Absurdet e kohës (Shejh Albani)
Ditët e fundit u shpërnda një incizim i shkurtër lidhur me një studiues të shkencave islame, i cili i ftuar në një emision foli edhe për Shejh Albanin dhe veprimtarinë e tij shkencore, ku tekstualisht tha: "Ai nuk ishte i trajnuar, mirëpo u mbyll vetë në bibliotekën e dorëshkrimeve në Damask. Ai i lexoi të gjitha dorëshkrimet dhe vendosi t'i rikatalogojë të gjitha hadithet. Dhe kjo është një nga krimet më të rënda intelektuale në historinë moderne islame".
Pas kësaj deklarate, vershuan qindra reagime nga muslimanët e këtij vendi, si edhe disa reagime nga disa hoxhallarë. Mirëpo, askujt prej tyre nuk iu interesua të ngrejë një kritikë shkencore ndaj këtij thirrësi të gjithë u mjaftuan me ofendime ose me këshilla të tipit: "nuk duhet të dëgjojmë çdo njeri që flet", e të ngjashme.
Nëse ai ka thënë diçka që nuk qëndron shkencërisht, pse nuk merreni me qëndrimin e tij? Pse shani personalitetin e dikujt tjetër padrejtësisht?
Realisht, ky person nuk është i pari që e thotë këtë për Shejh Albanin. Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe shumë dijetarë të tjerë bashkëkohorë, prandaj nuk di si deklarata e tij u bë kaq "absurde"?!
Para se ky thirrës (që unë nuk e njoh) të thoshte se "Shejh Albani nuk ishte i trajnuar nga askush në shkencën e hadithit", këtë e thotë vetë Shejh Albani në një incizim të tij, duke pranuar pa komplekse se nuk ka pasur hoxhallarë apo profesorë nga të cilët ka mësuar, por është përpjekur vetë në nxënien e dijes.
Nëse keni respekt për Shejh Albanin, atëherë respektoni edhe fjalën e tij, ku ai e pohon këtë fakt.
Imam Buhariu u bë i famshëm dhe i pranuar te të gjithë dijetarët e hadithit, e dini pse? Sepse kishte një numër shumë të madh mësuesish të hadithit, përveç faktit që ata ishin më të fortët e kohës së tij.
Një kujtesë!!
Roli i muhadithit është ta mësojë hadithin në gjeneratën e tij dhe ta transmetojë te gjenerata tjetër, ashtu siç vepruan të gjithë muhadithët. Mirëpo, nëse nuk e ke mësuar nga askush, si do t'ia mësosh të tjerëve?
Kjo është kritika e ngritur nga dhjetëra studiues bashkëkohorë ndaj Shejh Albanit. A qëndron shkencërisht kjo kritikë apo jo, kjo u mbetet juve, mbrojtësve të tij, të merreni me të dhe jo të merremi me ata që e thonë këtë gjë, duke i sulmuar padrejtësisht në personalitet.
Allahu e mëshiroftë Shejh Albanin, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi shërbimit të hadithit dhe vetëdijesimit të muslimanëve që të mos lidhen në mënyrë ekstreme pas ndonjë personaliteti, kushdoqoftë ai. Mirëpo, sot shohim disa prej pasuesve të tij të kapur pas tij njësoj si dervishi pas shehut të vet.
Autor: A. ZEQIRI


