Namazi i natës me xhemat (tehexhud)



Pyetja:

Cili është vendimi për faljen e namazit të tehexhudit sipas katër medh'hebeve?


Përgjigja:

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Sipas medh'hebit hanefij, është e papëlqyer (Mekruh) të falet tehexhudi dhe namazet tjera nafile në xhemat, përpos për namazin e teravive (në ramazan), namazin e eklipsit (kusuf) dhe namazit të thatësisë (istiska).

Juristët hanefij (fukaha) kanë shpjeguar që, kjo vlen kur falen namazet nafile në xhemat të madh dhe një gjë e tillë bëhet shprehi.

Imami i madh Hanefij, el-Haskafiu (Zoti e mëshiroftë) thotë: "Nuk duhet falur namazin e vitrit dhe nafilet në xhemat, sepse kjo është Mekruh. Kjo vlen kur xhemati është aq sa deri në katër persona i bashkëngjiten Imamit", (Durr el-Muhtar).

Alameh Ibn Abidin (Zoti e mëshiroftë) thotë në komentimin e tij: "Nëse bëhet shprehi falja e namazeve nafile në xhemat, atëherë kjo do të konsiderohet si novacion (bid'a), prandaj është mekruh ... dhe falja e nafileve në xhemat nuk është e rekomanduar, sepse Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) nuk kanë falur nafile në xhemat jashtë ramazanit", (Radd el-Muhtar).

Imam el-Kasani (Zoti e mëshiroftë) thotë: "Falja e namazeve nafile në xhemat nuk është sunnet, përpos Teravive në Ramazan", (Bada'i es-Sana'i).

Arsyeja pse është e papëlqyer (mekruh) është që i dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka inkurajuar faljen e namazeve nafile në shtëpi.

Zejd ibn Thabit (r.a.) transmeton që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "O njerëz! Falni namazet tuaja në shtëpi, pasi namazi më i mirë për një individ është ai i falur në shtëpi, përpos namazeve obligative (farz)", (Shënuar nga shumë imam të hadithit).

Sejjida A'isha (r.a.) transmeton që "i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i falte namazet jo-obligative në shtëpi", (Sahih Muslim).

Për shkak të dy transmetimeve të sipërme dhe shumë transmetimeve tjera, fukahatë hanefij thonë që veçoria kryesore e namazit nafile është falja në shtëpi dhe veçmas (individualisht). Kjo është arsyeja pse është më e preferuar t'i falim ato në shtëpi dhe jo me njerëz në xhami. Ndërsa namazet farze, veçori e tyre është tubimi, dhe kjo është arsyeja pse ato janë urdhëruar të falen në xhami me xhemat.

Prandaj, falja e namazeve nafile përfshin shkuarjen kundër asaj që është ligjësuar, [e kjo është] që namazet obligative të falen në xhemat, dhe namazet vullnetare të falen vetmas. Përjashtimet e transmetuara kanë të bëjnë vetëm me xhemate të vogla, dhe ishin ndodhi të rralla, (Shih: I'la el-Sunen, 7/89).

Ky është po ashtu pak a shumë vendimi në medh'hebin malikij, ku falja e namazeve nafile është e papëlqyer të falen në xhemat. (Shih: el-Mewsu'a el-Fikhijje).

Ndërsa në lidhje me medh'hebin shafi'ij, fakihu i madh shafi'ij, Imam Hatib esh-Shirbini (r.a.) thotë: "Është prej sunnetit që namazet nafile të mos falen në xhemat. Mirëpo, nëse dikush i ka falur ato në xhemat, do të jetë e lejuar për të, pa u konsideruar kjo gjë mekruh", (Mugni el-Mutaxh, 1/333).

Sipas medh'hebit hanbelij, është tërësisht në rregull të falen namaze nafile në xhemat, sepse i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i ka falur ato vetmas dhe në xhemat. Mirëpo, praktika e tij e zakonshme ka qenë t'i fal ato vetmas.

Fukahatë haneblij mbështesin qëndrimin e tyre me incidente në të cilat i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka falur namaze nafile në xhemat, si me Ibn Abbasin, në xhaminë e Atban ibn Malik, me Enesin dhe nënën e tij, etj., (shih: Ibni Kudameh, el-Mugni, 2/142).

Mirëpo, kjo nuk është në kundërshtim me medh'hebin e Imam Ebu Hanifes (r.a.), sepse falja e namazeve nafile në xhemat të vogël dhe pa e bërë shprehi është po ashtu e lejuar në medh'hebin hanefij.

Fukahatë hanefij i interpretojnë këto ndodhi si incidente të izoluara që kishin, më së shumti, katër njerëz përfshirë të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.). Dhe kjo, siç përmendem më sipër, është e lejuar sipas medh'hebit hanefij. Po, nëse bëhet shprehi falja e namazeve nafile në xhemat ose organizohet një xhemat i madh, atëherë bëhet mekruh.

Si përfundim, sipas medh'hebit hanefij dhe malikij, është e papëlqyer (mekruh) falja e tehexhudit dhe nafileve tjera në xhemat. Medh'hebi shafi'ij si sunnet e konsideron faljen e tyre veçmas, ndërsa sipas medh'hebit haneblij, falja e namazeve nafile në xhemat është tërësisht e lejuar.

Dhe Allahu e di më së miri.



Përgjigjet: Mufti Muhammed ibn Adam el-Kewtheri
Marrë nga: Darul Iftaa, Leicester , UK.
Përktheu: Fatih Ibrahimi

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...