Vehabizmi në pasqyrën e realitetit



- I -

Në qoftë se historinë e religjioneve dhe burimet fetare i studiojmë me seriozitet, do të kuptojmë se shumica e tyre me kalimin e kohës janë ndarë në grupe dhe sekte të ndryshme.

Edhe fetë hyjnore nuk kanë arritur t'i shpëtojnë këtij fenomeni. Me kalimin e kohës dhe me distancimin nga periudha e individëve që sollën këto fe, u shfaqën sekte dhe medh'hebe të ndryshme. Natyrisht që esenca e divergjencave dhe e diversitetit të sekteve te fetë hyjnorë buron nga mendimi njerëzor, kurse për të gjithë të dërguarit e Zotit, besimi në Zotin Një (Tevhidi) ishte parimi kryesor dhe ata kanë penguar përçarjen dhe ndarjen e njerëzimit në grupe dhe sekte. Besimi në botën tjetër dhe ringjalljen, ardhjen e shpëtimtarit, drejtësinë dhe luftën ndaj padrejtësisë janë ndër parimet e tjera të përbashkëta të feve hyjnore. Po ashtu, të gjitha fetë hyjnore kanë mendim konvergjent në atë se shpallja ka ardhur nga Zoti, i Cili është burim i të gjitha dijeve dhe mirësive.

Por gjatë historisë hasim në elemente si interpretimet e padrejta nga feja, rrethanat dhe ambientet sociale dhe interesat apo qëllimet fitimprurëse që janë bërë shkak që disa persona të kenë perceptime të gabuara për fenë. Këto dallime të mendimeve me kalimin e kohës janë zhvilluar dhe zmadhuar dhe në këtë mënyrë ithtarët e feve hyjnore i kanë detyruar të përçahen në mes vete. Sidoqoftë, diversiteti sektar dhe medh'hebor, pa marrë parasysh se a ka lindur nga mendimi i gabuar i njeriut, qëllimet fitimprurëse të një personi apo të një grupi apo ka ardhur si pasojë e komploteve politike, është një realitet që nuk mund të mohohet dhe që qëndron si një re e zezë mbi fetë hyjnore. Këto sekte dhe medh'hebe të ndryshme të cilat ndonjëherë shoqërohen edhe me fanatizëm të kotë, ngjallin përçarje dhe mosmarrëveshje në fenë hyjnore, e cila është burim i unitetit dhe vëllazërisë.

Kështu që, të dashur miq kemi vendosur që në disa programe t'ju njoftojmë me njërin nga këto sekte, pra vehabizmin. Ju lutemi qëndroni me ne deri në fund të programeve tona me titull 'Vehabizmi në pasqyrën e realitetit'.

Elementet e lindjes së vehabizmit, ashtu si dhe sekteve të tjera, burojnë në mendimet e themeluesit të saj. Duke patur parasysh se vehabizmi rrënjët i ka në mendimet e Ibni Tejmijes, atëherë domosdo duhet të njihemi me mendimet dhe qëndrimet e tij rreth fesë islame.

Takijudin Ahmed Bin Abdulhalim i njohur si 'Ibni Tejmije' është lindur në vitin 661 h. në qytetin Harran. Në shekullin 7 h. qyteti Harran ishte qendra e mësimit të medh'hebit Hanbeli. Ky qytet, nga i cili sot nuk ka mbetur gjë përpos disa rrënojave, gjendet në jug të Turqisë së sotme, por në atë kohë ishte qytet madhështor dhe me kulturë e civilizim të lartë. Ibni Tejmije u edukua dhe arsimua në një familje që mbi një shekull ishte flamurtare e medh'hebit Hanbeli dhe nga kjo familje ishin shkruar libra të shumtë fetarë. I ati i Ibni Tejmijes ishte jurist (fakih) i njohur i Harranit dhe njihej si 'Shejhul Beled' (Dijetar i qytetit), kurse populli i Harranit atë e njihte si ligjërues (hatib) dhe mësues i shkencave islame. Në anën tjetër, periudha e jetës së Ibni Tejmijes koincidoi me sulmin e egër të mongolëve ndaj tokave islame. Në atë kohë, mongolët me dhunë kishin arritur të pushtonin shumë rajone të muslimanëve dhe çdo ditë zgjeronin pushtimin e tyre të egër. Kështu që shumë vepra të vlefshme të shkencave islame që ishin shkruar nga dijetarë të mëdhenj muslimanë, u grabitën dhe u zhdukën nga ana e mongolëve.

