Ramazani dhe familja



Ca ditë para fillimit të muajit ramazan, nga një organizatë jomuslimane më erdhi një ftesë për pjesëmarrje në një tribunë (debat) me një profesor të njohur të historisë së religjioneve, konkretisht historisë kishtare.

Në abstraktin e tij ishin të paraqitura disa teza tepër sfiduese dhe nxitëse të cilat më detyruan të gjej kohë dhe ta përcjell paraqitjen e profesorit që vinte nga Britania e Madhe.

Ndodhi që takimi të jetë paraparë vetëm një ditë para ramazanit, gjë që më bëri gjatë gjithë këtyre ditëve të ramazanit të më sillen nëpër mend tema. Paraqitja e profesorit ishte sa realiste, po aq edhe sfiduese.

Profesori nisi të flasë për Evropën dhe sfidat që e kanosin qytetërim evropian. Analizonte shoqërinë evropiane si një shoqëri bashkëkohore që ballafaqohet me sfidat dhe problemet e veta, si edhe çdo shoqëri tjetër.

Paraqitja filloi me një përshkrim për të kaluarën e Evropës, duke përmendur faktet se qendrat evropiane kanë qenë ato që kanë mbledhur dhe sjellë vizitorë nga e gjithë bota e atëhershme, gjë që ka mundësuar ballafaqimin e kulturave të shumta, me këtë duke shndërruar Evropën një "mixtum composum" që kanë kontribuar në thellimin dhe përforcimin e larmisë kulturore dhe qytetëruese të kontinentit të vjetër.

Një prej qendrave të tilla ishte edhe Venediku, si destinacion kryesor tregtar për shekuj me radhë, kurse sot si njëri ndër vendet më të vizituara nga turistët anë e kënd botës. Profesori foli edhe për probleme të tjera, që po t'i numëroja, i gjithë ky tekst do të duhej të përmbyllej me temën e tij, kurse esenca për të cilën po shkruaj do të humbej. Për atë po e përmend vetëm edhe çështjen, si mungesa e kreativitetit artistik që po e shoqëron Evropën, konkretisht ajo e deficitit të emrave të mëdhenj dhe të fuqishëm të sferës së artit dhe kulturës, duke theksuar faktin se këto dy lëmenj janë shndërruar në shërbëtorë të politikës dhe biznesit, gjë që po shpie drejt zhdukjes së mendimeve të fuqishme që do të kishin ndikim në formimin e opinionit të përgjithshëm në shoqëritë tona. Kjo i paraprin edhe më shumë kësaj krize që pritet të kaplojë Evropën.

Profesori nuk u ndal aspak në krizën financiare që aktualisht është më e diskutuara nëpër qarqe të ndryshme, pasi se paraqitja e tij ishte kryesisht shpirtërore dhe shtjellonte tema që kishin të bëjnë më shumë me raste që me syrin e përditshëm dhe të vrojtuarit tonë nuk i shohim.

Gjatë elaborimit të temës u fol për zhdukjen e një pasurie të lashtë kulturore dhe shpirtërore në Evropë dhe vlera që si të tilla e kanë mbajtur gjallë shoqërinë njerëzore, si religjioni, traditat, doket dhe zakonet e shumta, kodet e ndryshme të mirësjelljes, familja etj..

Ai me shumë mjeshtri përmendi faktin e teknokracisë që po depërton në çdo pore të jetës duke shmangur dhe larguar çdo gjë që ka të bëjë me anën shpirtërore të shoqërisë sonë bashkëkohore, politizimin e skajshëm, kodifikimin e çdo sjelljeje njerëzore dhe shoqërore, e që sjell deri në shpersonalizimin tonë si shoqëri dhe si individ, duke lënë që gjithçka të dirigjohet dhe të përcaktohet nga politika.

