A ndërroi jetë Pejgamberi salallahu alejhi ve selem më 12 rabiu'l-evel?



Jo, vdekja e Pejgamberit salallahu alejhi ve selem kurrsesi nuk ishte më 12 rabiu'l-evel dhe këtë do ta shohim detajisht në vijim.

Së pari: Duhet mbajtur mend mirë të dhënat në vijim:

- Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ndërroi jetë në muajin rabiu'l-evel të vitit 11 hixhri. Ajo ditë ishte e hënë dhe kaq. Data nuk dihet, por absolutisht është e pamundur të jetë 12 i këtij muaji. Ngase, Buhariu në Sahihun e tij, në transmetimin 1837 shënon se, Aisheja radiallahu anha, ka deklaruar se: Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ndërroi jetë në ditën e hënë. Vini re, ditë e hënë!

- Buhariu në Sahih, transmetimi 45 shënon nga Omeri radiallahu anhu se, dita e arafatit (haxhi lamtumirës) në vitin 10 hixhri ishte në ditën e xhuma. Vini re, ditë e xhuma!
- Njashtu, Buhariu në Sahih, transmetimi 1913 shënon nga Ibën Omeri se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: "... Muaji është kaq dhe kaq". Domethënë ndonjëherë 29 e ndonjëherë 30.

- Muajt e kalendarit islam janë:

1. Shehrullahi'l-muharram,
2. Safer,
3. Rabiu'l-evel,
4. Rabiu'l-aahir,
5. Xhumada el-ula,
6. Xhumada el-aahirah,
7. Raxheb,
8. She'aban,
9. Ramedan,
10. Sheval,
11. Dhu'l-ka'deh,
12. Dhu'l-hixheh.

Së dyti: Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, sipas asaj që transmeton Buhariu vdiq në ditën e hënë të muajit rabiu'l-evel të vitit 11 hixhri. Tani, kjo e hënë e këtij muaji a ishte 12 rabiu'l-evel, ashtu siç paraqitet nga disa se kinse ne gëzohemi në ditën e vdekjes së Pejgamberit? Jo kurrsesi dhe ja dëshmia vjen në pikën e tretë të shkrimit.

Së treti: Dita e nëntë e muajit dhu'l-hixheh e vitit 10 hixhri, e që ishte dita e Arafatit e haxhit lamtumirës ishte në ditën e xhuma.

Pastaj vjen muaji shehrullahi'l-muharram i vitit 11 hixhri.

Pastaj muaji safer i vitit 11 hixhri.

Pastaj muaji rabiu'l-evel i vitit 11 hixhri, në të cilin muaj edhe ndërroi jetë Pejgamberi salallahu alejhi ve selem.

Ne e dimë shumë mirë se muajt hënor të kalendarit islam janë 29 ose 30 ditësh, as më pak e as më shumë. Tani, duke u nisur nga dita e xhuma, 9 dhu'l-hixhe, viti 10 hixhri, para vetes kemi 4 mundësi dhe asnjë më shumë.

Mundësia e parë: Të tre muajt nga 30 ditësh, d.m.th. muaji dhu'l-hixheh 30 ditë, muaji shehrullahi'l-muharram 30 ditë dhe muaji safer 30 ditë. Sipas kësaj mundësie, 12 rabiu'l-eveli i vitit 11 hixhri ka qenë në ditën e diel. Ndërsa, Aisheja radiallahu anha, tregon se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ndërroi jetë në ditën e hënë.

Mundësia e dytë: Një muaj 29 ditësh dhe 2 muaj me nga 30 ditë (këtu s'ka rëndësi se cilin muaj do ta llogarisim si 29 ditësh, ngase rezultati është përsëri i njëjtë). P.sh. muaji dhu'l-hixheh 29 ditë, muaji shehrullahi'l-muharram 30 dhe muaji safer 30. Sipas kësaj mundësie, 12 rabiu'l-eveli i vitit 11 hixhri ka qenë në ditën e shtunë. Ndërsa, Aisheja radiallahu anha, tregon se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ndërroi jetë në ditën e hënë.

Mundësia e tretë: Dy muaj nga 29 ditësh dhe 1 muaj me 30 ditë (këtu s'ka rëndësi se cilin prej tyre do ta llogarisim si 30 ditësh, ngase rezultati është përsëri i njëjtë). P.sh. muaji dhu'l-hixheh 29 ditë, muaji shehrullahi'l-muharram 29 ditë dhe muaji safer 30 ditë. Sipas kësaj mundësie, 12 rabiu'l-eveli i vitit 11 hixhri ka qenë në ditën e xhuma. Ndërsa, Aisheja radiallahu anha, tregon se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ndërroi jetë në ditën e hënë.

Mundësia e katërt: Të tre muajt nga 29 ditësh dhe sipas kësaj mundësie, 12 rabiu'l-eveli i vitit 11 hixhri ka qenë në ditën e enjte. Ndërsa, Aisheja radiallahu anha, tregon se Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ndërroi jetë në ditën e hënë.

Që domethënë se, 12 rabiu'l-eveli i vitit 11 hixhri ka qenë ose ditë e enjte ose ditë e xhuma ose ditë e shtunë ose ditë e diel dhe assesi ditë e hënë. Pra për fund, Pejgamberi salallahu alejhi ve selem nuk ndërroi jetë më 12 rabiu'l-evel, ngase dita në të cilën ai ndërroi jetë ishte e hënë, e ndërsa 12 rebiu'l-eveli i vitit 11 hixhri ishte ose e enjte ose e xhuma ose e shtunë ose e diel.

I pari që e ka bërë këtë llogaritje sipas hulumtimeve të mia është imam Suhejliu, autori i librit të famshëm të siras me titull "Er-Raudu'l-unuf". Allahumme sali ala sejidina Muhamed, ve ala Aali sejidina Muhamed!



Autor: Hazir D. SELMANI,
12 rabiu'l-evel 1444, 08 tetor 2022.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...