Ishte ky dimri i madh (Letër familjes nga burgu i Dubravës)



- بسم الله الرحمن الرحيم -

Es-selamu alejkum - e dashura familje!

Sot, më 12 nëntor 1996, pasi drekuam, rreth orës 15, u kthyem në pavijonin e burgut famëkeq të Dubravës. Fala namazin e ikindisë, dhe pikërisht kur dëshiroja të bëhem gati për dalje në natyrë - koha e sportit dhe e rekreacionit, edukatori i burgut ma dorëzoi një shkresë, që nga pamja e jashtme dukej zyrtare. Ishte "Vendimi" nr. 1109/96, i dt. 26.09.1996, i lëshuar nga Gjykata Supreme e Serbisë, përkitazi me kërkesën e mbrojtësit tim për zbutje dënimi, për shkak të gjendjes sime të rënduar shëndetësore, por edhe të nënës dhe bashkëshortes dhe për shkak të kushteve të rënda materiale në familje. Kërkesa refuzohet si e pabazë me arsyetim se 'hipertensioni' dhe 'angina pectoris', nga të cilat lëngoj tashmë katër vjet nuk qenkan të asaj natyre që mund të ndikojnë në zbutje të jashtëzakonshme të dënimit. Në "zbutje" nuk ka ndikuar as dokumentacioni mjekësor për gjendjen e keqësuar shëndetësore të bashkëshortes dhe të nënës, i lëshuar nga organet shëndetësore e komunale serbe. Në favorin tim nuk ishte as dokumentacioni përkatës komunal serb për gjendjen e rëndë materiale në familje, lartësia e dënimit (si dënimi më i lartë asokohe për vepra politike në Serbi), etj. etj..


Familja ime shumë e dashur!

Më besoni se një përgjigje të tillë edhe e kam pritur. Ndaj, nuk jam befasuar, e lëre shqetësuar. Kështu duhet të ndiheni edhe ju. 'Allahu është Një dhe pos Tij tjetër nuk ka!'.

Megjithatë, në këtë dokument diç më iritoj dhe indinjoj. Nuk ishte ajo përgjigja negative, por mënyra perfide dhe shumë e cekët e "kajmakut" të Gjykatës Supreme të Serbisë. Edhe pas katër vite vuajtje dënimi, shihet qartë se gjykatat punojnë drejtpërdrejt sipas diktatit politik të shtetit policor, e jo në bazë të provave, që tregon se në vend që problemi të analizohet e fajtori të zhveshet, apo në vend që të dënohet shkaktari, në këto raste pësojnë pasojat, rezultatet. E në këtë konstelacion ndodhish unë nuk jam tjetër pos pasojë e shkaqeve që, pak a shumë, disa syresh do t'i përshkruaj në vazhdim.


Të dashur familjarë!

Deri tash ju kam kursyer për shumë ndodhira që më kanë ndodhur nga arrestimi e këndej. Nuk kam dashur t'ju shqetësojë. Por tash, duke vërejtur te ju një pjekuri më të madhe, një vetëdijësim më të qëndrueshëm, do t'ju rrëfej shkurtimisht disa shkëndi nga arrestimi im e këndej, do t'ju rrëfej diç edhe për motivet e veprës sime, gjera këto që ia kam thënë edhe gjykatës serbe, edhe sigurimit shtetëror serb.

