Vehabitët po i paragjykojnë



Duhet ndarë besimi nga dhuna. Kush u drejtohet armëve është terrorist

"Vehabizmi është lëvizja e parë pasmoderne, që ka ndikuar në të gjitha lëvizjet e tjera në islam. Nëse është pozitive apo negative, nuk mund të jepet një gjykim përfundimtar, sepse edhe mes teoricienëve e teologëve myslimanë, mendimet janë të ndara", thotë Oliver Potezhica, ekspert për Lindjen e Mesme dhe islamin, diplomat dhe ish-ambasador i Jugosllavisë në Jordani e Palestinë, si dhe autor i librit "Vehabitët, mes të vërtetës dhe paragjykimit", ("Vehabije, izmedu istine i predrasude").

"Të rinjtë, të cilët me pamjen e tyre na sjellin në mendje talebanët e ardhur nga kampet e Bin Ladenit në Afganistan, për disa janë sekt islamik, ndërsa për disa të tjerë janë fondamentalistë të rrezikshëm, që kërcënojnë institucionet ekzistuese të bashkësisë islame. Vehabitë ka sot në të gjithë Ballkanin. Ata janë me mjaft ndikim edhe mes myslimanëve në Evropën Perëndimore e Amerikë", thotë eksperti i njohur i islamit.

Potezhica, në studimin e tij për lëvizjen vehabite, shmang kurthet e teoricienëve të veçantë perëndimorë e të mediave masive botërore, sipas të cilëve, gjithçka që vjen nga bota islame kryqëzohet në "kryqin e ideologjisë dhe politikës së ditës".

Për arabët, vehabizmi ka qenë lëvizje çlirimtare, emancipuese, ndërsa për mjedise të tjera ka pasur karakteristikat e lëvizjes konservative e regresive. "Vehabizmi është njëra nga pikat kryesore, ku përthyhen lëvizjet shpirtërore fetare e politike në islamin modern", thotë Potezhica në fillim të intervistës.


Megjithatë, vehabitët trajtohen nga shumë studiues si lëvizje e dhunshme dhe i vendosin në lidhje me Al Kaedën?

Lëvizja e xhihadit bashkëkohor, ose Al Kaeda, është një lloj mësimi sinkretistik, që në një pjesë të vogël të vehabizmit dhe aktivitetit politik është e lidhur me shfrytëzimin e dhunës për arritjen e qëllimeve fetare, të cilën e kanë programuar "Vëllezërit myslimanë", veçanërisht Sajed Kutba dhe Abdullah Azam, kryeideologu i islamit militant.

"Vëllezërit myslimanë", më vonë hoqën dorë nga dhuna dhe pranuan sistemin demokratik e pjesëmarrjen në jetën parlamentare të Egjiptit. Teoricieni neokonservator amerikan, Stiven Shvarc, thotë se "nuk janë të gjithë vehabitët bomba vetëvrasëse (kamikazë), por të gjitha bombat vetëvrasëse janë vehabitë". Ky është përkufizim ekstrem dhe nuk i kontribuon kuptimit të kësaj lëvizjeje të ndërlikuar. Ka vehabitë që e përjashtojnë çfarëdo forme të dhunës, por ka dhe nga ata që e lejojnë atë në luftën kundër të huajve.


Por, është fakt se Prokuroria Speciale e Serbisë ka ngritur akuzë ndaj 15 vehabitëve dhe kjo lëvizje është vënë në radhën e terroristëve?

Zgjidhja kryesore është ndarja e besimit nga dhuna. Vehabizmi, si lëvizje fetare, është legale dhe legjitime. Sipas Kushtetutës, ligjit për kishat dhe bashkësitë fetare, por dhe sipas dokumenteve ndërkombëtare, Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Deklaratës së OKB të vitit 1981 për lirinë e besimit, atë nuk mund ta ndalojë askush. Liria e besimit është e drejtë e çdo njeriu, që do të thotë se është i lirë të besojë në çfarë dëshiron dhe si të dëshirojë. Ndërsa gjithkush që u drejtohet armëve për të realizuar synimet e veta është terrorist. Tigrat e Tamilit përdorin dhunën, sikurse dhe Al Kaeda, por askush nuk thotë se të gjithë hindutë janë kamikazë.


