Në vend të urimit për vitin e ri të Hixhrit
"Çfarë i duhet një shoqërie data dhe kalendari, nëse ajo nuk ka asgjë për të shënuar"?
Kalendari Hixhri nuk lindi rastësisht. Ai ishte fryt i një realiteti të ri, që po shpalosej në faqet e historisë njerëzore. Ishin rrethana të mëdha, të cilat sollën me vete ngjarje të mëdha. Ishin fitore të mëdha, sakrifica të mëdha dhe kthesa të mëdha që kërkonin të ruheshin nga harresa, të regjistroheshin në kohë dhe të bëheshin pikë referimi për brezat që do të vinin.
Ishte pikërisht kalifi i drejtë, Omer ibn Hattabi, ai që e kuptoi nevojën e domosdoshme për të pasur një fillim, një sistem të matjes së kohës që të mbante gjallë kujtesën e ngjarjeve madhore të historisë islame. Ishte ai që tha: "Prej këtej fillon historia e qytetërimit islam".
Ky kalendar i ri duhej të niste nga një pikë kyçe - një moment që përfaqësonte kthesën e madhe. Dhe kjo pikë nuk ishte tjetër veçse Hixhreti, migrimi i Profetit Muhamed (a.s) nga Mekka në Medine. Ishte kjo ngjarje që shënoi fundin e përndjekjes dhe fillimin e organizimit shoqëror dhe politik mbi themelet e besimit.
Me Hixhretin filloi ndërtimi i një shoqërie të re, me vlera të reja, me sistem dhe drejtësi, ku besimi nuk ishte më një çështje private, por themeli i një qytetërimi të tërë.
Kalendari Hixhri u bë kështu simbol i një fillimi të ri, i një transformimi historik. Ai nuk ishte thjesht një renditje muajsh e vitesh, por një dëshmi e kohës që u shndërrua në histori - e historisë që mori formë nëpërmjet besimit dhe veprimit.
Por sot, ky kalendar është zbehur në ndërgjegjen kolektive. Ai është kthyer në një trashëgimi të heshtur, një numër që ndryshon pa u ndjerë, pa jehonë, pa kuptim për shumicën e ndjekësve të tij.
Ndjekësit e këtij kalendari, në pjesën më të madhe, nuk dinë as kur ndodh ndërrimi i vitit. Sepse, mbase, nuk kanë çfarë të shënojnë. Ndoshta sepse nuk janë më pjesë aktive e historisë, por vetëm aktorë episodikë në skenat që shkruajnë të tjerët. Ndoshta sepse nuk kanë më arritje për të përkujtuar, për të festuar apo për t’u krenuar. Janë kthyer në konsumatorë të realitetit, e jo ndërtues të tij. Nuk kanë më histori për të shkruar, sepse tashmë historia u shkruhet nga të tjerët, e ata janë vetëm lexuesit e saj.
Sepse në fund, kalendari nuk është tjetër veçse pasqyra e një shoqërie që lë gjurmë. Ai është dëshmia e një komuniteti që jeton me vetëdije të plotë kohën e vet, që e mbush atë me kuptim dhe me vepra.
Kur nuk ka gjurmë për të ndjekur, nuk ka as arsye për të numëruar ditët.
Autor: Vladimir KERA


