Haxhi, udhëtimi i zemrave
Haxhi është një udhëtim i veçantë në botën e udhëtimeve. Me këtë rast besimtaret e besimtarët myslimanë kalojnë me trupin dhe zemrën e tyre në territoret e Faltores së Shenjtë, Qabes, të cilën Allahu e bëri simbol të monoteizmit (besimit në një Zot të vetëm) dhe detyrim për ta, që t'i drejtohen asaj çdo ditë gjatë kryerjes së faljes: "Kudo që të jeni (o besimtarë), kthehuni në drejtim të saj (Qabes)", (Bekare, 144).
Zoti ua bëri myslimanëve detyrim vizitën e Shtëpisë së Shenjtë, të paktën një herë në jetën e tyre. Kjo shtëpi antike është e para në fytyrë të dheut, që u ngrit për adhurimin e Zotit të Madhëruar. Ndërtuesit e saj janë profetët e nderuar Ibrahim dhe Ismail (paqja dhe mirësitë e Zotit qofshin mbi ta). Teksa ngrinin themelet e Qabes, ata i luteshin Zotit: "Zoti ynë, pranoje prej nesh, sepse vërtet Ti je që dëgjon dhe di!", (Bekare, 127).
Ibrahimi a.s. është i njohur në histori si armik i shirkut (politeizmit) dhe simbol i njësimit (monoteizmit), pra i Islamit të pastër. Profeti Ibrahim, mbi bazën e mesazhit qiellor, na emërtoi besimtarë të një Zoti të vetëm dhe nuk është për t'u habitur që të ketë lidhje shpirtërore midis tij dhe brezave të tjerë më pas, deri në ditët e sotme. Edhe pse epokat historike janë të largëta, lidhjet tona me jetën dhe veprën e profetit Ibrahim nuk janë zbehur, përkundrazi, punën e këtij njeriu koha do ta ruajë si një diamant të cilit nuk i humbet shkëlqimi.
Nuk është aspak e rastit që shumë rite të Haxhit janë të lidhura me ngjarjet nga jeta e Ibrahimit dhe birit të tij, Ismailit a.s. Kur'ani i shenjtë, profetit Ibrahim, i jep vend të posaçëm dhe rëndësi të jashtëzakonshme në histori.
"Thuaj: Zoti im më përudhi në rrugë të drejtë. Kjo është fe e vërtetë, feja e Ibrahimit, i cili ishte larg besimeve të kota. E kush largohet prej fesë së Ibrahimit, përveç atij që ul, poshtëron vetveten. Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve", (Bekare, 130).
Haxhi përmban shumë elemente prej kohërave të mëparshme. Qabja në kohën paraislame ishte vendi më i shenjtë për arabët. Islami e vuri në vend rolin e saj. Ajo mbetet edhe më tej faltorja e Zotit të Madhëruar, ku adhurohet vetëm Ai, pa kurrfarë ndërmjetësimi. Në erën e re islame ajo u desh që të spastrohet prej të gjitha llojeve të idhujtarisë, duke u bërë simbol i bashkimit të popujve në mbarë botën. Edhe sot ka një rol me rëndësi për forcimin e vëllazërimit islam, për afrimin dhe njohjen e popujve.
Në mjediset e Shtëpisë së Shenjtë, profeti Muhamed a.s. ka bërë pajtimin e fiseve të Mekës, ku grindjet mes tyre shpesh shkaktonin gjakderdhje. Nga Qabja dhe Arafati gjithmonë janë dhënë mesazhet e bashkimit, dashurisë dhe paqes mes popujve. Jehona e këtyre mesazheve përjetohet në zemrat e besimtarëve, kur rrotullohen rreth Shtëpisë së Shenjtë dhe qëndrojnë së bashku në Arafat e në Mina.
Haxhi përbëhet nga rite që përmbajnë kuptime të holla dhe ndjenja të larta, e nëse e kuptojmë këtë gjuhë simbolesh, atëherë do të jetë më e lehtë të kuptojmë shumë sekrete të këtij adhurimi.
Nijeti
Islami i vlerëson veprat sipas qëllimit. Udhëtari-haxhi, përpara se të nisë udhëtimin e tij, vendos me zemër të pastër që të ndërmarrë këtë udhëtim për hir të Zotit të Madhëruar dhe me qëllim për të plotësuar një nga shtyllat e fesë.
