në bazë të Kur'anit dhe të Sunetit, kanë përmendur disa kategori dhe përsona, të cilët kanë lirinë dhe arsyen ligjore të Sheriatit islam që të ndërpresin agjërimin e ramazanit, respektivisht të mos e agjërojnë atë, porse t'i kompenzojnë apo shpaguajnë ditët e paagjëruar. Arsyet e tilla janë me sa vijon:


a. Udhëtimi

Lejohet mosagjërimi në rast udhëtimi. Ditët e paagjëruara duhet të shlyhen më vonë. Nëse bën nijet të agjërosh natën, por ditën e nesërme nisesh për udhëtim, mund ta ndërpresh agjërimin nëse ke vështirësi, por e pëlqyeshme është që ai të plotësohet. Kjo kategori e njerëzve është përmenduar drejtpërdrejtë në Kur'an, në ajetin 184 të sures El-Bekare.


b. Sëmundja

Nëse personi ka frikë se sëmundja mund t'i shtohet apo mund t'i zgjasë më shumë, i lejohet të mos agjërojë dhe ta zëvendësojë atë pasi të shërohet. Një person të cilit mjeku i thotë që s'duhet të agjërojë edhe ai konsiderohet i sëmurë. Nëse një gjërues nuk i respekton këshillat e mjekut dhe vdes, ai ka vdekur me gjunah.


c. Shtatzënia dhe gjidhënia

Nëse agjërimi i sjell dëm nënës dhe fëmijës, atëherë ai lejohetë shtyhet për më tutje për t'u kompenzuar. E njëjta vlen dhe kur nëna ka fëmijë në gji; nëse ka frikë nga pakësimi i qumështit. Ruajtja e jetës në Islam është një prej pesë vlerave themelore të tij.


d. Puna fizike e vështirë

Islami është feja e Allahut. Ai është një sistem jete perfekt dhe i balancuar. Asgjë nuk është në dëm të jetës së njeriut. Islami ka sjellë rregulla që e lumturojnë njeriun në të dy botët. Ata të cilët rrezikojnë shëndetin gjatë punës së rëndë fizike, u lejohet të mos agjërojnë, por t'i zëvendësojnë ditët e paagjëruara në ditë të tjera kur është mundësia. Duhet patur kujdes, për ta patur këtë mundësi, vërtetë puna duhet të jetë shumë e rëndë, dhe këtë secili njeri duhet ta vlerësojë vetë nëse ka mundësi të agjërojë apo jo!

Këto lehtësi mund t'i gjejmë në ajetet 183-185 të sures Bekare: "Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera më pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji Ramazan është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t'jua lehtësojë dhe jo që t'jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë".


e. Pleqëria e thellë

Personat e thyer në moshë dhe ata që kanë sëmundje të pashërueshme lejohen të mos agjërojnë. Në vend të ditëve të paagjëruara duhet të japin fidje. Për shembull: Një i moshuar, apo i sëmurë i përhershëm që nuk ka mundësi të agjërojë duhet të japë sasi parash, apo ushqim, për 30 të varfër, apo për një të varfër për tridhjetë ditë. Sasia e parave për një të varfër vendoset nga institucioni fetar por logjikisht mund të përllogaritet sasia e parave të harxhuara për ushqimin ditor. Kjo e vërtetë na jepet në ajetin e mësipërm: "Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi".


Përmbyllje

Të dashur vëllezër e motra, të përpiqemi që agjërimin ta bëjmë përmbajtësor. Të shkojmë me familjarët tanë në xhami në namazet ditore dhe teravi, në mukabele dhe vaze. Me gëzim dhe hare ta presim syfyrin, kurse në iftaret tona krahas prindërve dhe kushërinjve le të ketë edhe fqinjë dhe varfanjakë. T'i falënderohemi Allahut që na e dhuroi tërë këtë. Agjërimi është mbrojtja jonë, në ramazan dhe më vonë, nga sëmundja, mëkati dhe dobësia. Rezultatet e tij na çojnë kah fati në të dy botët. Ky është synimi ynë skajor i mirësjelljes sonë në këtë botë kalimtare. Për fund, lusim Allahun xh.sh. të na begatojë të gjithëve, dhe të na i pranojë punët e mira, e të na falë neve dhe juve. Zot ynë, bëje agjërimin të lehtë për ne! Amin!



Autor: Mehas ALIJA

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...