Mos i lejo vetes t'i sulmosh dijetarët dhe muslimanët!



Jam takuar me shumë vëllezër muslimanë të cilët më kanë folur gjëra të ndryshme të këqija në lidhje me disa dijetarë muslimanë. I kam lutur që të ma lexojnë suren El-Fatiha. Kam konstatuar se ata s'janë në gjendje të lexojnë Kur'an, por kanë guximin të kritikojnë dijetarët muslimanë. Ja në çfarë mënyre ne i ndjekim mësimet e Islamit!

Pejgamberi (s.a.v.s.), në një hadith të regjistruar nga Buhariu, të cilin e transmeton Uthman ibn Affan ka thënë: "Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur'anin dhe ua mëson të tjerëve!", (Hajrukum men te'al-leme-l-Kur'ane ve 'al-lemeh!).

Fjala 'teal-leme' në hadith vjen në formën 'tekel'luf' (mundim, përpjekje), që do të thotë se personi ka bërë përpjekje për të mësuar Kur'anin, dhe se për ta mësuar Kur'anin kërkohet përpjekje dhe kohë. Kështu, në Kur'an përmenden popujt para nesh të cilët kanë bërë përpjekje në zbatimin e Tevratit. Allahu i Madhërishëm, në Kur'an, këtë e ka përmendur me fjalët: "Hummilu-t-Tevrate" (në kuptimin tekstual: e kanë bartur Tevratin, d.m.th. ata janë urdhëruar që të veprojnë sipas Teuratit dhe në këtë rrugë të sakrifikohen).

Fjala 'hajrukum' e përmendur në hadith tregon më të mirët në mesin e muslimanëve. Kjo tregon se suksesi, nderi, respekti dhe lavdia e këtij umeti është në Librin e Allahut.

Pasi që e përqafonte Islamin ndonjë njeri në kohën e Pejgamberit (s.a.v.s.), gjëja e parë që do të bënte pas besimit ishte mësimi i Kur'anit, e pas tij namazi. Prandaj, unë i këshilloj të gjithë vëllezërit dhe motrat që, pas mësimit të themeleve të besimit dhe mënyrës së faljes së namazit, t'i përkushtohen studimit të Kur'anit dhe të mos lodhen me gjëra që nuk janë kompetent për të folur. Kështu ata mund ta dëmtojë vetëm vetveten dhe askënd tjetër.

Elhamdulil-lah, unë i jam mirënjohës mësuesit tim, i cili ka qenë i lindur në Senegal. Kur e kam pranuar Islamin (Hafiz Webb ka pranuar Islamin 20 vjet më parë, shën i përkth.), ai më kapi dhe më tha: "Më dëgjo, mësoje të lexosh Kur'anin dhe mësoje gjuhën arabe. Mos e humb kohën duke menduar për njerëz dhe grupe të tjera".

Mbaj mend atëherë ai me mua i ndante disa tregime mbi Senegalin, të cilat unë tani do t'ua tregoj juve për të parë se sa përpjekje kanë bërë dijetarët për arritjen e njohurive dhe ku jemi ne në krahasim me ta ...

Së pari ai më tha: "Në qytetin tim të lindjes në qoftë se ndonjë njeri donte të martohej, ai patjetër para kësaj duhej të ishte hafiz i Kur'anit, të falë së paku një teravi në të cilën do ta përfundonte hatmen para xhematit, pastaj të dijë përmendsh Muvettain (koleksionin e plotë të hadithit) të imam Malikut". Natyrisht, se kjo neve na duket e vështirë, sepse për fat të keq shumë prej nesh kanë probleme ende me mësimin e texhvidit, por këto kritere na tregojnë se në pjesë të tjera të botës sa i jepet rëndësi arritjes së diturisë.

Atëherë mësuesi im më tha se ai e kishte memorizuar Kur'anin në 10 kiraete dhe atë para motrës tij. Më pat thënë: "Babai im mendonte se hifzi i Kur'anit është diçka e thjeshtë dhe nënkuptohej se unë atë e di, andaj këtë nuk ma mësoi fare. Ai ishte i zënë me mësimin e usulul-fikhit (metodologjia e drejtësisë islame), gjuhën arabe, hadithin dhe disiplinat tjera islamike".

Babai im më tha se unë për ta dhënë provimin e hifzit, për të marrë diplomë, do të marr fletore krejtësisht bosh. Atëherë na janë dhënë dy javë afat që në fletore ta shkruajmë Kur'anin nga sureja El-Fatiha deri në suren En-Nas, dhe atë vetëm nga mbamendja, pa asnjë ndihmë. Çdo ditë duhej të shkruanim numër të caktuar të faqeve dhe t'i dorëzojmë për kontroll tek mësuesi (shejhu). Ata do të kontrollonin atë që kemi shkruar dhe nëse kishim bërë vetëm një gabim në tërë Kur'anin binim nga provimi. Vetëm një gabim! Unë e pyeta mësuesin: "Ku gjendet libri yt në të cilin e ke shkruar Kur'anin"? Ai mu përgjigj: "Ne nuk e mbajmë atë, ia falim mësuesit (muhaffizit) tonë"!

Ngjarja e tretë që ma ka përmendur mësuesi im ka të bëjë me gjyshin e tij i cili ishte myfti në Senegal. Një ditë tek ai kishte shkuar një grup të rinjësh të cilët dëshironin të mësojnë usulul-fikh. Ai menjëherë i kishte refuzuar. Ata e kishin pyetur për arsyen. Atëherë ai i kishte pyetur ata sa dinë Kur'an përmendsh. Kur ata i përgjigjën se i dinë 12 gjuza nga Kur'ani, ai u kishte thënë: "Filloni me Kur'anin. Harrojeni mësimin e diçka tjetër deri sa ta përfundoni Kur'anin"!

Kur'ani është shumë i rëndësishëm dhe ne nuk guxojmë të jemi të pakujdeshëm ndaj tij. Nëse keni kohë në dispozicion dhe njerëz që mund t'ju japin mësim, ta dini se do të jeni përgjegjës para Allahut pse nuk keni dashur të mësoni dhe pse nuk jeni përpjekur. Një nga mësuesit e mi, Muhamed El-Mehdi nga Egjipti, e kishte zakon që pas sabahut të jepte mësim në 5 lëmi. Unë e ndërpreva shkuarjen në ligjëratat e tij, kurse ai një ditë m'u afrua dhe më tha: "Unë në Ditën e gjykimit do të dëshmoj kundër teje, se nuk ke dashur të vijsh në ligjërata"! Pas kësaj, unë përsëri fillova të marrë pjesë në ligjërata!

Prandaj ju pyes, sa prej nesh dëshirojnë të jenë në mesin e të zgjedhurve të Allahut?



Përktheu: Miftar AJDINI
Burimi: akos.ba

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...