Xhamia dhe ndikimi i saj në edukimin e brezave
Jemi në shekullin e 21-të, ku retë e paqartësisë mbulojnë trupin e planetit të vjetër, kur përjetohen "krizat e zhvillimit" të paparë ndonjëherë, kur jo çdokush merr mbi vete përgjegjësinë e dëshmitarit të sa e sa problemeve madhore që kërkojnë zgjidhje imediate.
Problemet janë ato që zbehin ngjyrat e jetës, që hedhin benzinë në zjarrin e vuajtjes, që hapin plagë të reja në koren e sapombyllur të atyre të vjetra, që ngrijnë buzëqeshjen e çiltër dhe thajnë lotët nëpër faqe.
Problemet janë ato që gjenerojnë kriza, që dekonspirojnë autoritete, që thellojnë divergjencat midis gjithçkaje, që hapin rrugën drejt regreseve marramendëse.
Por problemet janë edhe ato që, nëse të ndriçon zemrën imani, jo vetëm i zgjidh apo u jep përgjigje me sukses, por bëhen burime frymëzimi dhe akte të denja vërtetësie njerëzore, bëhen flatra të dashurisë dhe mëshirës që rrethojnë çdo vatër.
Nejse, le ta lemë këtë udhëtim paksa të ngatërruar dhe të zbresim në stacionin më të afërt.
Vendi ynë, një tërësi inteligjente - mjerisht jo kompakte - hera-herës tronditet nga lëkundjet sizmike që godasin diku për inerci e diku jo, si shkak i atij tërmeti të madh ateist, që shkatërroi, mbi të gjitha, shpirtin e shqiptarit.
Dhe tronditet toka, tronditet e bardha dhe e zeza, e mira dhe e keqja, tronditet çdo qenie që, më së pakti, i hap sytë në mëngjes për të parë lindjen e diellit.
Tronditen besimtarë e jobesimtarë, tronditet bota e besimit dhe bota e mohimit, tronditen objektet e kultit dhe ndërtesa të tjera, tronditet jeta në përgjithësi, tronditet gjithçka.
Pa dyshim ekziston një lidhje organike midis të gjithave, një lidhje konkrete, e prekshme, e dukshme, e domosdoshme, që nga njëra anë grish për reflektim dhe nga ana tjetër e thellon akoma më tepër hendekun.
Dhe në këtë mori shfaqjesh makabre, ajo që më prek më shumë, është momenti kur tronditet shtëpia e Zotit - xhamia, kur tronditet trualli i saj i bekuar, kur shpirtrat e vdekur për së gjalli e nxisin apo e stisin këtë në një formë apo një tjetër, fshehurazi apo haptas, thjesht nga mosbesimi apo nga dobësia e besimit që dështon para interesit vulgar.
Si guxojnë dhe luajnë me mallin e Zotit, me mallin e përbashkët të shoqërisë së besimit dhe më gjerë!? A nuk mjaftojnë argumentet e gjalla dhe drithëruese të së kaluarës për të kuptuar se feja është e shenjtë, se kush luan me të luan me përjetësinë e vet.
Loja e madhe, lojtarët e mëdhenj, loja e vogël, lojtarët e vegjël. Dhe ne bëjmë pjesë në njërën prej tyre dhe kjo varet gjithsesi. Por, në do të fitojmë apo jo, kjo është çështje tjetër, është diçka që duhet të presë radhën e kërkuar.
Vorbullat e ndryshimeve për një jetë më të mirë e më të bukur, më të pastër dhe më të begatë, sjellin me vete dilema të mëdha, dilema për zgjedhje dhe për zgjidhje.
Populli ynë, sa trim aq dhe i vuajtur, sa i varfër aq dhe bujar, pas gjithë asaj të kaluare të hidhur, duhet të ketë gjithmonë parasysh e të shndërrojë në bindje të plotë dhe kërkesë për zhvillim, mësimin e madh se e vërteta ngrihet veç mbi të drejtën dhe se e drejta të udhëheq kur kuptohet pyetja e shtruar me ngurrim: "Përse na krijoi Allahu, përse na solli në këtë botë dhe çfarë është urtësia e kësaj peripecie të cilën e përjetojmë"?
Allahu xh.sh. e krijoi njeriun me kureshtjen e mbjellë instiktivisht në të, që nëpërmjet saj t'i mësojë fshehtësitë e kësaj bote dhe vetvetes e, nëpërmjet vetvetes, të njohë Krijuesin. Duke e njohur Krijuesin e tij të lartë, do të fillojë ta adhurojë e ta dojë Atë e, në këtë mënyrë do t'i meritojë dashurinë dhe dhuratat e Tij.