Edhe vendet tona, si pjesë e këtij realiteti janë po kësaj rruge. Të gjithë indikatorët e flasin këtë. Shtimi natyror i popullsisë, që dikur ka qenë ndër më të lartit në gjithë Evropën, dukshëm ka filluar të bjerë, martesa, respektivisht koha e martesës te të rinjtë është duke shkuar gjithnjë e më shumë në shtyerje, po ashtu në rritje është edhe numri i atyre që nuk planifikojnë të futen në ujërat e martesës. Si rezultat i këtyre faktorëve, por edhe i digjitalizimit, mjeteve të shumta të komunikimit, rrjeteve sociale, gjithnjë e më shumë vërehet një ftohje e marrëdhënieve fizike mes njerëzve. Njerëzit çdo ditë e më shumë po bëhen të huaj për njëri tjetrin. Të shumta janë rastet ku dy anëtarë të së njëjtës familje komunikimin dhe planet e tyre i diskutojnë nëpërmjet Facebook-ut, apo rrallë kush e kujton ditën kur të gjithë anëtarët e një familjeje kanë drekuar apo darkuar të gjithë së bashku në sofër apo tryezë. Po ashtu edhe si rezultat i ngritjes së nivelit të arsimimit, sidomos te femrat, ka filluar dukshëm të bjerë numri i lindjeve. Po e përmend vetëm faktin se në Kosovë, që në vitin 1984 llogaritej si vendi me shtimin më të lartë të popullsisë, mesatarisht një çift kishte afër pesë fëmijë (4,82), sot për vetëm më pak se 20 vjet kjo shifër është përgjysmuar (2,29). Kosova akoma ka shtimin më të lartë në rajon, por besa edhe në gjithë Evropën. Shqipëria dhe Maqedonia janë dukshëm me shtim më të ulët.

Këto shenja janë një alarm se disa shifra trishtuese që hasen nëpër vendet e Evropës perëndimore dhe veriore, janë duke trokitur edhe në dyert tona, si numri i beqarëve të përhershëm, numri i personave që për vdekjen e ndonjë të afërmi njoftohen nga shtypi ditor, numri i familjeve që kanë tre e më shumë fëmijë të jetë i rrallë, numri i familjeve që jetojnë në bashkësi të jetë edhe më i rrallë e shumë e shumë shenja që kontribuojnë në humbjen e disa vlerave dhe elementeve vitale të shoqërisë sonë, diçka që na ka dalluar dhe ka ushqyer ecurinë tonë shekuj me radhë.

Me këtë rast dua ta përmend faktin se muaji ramazan është edhe muaj i forcimit të lidhjeve familjare. Është muaj që bashkon zemrat dhe kontribuon në avancimin e vlerave familjare, që fatkeqësisht janë në zhdukje. Pa marrë parasysh angazhimet dhe lodhjet, gjatë ramazanit gjithmonë gjendet kohë dhe mënyrë për ta ftuar dikë apo për t'i shkuar dikujt në iftar. Përveç kësaj, gjatë këtij muaji nxiten dhe përforcohen edhe lidhjet brendafamiljare, duke bërë që anëtarët e një familjeje të jenë më afër njëri-tjetrit, si gjatë kohës së syfyrit, iftarit, vizitave të ndërsjella e kështu me radhë. Ky muaj, sado që të sjell lodhje nga agjërimi, sjell edhe më shumë gjallëri dhe jetë nëpër familjet tona. Gjatë këtij muaji familjarët kolektivisht aktivizohen në organizimin e jetës, sofra e iftarit është gjithmonë plot, nëse jo me produkte është plot me njerëz, anëtarët e familjes asnjëherë nuk mungojnë nga iftari apo syfyri. Po ashtu edhe kënaqësia e syfyrit është ajo që besoj gjithëve na mungon kur të ik ky muaj i bekuar. Ftesat dhe vizitat e ndërsjella janë po ashtu një element që shtohen gjatë këtij muaji. Kjo është një fakt se ramazani është një muaj që gjallëron dhe përforcon lidhjet familjare. Ky muaj është një edukator dhe një udhëzues i mirë se si duhet ta organizojmë jetën tonë edhe gjatë njëmbëdhjetë muajve të tjerë të vitit, sidomos në të kushtuarit rëndësi ngrohtësisë familjare, të cilën dinamizmi i jetës dalëngadalë po e shkatërron. Shpresojmë që ky muaj të jetë një nxitës i kthimit në vetvete, një rigjallërues i disa elementeve kryesore që kanë mbajtur gjallë shoqërinë tonë, siç është familja dhe lidhjet e shëndosha familjare.

Andaj, gjatë këtij muaji, përveç lutjeve të shumta, le ta lusim Zotin e botëve që t'i mbrojë familjet tona, t'i shtojë ato dhe të lëshojë bereqet dhe mirësi mbi gjithë ne!



Autor: Milazim MUSTAFA

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...