Veprimet e ditës së Bajramit



1. Çështja e parë: Veprimet e pëlqyera të ditës së bajramit.

Enesi radiallahu anhu tregon se: "I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem në Ditën e Bajramit nuk shkonte në xhami pa mos ngrënë ca hurma", Transmeton imam Buhariu në Sahih.

Imam Shurunbulali shënon se, në ditën e bajramit të fitrit janë të pëlqyer (mendub) 13 veprime: 'Ngrënia (para shkuarjes në xhami), e ngrënura të jetë hurmë, e ngrënura të jetë tek, larja, pastrimi i dhëmbëve (istijak), parfumimi, veshja e rrobave më të mira, dhënia e fitrave kush i ka obligim, shfaqja e gëzimit dhe haresë, dhënia e sa më shumë sadekave sipas mundësisë, zgjimi sa më herët (et-tebekur), shpejtimi për në vendfaljen e bajramit (el-ibtikar) dhe falja e sabahut të bëhet në xhaminë e lagjes'.

Njashtu: "Shkuarja për në vendfaljen e bajramit të bëhet në këmbë dhe duke lexuar tekbirat pazë. Tekbrin e përfundon në vendfaljen e bajramit apo kur të fillohet namazi, kjo sipas transmetimit tjetër. Të kthehemi (në shtëpi) nga një rrugë tjetër".

Imam Shurunbulali në "Nuru'l-idah", fq. 230 dhe 231.


2. Çështja e dytë: Vizita e varrezave në ditën e bajramit.

Vizita e varrezave fetarisht është mendub (vepër e përlqyer) dhe kjo argumentohet me hadithin e Pejgamberit salallahu alejhi ve selem: "Ua pata ndaluar t’i vizitoni varret, mirëpo tani vizitoni ato", Transmeton imam Muslimi.

Ky hadith i Pejgamberit salallahu alejhi ve selem përfshin lejimin dhe pëlqimin e vizitës së varrezave në çdo ditë të vitit edhe atë pa asnjë përjashtim. D.m.th. 355 ditë hënore të vitit përfshihen në këshillën e Pejgamberit salallahu alejhi ve selem, ngase ai salallahu alejhi ve selem na thotë: 'vizitoni dhe nuk ka thënë vizitoni përveç filan ditës apo filan festës! Pra, në këtë hadith futet edhe dita e bajramit, e për të përjashtuar ditën e bajramit duhet të kesh argument shtesë, ngase hadithi nuk e përjashton asnjë ditë dhe asnjë festë'.

Madje, në librat e fikhut vizita e tyre në ditën e bajramit llogaritet si vepër e mirë. Në koleksionin e famshëm të fetfave hanefite me titull "El-Fetava el-Hindijeh" konkludohet: "Vepër e mirë është vizita e varrezave edhe në netët e bekuara, posaçërisht në natën e beratit". Njashtu edhe në ditët e bekuara si: "Dhjetë dhu'l-hixheh, dy bajramet, ashuranë dhe në festat tjera".

"El-Fetava El-Hindijeh", vol. 5, fq. 430, botimi i daru'l-kutubi'l-ilmijeh, 2000.


- - - - - - - - - -


Elhamdulilah, këtu i përfundojmë ramazanijatet e këtij muaji të bekuar! Shpresoj të kem kontribuar sado pak që ju të dashur vëllezër të keni kaluar një ramazan pak më ndryshe, me njohuri dhe mesele të këndshme. Falënderoj Allahun e Gjithëdijshëm, pastaj mësuesit e mi dhe të gjithë vëllezërit për këshillat, sugjerimet dhe kritikat e tyre.

Në fund assesi nuk harroj të falënderoj edhe shoqen time, e cila krahas udhëtimeve të saja për në fakultet, testeve, punëve të shtëpisë si dhe përgatitjes së iftarit e syfyrit, ajo përsëri gjeti kohë për t'i kontrolluar dhe rishikuar për çdo lëshim eventual shkrimet që i kemi ndarë bashkë me juve përgjatë këtij muaji të bekuar. Allahu e shpërbleftë me të mirat e Tij të pafund!



Përgatiti: Hazir SELMANI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...