Pritja e muajit Ramazan



Falënderimi i takon vetëm Allahut i cili e bëri ramazanin zotëri të gjithë muajve dhe dyfishues të mirësive dhe veprave. Atë e falënderojmë dhe lavdërojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e agjëruesve, shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahut dhe robin e Allahut.


Të nderuar vëllezër muslimanë

Kini frikë Allahun me frikërespekt të vërtet dhe ta dini se Ai ju mbikëqyr kudo që të jeni në fshehtësi apo haptazi.

Allahu i Madhërishëm, thotë: "O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të ruheni nga të këqijat", (el-Bekare: 183).

Çdo musliman është mallëngjyer për muajin ramazan, muajin e mëshirës dhe Kuranit. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit. Prangosen shejtanët dhe në të është një natë më e mirë se 1000 muaj. Ky muaj ditët i ka të caktuara, kujtimet dhe kënaqësitë e paharruara, kurse veprat e mira të dyfishuara.

Prandaj, o vëllezër të Islamit, ju përgëzoj me zotërinë e muajve, i cili na vjen pas një mungese të gjatë, ashtu siç i përgëzonte Muhamedi (s.a.v.s.), shokët e tij dhe u thoshte: "Ju erdhi muaji ramazan, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit kurse mbyllen dyert e xhehenemit. Në këtë muaj prangosen shejtanët. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se 1000 muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar".

Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e xhehenemit dhe i hapen dyert e mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë prangosen shejtanët? Muaj që nuk barazohet me të asgjë dhe askush në të mira dhe dobi. Ky muaj është muaj i fitoreve për Umetin. Në këtë muaj u fitua lufta e Bedrit, u çlirua Mekja, e më vonë Endelusi dhe Hitini e shumë të tjera.

Sot disa prej muslimanëve ramazanit ia humbin shkëlqimin dhe vlerën e tij. Në vend që ta veçojnë me agjërim dhe Kuran, ata i braktisin shtëpitë për udhëtime dhe aventurë. Disa e shfrytëzojnë që ditën të flenë, ndërsa natën të argëtohen dhe t'i bëjnë mëkate Allahut.

Ardhja e këtij muaji është begati e madhe për atë që Allahu i jep jetë. Dëshira e sa njerëzve ka qenë që ta agjërojnë këtë muaj të bekuar, por sot nuk janë në mesin e të gjallëve?! Sa prej nesh këtë vit do të agjërojmë së bashku, e ramazanin tjetër do ta presim në varre: "Asnjë njeri nuk di ç'do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç'vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje", (Lukman: 34).


Si ta gostitim këtë mysafir të vlefshëm?

Ky mysafir gostitet me hapjen e zemrave para se t'ia hapim dyert e shtëpisë, dhe me pastrimin e shpirtrave dhe pastrimin e pasurisë.

Prandaj, ai i cili i bën mëkat Allahut, duhet të pendohet me sinqeritet që zemra e tij të përmirësohet dhe gjendja e tij të drejtohet. Allahu i Madhërishëm, thotë: "O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t'jua shlyejë gabimet e t'ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Pejgamberin dhe ata që besuan bashkë me atë ...", (Tahrim: 8).


Vëllezër të dashur

Ky muaj është muaj i mëshirës dhe i faljes mes njerëzve. Muaj i largimit prej urrejtjeve dhe armiqësive, që janë shkaqe që e përçanë dhe dobësuan Umetin. Atë që ramazani e gjen si mos respektues i prindërve, këputës i lidhjeve familjare, braktisës i vëllezërve të Islamit, përgojues dhe shpifës në nderin e muslimanëve, ju lexojmë ajetet: "Frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë", (el-Enfal: 1), dhe "Kurse ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira - Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër se që ka mundësi, ata janë banorë të xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë ...", (el-A'raf: 42-43).

Ky muaj është muaji i ndihmesës dhe sadakës. Prej urtësive të tij është që muslimani të bashkëvepron me vëllezërit e tij në të gjitha sferat dhe t'i përgjigjet thirrjeve të varfërve dhe të dobëtëve. E ndjen në vete varfërinë e tyre, pikëllohet me pikëllimin e tyre dhe i dhemb shpirti me dhimbjen e shpirtrave të tyre. Ia zgjat dorën me sadakë dhe ndihmë dhe shpreson që Allahu veprat dhe pasurinë t'ia dyfishon: "Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin 7 kallinj, ku secili kalli ka nga 100 kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë, Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm", (el-Bekare: 261).

Ky muaj është muaji i lutjeve dhe duave. Pasuria e fituar me haram është shkak i belave, shkak që lutjet të mos pranohen, që ëndrrat dhe shpresat të mos realizohen, si dhe dyert e qiejve të mos hapen.

Pritja e ramazanit me pastrimin e pasurisë prej haramit, dhe bërjen e duave të sinqerta, janë shpresa e muslimanit në dynja dhe ahiret: "Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t'i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë", (el-Bekare: 186).

Ta shikojmë veten tonë, ta hulumtojmë shtëpinë tonë, ta fusim dorën në xhepin tonë, dhe ta pastrojmë pasurinë prej çdo harami, në mënyrë që të dalim para Allahut me zemër të frikësuar, me pasuri të pastruar dhe me lutje të sinqerta të cilave do t'u hapen dyert e qiejve.

Imam Muslimi transmeton hadithin ku Pejgamberi (s.a.v.s.) thotë: "Pesë namazet (ditore), namazi i xhumasë deri në xhumanë tjetër, dhe ramazani deri në ramazanin tjetër, janë shkak për faljen e gjynaheve që janë bërë në mes tyre, nëse largohemi nga gjynahet e mëdha".

Ata të cilët e kuptojnë ramazanin si shkollë për forcimin e imanit, pastrimin e moralit dhe forcimin e vullnetit, ata përfitojnë prej tij. Gjatë ditës e shijojnë kënaqësinë e agjërimit, gjatë natës e shijojnë ëmbëlsinë e namazit dhe lutjeve, atyre u hapen dyert e xhenetit, u mbyllen dyert e xhehenemit, dhe i takojnë melekët natën e Kadrit me paqe dhe përgëzime. Ata ndahen prej ramazanit të mëshiruar dhe të falur, me lutje të pranuar, dhe me besim të forcuar.

Imam Ahmedi transmeton nga Abdullah ibn Amr ibn Asi se Pejgamberi a.s. thotë: "Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin në ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: 'O Zot, ai është ndalur nga ushqimet dhe epshet e tij ditën, më lejo të jem ndërmjetësues për të'. Dhe Kurani thotë: "O Zoti im, ai është ndalur nga gjumi natën, më lejo të jem ndërmjetësues për të! Dhe u jepet leja për ndërmjetësim".

E lusim Allahun e Plotfuqishëm, që në këtë muaj të na falë dhe mëshirojë, ibadetet të na i shtojë, duatë dhe lutjet të na i pranojë, neve të gjithëve dhe prindërit tanë dhe familjet tona prej Zjarri të na liron.



Përshtati: Miftar AJDINI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...