Radikalizmi asnjëherë nuk sjell gjëra pozitive



Intervistë me ambasadorin shqiptar në Maqedoni, ekselencën e tij, z. Arben Çejku [*]

I qetë dhe i menduar, me një pamje fisnike, ambasadori shqiptar në Shkup, ekselenca e tij, z. Arben Çejku, na priti sipas traditës shqiptare, me shumë ngrohtësi.

Herë pas here, një buzëqeshje e lehtë që u paraprinte fjalëve rrezëllinte në fytyrën e tij. Pas diskutimesh për shembjen e Murit Shengen për shqiptarët në prag të festave të fundvitit, i kërkova një intervistë ekskluzive për revistën "Hëna e Re", të cilën ai e dha me kënaqësi. Thekson se shembja e Murit Shengen "pati një vonesë që kishte kosto", por është i sigurt se shqiptarët e kanë merituar liberalizimin. I ka vlerësuar lart marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por kërkon më shumë punë në bashkëpunimin ekonomik dhe atë kulturor. Thotë se: "Ballkani Perëndimor është një potencial i pashfrytëzuar", dhe se këto vende duhet të krijojnë hapësira të duhura për biznesmenët, investimet e brendshme, kapitalin që vjen nga jashtë, me qëllim krijimin e një hapësirë të lirë ekonomike.

Intervistoi: Driton DIKENA


Hëna e Re: Fillimisht, përgëzime për shembjen e Murit Shengen. Shqiptarët tani në Evropë udhëtojnë pa viza. Shembja e Murit Shengen në Maqedoni krijoi valë të madhe azilkërkuesish, me çka erdhi deri aty që në Komisionin Evropian të diskutohet nëse vendimi për Maqedoninë ishte i shpejtuar. Shqipëria a ka marrë fushatë paraprake që të mos përsërit gabimin e Maqedonisë dhe të Serbisë e për të ndaluar ndonjë fluks të ri eventual azilkërkuesish?

Çejku: Ky ishte një sukses i radhës që shënoi Shqipëria në raport me integrimin dhe hapësirën e lirisë që meritojnë shqiptarët në kartën evropiane. Ky vendim erdhi në një moment kur është bërë një punë e madhe nga ana e Qeverisë për të merituar liberalizimin e vizave. Nëse i referohemi bekgraundit historik, shqiptarët mund të radhiten të parët për sakrificën që kanë bërë për lëvizjen e lirë. Janë me qindra, me mijëra të viktimizuar në kufi tokësorë, detarë, të ndaluar, të arrestuar, të keqtrajtuar.

Ka njerëz që kanë vuajtur më të vërtetë shumë. Shqipëria është vendi me imigracion më të ri në Itali, Greqi dhe në vende të tjera evropiane, si dhe në Kanada e SHBA. Gjatë këtij tranzicioni imigracioni ynë është pjekur dhe është përfshirë në shtetet ku jetojnë jo vetëm me punësim, por shumica e tyre janë të integruar në sistem. Kjo do të thotë se ky realitet tanimë reflekton në raport me liberalizimin dhe është një premisë pozitive. Ka 10 ditë që ka filluar lëvizja e lirë dhe deri tani vetëm 2000 veta kanë udhëtuar, që është normale. Nuk është vërshim që prisnin skeptikët, nuk është eksod biblik që trumbetonin skeptikët, por edhe ata që nuk ishin dashamirës të vërtetë të Shqipërisë. U morën shembuj joadekuat nga rajoni, u përfolën ato modele dhe u bë një propagandë jo shumë e mirë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Por, realiteti konkret tregon se kjo shkon normalisht. Autoritetet e Shqipërisë kontrollojnë vijat kufitare dhe shqiptarët që nuk kanë plotësuar kushtet as që i lëshojnë. Shqiptarët për çdo ditë kërkojnë më tepër informacion për kushtet dhe mënyrën e lëvizjes. Është bërë një punë e madhe. Liberalizimi nuk do të thotë kaos, por ajo ka rregulla dhe kritere të cilat duhet edhe të respektohen. Kjo nuk do të thotë se duhet t'ju merret e drejta vendeve mike që të mos kontrollojnë shqiptarët në vijat kufitare, sidomos kur e shohin të arsyeshme. Te njëjtin kontroll policët gjermanë bëjnë edhe për italianët dhe anasjelltas. Prej këtij rregulli nuk mund të përjashtohen edhe shqiptarët. Do të dëshmojnë se, në një farë mënyre, pati një vonesë që kishte kosto, por do dëshmojnë se, si shqiptarë, e kemi merituar liberalizimin. Por, jo vetëm liberalizimin, por edhe integrimin.


