Thënia dhe Propaganda 'Kthimi në fenë e të parëve'!



Shpeshherë dëgjojmë shprehjen: "Duhet të kthehemi në fenë e të parëve".



Në pamje të parë, kjo shprehje mund të tingëllojë bukur.

Por para se ta përsërisim një shprehje të tillë, duhet të shtrojmë një pyetje shumë të thjeshtë: Cilët janë këta "të parët"?

- A është fjala për babain?

- Për gjyshin?

- Për stërgjyshin?

- Për katragjyshin?

* Apo për një brez edhe më të hershëm?

Nëse flasim për të parët tanë, atëherë duhet të jemi të drejtë me historinë dhe me paraardhësit tanë.

Shumë prej brezave që kanë jetuar para nesh kanë qenë myslimanë, kanë besuar në Allahun dhe janë përpjekur ta ruajnë fenë e Tij.

Prandaj, nuk mund të flasim sikur para nesh nuk ka ekzistuar feja, sikur brezat tanë të kaluar nuk kanë ditur asgjë dhe sikur e vërteta fetare fillon vetëm me ne.

Por le ta shtrojmë pyetjen edhe më thellë:

- Nëse dikush vërtet dëshiron të kthehet te "të parët", pse të ndalet te një brez i caktuar?

- Pse te gjyshi dhe jo te stërgjyshi?

- Pse te stërgjyshi dhe jo te brezat para tij?

- Dhe nëse vazhdojmë të ecim prapa në histori, ku përfundon kjo rrugë?

Ajo na çon te i pari i njerëzimit, Ademi alejhis-selam.

Ademi alejhis-selam ishte Pejgamber dhe njeri i udhëzuar nga Allahu.

Pra, nëse kërkojmë rrënjët e fesë së pastër, nuk kemi pse të ndalemi te një periudhë e caktuar historike, as te një brez që na përshtatet.

Duhet të kthehemi te burimi i shpalljes dhe te rruga e Pejgamberëve.

Thirrja e Pejgamberëve ka një themel të përbashkët: adhurimin e Allahut të Vetëm dhe dorëzimin ndaj Tij.

Prandaj, nëse dikush thotë: "Unë dua të kthehem në fenë e të parëve".

Përgjigjja është: Elhamdulilah, edhe ne jemi në fenë e të parëve tanë, madje në fenë e të parit të njerëzimit, Ademit alejhis-selam.

Por kjo nuk do të thotë se ne kthehemi në një periudhë të caktuar historike dhe lëmë pas shpalljen që erdhi më vonë.

Përkundrazi, feja e profetëve është një zinxhir i pandarë i udhëzimit hyjnor, deri te i Dërguari i fundit, Muhammedi alejhis-selam.

Prandaj, pyetja nuk është vetëm: "A duhet të kthehemi te të parët"?
Pyetja më e rëndësishme është: "Cilët të parë dhe mbi çfarë kriteri"?
Sepse nuk mund ta zgjedhim një brez të caktuar vetëm sepse na përshtatet, na intereson ose përputhet me një ide të caktuar.

Feja nuk ndërtohet mbi propagandë, interesa apo përzgjedhje të pjesshme të historisë.

Feja merret nga shpallja e Allahut dhe nga mësimi i Pejgamberëve të Tij.

Dhe nëse duam të flasim për kthim te rrënjët, atëherë le të kthehemi te rrënjët e vërteta: te besimi në Allahun, te adhurimi i Tij, te morali, drejtësia, mëshira dhe bindja ndaj shpalljes.

Kjo është feja që e sollën Pejgamberët, nga Ademi alejhis-selam deri te Muhamedi alejhis-selam.

Prandaj, kthimi në fenë e të parëve nuk duhet të jetë një slogan i zbrazët, por një kthim te feja e pastër e Allahut, te besimi që e kanë përcjellë Pejgamberët dhe që u përmbyll me shpalljen e Muhammedit alejhis-selam.

Allahu na bëftë prej atyre që e njohin të vërtetën, e ndjekin atë me sinqeritet dhe nuk e ndërtojnë fenë mbi interesa, slogane apo propagandë.

O Allah, na udhëzo në rrugën Tënde të drejtë, na forco në fenë Tënde dhe na bëj prej atyre që e ndjekin të vërtetën kudo që ajo gjendet.

Amen!



Autor: Llukman NEBIU

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...