Për këtë Allahu xh.sh. edhe na krijoi, ta adhurojmë, të na dojë dhe shpërblejë. Por, Ai edhe na dënon që të na bëjë të vetëdijshëm dhe të na zgjojë nga gjumi, duke dashur njëkohësisht të na aftësojë për dashurinë dhe begatinë e Tij.
Njeriu është mbrujtur me dashuri, për t'adhuruar Zotin është krijuar. Mes krijesave, m'i larti është ai dhe për dashuri është dënuar!
Të jesh njeri i vërtetë, do të thotë ta ndjesh se guri që po vendos shërben për të ngritur atë ndërtesë prej së cilës do të kenë dobi të gjithë.
Dihet se njeriun nuk e bëjnë të lumtur vetëm të mirat materiale. Një shtet mund të ketë përgatitje cilësore, shkolla, institucione të tjera arsimore, dijetarë të rrallë, mirëpo, nëse shtetasit e tij nuk janë të pajisur me besim te Zoti dhe me moral e ndjenja të pastra ndaj Atdheut, dihet se gjithçka është në rrugën e shkatërrimit.
Të mos harrojmë:
Progresi apo rrënimi i një kombi varet nga morali dhe ndërgjegja, edukimi dhe shkollimi i rinisë së tij. Kështu, ndërsa kombet që janë kujdesur për rininë i kanë të hapura dyert e progresit, kombet që neglizhojnë rininë, është e pamundur të bëjnë qoftë edhe një hap përpara.
Dihet se rinia është pasuria më e madhe e një populli. Ajo është gëzimi i së kaluarës, shpresa e së sotmes dhe e ardhmja e së nesërmes.
Rinia është udhëheqja dhe paria, edukatore e popullit dhe pasqyra reale e tij, fuqia e ardhme shkencore, ekonomike dhe politike. Para zërit të saj, joshen të gjithë.
Dhe që të kemi një rini të shëndoshë, duhet të fillojmë punën qysh nga fëmijëria, pra të kujdesemi për mjedisin, rrethin dhe shoqërinë ku formohen dhe edukohen të rinjtë. Infektimi i trupit mund të shërohet, por ai i shpirtit shërohet me shumë vështirësi dhe të mos harrojmë se rinia është shumë e ndjeshme, sidomos në këtë periudhë kohore të tensionuar plot sfida të ndryshme.
Sot, në botën e ankthit dhe të pasigurisë, në botën e lakuriqësisë në emër të zhvillimit, në botën e vlerësimit të materies përmbi shpirtin, në botën e oshëtimave dhe zhurmave të mëdha shurdhuese, kthimi te feja hyjnore, te Islami, është drita e vetme udhërrëfyese drejt qiellit, drejt botës së lumtur dhe të amshuar, kthimi te xhamitë, te simbolet e Allahut në tokë, është gjetja, ngritja dhe shpëtimi i sigurtë i vetvetes.
Xhamitë, këto objekte jetësore për shoqërinë, bëjnë të mundur që njerëzit të realizojnë në mënyrë të përbashkët detyrat që i kërkon prej tyre feja, besimi dhe Atdheu.
Dimensioni i tyre shpirtëror, i vë ato në qendër të popullit musliman, veçanërisht të rinisë islame.
I riu apo e reja myslimane, sot, më tepër se kurrë, ka nevojë për xhamitë. Kjo nevojë e pastër islame buron nga dëshira e thellë për besimin e pastër, për thithjen e moraleve të larta, për zbatimin e urdhrave të dhuruara nga Islami, si dhe për drejtësinë absolute që përftohet nga adhurimi i sinqertë ndaj Zotit Fuqiplotë.
Dhe kjo nuk mund të realizohet kurrsesi në ndonjë vend tjetër jashtë xhamisë. Ky ishte dhe shkaku i përpjekjeve vigane të Pejgamberit tonë të nderuar a.s., për të ndërtuar një xhami madhështore në Medine. Me anë të kësaj xhamie, ai i bashkoi njerëzit si një trup i vetëm dhe i edukoi me moralin islam.
Nga rregullat e fesë islame dhe edukatës që ajo përcjell, është përhapja e dashurisë dhe harmonisë midis muslimanëve në veçanti dhe krijesave në përgjithësi. Dhe nuk ndodh që myslimanët të mblidhen në xhami e kjo, më e pakta pesë herë në ditë, ku mos të shfaqen në të njëjtin nivel nocioni i pozitës dhe i pasurisë, duke konkluduar që shpirti i barazisë dhe i vëllazërisë nuk mund të arrihet thjesht me mjetet shprehëse.