Hëna e Re: Çfarë bashkëpunimi ka Ambasada shqiptare me Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni?

Çejku: Ne kemi një bashkëpunim të hapur miqësor, por edhe vëllazëror. BFI është një bashkësi në mazhorancë e etnitetit shqiptar, por ka dhe etni të tjera të përfshira në të. Unë kam një raport dhe komunikim korrekt me këtë Bashkësi Islame, por dhe me institucionet e saj drejtuese. Jam në dijeni, herë pas here, të zhvillimeve të brendshme, por edhe me raportin e kësaj bashkësie me institucionet e shtetit, me problemet që janë të lidhura me ndërtimin e objekteve të kultit, problemet që janë të lidhura me pronën e tyre dhe kthimin e saj, renovimin e objekteve fetare. I ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet. Besoj se me urtësi dhe mbështetjen reale të një filozofie të dialogut dhe mirëkuptimet dhe respektit të divergjencave, të gjitha këto probleme mund të tejkalohen. Raporte të mira kemi dhe me përfaqësues tjerë të feve të tjera.


Hëna e Re: Incidente të ndara nga të ashtuquajtur radikalë islamë u paraqitën si në Shqipëri, Kosovë, po ashtu edhe në Maqedoni, struktura këto që rrezikojnë tolerancën fetare mes shqiptarëve. Shteti shqiptar a ka ndonjë strategji si të ruajë tolerancën fetare brenda territorit ku banojnë shqiptarë?

Çejku: Radikalizmi kudo që të shfaqet, edhe në kulturë, edhe në politikë, edhe në ekonomi, edhe në arsim, edhe në marrëdhëniet shoqërore, por edhe në objektet e kultit dhe në komunitetin fetar, asnjëherë nuk ka sjellë një produkt pozitiv dhe nuk është përqafuar dhe kurdoherë ka mbetur i izoluar dhe përfaqësuar nga një grup i vogël njerëzish. Radikalizmi nuk është një fenomen që ka mbështetjet e mazhorancës. Ndërkohë, ka pasur mesazhe të qarta nga institucionet në Maqedoni dhe në vendet tjera që i kanë thënë jo radikalizimit. Shqipëria është një ndër vendet shembullore në respektimin e feve. Thuhet se në Shqipëri ka tolerancë fetare dhe me këtë është bërë një përafrim i pamerituar mes tolerancës dhe harmonisë. Gjuhësisht, këtu ka dallime. Në Shqipëri nuk ka tolerancë fetare, por harmoni fetare. Në Shqipëri fetë jo vetëm që tolerojnë njëra-tjetrën, por ato janë në harmoni njëra me tjetrën. Kjo harmoni shihet edhe në raport me institucionet. Kjo harmoni duhet të mbretërojë në të gjitha vendet, por edhe këtu, në Maqedoni. Nisur edhe nga historia jonë me plot shembuj sakrifice, drejtuesit fetarë duhet të gjejnë modelet më të mira për të inkurajuar besimtarët e tyre për një të ardhme më demokratike, sepse demokracia nuk vlen vetëm për institucionet e shtetit dhe për deputetët e pozitës dhe të opozitës, por demokracia është pjesë e gjithë shoqërisë. Veprimi demokratik nuk mund të kuptohet i plotë nëse ato praktikohen vetëm në politikë, por kur ai është gjithpërfshirës, kur qeveritarët dhe joqeveritarët punojnë në parimet bazë të demokracisë.


Hëna e Re: Si e vlerësoni bashkëpunimin e bashkësive fetare me shumicë shqiptare në rajon?

Çejku: Pikësëpari, secila bashkësi fetare duhet të përsos realitetet tonë këtu ku jemi, të përsosim funksionin demokratik të këtyre institucioneve, t'u krijojmë hapësirë qytetarëve për mendim ndryshe, të ndihmojmë shtetin, qeveritë, për përmbushjen e standardeve dhe të kërkesave që kanë. Fetë nuk janë opozita e një shteti, nuk duhet t'i kuptojmë si një parti e pashprehur politike, por si një partnere e shtetit, partnere e Parlamentit, partnere e politikës, partnere e mediave, për të kontribuar në përmbushjen e standardeve për t'i çuar proceset përpara. BFI nuk është institucion përgjegjës, por ato ndihmojnë jashtëzakonisht, qoftë edhe në mënyrë indirekte. Shqipëria - Maqedonia janë shumë afër BE-së dhe këto dy vende, bashkë me Kosovën, kanë një destinacion të qartë dhe ajo është BE. Dhe, unë besoj se sot askush nuk ka kufi të prerë të një mosbashkëpunimi.


