Trajtim dhe mendim



Duke qenë se është bërë thuajse dukuri, e në çdo xhami, bile edhe në momentin kur besimtarët ngrihen për tu vënë në radhë për të kryer namazin, e muzini thërret ikametin, disa prej nesh fillojnë pastrojnë gojën me misvak me idenë se janë duke zbatuar një traditë profetike në ato çaste e në atë vend. E nëse i pyet të tregojnë direkt një hadith profetik -që e përmendim dhe më poshtë-, por që fatkeqësisht edhe ky hadith është kuptuar gabim, si dhe shumë çështje të tjera fetare. Më poshtë kam sjell shumë shkurt sqarimin për këtë temë.

Imam Maliku thotë: "Nuk pëlqej që dikush të përdorë misvakun brenda në xhami, për arsye nga ajo që mund të dalë nga goja e përdoruesit prej mbetjeve të misvakut, dhe ta hedhë në xhami". [1] Dijetari i njohur El Adawij thotë: "Njeriu i moralshëm dhe me respekt nuk e përdor misvakun në prezencë të njerëzve, e as në xhami, për arsye nga nxjerrja jashtë gojës diçka që është e urryer". [2]

Ndërsa hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre r.a. se i dërguari i Allahut a.s ka thënë: "Po të mos frikësohesha se do të ishte vëshitrësi, unë do t'ia kisha urdhëruar umetit tim përdorimin e misvakut para çdo namazi", ka për qëllim përdorimin e misvakut (ose diçka që zëvendëson misvakun) gjatë abdesit, e para namazit.

Ky kuptim vjen i drejtpërdrejtë nga hadithi tjetër që transmeton imam Maliku po nga Ebu Hurejre r.a ku i dërguari i Allahut a.s ka thënë: "Po të mos frikësohesha se do të ishte vëshitrësi, unë do t'ia kisha urdhëruar umetit tim përdorimin e misvakut me çdo abdes". [3]

Kurtubiu thotë: "Nuk është transmetuar që i dërguari i Allahut a.s të ketë përdorur misvakun në xhami, e as para njerëzve, sepse një veprim i tillë konsiderohet largim i papastërtisë nga goja, e një veprim i tillë nuk është i përshtstshëm as në xhami, e as para njerëzve. Një njeri me shije të hollë nuk e bën këtë veprim në këto vende". [4]

E për ata që thonë që ky veprim konsiderohet traditë e profetit a.s dhe një afrim tek Zoti, ju themi që edhe pastrimi në tualet, dhe pastrimi i pjesëve të trupit është sikurse përdorimi i misvakut, diçka e pëlqyeshme të veprohet, por njerëzit i bëjnë këto veprime në fshehtësi. Pra ta ruajmë e kuptojmë drejt këtë çështje, sepse është diçka e mirë. [5]



Autor: Roland VISHKURTI



_________________________

[1] - El-Bejan ue Tahsil 2/317, Edh Dhekhira 2/541.
[2] - Hashijetu Es-Sifatej 1/241.
[3] - Muuata, kapitulli mbi misvakun.
[4] - Mufhim min talkhis kitab Muslim 1/509.
[5] - Hashijetu Es-Sifatej 1/242.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...