Islami e shpërndan shpirtin e barazisë dhe të drejtësisë midis myslimanëve dhe krijesave në tërësi në fusha dhe gjendje të ndryshme. Por nuk mund të plotësohet ky mision fisnik, nëse myslimanët nuk takohen në njërën prej shtëpive të Zotit të madhëruar, në xhami, për çdo ditë, duke u rreshtuar të gjithë në safe të drejtë me një qëllim të përbashkët: adhurimin e Allahut Një, të Vetëm.
Nga veçoritë e shoqërisë islame është ndërtimi i njeriut mysliman dhe i familjes islame.
Nga detyrat kryesore të kësaj familjeje është ngritja apo krijimi i brezave të mirë, meshkuj apo femra, si dhe edukimi i tyre me besimin e patundur te Zoti i madhëruar dhe vlerën e çerdhes familjare që njeh pasardhësit e vet, rrugën që duhet të ndjekin në jetë, si dhe të gjitha ato parime e vlera morale që rregullojnë dhe japin suksesin në këtë botë dhe në botën tjetër - Ahiret.
Dhe mbi të gjitha këto, është detyrë parësore e familjes islame që të edukojë brezat me edukatën hyjnore që rrjedh prej librit të Allahut të madhëruar dhe rrugës së Profetit a.s. Ajo që dua të theksoj, është fakti që ky edukim nuk mund të realizohet duke u shkëputur nga xhamia, sepse kjo e fundit, bën edukimin paralel pozitiv të shoqërisë, duke mbjellë në shpirtrat e njerëzve mirësitë dhe cilësitë e larta, aq të kërkuara në ditët e sotme.
Për këtë shkak, lidhja që ekziston midis xhamisë dhe familjes së besimtarit, është një lidhje e fortë dhe e sigurtë që nuk lejon asnjërën prej tyre që të mos ketë nevojë për tjetrën.
Nga shtëpia e myslimanit, pra nga familja islame, prodhohen ata breza për të cilët ajo kujdeset në fëmijërinë e tyre dhe më pas i del detyra e nxitjes së tyre për të shkuar në xhami, me qëllim që të formojnë personalitetin në gjirin e kulluar të shoqërisë islame.
Xhamia ka qenë, është dhe do të mbetet baza kryesore ku krijohet personaliteti i besimtarit, është themeli i pathyeshëm ku mbështetet individi dhe shoqëria për të gjitha kohët:
- Pa xhaminë, nuk mund të arrihet edukimi i plotë i njeriut në besim, në moral, në shpirt dhe në shoqëri.
- Pa xhaminë, nuk mund të dëgjohet zëri i thirrjes madhështore Allahu Ekber (Allahu është më i madhi), zë i cili ngrihet në qiellin e kësaj bote dhe trondit ndjenjat e lëviz zemrat.
- Pa xhaminë, myslimani nuk mund të marrë mesazhet që përcjell hutbeja apo ligjëratat e ndryshme, me anë të së cilave ai rrit dhe forcon botën e brendshme të tij.
-Pa xhaminë, myslimani nuk mund të mësojë fenë e tij, hallallin dhe haramin, ligjet e jetës dhe të zhvillimit shoqëror.
- Pa xhaminë, myslimani nuk mund të mësojë Kur'anin - Fjalën e Zotit xh.sh..
- Pa xhaminë, myslimani nuk mund të jetë i butë me myslimanët e tjerë dhe me të gjithë njerëzit në përgjithësi.
- Pa xhaminë, shpirti nuk mund të aktivizohet në dashuri, mëshirë dhe në bashkëpunimin në të mira.
- Pa xhaminë, shpirti nuk mund të gjejë vend ngushëllimi nëse preket nga fatkeqësitë.
- Pa xhaminë, shpirti nuk mund të gjejë vend paqeje, qetësie dhe kurajoje për të përballuar sfidat e jetës.
Për këto shkaqe, xhamitë kanë nxjerrë breza të pastër, të kthjellët, të dashur dhe paqtues, të cilët kanë qenë të parët që kanë kontribouar në zhvillimin e popujve të tyre, duke u shndërruar në pishtarë udhëzues dhe shembuj të lartë për t'u pasuar. Ata u bënë argumente të gjallë për çdo fushë të jetës, duke lumturuar jo vetëm kombet përkatës, por të gjithë njerëzimin.