Hëna e Re: Si mund të konsiderohen aktualisht marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë?

Çejku: Natyrisht se tanimë Shqipëria ka një traditë të gjatë diplomatike me Maqedoninë fqinje, me Maqedoninë mike, me Maqedoninë që ka një specifikë me Shqipërinë edhe për shkak të pranisë së komunitetit shqiptar këtu. Marrëdhëniet diplomatike janë relaksuar shumë dhe, natyrisht, Shqipëria zhvillon një marrëdhënie profesionale, miqësore, dypalëshe diplomatike duke marrë parasysh edhe për shqiptarët që jetojnë këtu. Në këtë periudhë dyvjeçare shoh se ka një vullnet pozitiv nga të dyja anët, sidomos në aspektin politik dhe institucional, kemi vullnet shumë të mirë, mirëpo duhet të punojmë në fushën ekonomike, arsim dhe kulturë.


Hëna e Re: Marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për momentin janë të mira, por jo në nivelin e duhur. Këtë edhe vetë e keni thënë ju disa herë. A punohet që të rritet bashkëpunimi ekonomik?

Çejku: Së pari baza ligjore, marrëveshjet bilaterale, janë të përsosura. Institucionet në raport me zhvillimin e tregut dhe zhvillimet rajonale i përshtatin këto marrëveshje. Por, në rastin konkret mendoj se një punë më e madhe duhet të bëhet nga komuniteti i biznesit dhe angazhimi im është këtu. Duhet të kuptojmë se shtetet tona nuk janë më shtete të një periudhe të kaluar, të para viteve nëntëdhjetë, kur shteti vendos për marrëdhëniet ekonomike.

Shteti tani është një rregulltar, por ekonomitë private janë ato që marrin në konsideratë rregullat e tregut dhe pastaj potencialin dhe mundësinë që ofron një bashkëpunim dypalësh. Shqipëria dhe Maqedonia kanë shumë hapësira të pashfrytëzuara të një tregu të përbashkët dhe më gjerë se kaq. Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia janë potenciale ende të pashfrytëzuara të një tregu të përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Këto vende duhet të krijojnë hapësira të duhura për biznesmenët, për investimet e brendshme, për kapitalin që vjen nga jashtë, për të krijuar një hapësirë të lirë ekonomike. Duke iu referuar edhe një krize financiare të këtyre viteve, kuptojmë se refleksionet prekin të gjitha ekonomitë, por nëse kemi një treg të përbashkët, si Ballkan Perëndimor, do ta lehtësojmë jo vetëm zhvillimin e ekonomisë, por do të bëhemi një zonë atraktive për thithjen e investimeve strategjike. Besoj në krijimin e kësaj klime reale të bashkëpunimit dhe Shqipëria të bëhet një lokomotivë e vërtetë e zhvillimit ekonomik në rajon. Ne po vijojmë zhvillimin tonë, por me një bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe janë bërë shumë hapa në këtë drejtim. Pavarësisht qëndrimeve të kundërta që kemi me Serbinë në realicion me Kosovën, bashkëpunimi ekonomik nuk ka penguar që të kemi lëvizje të lirë të mallrave. Në këtë proces mund të them se Shqipëria ka dhënë shumë kontribut për ekonominë e rajonit, sidomos me infrastrukturën e saj dhe është një ndër vendet më atraktive për investime. Shqipëria nga një vend me ekonomi të prapambetur ka dalë të kryesojë me investime deri në 6 % rritje në vit.


Hëna e Re: Pranimi në NATO a ndikoi në përmirësimin e kësaj klime?