Gjendja politike, ekonomike, sociale, kulturore në ish-Jugosllavi më vite të tëra ishte kaotike, rrëmujë e vërtetë. Veçan pas fillimit të fundit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe pastaj të luftës së shkurtër në Slloveni, luftës në zhvillim e sipër në Kroaci dhe më pastaj gjatë luftës në Bosnje. Duke parë në televizion skenat e tmerrshme të Vukovarit, Bjelinës, Foçës, Banjallukës e sidomos të Sarajevës, duke lexuar raporte gazetash për ferrin "Bosnje", që s'ka të ngjashëm as në "Komendinë Hyjnore" të Dante Aligerit, duke i parë dhe përjetuar "incidentet" e njëpasnjëshme në Kosovë, duke e freskuar "kujtesën historike" për të kaluarën shqiptare, fillova të mendoj gjithëherë e më seriozisht për Kosovën dhe rreth Kosovës, ku zotëronte një gjendje shpërthyese, e nderë, gjendje dëshpëruese, gjendje era luftë fundekrye. Te populli ndihej pasiguria, por edhe dëshira për të jetuar. Ndihej frika, por edhe vendosmëria për t'iu kundërvënë kundërshtarit. Me fjalë tjera, lufta psikologjike e imponuar nga mediumet serbe dhe provokimet e vazhdueshme të aparatatit qeveritar vëreheshin qartë. Edhe faktori ndërkombëtar e kishte në dije këtë gjendje, mirëpo vetëm deklarativisht ftonin në qetësim shpirtërash e gjakërash. Thjeshtë, të gjithë parametrat dëftonin dhe provonin se shumë lehtë e shumë shpejtë gjendja e 'heshtjes memece' në Kosovë dhe rajon mund të eskalojë në një tmerr të paparë e të paimagjinuar. Intensivisht mendoja si të ndihmohen këto troje, si të ndihmohet ky popull, si të evakuohet ky popull në rast shpërthimi, në rast lufte. Jo pse kisha fuqi ta ofroja këtë ndihmë, por thjeshtë, të përpiqem të bëjë atë që mundem. Për më tepër, rritej droja për këtë veprim timin kur formacionet zyrtare militare dhe policore të Millosheviqit dhe ato paramilitare të 'vojvodëve' në krye me Sheshelin, të 'tigrave' në krye me Arkanin, të 'kapedanëve' në krye me kapiten Draganin e Joviqin, e të tjerë, vepronin në trojet e Kroacisë e të Bosnjës në mënyrat më të vrazhda, më të fëlliqta - masakronin, digjnin, pritnin, dhunonin, malltretonin - fakte këto që më vonë i pranoi edhe vetë pala serbe, por I dëshmuan edhe raportet gazetareske dhe pamjet televizive. Një gjendje e tillë në përmasa më të vogla tashmë pati filluar edhe në Kosovë.

Tigrat e Arkanit e të tjerë defilonin publikisht nëpër Kosovë. Ushtarët shqiptarë që shërbenin në armantën jugosllave ktheheshin nëpër arkivole me arsyetim se "kanë bërë vetëvrasje", qytetarët vriteshin në rrethana misterioze, torturat e 'përpunimet' policore ndaj shqiptarëve ishin shpeshtuar. Ky numër i qytetarëve të përpunuar nga policia arrinte në shifra marramendëse. Si të veproj unë në këtë gjendje eruptive, në këtë gjendje as ditë as natë? Të blejë veturë luksoze, të ndërtojë shtëpi të bukur dhe t'i vizitoj plazhet e Pallma de Majorkës, Thesalonikut apo të Zllatni Pjascit, apo të blejë telefon me sekretareshë, TV e video-rekorder, kompjuter dhe të ndjekë kurset e gjuhëve të huaja si trend i modës së fundit. Ndërgjegjja më brente! Të ndjekë porosinë e Kur'anit "që duhet ta mbrojë fenë dhe prakun e shtëpisë"! Natyrisht, ndoqa këtë të fundit, rrugën e Allahut. Madje, në këtë veprim timin më obligojnë edhe kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e madje edhe vetë ligjet serbo-jugosllave! Ligjet serbo-jugosllave më obligojnë që si qytetar të angazhohem ta evitojë të keqen në favor të njerëzores, humanes, altruizmit.