Ibni Kethiri, historiani i njohur arab, shkruan: "Në vitin 667 h. (1269), kur Ibni Tejmije ishte në moshën 6 vjeçare, u shtua trysnia e mongolëve ndaj qytetit Harran dhe populli i këtij qyteti nga frika e një sulmi të mongolëve, u detyruan të ikin nga aty. Edhe Ibni Tejmije bashkë me familjen e tij iku dhe u vendos në Damask". Pas emigrimit në Damask, babai i Ibni Tejmijes u zgjodh drejtor i 'Darul Hadith' dhe filloi të japë mësim në këtë shkollë. Ibni Tejmije vitet e rinisë i kaloi në Damask. Ai nga i ati dhe dijetarët e tjerë hanbeli të Damaskut mësoi shkencat si: jurisprudencë islame (fikh), hadith, usul, kelam dhe tefsir dhe arriti në gradën e ixhtihadit dhe iu lejua të japë fetva (dekrete fetare). Pas vdekjes së babait, Ibni Tejmije u zgjodh në vend të tij dhe filloi të japë mësim dhe të komentojë Kur'anin e Shenjtë. Ai po ashtu iu përkushtua edhe studimit të feve dhe medh'hebeve të tjera dhe në këtë mënyrë filloi të japë fetva që ishin në kundërshtim me katër medh'hebet e Ehli Sunetit dhe medh'hebin shi'it. Ai kritikoi disa parime dhe bindje të muslimanëve, madje shkoi aq larg, saqë deklaroi se zbatimi i disa rregullave dhe parimeve është blasfemi dhe njeriun e largon nga Zoti. Prandaj dhe jeta e Ibni Tejmijes kaloi me dhënien e mendimeve të ndryshme dhe të kundërta dhe me vënien në dyshim të disa bindjeve primare të muslimanëve. Deri në vitin 697 h. mendimet e Ibni Tejmijes nuk ishin të njohura në mesin e muslimanëve, por pas kësaj kohe mendimet e tij filluan të shtrihen në tokat islame. P.sh. po në këtë vit Ibni Tejmije shkroi një libër kundër 'Ash'arit' dhe ngjalli debate të shumta në Damask.

Ibni Tejmije veten e konsideronte selefi. Selefi do të thotë të imitosh të parët, adhurim i së vjetrës apo imitim i pakushtëzuar i paraardhësve. Por Selefije (selefizmi) është emri i një sekti që pretendon se ndjek rrugën e Pejgamberit Muhammed s.a.v.s. dhe Tabi'inëve. Tabi'inët ishin personat që kishin takuar një apo disa shokë (sahabe) të Profetit Muhammed. Selefitët janë të mendimit se të gjitha bindjet dhe parimet e islamit duhet të veprohen në atë mënyrë siç janë vepruar në kohën e sahabëve dhe tabi'inëve. Bindjet dhe rregullat e fesë duhen mësuar vetëm nga Kur'ani dhe tradita (suneti) i Profetit dhe dijetarët nuk duhet të bazohen në argumente tjera përpos asaj që ndodhet në Kur'an. Në mendimin e selefive mohohen analizat racionale dhe logjike dhe për ta vetëm teksti i Kur'anit dhe hadithit shfrytëzohet si argument. Ata në mendimet e tyre janë tepër radikalë dhe fanatikë dhe ndaj kundërshtarëve të tyre janë të dhunshëm. Ibni Tejmije me pretekstin e kthimit në Islamin selefi, jepte mendime në lidhje me çështje të ndryshme islame, sipas të cilave, shumica e bindjeve dhe parimeve të muslimanëve të tjerë viheshin në pikëpyetje, kurse shumë muslimanë përjashtoheshin nga feja islame.

Në kohën kur Ibni Tejmije shtroi mendimet dhe bindjet e tij të veçanta, u përball me një valë të gjerë kundërshtimesh, sidomos kur përshkroi Cilësitë e Zotit. Ai ishte i mendimit se Zoti ka trup dhe qëndron në lartësitë e qiellit. Ibni Tejmije ishte muslimani i parë që tha se Zoti ka trup fizik dhe në lidhje me këtë shkroi disa libra. Ai po ashtu vizitimin e Pejgamberit dhe përkujtimin e tij e quajti të ndaluar (haram) dhe Shirk (t'i shoqërosh Zotit shok). Nga bindjet e tjera të tij ishte edhe ndalimi i lidhjes/bashkimit (tevesul) me evliat dhe njerëzit e zgjedhur, sepse sipas tij ky veprim nënkuptonte bashkim apo lidhje me dikë përveç Zotit. Ibni Tejmije ishte kundër meremetimit të varrit të Profetëve dhe evlijave dhe po ashtu ndalonte ndërtimin e xhamive pranë varrezave, madje tërë këto veprime i konsideronte Shirk. Por këto mendime të tij u bënë shkak që shumë dijetarë muslimanë të radhiten kundër tij. Ata nuk ishin të gatshëm të dëgjonin fjalët e një personi që thoshte se Zoti ka trup dhe Atë e përshkruan me cilësi të njerëzve të zakonshëm. Dijetarët muslimanë duke patur parasysh konceptet Kur'anore, të cilat Zotin e përshkruajnë si diçka tej materies fizike dhe jashtë perceptimit të logjikës së njeriut, shkruajtën libra të shumtë në kundërshtim me bindjet e Ibni Tejmijes. Ata po ashtu nga gjykata kishin kërkuar që të gjykonte mendimet dhe bindjet e tij devijuese. Por me gjithë këto kundërshtime, Ibni Tejmije vazhdonte të këmbëngulte në mendimet e tij. Ai kundërshtarët i konsideronte jo besimtarë (qafira) dhe në veprat e tij atyre ju drejtohet me fjalë fyese dhe nënçmuese.

