Fetvat kontraverse të Feuzanit
Po e bëj një ripostim, sepse në postimin e parë isha treguar shumë dashamirës, duke mos e vënë në diskutim bindjen e Myftiut Salih Feuzan, por aplikimin e bindjes së tij.
Meqenëse disa qortonjës janë shprehur siç shprehen për veten e tyre në tualet, gjykoj se duhet të jem pak më agresiv.
Helbete, ua rikujtojmë disa gjëra të thëna dhe të dokumentuara. Jo nga unë, por nga vetë Feuzani, që të mos na akuzojnë nesër se po shpifim ndaj dijetarëve!
1. Fotografitë e mbretërve dhe pushtetarëve janë prej parimeve të paganizmit!
Kështu shprehet Feuzani, fjalë për fjalë: "هذا من مبادئ الوثني" - "Pra, vendosjen e fotografive të mbretërve dhe pushtetarëve në rrugë dhe automjete ai e konsideron prej parimeve të paganizmit".
[Burimi: "صالح الفوزان، ما حكم تعليق صور الملوك والرؤساء على السيارات وفي الشواراع" - Arkivi Bahith.]
2. Vendosja e fotografive në zyra është e ndaluar!
Kur pyetet për fotografitë e funksionarëve në zyra, Feuzani përgjigjet: "لا يجوز تعليق الصور مطلقا" - "Nuk lejohet absolutisht varja e fotografive".
Vini re! Nuk është pyetur për ndonjë dhomë gjumi, as për ndonjë kafene, por për zyrat. Pikërisht ato zyra për të cilat disa prej ndjekësve të tij shqiptarë po na shpjegojnë se paskan një status të veçantë juridik! Me sheriat apo pa sheriat?
[Burimi: "صالح الفوزان، شرح قرة عيون الموحدين", ligjërata 56/60, rreth minutës 01:00:22 - Arkivi Bahith.]
3. Ndalohet edhe ekspozimi i fotografive të punonjësve të dalluar!
Pra, as vlerësimi profesional, as karakteri institucional i veprimit nuk përbëjnë vetvetiu arsye për ta lejuar.
[Burimi: "صالح الفوزان، ما حكم تعليق اسم الشخص مع صورته للموظف المثالي في العمل" - Publikuar më 30.10.2023.]
4. Fotografitë e mbretërve dhe udhëheqësve lidhen me rrugët që çojnë drejt shirkut!
Në librin Kitab Et-Teuhid, Feuzani trajton madhërimin e figurave të njerëzve të shquar, përfshirë mbretërit, udhëheqësit dhe dijetarët, si një prej rrugëve që mund të çojnë drejt idhujtarisë.
[Burimi: "صالح الفوزان، كتاب التوحيد", bot. IV, 1423 h., f. 53, sipas arkivit IslamArchive.]
5. Ndalohet varja e fotografive për zbukurim!
Sipas Feuzanit, fotografitë e qenieve me shpirt nuk lejohen të varen për qëllime dekorative.
[Burimi: "صالح الفوزان، حكم تعليق الصور والتماثيل الموضوعة للزينة", fetvaja nr. 5742 - Arkivi Bahith.]
6. Ndalohet edhe vendosja e fotografive mësimore në xhami!
Feuzani kundërshton vendosjen e figurave njerëzore që ilustrojnë mënyrën e marrjes së abdesit.
Pra, as qëllimi mësimor nuk është argument i mjaftueshëm për ta lejuar ekspozimin e tyre.
[Burimi: "صالح الفوزان، ما حكم تعليق بعض الصور لصفة الوضوء في المساجد" - Arkivi Bahith.]
7. Fotografitë lejohen për nevoja të domosdoshme!
Feuzani pranon përjashtime për fotografitë e kërkuara në pasaporta, letërnjoftime dhe dokumente të tjera zyrtare.
Por ekziston një dallim juridik ndërmjet fotografisë që kërkohet për identifikim dhe fotografisë së një mbreti që ekspozohet në mur për nderim.
[Burimet: "صالح الفوزان، ما حكم التصوير بجميع أنواعه؟ هل يجوز الاحتفاظ بالصور الشخصية لحاجتها في المعاملات الرسمية" - Arkivi Bahith.]
8. Dhe kjo është fetvaja më interesante!
Feuzani pyetet për qëndrimin në një ambient ku ka fotografi, të cilat personi nuk mund t'i largojë, megjithëse i ka këshilluar përgjegjësit.
Përgjigjja e tij është: "لا تجلس فيه إلا بقدر الضرورة مع الإنكار" - "Mos u ul aty, përveçse aq sa e kërkon domosdoshmëria, duke e kundërshtuar atë veprim".
[Burimi: "صالح الفوزان، شرح قرة عيون الموحدين" ligjërata 56/60, rreth minutës 01:07:40 - Arkivi Baheth.]
Tani, pasi i lexuam këto, le të kthehemi te fotografia që publikova.
