Histori e shkurtër mbi teshbihizmin
Hyrje
Kuptimi materialist i fenomeneve te njeriu ka qenë gjithmonë pjesë e zhvillimit të tij historik dhe ka përfshirë të gjitha rrafshet, e zhvillimit të tij, si në rrafshin ideor ashtu edhe në atë material.
Si rrjedhojë e tendencës materialiste të njeriut vërejmë përpjekje të vazhdueshme te njeriu për t'i perceptuar materialisht edhe fenomenet më të largëta nga materia, si Zoti e shpirti, e lëre më konceptin materialist mbi moralin dhe vlerat e etikës. Mbështetur në perceptimin materialist në qasjen ndaj çështjeve ideore, njeriu do të arrijë në dy përfundime: 'ose do t'i mohojë ato, ose do t'i materializojë'.
Qenia e Zotit, ekzistimi dhe natyra e Tij, nuk do të bëjë përjashtim nga shablloni i të perceptuarit të njeriut materialist. Kështu, si në kohët e lashta edhe në kohën e re, mohimi i Zotit në një anë dhe materializimi i Tij, në anën tjetër, është pjesë e zhvillimit global njerëzor.
Ateizmi dhe antropomorfizmi pra, do të jenë rezultate të të kuptuarit materialist të Zotit. Përfundime të një logjike njerëzore që është bërë robe e dimenzionalitetit të vet të shkurtër materialist të të kuptuarit dhe botës së vet të ngushtë fizike me prizmin e së cilës do ta vështrojë tërë qenien e gjerë që e rrethon. Që këndej, idhujtaria si koncept fetar, nuk është tjetër vetëm se formë e skajshme e antropomorfizmit që përfundon në materializim të plotë të qenies së Zotit.
Qenia e Zotit, krahas këtij këndi materialist, do të perceptohet edhe nga një ekstrem tjetër, nga idealizmi. Tërhequr nga këto dy skaje, koncepti i Zotit do të kalojë herë në njërin skaj dhe do të marr trup dhe herë në skajin tjetër për të mbetur vetëm një ide.
Njohjen e drejtë të qenies së Zotit njeriu do ta gjejë jashtë këtyre dy ekstremeve dhe atë do t'ia japë vetëm Islami. Islami, fjala e Zotit dhe burimi i vetëm për njohjen e drejtë të Zotit. Kur themi Islami, nuk do të thotë se njeriu ishte i privuar nga koncepti i drejtë i Zotit deri në shekullin e shtatë kur i shpallet Kur'ani Muhammedit a.s., sepse Islami nuk fillon aty, ai aty mbaron, por fillon me vetë njeriun që në fillimin e tij të largët, nëse e shohim Islamin si ide e përshtatur për njeriun në ekzistim hapësinor. Ndërkaq, nëse e shohim atë si dije të Zotit, fjaië të Tij, ai atëherë është i pafillim, si Zoti vetë.
Sado që Islami ofron koncept të qartë mbi Zotin, ai këtë e bën brenda natyrës dhe mjeteve njerëzore. Kështu që njeriu sërish mund të vërë në funksion prirjet e tij dhe kështu përfundon në të dhëna që nuk janë përfundim logjik i mësimit islamik për konceptin mbi Zotin. Kjo në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me paqartësi ose pakthjelltësi në konceptin që ofron ai, sepse edhe "dielli nuk mund të shihet me sy, por jo pse nuk duket". Mu për këtë, të gjitha format e shprehjes se bindjes fetare përmes feve të ndryshme, janë largim, shtrembërime, keqkuptime ose harresë e mësimit të drejtë islamik si burim i parë i njohjes njerëzore që në fillimin e tij historik.
Një koncept i gabuar mbi Zotin, qenien dhe natyrën e Tij, që lindi nga shtrembërimi ose keqkuptimi i mësimit islamik lidhur me këtë çështje, është edhe forma antropomorfiste e njohjes së Zotit.
Rasti që paraqet më qartë antropomorfizmin e mbështetur në libër fetar të shpallur, para periudhës së Kur'anit a.sh., është historia e jehudizmit. Po, bile nëse do t'i kërkojmë rrënjët e vërteta të antropomorfizmit në shoqërinë islame gjatë periudhës kuranore, do të na çojnë sërish te jehuditë.
Autor: Imam ibën EL-XHEUZI
Përktheu: Mr. Ahmed MEHMEDI
_________________________
Shkëputur nga Libri: "Flakja e dyshimeve të Teshbihizmit", i Autorit: "Imam Allame HafidhEbu Ferexh Abdurrahman ibën El-Xheuzi", faqe: "17-20".