Në histori tregohet se në vitin 703 h. kur Ibni Tejmije kishte lexuar veprën 'Fusul Hikem' të Muhjidin Ibni Arabiut, mistikut të madh musliman, atë e kishte cilësuar si një vepër kundër bindjeve dhe mendimeve të tij. Prandaj dhe shkroi librin 'Al Nusus Alel Fusus' në kundërshtim të veprës së Ibni Arabiut dhe në këtë mënyrë mohoi dhe mallkoi atë dhe ndjekësit e tij. Ummeti islam vazhdimisht shqetësohej dhe njehej i fyer nga mendimet dhe bindjet e veçanta të Ibni Tejmijes, sepse ato fyenin bindjet e shenjta fetare të tyre. Si rezultat i kësaj, në vitin 705 h. ai u gjykua dhe u dënua me internim në Egjipt. Ibni Tejmije në vitin 707 h. u lirua nga burgu dhe pas disa viteve u kthye në Damask dhe përsëri filloi me propagandimin e mendimeve dhe bindjeve të tij. Në vitin 721 h. përsëri u dënua me burg dhe më 20 Dhil Hixhxhe, 728 h. ndërroi jetë derisa po vuante dënimin në burg.

Natyrisht që mendimet e Ibni Tejmijes rreth çështjeve të fesë islame përveç kaosit, konfuzionit, fyerjes e mohimit të shumicës së bindjeve dhe parimeve të muslimanëve, nuk kishin asnjë influencë tjetër. Por përgjigjet e argumentuara të dijetarëve muslimanë ndaj tij shkaktuan shuarjen e lëvizjes së Ibni Tejmijes, lëvizje kjo e cila nuk mbillte gjë tjetër përpos dhunës dhe urrejtjes në mesin e muslimanëve.


- II -

Ibni Tejmije, i cili jetoi në shekujt 7 dhe 8 h.. Ibni Tejmije solli risi (bidate) të posaçme në fenë islame, ku dhe arriti të zgjojë reagime të ashpra nga dijetarët muslimanë të asaj kohe.

Ai mendimet dhe bindjet e tij i paraqiti në libra të ndryshëm. Me vdekjen e Ibni Tejmijes në vitin 728 h., edhe mendimet e tij u lanë në harresë dhe vetëm disa persona të pakët vazhduan të ndiqnin mendimet dhe bindjet e tij. Por pas 5 shekujve u paraqit individi i quajtur Muhamed Ibni Abdulvehab Naxhdi, i cili duke u bazuar në bindjet dhe mendimet e Ibni Tejmijes, themeloi sektin e 'Vehabizmit'.

Të dashur miq, në programin e sotëm do të flasim për jetën e Muhamed Ibni Abdulvehab. Ju lutemi na ndiqni në vazhdim.

Themeluesi i sektit të vehabizmit, Muhamed Ibni Abdulvehab u lind më 1115 h. në Arabi. Në rininë e tij ishte i ndikuar së tepërmi nga mendimet e Ibni Tejmijes dhe më pas prezantoi disa mendime konvergjente me islamin e ekuilibruar. Ai për të përhapur mendimet e tij shfrytëzoi forcën e shpatës së Muhamed Ibni Saudit, guvernator i rajonit Naxhd dhe në këtë mënyrë propagandoi bindjet e tij selefite. Muhamed Ibni Abdulvehab, bindjet dhe mendimet e tij i shpalli në vendet më të shenjta të botës islame, pra në Mekë dhe Medine. Me luftëra të përgjakshme dhe shkatërrimtare, Muhamed Ibni Abdulvehab arriti t'ua imponojë njerëzve mendimet e tij.

I ati i Muhamed Ibni Abdulvehabit që nga periudha e fëmijërisë së tij ishte i shqetësuar për të birin, sepse tek ai shihte disa sjellje dhe veprime jonormale dhe devijuese. Muhamed Ibni Abdulvehabi kritikonte dhe tallte shumicën e bindjeve të muslimanëve. Gjatë studimeve në Medine ndonjëherëthoshte disa gjëra të cilat tregonin për bindjet e tij të veçanta mbi islamin. Prandaj dhe profesorët e tij arritën në përfundim se në të ardhmen ai do të ketë bindje dhe mendime të devijuara. Ai derisa ishte duke propaganduar mendimet e tij, gjithashtu kritikonte ashpër vizitën e muslimanëve që ia bënin varrit të hz. Muhammedit s.a.v.s.. Thonë që në rininë e tij, Muhamed Ibni Abdulvehab ka qenë i pasionuar pas jetëshkrimeve të individëve që kanë pretenduar se janë 'profetë të rrejshëm', si Mosajlame Kezzab, Saxhaxh, Asvad Unsa dhe personat tjerë si këta. Por padyshim se mendimet dhe bindjet e tij në mënyrë të përgjithshme burojnë nga Ibni Tejmije dhe nxënësit e tij si Ibni Kajjim Xhevzi.

