Heshtja, kur duhet të flitet, është dobësi!
Nuk duhet të heshtim përballë zhvillimeve që mund të krijojnë precedentë të rrezikshëm për të ardhmen e shqiptarëve.
Bektashizmi, në traditën historike islame, është një tarikat, jo një fe më vete. Prandaj, përpjekja për ta shndërruar në një entitet fetar me karakter shtetëror brenda territorit të Shqipërisë nuk është një çështje që duhet kaluar në heshtje. Ajo duhet të diskutohet hapur, pa frikë dhe pa komplekse.
Sepse pyetja nuk është vetëm: 'Çfarë po krijohet sot'?
Pyetja e vërtetë është: 'Çfarë precedent po krijojmë për nesër'?
Nëse në Shqipëri krijohet një strukturë shtetërore e lidhur me një komunitet fetar, nesër mund të dalin kërkesa të tjera të ngjashme. Në Kosovë, për shembull, mund të përdoret si precedent për kërkesa për një status të veçantë territorial ose politik për struktura të tjera fetare, sikurse grupi tradhëtar i Lëvizja e Deçanit apo në Shqipëri Kisha Ortodokse greke.
Dhe atëherë çfarë do të bëjmë?
A do të habitemi nëse kërkesa të ngjashme ngrihen në lidhje me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, nga tradhëtarët e grupit të Deçanit apo nga Kisha Ortodokse Greke në Shqiplri?
Prandaj, çdo ide për mini-shtete, enklava politike apo struktura me karakter territorial mbi baza fetare është e rezikshme. Nuk është çështje armiqësie ndaj asnjë feje. Është çështje e sovranitetit, unitetit shtetëror dhe funksionalitetit të shtetit.
Edhe Zajednica duhet të vlerësohet pikërisht në këtë prizëm: çdo strukturë që krijon kompetenca të veçanta territoriale apo institucionale duhet të analizohet me shumë kujdes dhe në përputhje me interesin shtetëror të Kosovës.
Prandaj: 'Mos heshtni'!
Hoxhallarët dhe intelektualët tjerë, historianët, juristët dhe patriotët shqiptarë duhet të flasin. Jo me urrejtje ndaj askujt, por me argumente, me dije dhe me guxim.
Sepse shteti nuk mund të bëhet laborator për eksperimente politike.
Shqipëria është e shqiptarëve të të gjitha besimeve. Kosova është shtet i qytetarëve të saj. Feja duhet respektuar, por nuk duhet të përdoret si instrument për copëtimin institucional apo territorial të shtetit.
Sot mund të duket si një çështje e vogël.
Por precedentët e vegjël mund të sjellin pasoja shumë të mëdha.
Autor: Ajni SINANI


