Nata e Kadrit, pika kulminante e muajit të ramazanit



Pika më kulminante

Lejletu'l-Kadri (Nata e Kadrit) është pika më kulminante e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në këtë natë zbriti Kur'ani Kerimi, Libri i fundit i Allahut të Madhërishëm tek Pejgamberi i Tij i fundit, Muhammedi s.a.v.s., i cili Libër është udhëzim për njerëzimin. Kur'ani Kerimi e përshkruan këtë natë kështu:

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

"Ne e zbritëm atë (Kur'anin) në Natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit", (Kur'an, El-Kadr: 1-5).

Nata e Kadrit është natë e lumturisë shpirtërore. Transmetohet nga i Dërguari ynë i dashur s.a.v.s. të ketë thënë lidhur me Ramazanin:

"Vërtet ky muaj erdhi tek ju, dhe brenda tij gjendet një natë që është më e mirë se një mijë muaj. Secili që privohet nga ajo, privohet nga çdo e mirë, dhe askush nuk privohet nga mirësia e saj, përveç personit tërësisht të pafat", (Ibni Maxhe).

"Secili që ngrihet (për namaz) në Natën e Kadrit nga besimi dhe me shpresë për shpërblim, do t'i falen të gjitha mëkatet e kaluara", (Tergib).


Më e mirë se një mijë muaj

Një mijë muaj janë ekujvalentë me 83 vite e katër muaj. Vërtet fatlum është personi që këtë natë e kalon në namaz. Secili musliman ose muslimane që falet të tërë natën gjatë Natës së Kadrit, do ta meritojë bekimin dhe shpërblimin sikur të jetë falur vazhdimisht për një periudhë kohore prej 84 vitesh e katër muaj. Meqë Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj, askush në të vërtet nuk mund ta masë se sa vlerë ka ajo.


Ekskluzive

Pejgamberi i bekuar, Muhammedi s.a.v.s., ka thënë:

"Allahu xh.sh. Natën e Kadrit ia ka dhuruar Ummetit tim. Asnjë populli më përpara nuk i është dhënë ajo", (Dur-Mensur).

Se si manifestohet dhe shtrihet bujaria dhe mëshira e veçantë e Allahut xh.sh. mbi këtë Ummet është vërtetë përtej imagjinatës. Andaj, do të ishte jashtëzakonisht qesharake që të lejojmë veten të privohemi nga këto bekime të mëdha nga shkaku i përtacisë dhe disa orëve gjum ekstra.


Cila natë është ajo?

Megjithëse ekzistojnë raporte të ndryshme në tradita të ndryshme lidhur me atë se kur është kjo natë saktësisht, është pothuajse unanime ajo se kjo natë e bekuar bie në njërën nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe me gjasë të madhe në netët tekë nga to, pra, nata 21, 23, 25, 27 ose 29.

Megjithatë, mendimi më i njohur është në favor të natës së 27 të Ramazanit, por sigurisht që kjo nuk është e sigurt në mënyrë absolute. Traditat na bëjnë me dije se ajo duhet të kërkohet në njërën nga dhjetë netët e fundit të muajit të bekuar, gjegjësisht në tri netët e fundit nga to që janë tek (pra, nata e 25, 27 dhe 29 - shën. i përkth.). Prandaj, traditë e Pejgamberit s.a.v.s. dhe e sahabëve r.a. ishte të bënin I'tikaf në xhami gjatë gjithë dhjetë ditëve e netëve të fundit të Ramazanit nën shërbim hyjnor.

Hazreti Aishja r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

"Kërkojeni Natën e Bekuar tek netët tekë nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit", (Buhariu).

Hazreti Aishja r.a. transmeton sërish:

"Pyeta: O i Dërguar i Allahut! Më trego nëse e gjej Natën e Kadrit, çfarë duhet të lexoj në të? Pejgamberi s.a.v.s. e këshilloi që të lexonte: All-llahumme inneke 'afuvvun tuhibbu'l-afve fa'fu 'anni! O Allah! Ti je Falës, Ti e do faljen, andaj më fal mua!", (Buhariu).

Pra, vëmendje të veçantë duhet kushtuar leximit të shumtë të kësaj du'aje gjatë kësaj nate të bekuar. Për më tepër, mund t'i përkushtohemi namazit të natës, pra duke i zgjatur reqatet e tij, leximit të Kur'anit, du'ave, dhikreve të ndryshme, etj..

Adhurimi dhe të ndejurit zgjuar gjatë Natës së Kadrit janë trajtim për shpirtin. Zemra priret të shkrihet nën lotët e mirënjohjes së përzemërt. Trupi është në një ekstazë engjëllore. Shpirti përpiqet që të arrijë sa më afër Allahut të Lartmadhërishëm. Pra, le ta kërkojmë dhe shfrytëzojmë këtë natë të bekuar të këtij muaji të bekuar. Allahu xh.sh. na dhuroftë begati, mëshirë, falje dhe na takoftë në xhennetet e Tija të mrekullueshme, Amin!



Shqipëroi: Daim Abazi

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...