Muhamed Ibni Abdulvehab u detyrua të ikë nga Medina për shkak të kundërshtimeve të popullit ndaj bindjeve të tij dhe u kthye në Naxhd. Pas një kohe vajti në Basra. Edhe në qytetin e Basras si në të kaluarën ra në kundërshtim të plotë me bindjet dhe mendimet fetare të popullit të këtij qyteti dhe qytetarët e Basras e internuan në një fshat përreth. Disa specialistë të fesë janë të mendimit se Muhamed Ibni Abdulvehabi në disa mendime dhe bindje fetare shkoi edhe më larg se Ibni Tejmije. Ai aq shumë ishte larguar dhe kishte devijuar nga rruga e drejtë, sa qëtë gjithë muslimanët që nuk mendonin si ai i quante jo musliman (qafir) dhe mushrik, madje lejonte edhe vrasjen e tyre. Ai me mendimet e tij të sëmura, vendet islame, ndër to edhe Mekën dhe Medinën i quante 'Vend i mosbesimit' (Darul Shirk) dhe 'Vend i luftës' (Darul Harb) dhe e konsideronte të detyrueshme pushtimin dhe shkatërrimin e vendeve të shenjta. Nuk duhet harruar se dhuna dhe despotizmi ishin ndër karakteristikat e Muhamed Ibni Abdulvehabit.

Përveç të atit që ishte një kundërshtar i rreptë i Muhamed Ibni Abdulvehabit, edhe vëllai Shejh Sulejmani gjithashtu kishte refuzuar mendimet e tij. Në biografinë e tij shkruan se derisa babai ishte gjallë kishte qenë kundërshtar ndaj thirrjes (davetit) të Abdulvehabit. Por pas vdekjes së babait në vitin 1153 h., ai shfrytëzoi rastin dhe njerëzit e painformuar i thirri të besojnë në bindjet e tij. Pasi që Muhamed Ibni Abdulvehabi filloi haptazi të thërras njerëzit në sektin e tij, dijetarët e mëdhenj të botës së islame të asaj kohe dolën kundër tij. Shejh Sulejmani, vëllai i Abdulvehabit, i cili konsiderohej një dijetar i madh i medh'hebit Hanbeli, për të kundërshtuar bindjet e devijuara të vëllait të tij shkroi librin 'Al Savaikul Ilahije Fi Reddi Alal Vehabije'. Ai gjithashtu Abdulvehabit i kishte shkruar letra të shumta dhe e kishte ftuar atë t'i braktisë këto bindje dhe mendime të devijuara.

Në një letër, Shejh Sulejamani shkruan: "Po të shkruaj nga ato që kam mësuar nga dijetarët e mëdhenj të fesë islame. Në qoftë se i pranon fjalët e mia do ta falënderoj Zotin, por edhe nëse nuk i pranon përsëri do ta falënderoj Zotin për detyrën që po e kryej. Dije se All-llahu xh.sh. hz. Muhamedin s.a.v.s. e ka dërguar me Kur'an dhe me fenë e vërtetë, me qëllim që kjo fe të ngadhënjejë ndaj feve tjera dhe atij ia ka zbritur Librin që të sqarojë çdo gjë me argumente. Zoti e ka mbajtur premtimin e dhënë dhe feja Tij ngadhënjeu ndaj feve tjera". Shejh Sulejman në vazhdim duke sjellë ajete dhe hadithe dëshmon se ummeti i Profetit Muhammed është ummeti i zgjedhur dhe çdo individ është i detyruar të ndjekë këtë rrugë. Ai në vazhdim Abdulvehabin e fton të thellohet në ajetin 115 të sures Nisa, ku thuhet: "Kush i kundërvihet të dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur (në dynja) e e fusim në Xhehennem. Përfundim i keq është ai".

Por Muhamed Ibni Abdulvehabi nuk hoqi dorë nga bindjet e tij injorante dhe vazhdonte të shpallte jobesimtar çdokënd që ishte kundër mendimeve dhe bindjeve të tij. Shejh Sulejman në një vend tjetër flet për injorancën dhe kapacitetin e dobët të Abdulvehabit dhe duke iu drejtuar atij shkruan: "Pejgamberi Muhamed s.a.v.s. na ka mësuar që injoranti nuk ka të drejtë të imponojë mendimet e tij dhe ai është i detyruar të mësojë nga dijetarët për ato gjëra që nuk i di. Zoti në ajetin 7 të sures Enbija thotë: "... e nëse nuk dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm"". Në këtë mënyrë Shejh Sulejmani atij i thotë se 'ti je injorant dhe ke për detyrë që të pyesësh dhe të ndjekësh mësimet e dijetarëve'.

Megjithë kundërshtimet e dijetarëve ndaj këtyre bindjeve dhe mendimeve të Abdulvehabit, ai përsëri arriti që bindjet e tij të devijuara t'i shtrijë në mesin e disa personave të rajonit të Naxhdit. Analistët fetarë janë të mendimit se njëri ndër shkaqet e pranimit të bindjeve të Abdulvehabit nga ana e disa individëve të asaj kohe ishte varfëria e tyre kulturore dhe sociale. Ngase populli i atij rajoni jetonte në shkretëtirë dhe ishte tepër i privuar nga kultura, mësimi dhe arsimimi. Çdokush në mënyrë shumë të lehtë mund të mashtronte atë popull. Abdulvehabi i cili kishte oratori populiste, për një kohë shumë të shkurtër arriti që popullin e Naxhdit ka kthejë kah bindjet e tij.

Por gjithashtu nuk duhet harruar se pas tij qëndruan edhe Muhamed Ibni Saudi dhe kolonialistët anglezë.


