Pasuria e naftës e përhapi vehabizmin



Me fillimin e çmendurisë së naftës, siç shkruan dijetari francez Giles Kepel, qëllimi saudit u bë që vehabizmi të dilte e të përhapej në gjithë botën muslimane, për ta "vehabizuar" Islamin dhe për t'i reduktuar zërat e shumtë brenda fesë në një "doktrinë të vetme", nëpërmjet një lëvizjeje që do t'i tejkalonte ndasitë kombëtare. Miliarda dollarë u derdhën dhe vazhdojnë të derdhen në këtë manifestim të "fuqisë së butë" (ang. soft power).

Ishte pikërisht kjo përzierje fuqisë së butë dehëse prej miliarda dollarësh me dëshirën saudite për ta sunduar Islamin sunnit - si për t'i zhvilluar interesat amerikane, ashtu edhe për ta rrënjosur vehabizmin në sferën arsimore, shoqërore dhe kulturore anembanë tokave të Islamit - që krijoi një varësi politike të perëndimit nga Arabia Saudite. Një varësi, kjo, e cila nisi nga takimi i Abdu'l-Azizit me Roosvelt-in në një luftanije amerikane (teksa ky i fundit po kthehej nga Konferenca e Jaltës) dhe vazhdon deri sot.

Perëndimorët e vështruan mbretërinë dhe ajo që panë ishte pasuria e saj, modernizimi në dukje dhe pretendimi për udhëheqësi të botës islame. Ata zgjodhën të besonin se mbretëria po u përshtatej tashmë kërkesave të jetës moderne dhe se sundimi mbi Islamin sunnit do ta lëvizte edhe vetë mbretërinë saudite drejt jetës moderne.

Por pikëpamjet e Ikhvan-it saudit nuk vdiqën në vitet e tridhjeta. Ikhvani u tërhoq por vazhdoi të kishte pushtet mbi disa pjesë të sistemit, prej nga buron edhe dualiteti, me të cilin përballemi sot në qëndrimin saudit ndaj ISIS-it.

Në njërën anë, ISISi është thellësisht vehabist. Por në anën tjetër, ky grup është skajshmërisht radikal në një mënyrë krejt tjetër. Në të vërtetë, ISIS mund të shihet si një lëvizje korigjuese për vehabizmin e sotëm.

ISIS është një lëvizje "post-medinase": ajo i merr për shembull veprimet e dy Kalifëve të parë më shumë se vetë Profetin Muhammed dhe, ndërkaq, me ngulm e mohon autoritetin e sauditëve për të sunduar.

E ndërsa monarkia lulëzonte në epokën e naftës drejt një institucioni gjithë më të ngritur, tërheqësia e porosisë ikhvaniste rritej gjithashtu (edhe përkundër përpjekjeve të Mbretit Faisal për modernizim). "Qasja ikhvaniste" gëzonte dhe gëzon akoma përkrahjen e shumë personave të rëndësishëm. Në një mënyrë, Osama Bin Laden ishte një përfaqësues pikërisht i kësaj qasjeje ikhvaniste.

Sot, (në këto qarqe) mohimi i autoritetit saudit nga ana e ISIS-it nuk shihet si diçka problematike, por më tepër si një rikthim drejt zanafillës së projektit saudito-vehabist.

Në menaxhimin e përbashkët të rajonit nga ana e sauditëve dhe perëndimorëve, gjatë procesit të realizimit të shumë projekteve të Perëndimit (si: përballja me socializmin, ba'athizmin, nasserizmin, ndikimin sovjetik e ndikimin iranian), politikanët perëndimorë zgjodhën përherë ta nxirrnin në pah imazhin që ata e shihnin tek Arabia Saudite (pasuri, modernizim dhe ndikim), duke e shpërfillur krejtësisht impulsin vehabist.

Në fund të fundit, lëvizjet më radikale islamiste konsideroheshin nga shërbimet sekrete perëndimore më efektive në rrënimin e pushtetit sovjetik në Afganistan dhe në luftimin e shteteve dhe udhëheqësve të padëshiruar në Lindjen e Mesme.

Përse duhet të habitemi atëherë, kur shohim se nga "mandati" saudito-perëndimor i dhënë Princ Bandarit për ta administruar kryengritjen siriane kundër presidentit Essad, doli një lëvizje e dhunshme e frikëndjellëse neo-ikhvaniste siç është ISIS? Dhe përse të habitemi - duke e njohur pakëz vehabizmin - se kryengritësit "e moderuar" në Siri tashmë nuk janë tjetër veçse një "figurë mitike"? Si mund të prisnim që vehabizmi radikal të krijonte kryengritës të moderuar? Si mund të paramendonim se doktrina "një prijës, një autoritet, një xhami: binduni ose do të vriteni" do të mund të krijonte një lëvizje të moderuar ose tolerancë?



Autor: Alastair CROOKE



_________________________

Shkëputur nga Artikulli: "Vehabizmi, ISIS-i dhe dualiteti saudit: një hulumtim mbi zanafillën historike".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...