I motivuar nga këto dhe rrethana të tjera, hyra në aktivitetin që t'u ndihmojë së paku ca shokëve, fqinjëve, etj., ekskluzivisht me qëllim vetëmbrojtjeje, asesi me qëllim agresiv, militant, me dëshirë të mbrohemi nga kokat e çmendura e të nxehta të huliganëve e bandave okupatore serbo-ortodokse. Me këtë aktivitet nuk pretendoja të formojë formacion, ushtri me kuptim të plotë, as të terrorizoj kend, as të luftoj përballë kundër ushtrisë serbo-jugosllave, ushtri këtë të cilën e kemi formuar, rritur, ushqyer, veshur, shkolluar e armatosur 50 vjet. Sepse edhe po të doja ta luftoja këtë ushtri për këtë nuk do të kisha potencial. Dhe ndodhi si ndodhi! Sigurimi shtetëror serb e zbuloi veprimtarinë tonë, na arrestoi.

Nuk do të flasë për shokët e grupit tim, sepse nuk di ç'kanë përjetuar ata. Jam I vetmi në burg nga grupi dhe ende s'jam takuar me askend nga ata. Sigurisht, çdonjëri e ka të vërtetën e vet, përjetimet e veta. Të ballafaqohesh me policinë serbe të këtyre viteve, do të thotë të kalosh ndërmjet Skillës dhe Haribdes. Nuk ka laps, as letër, as mendje që mund t'i kapë të gjitha. Ato njëherë përjetohen, ato nuk mund të rrëfehen.

Do të flasë shkurtimisht për përjetimet vetjake. Do të shkruaj aq sa, mezi, më lejoi adukatori shqiptar i burgut, zoteri Bedri Kukleci. Më tha: O hoxhë, mos më bën telashe me këtë letër. Nëse merret vesh, unë mbarova. Frikësohej mos po e humb atë vend të mjerë pune. E kuptoja drojën e tij, dhe për ta mbrojtur atë, nga letra shkurtova shumë gjera.

Këto që po i shkruaj tash ia kam thënë në janar të vitit 1993 edhe delegacionit të KSBE-së (më vonë e quajtur OSBE) gjatë vizitës që ma bënë në Burgun e Prizrenit, e në prani të kryetarit të Gjykatës së Qarkut, malazezit Nikolla Vazura dhe drejtorit të Burgut Predrag Radiq, i njohur me nofkën Pegja.


Të dashur!

Pakëndshmëritë filluan nga çasti i arrestimit, kur ekspedita prej disa dhjetëra inspektorë e policë, të uniformuar e pauniformuar, kishin kapërcyer muret e oborrit, kishin thyer derën e shtëpisë, kishin hyrë në korridor dhe duke mos ditur në cilën derë mund të gjendem unë, klithnin: policia, hape derën, duart lartë, e shprehje tjera nga zhargoni i pasur policor. Nuk tentova të rezistoj, i vetëdijshëm se çka mund të ndodhë. Me shpejtësi e hapa derën, sepse e dija se do ta flijoja së koti familjen dhe fqinjësinë. Në një dhomë ishte gruaja, unë dhe dy fëmijët e mi, në dhomën tjetër ishte vëllai Naxhiu. Mu vërsulën me shumë vrazhdësi e fyerje. Filluan të hedhin andej-këndej gjësendet. Filluan të montojnë prova: disa libra arabisht, disa para xhepi nga paga e fundit dhe një revole personale i vendosen në një vend, për të krijuar përshtypjen e një terroristi, të lidhur me vendet arabo-islame. Në vërejtjen time se kjo është montim, një civil me mustaqe, i viteve të 50-ta, më tha: 'da, pa sta hoces' (po është, e ç'dëshiron!). Më vonë kuptova se ky polic me veshje civile quhej 'Qerim Buzhala', shqiptar "i ndershëm" i asaj kohe. Konfiskuan disa libra, shkrime, konfiskuan një akt-çantë dhe gjësende të tjera, filluan të thejnë, të prishin, të shqyejnë libra, të vjedhin, të ofendojnë e malltretojnë familjen, fëmijët e moshës 18 dhe 30 muaj. Kjo rrëmujë zgjati mbi tri orë. U bastis edhe shtëpia e vëllait të madh. Atë e shtrinë për dheu, e lidhën për gypa metali, hodhen në dysheme çdo gjë që ishte para tyre.