- III -

Muhamed Bin Abdulvehabi pas disa shekujve përsëri filloi propagandimin e mendimeve të Ibni Tejmijes. Këto mendime të gabuara dhe përçarëse u përhapen në shek. 19 (13 h.) në kushte dhe rrethana të papërshtatshme dhe kritike për botën islame. Në këtë periudhë bota islame sulmohej nga të katër anët nga kolonialistët perëndimorë. Anglezët në lindje pasi pushtuan një pjesë të madhe të Indisë, synonin pushtimin e brigjeve të Gjirit Persik. Forcat e tyre në çdo moment përparonin drejt rajoneve jugore dhe perëndimore të Iranit. Francezët nën udhëheqjen e Napoleonit kishin pushtuar Egjiptin, Sirinë dhe Palestinën dhe mendonin të influencojnë edhe në Indi. Rusia cariste me sulmet e saj të vazhdueshme ndaj Iranit dhe perandorisë osmane, mundohej që okupimin e saj ta shtrijë në njërën anë deri në Palestinë, kurse në anën tjetër deri në brigjet e Gjirit Persik. Madje edhe amerikanët në atë kohë synonin pushtimin e disa shteteve islamike në veri të Afrikës. Ata me bombardimin e shteteve si Libia dhe Algjeria, deshën të shtrijnë pushtimin e tyre në botën islame. Në rrethana të tilla kur muslimanët kishin nevojë të bashkoheshin kundër sulmeve të njëpasnjëshme të armiqve perëndimorë e lindorë, Muhamed Abdulvehabi me mendimet e tij devijuese dhe me tekfirizimin e muslimanëve pengonte bashkimin e muslimanëve.

Padyshim se në këtë periudhë anglezët ishin të parët në ndikimin dhe shtrirjen e kolonializmit të tyre në mesin e muslimanëve. Metoda e njohur dhe me ndikim e tyre ishte të preokupojnë muslimanët me përçarje dhe gjëra të kota dhe në anën tjetër të grabisnin pasurinë e tyre. Për këtë arsye Anglia investonte shumë në përçarjen e medh'hebeve fetare në botës islame. Kështu që disa historianë janë të mendimit se krijimi i sektit të vehabizmit kishte të bënte me aktivitete të tilla të Britanisë së Madhe. Historia flet për marrëdhënie të ngushta mes Mister Hemfer (Mr. Hempher) spiunit anglez dhe Muhamed Bin Abdulvehabit. Mr. Hemfer në mesin e muslimanëve paraqitej si musliman dhe kishte bërë përpjekje të mëdha për krijimin e përçarjeve dhe vëllavrasjeve në mesin e tyre. Në kujtimet e tij, ky spiun anglez thotë se Abdulvehabin e ka takuar në qytetin e Basrës në jug të Irakut. Ms. Hemfer, Muhamed Abdulevehabin e përshkruan në këtë mënyrë: "Tek Muhamed Abdulvehabi e gjeta veten time të humbur. Tek ai pashë mosrespektimin e parimeve fetare, krenarinë dhe mendjemadhësinë, urrejtjen ndaj dijetarëve të kohës, pavarësinë e opinionit të tij, madje nuk i kushtonte rëndësi edhe katër Kalifëve të mëdhenj dhe bazohej vetëm në kuptimin dhe perceptimin e tij të dobët nga Kur'ani dhe Hadithi. Këto ishin ndër pikat e dobëta nëpërmjet të cilave arrita të ndikoj tek ai". Hemfer thotë se ai e ka inkurajuar të themelojë sektin e Vehabizimit dhe shkruan se Britania e Madhe kishte shprehur gatishmërinë për të përkrahur atë dhe Muhamed Bin Saudin.

Por dijetarët, populli, madje babai dhe vëllai i Abdulvehabit ishin kundër mendimeve dhe mësimeve të tij të palogjikshme. Ai kishte guxuar vetëm pas vdekjes së babait të tij t'i propagandojë mendimet e tij të cilat ishin në kundërshtim me bindjet e muslimanëve. Ai që në fillim u përball me kundërshtime të rrepta të dijetarëve dhe muslimanëve. Por Abdulvehabi nuk hoqi dorë asnjëherë nga bindjet e tij të devijuara. Muhamed Bin Abdulvehab në qytetin Hurejmele të Arabisë filloi të propagandojë sektin e vehabizmit dhe në këtë mënyrë shprehte mendimet dhe bindjet e tij. Por ky veprim i tij ngjalli reagimin e popullit dhe u detyra të braktisë këtë qytet. Prandaj dhe nga qyteti Hurejmele vajti në qytetin Ujejne. Guvernatori i Ujejnes në atë kohë ishte Osman Bin Ma'mar. Osmani e pranoi Abdulvehabin kurse ky i fundit Osmanit i premtoi se tërë popullin e Naxhdit do ta bindë që të përulet përballë tij. Por paralajmërimi i mbretit të rajonit 'Ahsa', Osmanin e detyroi që Abdulvehabin ta largojë nga qyteti.