Çejku: Shqipërisë, pas izolimit, iu desh të përballet me shumë sfida dhe përmbushje të shumë kritereve. Iu desh të përballet me varfërinë, me izolimin dhe me insfrastrukturën e trashëguar, sidomos me një infrastrukturë të varfër, të përballet me një tranzicion tepër të vështirë, dhe natyrisht në këtë rrugë plotësoi kriteret për integrim në NATO dhe BE, por edhe kriteret e një demokracie për të përmbushur ëndrrën e shqiptarëve që kishin nga viti '90. NATO e identifikoi Shqipërinë si një vend me një zhvillim të brendshëm ekonomik që garanton stabilitet. Në njërën anë, plotësimi i standardeve politike forcon ekonominë e vendit dhe bëri kjo që të meritojmë anëtarësimin në NATO dhe kjo pati një refleksion pozitiv për Shqipërinë në imazhin e saj kundrejt botës. Shqipëria garanton shumë siguri për kompanitë e mëdha që dëshirojnë të bëjnë investime strategjike. Shqipëria nuk është një vend që zbulohet në vitin 1990. Shqipëria ka një kulturë të lashtë, një vend që ka qenë pjesë e kulturave romake, bizantine dhe gjithmonë ka qenë e identifikuar. Të tillë e ka krijuar Zoti - ta vendos në një vend ku të gjitha zhvillimet dhe luftërat aty të kalojnë. Por, me një mund ajo arriti të sigurojë integrimin e vend, por edhe performancën për një ekonomi të lirë dhe të tërheqë vëmendjen për një vend ku siguron ekonomi stabile. Qeveria mori masa për të lehtësuar rritjen e kapitalit, duke filluar me "Shqipëria një euro" dhe garantimin e investimit bankar shumë stabil. Sot mund të flitet për një pesëfishim të investimeve. Mund të them se vitin që mbyllim shifra e investimeve kap vlerën prej 600 milionë eurosh, ndërsa 110 milionë euro janë kapitale private, pa mos futur këtu investimet buxhetore. Infrastruktura ligjore dhe rrugore, si dhe ajo energjetike, ka ndihmuar në thithjen e investimeve.


Hëna e Re: Rruga e Arbrit, pas Rrugës së Kombit, është projekti i dytë që më së shumti pritet nga shqiptarët. A do të shohë ndonjëherë dritën e vërtetë?

Çejku: Nuk është vetëm Rruga e Arbrit që është pjesë e kapilarëve lidhës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Mund të përmend së pari se Rruga e Arbrit është një kapilar me të vërtetë shumë i rëndësishëm. Aty vetëm se punohet dhe vazhdon garantimi i fondeve për investimin e kësaj rrugë. Pjesa më e vështirë, tuneli dhe ura, tanimë janë përfunduar dhe besoj se brenda dy viteve kjo rrugë do të përfundohet përsa i përket Shqipërisë.

Në pjesën e Maqedonisë, sipas kontakteve që kam, shoh një angazhim serioz dhe ecet me procedurë të përshpejtuar për vendosjen e gjurmës. Studimi i fizibilitit është bërë më.

Brenda një viti Shqipëria do të bëjë rrugën lidhëse Tiranë - Elbasan, e cila do të ndikojë dukshëm në zvogëlimin e largësisë në vijë rrugore me Maqedoninë dhe kjo vijë do të shkurtojë udhëtimin për një orë më shpejt prej Tirane në Qafë Thanë.

Po ashtu, edhe për hekurudhën punohet me Qeverinë e Maqedonisë dhe lidhjen mes dy vendeve me linjën e tensionit të lartë. Ka edhe hapësira të tjera - dhe unë besoj se ato do t'i zhvillojmë në të ardhmen - por Rruga e Arbrit dhe rruga e Qafë-Thanës janë më prioritare, sepse janë edhe pjesë të Korridorit 8.


Hëna e Re: Sa mendoni se kontesti Maqedoni-Greqi ndikon në ngadalësimin e realizimit të projekteve kapitale në rrafshin rajonal?

Çejku: Ky problem në raportin Maqedoni-Shqipëri aspak nuk ka ndikuar. Ne këtë proces e kemi identifikuar si proces dypalësh dhe të këtillë do ta shohim në të ardhmen, me shpresë se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje.


Hëna e Re: Cili është raporti që ka Ambasada me komunitetin shqiptar këtu, me shoqatat dhe forma tjera të organizimit dhe çfarë po bën konkretisht Ambasada për t'i zhvilluar këto marrëdhënie?

Çejku: Ne punojmë vazhdimisht për intensifikimin e këtij bashkëpunimi sa më gjithëpërfshirës dhe sa më të plotë jo vetëm institucional, por edhe njerëzor. Kemi marrëdhënie të mira me të gjitha institucionet, përfshi edhe ato politike, pavarësisht ngjyrimeve. Mendojmë se Maqedonia është një vend që pret kontributin e të gjithëve dhe ne japin maksimum në rolin tonë. Jemi afër gjithë këtyre faktorëve dhe aktorëve, sidomos të komunitetit ndërkombëtar. Kemi bashkëpunim me të gjitha partitë politike brenda dhe jashtë parlamentit, me shoqatat civile, të arsimit, kulturës, universiteteve. Realizojmë një diplomaci publike, moderne, që të jetë sa më afër nevojave të indetifikuara dhe me kënaqësi them se ambasada jonë ka pritur mijëra njerëz në dyert e saj. Kemi bashkëpunim të sinqertë me të gjithë qytetarët dhe ata shprehin ide dhe koncepte e propozime për zgjidhje. Kemi realisht një nivel të lartë bashkëpunimi. Ambasada nuk është një adresë për zgjidhjen e shumë probleme, por është një adresë e komunikimit të sinqertë njerëzor.