Mirëpo, tmerri e ankthi i vërtetë filloi vetëm pasi më dërguan në Qendrën e Sigurimit të Prizrenit, apo si e quanin vetë ata "UDBE". Kati i sipërm, në skajin jugor të ndërtesës. As në filmat e Hiçkokut, as në trilerët më të rinjë nuk pata parë diçka të tillë. Në asnjë roman, apo strip, as në filma fantastikë, nuk pata lexuar, apo nuk pata parë diç të tillë. 'Ishte ky dimri i madh' për mua, e sigurisht edhe për shokët e mi, por edhe për familjarët dhe të tjerët që përballeshin me dhunën e regjimit fashist, gjenocidal serb, 14. 12. 1992.

Rrahja, goditjet me shufra gome e druri, me karrige metali, grushtimi e shqelmimi nga maja e kresë deri në maje të gishtave. Më hidhnin nga njëri skaj i zyres në tjetrin. M'i shkulnin flokët dhe mjekrën. Sa herë thirrte ezani i lartësuar nga minereja e xhamive të shumta të Prizrenit, më "përpunonin" special, këtë ma thoshin gjatë dhe pas çdo ezani. Nga dy-tre, katër, pesë prej tyre, ..., sikurse bisha të egra, nuk e di sa, shumë! Pasi lodheshin, vinte ekipi tjetër i çlodhur nga KAMP-i (Motel) Prizreni, në krye të tyre thuajse gjithnjë ishte Dragan Zariq nga Beogradi, specialist ndërkombëtar për aferat e armëve, apo siç e quante ai veten "naj.beniji udbash u Jugoslaviji", (Udbashi më nënë.imë në Jugosllavi). Për të mund të thuhet: satrap, i pashpirt, idiot, skizofren, sadist. Kërkonte rrjetin e grupit tim, kush është mbi mua dhe nën mua, kërkonte t'i sqarojë të gjitha kontaktet e mia si sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, si kryetar i Shoqatës së Ulemave për Kosovë, ..., si anëtar Rijaseti të RSFJ-së në Sarajevë, si autor e publicist, kërkonte ti sqaroj lidhjet që i kisha pasur me LDK-në në Prizren, me Alija Izetbegoviqin, kontaktet e mia me dy delegacione nga Irani, Turqia, etj.. Kush qëndron pas meje? Kush, si, çka, kur, nga, pse, prej, ç'dëshiron, ç'planifikon, këtu nuk është Arabia, Turqia, ..., këtu është drzhava Srbija, zemra dhe shpirti i Serbisë, do të të vrasim sonte, do të të zhdukim, do ta arrestojmë tërë familjen, madje, këtu i ke, po e dëgjon vajin e fëmijëve në skaj të korridorit, do të kalbesh në burg tërë jetën, ti je terrorist, ti je fundamentalist, të ka mashtruar Rugova, Berisha, Reisi i Bashkësisë Islame të Jugosllavisë, pse ti je kundër muftisë së Beogradit, imamit-it të Prizrenit, ti, ti, ty, ..., të gjitha këto përcilleshin me rrahje shtazarake. Me orë të tëra më rrahnin që ta shkruaj versionin që e diktonte Dragan Zariq. Kapnin dorën time me dorën e tyre dhe më detyronin ta shkruaj tekstin e caktuar. Më vonë, kur bosët e tij s'ishin të kënaqur me atë version të tyre, më rrahnin sërish pse i gënjeva, dhe sërish thurnin versione tjera, si psh.: se Turqia qëndron pas kësaj, duke implikuar një shok të ndershëm, personalitet shkencor e politik nga Turqia, se WAMY i Arabisë qëndron pas, se Irani qëndron pas, se LDK-ja, Bashkësia Islame e të tjerë qëndrojnë pas. Më në fund, as me gënjeshtrat e veta nuk ishin të kënaqur.