Muhamed Bin Abdulvehabi pasi u shpall i padëshiruar në qytetin Ujejne, mori rrugën e Dir'ijje, qytet i njohur në rajonin e Naxhdit. Në atë kohë guvernator i Dir'ijjes ishte Muhamed Bin Saud, gjyshi i Al Saudit. Abdulvehabi nga guvernatori i qytetit kërkoi që të bashkëpunojë me të dhe i premtoi se do ta shtrijë pushtetin e tij deri në rajonet ku do të shtrihen edhe bindjet e vehabizmit. Muhamed Bin Saudi e pranoi propozimin e Abdulvehabit dhe në këtë mënyrë ata ranë dakord që gjithnjë pushteti të jetë në duart e familjes së saudëve, kurse propaganda fetare në duart e Abulvehabit dhe pasardhësve të tij. Për të përforcuar këtë marrëveshje ata gjithashtu e bënë edhe një martesë në mes dy familjeve.

Muhamed Bin Abdulvehabi bindjet e tij i propagandonte nën hijen e pushtetit të Al Saudit. Shumë shpejtë filluan sulmet dhe agresionet kundër fiseve tjera të këtij rajoni. Punën e parë që e bëri Abdulvehabi ishte rrënimi i varrezave të sahabëve dhe evliave përreth qytetit Ujejne. Ai muslimanët që kërkonin ndërmjetësimin e Profetit dhe evliave të Zotit i shpalli Mushrik dhe idhujtar dhe gjithashtu urdhëroi që ata të shpalljen jobesimtar (qafir). Abdulvehabi lejoi derdhjen e gjakut dhe vrasjen e tyre, kurse pasurinë e tyre e llogariti 'pasuri lufte'. Që nga kjo kohë ndjekësit e Abdulvehabit duke u bazuar në këtë dekret (fetva) të tij derdhën gjakun e mijëra muslimanëve dhe shkatërruan shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Një gjë nuk duhet harruar se populli i Dir'ijjes i cili në atë kohë ishte shumë i varfër dhe skamnor, me zgjerimin e agresioneve të familjes së saudëve dhe Abdulvehabit, u pasurua shumë nga mjetet që grabiteshin nga fiset tjera. Alusi, historian i Ehli Sunetit i cili edhe ai ka prirje selefite, në librin e tij 'Historia e Naxhdit' citon një historian tjetër me emrin 'Ibni Bushr Naxhdi', i cili ka thënë: "Unë (Ibni Bushri) në fillim isha dëshmitar i varfërisë së popullit të Dir'ijjes, por pastaj ky qytet në kohën e Saudit (nipit të Muhamed Bin Saudit) u shndërrua në një qytet të pasur deri në atë masë saqë armët e qytetarëve zbukuroheshin me argjend. Ata filluan të kalëronin kuaj fisnik dhe me origjinë, vishnin rroba luksoze dhe përfitonin nga të gjitha të mirat të cilat nuk mund t'i përshkruaj".

Megjithëkëtë Ibni Bushr në librin e tij nuk ka treguar se qytetarët e Dir'ijjes nga e morën gjithë këtë pasuri. Por kur i hedhim një vështrim më të thellë historisë së kësaj epoke, arrijmë të kuptojmë se e gjithë kjo pasuri është përfituar nga sulmet ndaj fiseve tjera muslimane të Naxhdit, të cilat nuk pranonin sektin e vehabizmit. Të gjitha këto pasuri menaxhoheshin nga Abdulvehabi, madje edhe Muhamed Bin Saudi vetëm me lejen e tij mund të merrte pjesën që i takonte. Metoda e Muhamed Abdulvehabit në shpenzimin e pasurive që grabitej nga muslimanët e rajoneve tjera, ishte individuale dhe ai ku donte shpenzonte këtë pasuri. Ndonjëherë ka ndodhur që ai gjithë pasurinë e grabitur në ndonjë luftë ta shpërndante në mesin e dy apo tre personave.

Muhamed Abdulvehabi popullin e qyteteve tjera e ftonte që të pranojë mendimet dhe mësimet e tij të gabuara në lidhje me besimin në Zotin Një, kurse çdokush që pranonte bindjet e tij ishte i sigurtë dhe në të kundërtën, i konfiskohej gjithë pasuria dhe kishte mundësi që edhe të vritej. Luftërat e vehabive që i zhvilluan në Naxhd dhe jashtë këtij rajoni si në Jemen, Hixhaz, përreth Sirisë dhe në Irak ishin të mbështetura në këtë parim dhe teori të Abdulvehabit. Çdo shtet që e sulmonin vehabitët, po të arrinin e bënin për vete dhe vazhdonin sundimin e tij, e nëse jo, atëherë mjaftoheshin me grabitjen e pasurive të atij shteti. Individët që pranonin bindjet e tij duheshin të besatoheshin dhe nëse shkelnin besatimin, atëherë lejohej vrasja e tyre. Në bazë të kësaj bindjeje, vehabitët njëherë vranë 300 burra të fshatit 'Fusul' në qytetin 'Ahsa' dhe kishin grabitur gjithë pasurinë e tyre.


- IV -

Muhamed Bin Abdulvehabi, themeluesi i vehabizmit, duke i akuzuar muslimanët me kufr, shirk dhe bid'at (risi) atyre u shpalli luftë në mënyrë të hapur. Ai i nxiti banorët e shkretëtirës së Naxhdit dhe rrethit të saj dhe me ndihmën e familjes 'Saud' arriti të krijojë një ushtri dhe kështu sulmoi qytetet dhe rajonet tjera të muslimanëve. Ushtria e Abdulvehabit dhe Saudëve, pasuritë e mbledhura nga lufta kundër muslimanëve e konsideronin si 'pasuri lufte'.