Lufta e ashpër ndaj xhamive ka si qëllim final eleminimin e vetë Islamit dhe të pasuesve të tij.
Janë përpjekur armiqtë e fesë me të gjitha forcat dhe mjetet ushtarake për ta shkatërruar atë, por s'kanë mundur t'ia arrijnë qëllimit as edhe një herë të vetme. Edhe atëherë kur kanë menduar se kanë arritur fitore, shumë shpejt është kuptuar se feja islame, feja hyjnore, feja e pranuar tek Allahu i madhëruar, është forcuar akoma më tepër.
Le të mos harrojmë ...
"Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata të mos e ndryshojnë gjendjen e tyre ...". Dhe gjendja jonë duhet të ndryshojë nga rrënjët, duhet të jemi krejtësisht të qartë dhe të bindur për detyrat tona ndaj xhamive, detyra që mund të përmblidhen shkurtimisht në këto pika:
1. - T'i përmbahemi mesazhit të xhamive, një mesazh gjithpërfshirës.
2. - Të jemi vigjilentë ndaj kurtheve të armiqve kundrejt xhamive, duke i zbuluar ato, duke u mobilizuar totalisht për shkatërrimin e tyre.
3. - Të përpiqemi seriozisht dhe maksimalisht, që të përhapim mesazhin e xhamive dhe t'i ndërtojmë ato në atë formë dhe në ato vende që dëshiron dhe na mëson Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij, Muhamedi a.s. me moton: Ndërtim dhe adhurim - mësim dhe edukim dhe jo siç e shikojnë apo përpiqen ta trumbetojnë pabesimtarët: formë dhe jo përmbajtje, domethënë jo diamant që shkëlqen dhe të ndriçon rrugën me dritën e tij, jo dritë që udhëzon drejt fitores së përjetshme.
4. - Të ndërtojmë xhami në çdo fshat, qytet, etj., xhami që i përshtaten vendit dhe kohës, për t'i dhënë mundësi gjithkujt që të përfitojë prej mesazhit të tyre fisnik.
5. - T'i kompletojmë xhamitë me personelin shërbyes të duhur, duke filluar nga imami, hatibi, myderrizi (mësuesi), myezini dhe kujdestari i saj. Ata duhen përzgjedhur në mënyrë të tillë që të jenë më të sinqertët dhe më të drejtët në punën e tyre.
6. - Të ruajmë shenjtërinë e xhamive duke mos ia lënë ato amanet kurrkujt, përveçse njerëzve të lartë dhe besnikë ndaj Islamit.
7. - Të mos lejojmë kurrsesi kthimin e tyre në vende ku predikohet e kundërta e asaj çka mëson feja islame.
Përfundimisht theksoj se xhamia është vendi më i shenjtë dhe më i nderuar mbi sipërfaqen e tokës, ngase në të adhurohet Krijuesi i të gjitha botëve, në të gjejnë prehje të gjitha krijesat, engjëjt, njerëzit dhe xhindet. Xhamia është vendi ku besimtari në mënyrë imediate ballafaqohet me mëshirën e Krijuesit të tij dhe pas kësaj fiton të drejtën e vazhdueshmërisë në jetën e përsosur dhe të pastër, duke bërë lidhjen e botës së tij fizike me atë shpirtërore, duke u bërë pararojë e të gjithë atyre që e vlerësojnë Islamin ashtu sikurse është: rrugë e kompletuar e mënyrës së të jetuarit të vërtetë, udhërrëfyes i dërguar nga Allahu xh.sh., Zoti i vetëm dhe Krijuesi i Gjithësisë.
"Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës… (E ndezur është kjo Dritë) në ndërtesat që Allahu ka urdhëruar të ngrihen (të pastrohen e të nderohen), në to emri i Tij ngrihet në qiell me madhështi në mëngjes, pasdite dhe në mbrëmje. (E lartësojnë Atë me madhërim) burra të cilëve as tregtia dhe as shitja nuk ua largon vëmendjen nga të përkujtuarit Allahun (me zemër e me gojë), as nga falja e rregullt e përcaktuar ditore sipas kohëve e as nga dhënia e zekatit. Ata kanë frikë një Ditë kur zemrat dhe sytë do të rrotullohen e përmbysen (nga tmerri i ndëshkimit të Ditës së Llogarisë). Që Allahu të mund t'i shpërblejë ata sipas veprave të tyre më të mira, madje edhe duke shtuar akoma më tepër për ta nga mirësia e Tij. E Allahu i dhuron të mira pakufi atij që do Ai", (Nur: 35-38).
Autor: Behaudin GASHI


