Ateistët dhe feja



Ateistët thanë se feja është rezultat i injorancës dhe primitivizmit dhe me përhapjen e diturisë lajthimi gradualisht fillon të zhduket dhe vetëdija religjioze fillon të bie.

Ndërkaq, shtrohet pyetja: ku është ajo vijë horizontale në të cilën njerëzit pushuan së besuari aty për aty, në cilën ditë, orë ose minutë?! Padyshim që një vijë e tillë horizontale nuk ekziston. Ndërkaq ekziston vija e përhershme vertikale, ku mosbesimin e përcjell besimi. Mbi këtë flasin të dërguarit e Zotit: 'Musa, Isa dhe Muhammedi a.s.'.

Prandaj, nuk duhet të shtrohet pyetja pse njerëzit anojnë nga besimi, sepse të besuarit është ndjenjë e natyrshme dhe në përputhje të plotë me thelbin e njeriut (el-fitrah), por duhet pyetur përse njerëzit anojnë kah mosbesimi dhe materializmi.

Mosbesimi është ikje nga vetja, koha e të qenit pa fe është koha kur njerëzit largohen nga rruga e Zotit dhe harrojnë misionin e tyre në Tokë. Pejgamberi a.s. tregon se All-llahu i madhëruar në një hadith kudsi ka thënë: "Unë i krijova robërit e Mi në fenë e drejtë (pastër islame), por shejtanët i bëjnë që ata të humbasin rrugën e drejtë", (sipas Muslimit).

Po të vështrojmë cilindo popull, cilëndo kulturë, do të vërejmë një ligjshmëri të pandryshueshme: Popujt të cilët kanë dalë në skenën botërore, popujt e rinj, të fuqishëm dhe të shëndoshë, kanë besuar, ndërkaq popujt në rënie dhe shuarje të fuqisë së tyre, janë bërë skeptikë dhe indiferentë. Me lartësimin e shpirtit njerëzit kanë realizuar veprat më të mëdha në histori, ndërkaq me ateizëm kanë shkruar vepra për dollapë, kurse përmes besëtytnive jetën e kanë jetuar sot për nesër.

Feja tek njeriu pra është ndjenjë e natyrshme (el-fitra) dhe e lindur e cila është zhvilluar nga admirimi dhe ndjenja e fshehtësisë, sipas së cilës janë të barabartë Gazaliu, Rumiu, Ikballi, Dekarti, Paskali, Ajnshtajni, njeriu i rëndomtë, gjysmanalfabet dhe analfabet.

Përkundër diskutimeve, problemi i fesë mbetet, në rend të parë, pyetje e ndjenjave, problem i 'vetëdijes universale' sikurse do të thoshte Abbas El-Akkad. Ky është problem i shikimit gjithëpërfshirës dhe i pikëpamjes universale, i cili e lë pas dore arsyen, e beson dhe e ndien të Vërtetën, e cila gjendet çdo kund: përreth, mbi, nën, djathtas, majtas ... E sheh All-llahun në rregullimin e gjithësisë dhe bukurinë e tij, në harmoni të qenies së vet dhe bukurisë së tij, në ndjenjën e shenjtërisë dhe magjepsjes, e cila përshkon kur bie nata dhe kur yjet paraqiten në qiell.

Ibn Ataullah El-Iskenderi thotë: "O Zoti im, si të arrij deri te Ti, kur çdo send që ekziston varet nga Ti? A mos vallë, ndokush veç Teje duhet të shfaqet e të paraqitet për të argumentuar se Ti ekziston. Kjo nuk është e nevojshme që të dëshmohet se Ti ekziston. Kur ke munguar Ti, që argumenti të dëshmojë se Ti ekziston"?

Në shekullin tonë, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, njerëzimi është duke u vërtitur në një vorbull shpirtërore. Njerëzimit i duhet të dalë nga ky qorrsokak dhe nga kjo katrahurë shpirtërore. Këtë shpëtim e ofron Islami, feja e vërtetë e All-llahut: "Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe", (El-Maide, 3).

Po afron koha, kur do të flakërohet shpirti, kur ajo flakë do t'i përfshijë të gjithë shpirtrat dhe do t'i frymëzojë njerëzit për vepra të mëdha. Ajo është koha kur të gjithë muslimanët do të formojnë bashkësinë shpirtërore që s'mund ta zhdukë kurrfarë uragani. Atë bashkësi shpirtërore, poeti i madh i Islamit, Muhamed Ikballi e përshkruan kështu: "Kam jetuar i ndarë prej Teje, më trego të panjohurën matanë kësaj kupe të kaltër, m'i hap dyert e mbyllura dhe tokën bëje të besueshme për njerëzit e shenjtë. Ndize flakën në gjoksin tim. Ne të kërkojmë, kurse Ti je larg syve tanë. Por jo, ne jemi të verbër, ndërsa Ti je i pranishëm. Ose na mënjano perden misterioze, ose na e merr këtë shpirt të privuar nga vizioni".

Padyshim se ky shpëtim do të realizohet, sepse këtë e ka paralajmëruar vula e pejgamberëve të Zotit, Muhammedi a.s.: "Nuk do të mbetet asnjë skaj qyteti apo fshati mbi sipërfaqen e tokës, pa hyrë aty Islami. Kjo do të bëhet e mundur në sajë të fuqisë së të fuqishmit dhe të pafuqisë së të dobëtit. All-llahu, ose do t'i lartësojë njerëzit duke i bërë të denjë për Islamin, ose do t'i dobësojë e t'i detyrojë t'i nënshtrohen atij"!



Autor: Dr. Ajni SINANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...