Cili është thelbi i mësimeve vehabite?

Si lëvizja e parë fondamentaliste, ajo ka kërkuar kthimin në bazat e islamit. Vehabitët kanë kërkuar pastrimin e besimit nga risitë, që do të thotë nga gjithçka që nuk është në Kuranin e profetit Muhamed. Kjo nënkupton jetën fetare serioze, sipas praktikës së tri gjeneratave të para pas profetit Muhamet. Vehabitët janë kundër shumë besimeve (idhujtarisë), kundër besimeve të kota, ndalojnë mbajtjen e hajmalive. Për ta çdo përmendje e njeriut në lutje, përfshirë dhe profetin Muhamet, paraqet formë të shumëbesimit (idhujtarisë), sepse myslimanët e vërtetë mund t'i luten vetëm Allahut.


Por si arriti një lëvizje anësore fetare të bëhet fenomen botëror?

Vehabizmi nuk ka qenë kurrë lëvizje anësore. Kjo është përpjekje e osmanllinjve turq për ta nënvleftësuar, sepse për ta ishte bërë kërcënim i madh. Siç e kam thënë, kjo është lëvizja e parë sunite pasmoderne, që ka pasur një peshë të madhe revolucionare. Në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XIX, ajo ushtroi një ndikim të fuqishëm në të gjitha lëvizjet e atëhershme islamike, në Indi e Azi të Jugut, ku jetojnë shumica e myslimanëve në botë, por dhe në vende të tjera. Vehabizmi, për më tepër, ka një përmasë historike, që shpesh neglizhohet, që është emancipimi dhe çlirimi i arabëve nga pushteti turk. Turqit, që nga viti 1517, kanë qenë sundues të Hexhazit, domethënë të Mekës e Medines dhe të pjesës më të madhe të gadishullit arabik. Drejtuesi i parë, Muhamed ibn Abdel Vahab (1703-1792), emrin e të cilit mori lëvizja, e quajti të ashtuquajturin islam turk të tipit sufij, si devijacion dhe largim nga feja e pastër. Abdel Vahabi thotë se Kurani është mjaft i thjeshtë dhe gjithkush mund ta kuptojë dhe shpjegojë vetë. Kjo do të thotë se gjithkush duhet të marrë vendime vetë për veten. Kjo ishte lëvizje revolucionare për të gjithë botën sunite, që atëherë jetonte e muruar në katër shkolla të pranuara juridiko-fetare.


Edhe pse lëvizja fetare e vehabizmit ka marrë me kohë edhe karakteristikat specifike politiko-ideologjike ...?

Vehabizmi është kundër çfarëdo sekularizmi dhe përzierje të politikës me fenë. Për vehabitët nuk ekziston politika (megjithëse edhe ky është qëndrim politik). Nuk pranojnë koncepte si kapitalizmi, socializmi, liberalizmi, demokracia. Janë kundër partive politike, daljes në zgjedhje. Për vehabitët ka vetëm dy gjëra që mund të bëjë myslimani dava-në, domethënë thirrjen për përhapjen e besimit nëpërmjet punës misionare dhe Xhihad-in. Xhihadi është dukuri shumëplanëshe, por sot përmendet vetëm përbërësja e saj e armatosur. Xhihad-i në fakt mund të bëhet me fjalë, me pasuri, me gjeste. Xhihad-i është insistimi për të realizuar diçka në islam.


Megjithatë, çelësi i kthimit në vehabizmin bashkëkohor qëndron të nafta, te paraja e ardhur nga nafta?

Vlerësohet se Arabia Saudite, ku vehabizmi është mësim shtetëror, në 25 vitet e fundit ka harxhuar gati 100 miliardë dollarë për propagandimin e kësaj lëvizjeje në botë. Pjesa më e madhe e mjeteve është drejtuar për ndërtimin e xhamive, shkollave fetare e zgjerimit të ndikimit në media. Nga kjo janë ndërtuar më shumë se 1700 xhami, 230 qendra islamike, 220 universitete islame e më shumë se 2000 shkolla në vendet jo islame. Ndërsa sipas vlerësimeve të Ambasadës Amerikane në Riad, vetëm në vitin 1994 organizatat saudite kanë dërguar në Bosnjë-Hercegovinë 200 milionë dollarë. Këtu nuk janë përfshirë donacionet financiare të shtetit saudit.


