Simbioza ndërmjet dinastisë saudite dhe doktrinës vehabiste



Të diskutosh për lëvizjen vehabiste pa e diskutuar familjen saud është e pamundur. Fillimet e këtij bashkëpunimi çojnë deri në vitin 1744, kur Muhammed ibn Abdulvehhabi, i refuzuar nga familja dhe qyteti i tij, në kërkim të gjetjes së rrethanave favorizuese, erdhi në kontakt me kreun e rebeluar të dinastisë saude në qytezën Der'ije, konkretisht me Muhammed ibn Saudin. Këta dy liderë ambiciozë u dakorduan ndërmjet veti për një koalicion, të cilin do ta mbronin "qoftë edhe me armë ta konstituonin qeverisjen e fjalës së Zotit dhe ta pastronin Islamin nga të gjitha risitë". [14] Kjo marrëveshje u vazhdua edhe në vitin 1792 ndërmjet pasardhësve të tyre, por do të vazhdojë deri në ditët tona. [15]

Aleanca së shpejti filloi të jap rezultate, duke u shtrirë në pjesët qendrore dhe lindore të Arabisë. Pastaj u shtri edhe në pjesët e tjera e vendit, duke e pastruar, në pajtim me doktrinën e tyre, çdo shenjë që e konsideronin risi apo të papajtueshme me mësimin e tyre. Ata rrënuan tyrbet, zavitë e varrezat, kurse njerëzit që refuzonin nënshtrimin i ekzekutonin. Kjo gjendje e nderë bëri që shteti osman të mbledh forca dhe ta godasë këtë lëvizje dhe në vitin 1818 ta shuajë. Mirëpo, aleanca u përtëri, kështu që në vitin 1821 sërish u riorganizua me kryeqytetin e ri Rijadin. Por edhe kjo tentativë nuk pati sukses. [16]

Aleanca vehabito-saudite në krye me princin Abdulaziz u përpoq edhe për së treti herë në vitin 1901, duke e ripushtuar Rijadin, dhe duke e shtrirë sundimin edhe në pjesë të tjera të vendit. [17] Mbreti, për ta qetësuar vendin bëri ca reforma ekonomike, organizoi disa kooperativa dhe i ndërtoi disa xhami në mënyrë që ta defaktorizojë fuqinë fisnore dhe ta instalojë vëllazërinë fetare, sepse problemet kryesore vinin pikërisht nga fiset gjysmëautonome.

Por, as aktiviteti politiko-ushtarakë nuk mbeti me kaq. Mbreti i vetëshpallur në vitin 1915 lidhi një marrëveshje me anglezët, që ata ta pranojnë pavarësinë e Arabisë, kurse Arabia do t'i përkrahte interesat angleze në rajon, e sidomos nëse do të ishin aktiv kundër Shtetit Osman. Kjo rezultoi edhe me marrëveshjen e fshehtë Sykes-Picot në vitin 1916, në dëm të muslimanëve por në dobi lokale.

Për karakterin e dëmshëm të marrëveshjes flet vetë protagonisti kryesor i kësaj marrëveshje, T. E. Lawrence: "Kam rrezikuar mashtrimin për shkak të bindjes se ndihma e arabëve ka qenë medoemos e nevojshme 'për fitoren tonë të lirë dhe të shpejtë' në Lindje dhe se është më mirë ta shkelim fjalën tonë dhe të fitojmë se sa të humbim". [18] Në këto luftime humbën jetën mbi 100 mijë muslimanë. Për shkak të këtyre lidhjeve të dëmshme me anglezët rivalët e quajtën vëllazërinë siameze saudo-vehabiste si "spiunë britanikë" dhe kjo akuzë vazhdon të bëhet edhe tash, duke i ndërruar pjesërisht aktorët, në vend të britanikëve kryesor tash janë amerikanët, si "spiunë amerikanë".



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

Shkëputur nga Artikulli: "Lëvizja tradicionaliste vehabiste apo thirrja e Muhammed ibn Abdulvehhabit".

[14] - Muhammed Jusic, po aty, fq. 18.
[15] - Nexhat Ibrahimi, Zhvillimi i sekteve në historinë e mendimit islam, Tetovë, 2007, fq. 126.
[16] - El-Abud, El-Akidet'ush-shejh Muhammed ibn Abdu'l-vehhab es-selefijjeh ve etheruha fi'l-alemi'l-islamijj, II, Medinë, 1419 h., fq. 257-294.
[17] - Gjerësisht për kthimin e saudëve në Arabi, shih rrëfimin e hollësishëm në veprën: Muhammed Asad, Rruga për në Mekë, Shkup, 2003, fq. 225 e tutje.
[18] - T. E. Lawrence, Seven Pillars of Wisdom, Cape, London, 1935, fq. 24, sipas: F. William Engdahl, Stoljece rata - Anglo-americka nafta politika i novi svjetski poredak, Zagreb, 2000, fq. 75, 100 dhe 368.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...