Më thanë troq një muaj më vonë, disa ditë pas vizitës së KSBE-së në burg, në janar të vitit 1993, kur më morën sërish në pyetje, se nuk arritën deri tek ajo që ekziston sigurisht, porse unë do të kalbem në burg 10 vjetë. Këto rrahje, malltretime, fyerje në baza nacionale e fetare zgjatën katër ditë (14. 12. 1992 deri më 17. 12. 1992), nga orët e hershme të mëngjesit e deri kah mesnata. Diku, ditën e katërt, më 17. 12. 1992, kur bënin përgatitjet të më dorëzojnë në burg, një thirrje telefonike nga jashtë ndërtesës së UDB-ës, sigurisht i informatorëve (spiunëve) të tyre, i tërboi tërësisht. Kishin zbuluar një takim timin me përfaqësues të diplomacisë iraniane në Prizren. U sulen sikur bishat aty kah ora 17 e deri kah ora 21 e diç, dy, tre, katër, me grushta e shqelma, boks e karate. Ishin bërë rreth 70 orë rrahjeje, dhune e presioni mbi mua, lidhje për gypa të radiatorëve të ngrohjes qendrore, i zbathur në beton, pa ujë e pa bukë, i përgjakur nga goja e hunda, i ënjur nga fraktura e mollzës së faqes së djathtë dhe skajit të mjekrës në të majtë, duke më lagur me ujë për ta evituar deformimin. Me pedanteri e kujdes i shmangeshin fytyrës, pos me disa përjashtime kur nuk mund të përmbanin mllefin. Pasi që nuk pranoja se kam biseduar rreth armatosjes së Kosovës, rrahjet vazhduan deri në alivanosje disa herë. Më në fund, trupi im, organizmi im u dorëzua (por jo edhe shpirti), filluan shtrëngimet në zemër dhe shtangimi i trupit. E hetuan edhe ata dhe vetëm atëherë filluan të interesohen për mjek.

Isha në kllapi, pak më ndante nga pushimi i amshueshëm. Mezi herë-herë i dalloja fjalët, e herë-herë humbesha. Kishte ardhur mjeku, oficer armate, i cili në vend të mantelit të bardhë e të stetoskopit kishte dy revolverë, një në bel e tjetrin në krahëhor, ky mjkeu më shumë i ngjasonte kaubojit të Holivudit, Klint Istvudit apo Gari Kuperit, se sa mjekut. Pas kontrollimit dhe injekcioneve dhe barërave që m'i dhanë, mjeku kauboj u tha inspektorëve: 'Prekinite, dozivio je infarkt lakseg intenziteta! Opasnost je prosla, ali nije sigurno, ...!', (Ndërprejeni, ka përjetuar anfarkt të intensitetit të lehtë! Rreziku ka kaluar, por s'është e sigurtë!). Vetem ateherë, pas 70 e sa orësh rrahje e malltretimesh, më ofruan ujë e kafe dhe pa vonuar shumë më vendosën në burg. Më kujdes të madh më barti në shpinën e tij gardiani i burgut, me emrin Avdi (të cilit më vonë ia mësova emrin). U shtrina në krevat. Të nesërmen u gjysmëzgjova nga kllapia, dhembje kisha kudo, buzët më ishin trashur, goja ishte përplotë gjakë të ngjizur. Mblodha forcë të pi çaj që ma kishin lënë të burgosurit, kuzhinierë të burgut, por më kot. Në dhomë s'kishte njeri tjetër. Mure betoni, dera e hekurt dhe grilat e dyfishta në dritare. Ndriçimi ishte i dobët, pastërtia e dobët. Krevatët pjesë-pjesë të përgjakur, batani të shqyera, që kundërmonin rëndë.