Tekfirizimi apo shpallja e tjetrit si jo musliman nga ana e Muhamed Abdulevehabit ishte aq e gjerë sa që përveç muslimanëve të zakonshëm përfshinte edhe disa dijetarë të mëdhenj të Ehli Sunetit. Megjithëse Abdulvehabi veten e paraqiste si pasues të sektit Hanbeli, por nuk kishte hezituar që edhe themeluesin e këtij sekti, Ahmed Bin Hanbelin ta shpallte si të pafe (kafir). Ai ishte i mendimit se Ahmed Bin Hanbeli një pjesë të librit të tij ia kishte kushtuar vizitës së varrit të Imam Husejnit në Qerbela dhe për rregullat që duheshin t'i zbatonin muslimanët gjatë vizitës së këtij varri. Abdulvehabi ishte i mendimit se vizita e vendeve të shenjta, varrezat e imamëve dhe evliave të Zotit ishte një shirk i madh dhe vrasja e vizitorëve dhe grabitja e pasurive të tyre nga ai llogaritej si një veprim i pëlqyer (mubah).

Gjatë historisë nuk ishin të paktë ata persona të cilët në kuptimin e fesë islame anonin kah bindjet fanatike dhe radikale. Edhe pse ndikimi i këtyre personave varet nga pozita politika, ekonomike, sociale dhe kulturore të periudhave të ndryshme, por megjithatë ata kanë ekzistuar vazhdimisht. Prandaj dhe Muhamed Abdulvehabi themeloi sektin e vehabizmit dhe me ndihmën e Muhamed Saudit vrau shumë muslimanë dhe u përpoq të përhapte sektin e tij.

Nuk duhet harruar se mendimet dhe sekti i Abdulvehabit nuk ishin të pranuar nga muslimanët që në fillim. Sejid Ahmed Bin Zejni Dehlan, mufti i kamotshëm i Mekes së Shenjtë dhe një dijetar i madh i Hixhazit në librin e tij 'Khulasetul Kelam' shkruan: "Derisa ishte gjallë Muhamed Bin Abdulvehabi në vitin 1165 h., disa dijetarë vehabit nga Naxhdi shkuan në Meke me qëllim që të debatojnë me dijetarët e këtij qyteti të shenjtë. Ata i prezantuan bindjet dhe mendimet e tyre dhe përballë tyre edhe dijetarët e Mekes i shprehën mendimet dhe bindjet e tyre. Por mendimet dhe bindjet e dijetarëve vehabit absolutisht nuk ishin të pranuara nga dijetarët e Mekes, sepse ishin në kundërshtim me sunetin e të dërguarit të Zotit dhe ajetet e Kur'anit të Madhërishëm. Dijetarët e Mekes me të dëgjuar argumentet e dijetarëve vehabit, ato i konsideruan devijuese dhe të pabaza. Në atë moment gjykatësi i Mekes i cili ishte prezentë në atë debat shkencor, urdhëroi arrestimin e dijetarëve vehabitë. Kështu që disa nga ata u arrestuan e disa arritën të iknin".

Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 1195 h. (1781). Një numër i dijetarëv vehabitë të qytetit 'Dir'ije', ku ishte dhe qendra e familjes saude dhe sektit vehabit, kishin vajtur në Meke që me dijetarët e atij qyteti të debatonin rreth 'Tevhidit' (bindjes në Zotin Një). Pas një debati të gjatë dhe të thellë, dijetarët e Mekes rezultuan se dijetarët vehabitë kanë devijuar nga feja islame dhe duke i izoluar ata nuk i lejuan që të kryenin ceremoninë e Haxhit. A thua pse dijetarët vehabitë shkonin në Meke për t'i përhapur bindjet e tyre? Sepse ky qytet është vendi më i shenjtë i muslimanëve dhe vehabitët synonin që këtë qytet ta fusnin nën sundimin e tyre dhe më pas shumë më lehtë bindjet e tyre t'i përhapnin nëpër vendet tjera të botës. Vehabitët ishin të bindur se me pushtimin e Mekes, muslimanët nëpër shumë vende të botës në vend të islamit të vërtetë do të pranonin bndjet e tyre të devijuara.

Në këtë mes, Muhamed Bin Saudi i cili që më herët njihej me Abdulvehabin, ishte kryetar i fisit të vogël 'Unejze' në shkretëtirën e Nexhdit dhe kishte arritur të forcohej duke iu bashkangjitur thirrjes së Abdulevahbit. Ai në këtë mënyrë sulmoi rajonet tjera të muslimanëve në këtë rajon dhe grabiti një pasuri tepër të madhe. Muhamed Bin Saudi pas 30 viteve të sundimit në Naxhd vdiq në vitin 1179 h. (1765). Pas tij në pushtet erdhi djali i tij, Abdulazizi. Abdulazizi kishte qenë prezentë kur babai i tij kishte nënshkruar marrëveshje me Abdulevahbin dhe sipas marrëveshjes ai do të trashëgonte pushtetin. Abdulazizi në kohën e sundimit të babait të tij ishte komandat i ushtrisë së tij dhe pas ardhjes në pushtet me ndihmën e Abdulvehabit kishte arritur të pushtonte një numër të madh të tokave arabe.