Hëna e Re: Bashkëpunimi kulturor Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. Ka një mungesë, por edhe neglizhencë si nga institucionet, ashtu edhe nga artistët për një bashkëpunim ose organizim të mirëfilltë. A mund, në të ardhmen, të ndodhë një urë bashkëpunimi mes këtij trekëndëshi shqiptar në rrafshin institucional kulturor?

Çejku: Këtu kam përshtypje se ke dy pyetje. E para, bashkëpunimi kulturor i Shqipërisë dhe Maqedonisë si dy shtete; dhe e dyta, bashkëpunimi i Shqipërisë me komunitetin shqiptar këtu. Realisht, bashkëpunimi kulturor nuk është në nivelin e duhur, në të dy rastet. Ky bashkëpunim është i vakët dhe në të ardhmen duhet të promovohet. Dua vitin e ardhshëm që projektet kulturore të marrin më shumë aspekt rajonal dhe Maqedonia të bëjë një hapje të kulturës në aspekt të fqinjësisë. Ka pasur bashkëpunime sporadike, por mendoj se Ministria e Kulturës së Maqedonisë duhet të ketë një filozofi më evropiane, një kulturë të afrimit me kulturën e Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse kulturat kultivohen së bashku në Evropë. Ministria e Kulturës së Maqedonisë duhet që vitin e ardhshëm të realizojnë projektet multietnike, të një bashkëpunimi më të mirë me Shqipërinë dhe unë do të bëj projekte maksimale që Ministria e Kulturës së Shqipërisë të ketë projekte të përbashkëta. Vendet tona kanë një të ardhme evropiane dhe pavarësisht përpjekjeve që bëjmë për ruajtjen e trashëgimisë, duhet të bëhen projekte edhe për kultivimin e vlerave të reja të përbashkëta. Mua më vjen mirë që vlerësohet një këngëtar si Toshe Proeski, por duhet të vlerësohen edhe artistë të tjerë shqiptarë dhe prezenca e atyre shqiptarëve në këto organizime të jetë më i madh. Prezenca e shqiptarëve në Opera dhe në Balet në Maqedoni, si dhe në festivalet këtu, do të ndikojë shumë në këtë bashkëpunim. Në Operën e Vjenës do të marrin pjesë edhe shqiptarë dhe artistët nuk duhet të identifikohen nga ngjyrimet etnike, por nga vlerat që kanë, nga kontributi që kanë. Çdo kontribut i artistëve shqiptarë këtu është kontribut i vetë shtetit. Pavarësisht prejardhjes etnike të artistit, ai promovon shtetin nga vjen.

Edhe në turizëm kemi të bëjmë shumë dhe vitin e ardhshëm do të bëjmë përpjekje më shumë.


Hëna e Re: A do të kemi pasaportë ne shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, pasaportë shqiptare?

Çejku: Kjo është një kërkesë realiste, por edhe pasaportat e Maqedonisë kanë të njëjtën vlerë, ashtu si dhe pasaportat e Kosovës. Forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të ndikojë në komoditetin e shqiptarëve. Këto kërkesa i kuptojmë, por realiteti flet ndryshe. Ne jemi të interesuar i gjithë Ballkani të ketë një pasaportë, dhe atë evropiane. Duke ruajtur individualitete shtetërore, të kemi një perspektivë të përbashkët në NATO dhe BE.

Në këtë aspekt mundohemi të ndihmojmë edhe Maqedoninë, që edhe ajo të bëhet pjesë e integrimeve, sepse vetëm atëherë do të marrim përgjigje për shumë probleme që janë të trashëguara nga tranzicioni i gjatë dhe i vështirë.


Hëna e Re: Dhe, në këtë fundvit, dëshira juaj?

Çejku: Uroj një vit të mbarë. Ju siguroj se Shqipëria do vazhdojë në të njëjtën rrugë të progresit, të rritjes së ekonomisë. Do të frymojë si një vend evropian, do të jetë një lokomotivë që do të tërheqë gjithë fqinjët në familjen evropiane dhe në NATO, do të luajë rolin e stabilitetit dhe të paqes dhe do të vazhdojë të promovojë vlera të bashkëpunimit ndërfqinjësor.



Përgatiti dhe përshtati: BIM, janar 2011.



_________________________

[*] - Kjo intervistë është realizuar në prag të festave të Vitit të Ri, 2011!.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...