Qëllimi është hapi i parë i brendshëm që buron nga shpirti i besimtarit. Që nga çasti kur besimtari vendos për haxh, në botën e tij të brendshme ka nisur udhëtimi e adhurimi. Ky është hapi i parë i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm, sepse pas nijetit duhet të vijë veprimi, duhet lëvizur për t'u vënë në jetë qëllimi. Gjithsesi, pa këtë vendim të sinqertë me vetveten, veprimi do të ishte një hap mekanik ose rastësor.
Ihrami
Haxhi fillon në mijkat (vend i përcaktuar nga Sheriati) ku vishet rroba e bardhë, ihrami (veshja e posaçme për burrat, kurse gratë mbajnë veshje të zakonshme). Veshja e bardhë nuk është veçse zhveshje nga pasionet e teprimit dhe krenarisë, për t'i hapur rrugën përuljes para Zotit të Madhëruar. Veshja e ihramit fshin të gjitha dallimet mes njerëzve. Të gjithë integrohen në një tërësi të vetme, të përshkuar nga të njëjtat ndjesi. Tashmë para Allahut të Madhëruar, të gjithë janë të barabartë, nuk ka tituj e grada. Këtu vlen realiteti se më i afërt tek Allahu i Madhëruar është ai i cili ruhet më tepër prej mëkateve, më i përkushtuari dhe më i dobishmi për njerëzit.
Ai që vesh ihramin dhe nuk kërkon falje për mëkatet, nuk e ka kuptuar esencën e kësaj veshjeje të bardhë. Të ndërgjegjësuarit për gabimet e bëra, është hapi i parë drejt shpëtimit. Çasti i pendesës është ai i njohjes së fajit.
Gjuajtja e guralecëve dhe qënfrimi në Arafat e Mina
Po kujtojmë një ngjarje me rëndësi nga jeta e profetit Ibrahim, kur ai u urdhërua të bënte kurban të birin Ismail.
Djalli i mallkuar i sugjeroi Profetit ta kundërshtonte këtë, por ai refuzoi. Kështu, gjuajtja e guralecëve, për të mposhtur cytjen nga shejtani, simbolizon luftën e brendshme të njeriut kundër së keqes. Hedhja e gurëve në vendin e kësaj ngjarjeje unike do të përjetohet si një pendim i sinqertë dhe kthim tek Allahu i Madhëruar, moment kur njeriu duhet të mposhtë pasionet e verbra brenda vetes.
Gjatë qëndrimit në Arafat, në këtë tubim madhështor, Allahu i Madhëruar zbret mëshirën e Tij mbi njerëzit. Aty haxhinjtë bëjnë lutje e nëpërmjet tyre i kërkojnë Atij të mirat e kësaj bote e të botës tjetër. Sipas një thënieje profetike: "Dita kur Allahu shpëton më shumë njerëz nga zjarri është ajo e Arafatit".
Rikthimi i haxhinjve në Mina i jep udhë çastit shumë të rëndësishëm të flijimit dhe ideve themelore që lidhen me të. Filozofia e kësaj dispozite është falënderimi i Zotit të Madhëruar për mirësitë e jetës, që Ai i dhuroi njerëzimit, si dhe përmbushja e amanetit të profetit Ibrahim, të urdhëruar të flijojë kafshën, me të cilën zëvendësoi flijimin e të birit.
E me anë të kësaj, të festojmë lehtësimin që pëlqeu Zoti për ne, madhështinë e durimit dhe sakrificës, ashtu siç e përjetuan edhe profetët, e sidomos Ibrahimi a.s..
Besnikëria, dashuria dhe përkushtimi ndaj Allahut shprehen përmes veprave të mira e të dobishme për të gjithë. Çdo sakrificë duhet të bëhet për hir të Zotit dhe duhet të sjellë dobi për njerëzit. Haxhi na jep rastin të jetojmë nën shembullin e lartë të mikut të Zotit, Ibrahimit a.s. dhe të ndjekim gjurmët e familjes së tij të pastër. E gjitha kjo, për të pohuar edhe me veprim, se ajo që na bashkon është vetëm adhurimi ndaj Tij, e qëllimi ynë i vetëm është të ecim në rrugën e Tij.
Përgatiti: Revista Drita Islame, Shtator 2015.


