Imami i Qabes nuk është referencë fetare, e aq më pak burim i Sheriatit



Të gjithë u gëzuam me ardhjen e Imamit të Qabes në Maqedoninë e Veriut. Është nder i jashtëzakonshëm dhe kënaqësi e veçantë të shohësh nga afër njërin nga imamët që shërbejnë në Qaben e ndritur.

Mirëpo, këtu lind një problem kur dikush - i cili madje e ka të ndaluar të vizitojë pikërisht vendin nga vjen ky imam - dëshiron të na e shesë këtë vizitë si bazë orientimi fetar. Ai pretendon se popullata jonë duhet të marrë menhexhin, mënyrën e namazit dhe dhikrit pikërisht prej imamit të Qabes.

Në Arabinë Saudite, vetë dijetarët e mëdhenj kanë sqaruar: "Imamët e Haramejnit nuk janë referencë fetar, por shërbyes të Haramejnit".

Ne e nderojmë imamin e Qabes, dhe kemi detyrë ta nderojmë. Por një pyetje kam për ata që sot duan ta paraqesin imamin e Qabes si drejtim fetar për popullin tonë.

Sikur kjo vizitë të ndodhte në kohën e Perandorisë Osmane, kur imamët e Qabes dhe Medinës caktoheshin nga Muftiu i Perandorisë, ishin të medh'hebit hanefi dhe praktikonin formën e dhikrit që bëhet edhe sot në xhamitë tona - a do të bënit të njëjtën thirrje? A do të kërkonit "ndiqni imamin e Qabes"? Apo atëherë do të thoshit se ai nuk është referencë fetare?

Pozita e imamit të Qabes është e nderuar, pa dyshim. Ata janë krenarë për shërbimin ndaj umetit, në Qabe dhe jashtë saj. Por ata nuk janë burim fetar, nuk janë muftinj, nuk janë referenca dërguese të Sheriatit dhe as nuk janë merxhia fetare. Ata janë imamë të një vendi të shenjtë, me detyra të caktuara dhe të kufizuara.

Feja jonë ka sistem, ka metodë, ka shkolla të fikhut që Allahu i ka bërë shkak për ruajtjen e Sheriatit brez pas brezi.

Medh’hebet janë thesar i kësaj feje. Ato ia sqarojnë muslimanit se si të falet, si të bëjë dhikr, si të praktikojë adhurimin sipas metodës së sahabëve dhe dijetarëve të hershëm.

Edhe format e dhikrit në xhamitë tona nuk janë shpikje, por janë vendosur për arsye mësimore, për organizim dhe për ruajtjen e traditës - dhe kjo nuk bie në kundërshtim me Sunetin e Pejgamberit alejhi selam.

Prandaj, gëzohuni me vizitën e imamit të Qabes, nderojeni, respektojeni - por mos u ngatërroheni në referenca fetare.

Vazhdoni qetë me mënyrën tuaj të faljes, me medh’hebin tuaj dhe me traditën që ka ruajtur fenë e këtij vendi për shekuj.

Molla Sad nuk maten meselet me këtë kandar!



Autor: Hoxhë Usam ALIMI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...