Të shtunën, dita e gjashtë, guardianët e burgut më dërguan te gjyqtari hetues. Ende isha në gjysmëagoni, nën ethe e dhembje nga rrahjet, as nuk e dija ku jam, as që kisha forcë të mendojë për këtë. Në kërkesën e mbrojtjes, që e kishte angazhuar familja, që të shënohet në deklaratë se jam rrahur dhe jam në gjendje të rëndë, gjyqtari hetues me emrin Jugosllav Skenderi, goran, u kërcënua se nëse avokatët insistojnë që ai t'i përshkruajë deformimet në trup, do t'i përjashtojë ata nga seanca. Mbrojtja ime heshti, kurse unë nuk e dija procedurën, por as nuk kisha forcë të rezistojë diçka pas gjithë atij tmerri që kisha kaluar ditët dhe netët e kaluara. Më kishte lënë edhe kujtesa. Më kujtoheshin vetëm disa sekuenca jete.


Pra, familje e dashur!

Gjykata Supreme e di ku është argumenti për sëmundjen e pësuar, e di se prova për të gjendet në lokalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prizren.

Po ashtu, ata e dinë, e nëse jo, mund ta mësojnë se prova është edhe në Burgun e Qarkut në Prizren. Ndonëse kam kërkuar shumë here visitë te mjeku i burgut, ky rast m'u dha vetëm pas 30 e ca ditësh pas pranimit në burg, një a dy ditë para visitës së KSBE-së që ma bëri. Në fakt, Drejtoria e Burgut është njoftuar se në ditën e caktuar do të vijë KSBE për vizitë të burgosurve politikë dhe vetem pas kësaj informate më dërguan te mjeku. Në vërejtjen time drejtuar mjekut pse nuk jam vizituar me rastin e pranimit në burg, që të regjistrohet gjendja e mirëfilltë shëndetësore me rastin e dorëzim-pranimit nga Sigurimi Shtetëror Serb, dr. Nijazi Eminoviq (goran) më tha se ai nuk di, ndërsa motra medicinale, e ashtuquajtura "tetka Bisa", serbe, gojëëmbël por pelim në zemër, e obliguar për këtë punë, tha se i janë tollovitur letrat, asgjë me qëllim të keq. Por, dihet pse veproi ashtu ajo satrape e tipit të Aushvicit. Arsyeja e vonesës 30 e disa ditëve pa kontroll mjeku ishte për t'i shmangur gjurmat e rrahjes nga trupi, mavijosjet, çarjet, ënjtjet. Mirëpo, dalëngadalë, shëndeti filloi të përmirësohet, el-hamdu lil-Lah!

Por, më shqetësonin malltretimet e reja ndaj familjes. Më bënin presion të paparë ta pranojë se kam formuar dhe kam vepruar si formacion paramilitar. Duke e ditur se çfarë janë pasojat e pranimit të një vepre të tillë, nuk pranoja asesi. Këtë presion në forma të ndryshme ia kanë bërë edhe vëllait, Naxhiut, me qëllim që ta detyrojnë ta pranojë këtë vepër të re, formimin e formacionit, e të na dënojnë përsëri. Më së tepërmi e theksonin nenin e famshëm për "përgatitje për kryengritje të armatosur". Vëllai, për ta shpëtuar veten, mua dhe familjen, por edhe shokët, u largua nga Kosova aq e dashur për të. Këto shqetësime të milicisë kanë vazhduar edhe më vonë me bastisje të reja, me kërcënime nëpërmjet telefonit, se do të ju zhdukim juve, posa të delë nga burgu Nexhati sërish do ta burgosim, largohuni nga Kosova ju që keni mbetur, etj. etj..

Pa i mbushur 16 muaj në burgun e Prizrenit lënda u plotëfuqizua, duke e zbritur dënimin nga tetë në shtatë vjet. Kualifikimi i veprës mbeti i njëjtë. Menjëherë më transferuan në Burgun e Dubravës. Duke mos dashur të hyjë në detaje, do të ndalem vetëm në dy-tri raste.