Por Muhamed Bin Abdulvehabi vdiq në vitin 1793 në moshën 96 vjeçare. Pas vdekjes së tijj, djemtë dhe nipat u kujdesën për përhapjen e bindjeve të sektit vehabi. Njëri nga nipat e tij është Abdul Latifi, i cili kishte mbledhur dhe shkruar bindjet dhe mendimet e këtij sekti. Djemtë dhe nipat e Abdulevabit në veprat e tyre kishin mbledhur, shkruar dhe komentuar bindjet dhe mendimet e tij.

Njëri nga krimet më të mëdha të vehabitëve që kishte lënduar zemrat e muslimanëve të botës ishte sulmi i tyre ndaj qytetit Qerbela në Irak dhe shkatërrimi i varrit të Imam Husejnit r.a. dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm në këtë qytet. Në vitin 1801 Saud Bin Abdulazizi, nipi i Muhamed Saudit, kishte arritur të armatosë 20 000 ushtarë arabë nga Nexhdi dhe kishte sulmuar qytetin e Qerbelasë. Në fillim ata kishin rrethuar qytetin e Qerbelasë dhe më pas më dhunë ishin futur brenda. Në atë kohë qyteti i Qerbelasë ndodhej në kulmin madhështisë së tij dhe shumë vizitorë iranianë, turq dhe arabë shkonin për të vizituar varrin e Imam Husejnit. Por saudi duke i shpallur jobesimtar të gjithë ata që shërbenin dhe vizitonin varrin e Imam Husejnit, i kishte vrarë të gjithë. Në këtë sulm të egër kishin shpëtuar vetëm ata që kishin arritur të iknin. Krimet dhe vrasjet e sauditëve në Qerbela janë të papërshkrueshme. Historianët thonë se në këtë sulm kanë humbur jetën 5000 banorë të Qerbelasë. Ushtarët vehabit të familjes saud nuk kishin patur mëshirë as për varrin e Imam Husejnit r.a. dhe e kishin rrënuar atë. Dëshmitë flasin se ushtarët sauditë kishin grabitur edhe pasurinë dhe arin që ndodhej përreth varrit të Imam Husejnit.

Fatkeqësia e Qerbelasë kishte ngjallur reagime të shumta në mesin e muslimanëve të botës dhe poetë kishin shkruar dhe kënduar elegji të shumta rreth kësaj tragjedie. Vehabitët 12 vite rresht kishin sulmuar Qerbelan dhe rajonet rreth saj, madje edhe qytetin e Naxhafit. Al'lame Sejid Xhevad Amoli i cili ndodhej në Irak kur vehabitët kishin sulmuar Qerbelanë, shkruan: "... Qyteti i Qerbelasë u sulmua në vitin 1801 nga ushtria saudite. Kjo ushtri vrau shumë gra dhe fëmijë. Vetëm Zoti e di sa sa dëme dhe të këqija i ka shkaktuar kjo ushtri popullit dhe mazoleumit të Imam Husejnit r.a.". Krimet e vehabive në Qerbela ishin bërë shkak i rritjes së urrejtjes së muslimanëve ndaj tyre dhe kjo urrejtje ishte rritur deri në atë masë sa që në vitin 1218 h. një shi'it kishte arritur ta vriste Abdulazizin 80 vjeçar.

Ushtria saude në vitin 1805 gjithashtu kishte sulmuar edhe qytetin e Naxhafit por për shkak të rezistencës së paparë të popullit të këtij qyteti, ishte detyruar që të tërhiqej. Historianët thonë se nxënësit dhe populli i këtij qyteti përkrahë dijetarit të madh shi'it Al'lame Kashef Al Geta kishin arritur të mbronin vendin e tyre nga sulmi i egër i vehabive. Ushtria saude gjatë këtij sulmi numëronte 15 000. Por qytetarët e Naxhafit ishin përgatitur aq mirë sa që kishin arritur t'i shkaktonin dëme jashtëzakonisht të mëdha ushtrisë saude. Por thuhet se ushtria saudite duke ikur nga Naxhafi kishte shkaktuar dëme tepër të mëdha nëpër fshatrat përreth këtij qyteti.

Të dashur miq, ashtu siç dëgjuat, liderët dhe ndjekësit e këtij sekti fanatik, me pamjen e tyre të rrejshme gjoja për kthimin në burimin e fesë islame, gjatë historisë kanë derdhur gjakun e shumë muslimanëve dhe kanë grabitur pasuritë e tyre. Kurse ajetet e Kur'anit të Madhërishëm, suneti i hz. Muhammedit s.a.v.s. dhe islami burimor muslimanët i ftojnë në vëllazëri dhe unitet. Nuk duhet harruar se historia i mban mend të mirat dhe të këqijat e të gjithëve me qëllim që njerëzit të mësojnë dhe të arrijnë të dallojnë të vërtetën nga jo e vërteta.



Përgaditi: agjensi-lajmesh

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...