Unë nuk kam pretenduar se Feuzani e ka ndryshuar bindjen e tij. Madje, pikërisht sepse nuk e vura në dyshim bindjen e tij, ngrita problemin e aplikimit të saj.
Por ja që disa, në vend që të kuptojnë dallimin ndërmjet "gjykimit sheriatik" dhe "zbatimit të gjykimit mbi rastin konkret", preferuan të na tregojnë se Feuzani është anëtar i Këshillit të Dijetarëve dhe funksionar në institucionet shtetërore.
Po mirë, mo rob Zoti!
Që kur anëtarësia në një këshill shtetëror u bë argument në Usuli Fikh?
Që kur posti administrativ i një dijetari shndërrohet në përjashtim nga një ndalim që vetë ai e ka formuluar?
Mos vallë duhet t'i shtojmë edhe një kapitull të ri usulit? Helbete si kjo:
"الأدلة الشرعية: الكتاب والسنة والإجماع والقياس والمنصب الحكومي" - "Argumentet sheriatike janë Kur'ani, Suneti, ixhmaja, kijasi dhe posti qeveritar".
Tani përtej ironisë.
Feuzani thotë se ekspozimi i fotografive të mbretërve është prej parimeve të paganizmit. Thotë se fotografitë nuk lejohen të varen në zyra. Thotë gjithashtu se qëndrimi në një ambient me fotografi lejohet vetëm në masën e domosdoshmërisë, duke e kundërshtuar veprimin.
Atëherë unë kam tri pyetje fare fare fare të thjeshta.
1). A përfshihen fotografitë e mbretërve sauditë të ekspozuara në atë zyrë në ndalimin e përgjithshëm që ka formuluar Feuzani, apo jo?
2). Nëse po, cili është argumenti që e justifikon praninë e tyre në atë mjedis?
Vetëm mos më thoni se është zyrë shtetërore, sepse këtë e dimë të gjithë dhe Feuzani është autoriteti i asaj zyre.
Më tregoni argumentin juridik.
3). Meqenëse Feuzani e ka kushtëzuar qëndrimin në një ambient të tillë me domosdoshmërinë dhe kundërshtimin e veprimit, a kemi ndonjë argument se këto kushte janë përmbushur në rastin konkret?
Unë nuk pretendoj se fotografia na tregon çfarë ka kundërshtuar apo nuk ka kundërshtuar Feuzani jashtë saj. Por as ju nuk mund ta përdorni fotografinë për të shpikur një përjashtim juridik që nuk e keni argumentuar.
Ky problemi më i madh i kësaj mendësie.
Kur ju gjykoni të tjerët, për raste identike, fetvaja paraqitet si një formulë absolute, që nuk njeh kontekst, rrethana apo dallime.
Por, kur vjen puna te dijetarët tuaj, papritur zbuloni domosdoshmërinë, kontekstin institucional, mungesën e përgjegjësisë personale dhe dallimin ndërmjet veprimit dhe pranisë në vendin ku kryhet ai.
Bukur shumë! Pikërisht këto dallime i njeh edhe Usuli Fikhu.
Por ato nuk janë pronë ekskluzive e grupimit tuaj.
Nuk mund ta përdorni kontekstin si mburojë për dijetarët tuaj dhe ta mohoni si parim juridik kur gjykoni të tjerët.
Kjo që sajojnë justifikime nuk ka lidhje me ndonjë metodologji shkencore. Thjeshtë përzgjedhje e kritereve sipas personit që doni të mbroni.
Sa për atë që më quan "mbeturinë sufiste", "vorraxhi" e "dajrexhi", do t'i sugjeroja të mos harxhojë kaq shumë energji me epitetet.
Sepse unë nuk e pyeta çfarë mendon për sufizmin, as për mua personalisht. Do të ishte eveniment i jashtëzakonshëm po të bëja këtë stil pyetje që fillon me "Çfarë mendon për ...".
Pyetja ime konsiston në një problem juridik që buron nga fetvatë e Myftiut përpara se ai të hynte në zyrë. Kam kureshtje të dij se çfarë fetvaje do të nxjerrë pasi ka hyrë.
Dhe nëse përballë tetë qëndrimeve të dokumentuara përgjigjja e vetme është se Feuzani është zyrtar shtetëror, atëherë problemi nuk qëndron te sufizmi im.
Problemi qëndron te usuli juaj, që duket se ndryshon sapo kalon pragun e një institucioni shtetëror.
Helbete, përpara se t'u mësoni të tjerëve teuhidin, mësoni të paktën dallimin ndërmjet një argumenti juridik dhe një justifikimi administrativ!
Dhe Allahu është më i Dituri dhe më i Urti.
Lavdet i takojnë vetëm Atij dhe Salavatet ia dërgojmë zotërisë tonë Muhammedit dhe Familjes së tij të pastër.
Autor: Alban ÇULI