Aty kah maji i vitit 1995, rreth orës 15, e po ashtu edhe kah ora 20, ndjeva dhembje e shtrëngime në zemër. Mendova se është pasojë e rrymimit të ajrit, por jo. Dhembjet e shtrëngimet më zgjatën rreth 3 javë. Vetëm pas disa ditësh më dërguan te mjeku i burgut, i cili nuk ma komunikoi diagnozën, por m'i dha tre lloje barërash. Sërish e tejkalova këtë vështirësi jo nga medikamentet sa nga vullneti për jetë, me shpresë se Allahu do të më ndihmojë. Kurrfarë analize s'është bërë. Diku pas gjashtë muajve, sërish përjetova dhembje në zemër, këtë herë më të fuqishme. Kjo gjendje me batica e zbatica më zgjati rreth tetë muaj ditë. Përkundër kërkesës, nuk jam dërguar te specialisti kardiologu, me pretekst se nuk paska kardiolog në Istog as Pejë.

Një të mërkure iu ankova mjekut se kam dhembje dhe jam i rraskapitur, Mjeku deklaroi se tensioni qenka mirë deri diku, por të rrahurat e zemrës qenkan 184 në minut. Dhe në vend që të ndërmerret diç, ai më tha që t'i paraqitem të premten. Të premten nuk më pranoi, kështu që iu paraqita të hënën për ta bërë EKG-në. Këtë ditë, d.m.th., pas gjashtë ditësh më tha se tash është më mirë. Nga ky rezultat joreal dhe nga njeriu jokompetent, Gjykata Supreme konkludon dhe vendos në disfavorin tim. E si t'i ofrojë argumente më bindëse, kur edhe pas kërkesës me shkrim të mbrojtësit që të dërgohem te specialisti, organet kompetente këtë nuk e kanë bërë, edhe pse këta dy muaj ndihem diç më mirë. Pra, e dashura familje, mos u brengosni, se unë jam në duar të Allahut, e jo të tjetërkujt, Atij i lutem dhe nga Ai kërkoj ndihmë. Veprimet tjera janë vetëm fanitje.

Edhe njëherë, e dashura familje, mos u mërzitni, sepse këtë veprim e kam bërë në emër të Allahut e për ta ndihmuar këtë popull të persekutuar. Se nuk ka gabuar më tregon fakti se shumë shokë solidarizohen duke ndihmuar materialisht e moralisht. Ky ka qenë veprim për mbrojtjen e të pafajshmit kundrejt dhunës. Vepra ime penale është vepër penale vetëm para ligjeve të dhunës, ligjeve hegjemoniste, për të cilat ndonjëherë do të pendohen edhe vetë aktorët, kurse brezni të tëra të tyre do të turpërohen për vepërimet johumane të etërve të tyre të ushqyer nga murtaja aq e rëndë - nacional-shovinizmi.

Lexojeni këtë rrëfim timin të shkruar jo me gjuhë romansieri, as me gjuhë filmi, por me gjuhën e të vërtetës. Përkatësisht, kjo është vetëm një shkëndi nga e gjithë ajo e vërtetë që përjetova këto katër vjet. Mos mendoni se këtë po ua them për herë të parë juve. Jo! Këtë ia kam thënë edhe Sigurimit Shtetëtor Serb, për këtë pjesërisht di edhe Gjykata e Prizrenit. Pra, ju, thuajse jeni të fundit që po e dëgjoni këtë pjesë të jetës sime. Tërë ky rrëfim ishte e motivuar nga vendimi johuman i Gjykatës Supreme të Serbisë.

Për këtë herë nuk kam ç'tju them tjetër. Ju përshëndes të gjithëve dhe ju dëshiroj të jeni nën hijen e selamit të Allahut!

I juaji, Nexhati.



Autor: Nexhat IBRAHIMI, Burgu i Dubravës, 12.11.1996.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...