Si ka ardhur vehabizmi në Ballkan?

Lëvizja vehabiste është zgjeruar në disa valë në këtë rajon. Kështu, sot ka rreth 20% vehabitë në mesin e besimtarëve myslimanë në Bosnjë e Hercegovinë. Në fund të viteve '70 e fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar, Husein ef. Xhozo dhe Ahmet Smajloviq përkthyen veprat e Muhamed abdul Vahabit "Libër për monoteizmin" dhe "Tri parimet themelore dhe dëshmitë e tyre".

Për rrezikun e vehabizmit, flet i pari Hasan Sushiq (1982-1983), kur në një këshill në Reka (Kroaci) tha se "vehabizmi përpiqet të keqpërdorë pozitën shoqërore ku ndodhen pakicat myslimane, për të arritur pranimin mes tyre". Zgjerimi befasues filloi me luftën qytetare në Bosnjë-Hercegovinë, kur erdhën muxhahedinët në mesin e të cilëve edhe një numër vehabitësh, si dhe kur u rrit numri i studentëve që shkojnë për shkollim në Arabinë Saudite, veçanërisht në Universitetin Islamik në Medinë.


Sa ndikim kanë vehabitët mes bashkësisë shqiptare në Kosovë?

Në një seminar të KFOR-it me drejtuesit e Shërbimit Policor të Kosovës, ekspertët amerikanë vlerësuan se vehabizmi është në rritje të madhe në Kosovë dhe për pesë vjet "Kosova do të bëhet vatra më e rëndësishme e këtij sekti islamik" në Evropë. Komiteti Saudit i Ndihmës për Kosovën dhe Çeçeninë dërgon çdo vit për shkollim dhe qëndrim në Arabinë Saudite 200 shqiptarë, studentë dhe nxënës të shkollës së mesme. Në Kosovë sot janë 30 shkolla vehabite.

Por në Kosovë shfaqet dhe problemi tjetër. Imamë të veçantë shqiptarë mendojnë se vehabizmi është bërë kundërshtar më i madh se sa nacionalizmi serb, sepse ky është mësim direkt për mohimin e nacionalizmit shqiptar! Vehabizmi nuk e pranon kombin. Myslimanët nuk mund të ndahen sipas kombit, gjuhës e ngjyrës së lëkurës. Ky është thelbi i shpjegimit kuranor të barazisë së myslimanëve.

Pasuesit e Muhamed ibn Abdel Vahabit e kanë përdorur depërtimin e Napoleonit në Egjipt dhe Palestinën si pikëmbështetje për zmbrapsjen e osmanllinjve turq nga Gadishulli Arabik. Për t'u mbrojtur, turqve u duhej të sillnin forca nga Ballkani e Azia e Vogël. Largimi i këtyre forcave nga Ballkani krijoi hapësirë për kryengritje në Serbi e Greqi. Por që nga viti 1807, Turqia u konsolidua dhe i zmbrapsi me sukses vehabitët: Pak njerëz e dinë se kur koka e Karagjorgjeviqit iu dërgua Sulltanit në Stamboll, njëkohësisht u vranë aty edhe imami vehabit Abdulah Saud me 80 kushërinj e bashkëluftëtarë të tij.


Shtrirja - Vehabizmi në Evropë dhe Amerikë

Eksperti Oliver Potezhica thotë se në Evropë, kryeqendra e vehabizmit është Vjena, And'hoveni dhe Londra. Sipas të dhënave më të reja të Qendrës kanadeze për Liritë Fetare, në Kanada jetojnë më shumë se 20% e pasuesve të besimit të vërtetë. Sipas burimeve amerikane, vlerësohet se te 50% deri 60% e myslimanëve në SHBA pason mësimi vehabit. Vetëm njëra prej organizatave vehabite, Shoqëria Islame e Amerikës së Veriut, drejton punën e rreth 500 xhamive e qendrave islamike. Vlerësohet se Arabia Saudite, që nga viti 1980, ka shpenzuar më shumë se një miliard dollarë për përhapjen e islamit në Amerikë.



Përgatiti: gazeta-shqip, nëntor 2007.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...