Sprova e vegjetuesve në fushat e Thirrjes Islame



"Do të ketë në kohën e fundit adhurues xhahilë dhe lexues të çthurrur"

Isha angazhuar në përzgjedhjen e disa haditheve nga enciklopedia e dobishme e Imam Sujutit, "El-xhamius-sagir", për qëllime të hulumtimit shkencor dhe përhapjen e dobisë së tyre. Ndër hadithet e zotërisë së bijve të Ademit, (përmbi të dhe familjen e tij qofshin më të mirat salate dhe selame) ishte edhe një shprehje e tij, nëpërmjet së cilës tërhiqte vëmendjen drejt një realiteti të pranishëm në ahirizaman, në kohën e fundit, në prag të kijametit.

"Do të ketë në kohën e fundit adhurues xhahilë dhe lexues të çthurrur", thoshte i dërguari i All-llahut, sipas transmetimit të Ebu Nuajmit në "El-Hilje" dhe Hakimit nga Enesi (r.a.). Hadithi i mësipërm, ndonëse nuk i ka shpëtuar fjalëve të verifikuesve të tij, në të vërtetë "është i saktë në pamjen e tij të parë, nga se po shohim sot prej njerëzve", siç do të shprehej Imam Kurtubiu në lidhje me të.

Herë pas here në realitetin e përditshëm të Thirrjes Islame në vendin tonë, ndeshemi edhe me të atillë që ndonëse me një mungesë të theksuar kulture, edukate e morali islam, mundohen të bëjnë rolin e udhëheqësve e prijësve fetarë. Ata, me fodullëkun e tyre, trashëgim i një kohe e një sistemi fodull, pa asnjë ndrojtje e frikë marrin përsipër të bëjnë role të ndryshme parësore në skenat e Thirrjes Islame, ndonëse vendi i tyre është diku tjetër, aty ku mund të shprehin energjitë e tyre dhe vullnetin për të qenë prijës. Në urtësitë e popujve thuhet: "Kush hyn në një fushë që s'është e tija e mundohet të bëjë të zotin e saj, pa qenë i aftë për të, herët a vonë, do të dëbohet prej saj, do të ulet e do të zhvlerësohet në syrin e njerëzve, e nuk do të ketë të drejtë të pyesë: Pse?"!

Rigjallërimi i fesë në vendin tonë në vitet '90, i gjeti muslimanët më të varfër se asnjëherë tjetër në aspektin e diturive të fesë së tyre. Hoxhallarët dhe prijësit e shquar kishin kaluar nga kjo jetë me një brengë të madhe në zemër, duke marrë me vete dëshmitë e një soj kijameti shqiptar mbi kokat e tyre dhe të Islamit shumëshekullor.

Rreth drejtuesve të rinj fetarë (ish-talebe, ish-medresistë a trashëgues të drejtpërdrejtë të hoxhallarëve të shkuar) u mblodhën dashamirë e të rinj të shumtë. Një pjesë prej tyre morën rrugët e dijes nislame e shumë të tjerë nuk e patën këtë mundësi. Vitet kaluan e sëbashku me ta mungesa e njerëzve të ditur e të thelluar në dituritë e kësaj feje (për rrjedhojë edhe administratorë largpamës të interesave islame të bashkësisë së tyre islame), krijoi shenjat e saj në trupin e Thirrjes Islame në vendin tonë duke i dhënë asaj formë e përmasë, si forma e përmasa e të zotëve.

U kthyen hoxhallarët e rinj. Vegjetuesit në fushat e Thirrjes Islame, shpesh të shoqëruar edhe me vargonj e tabela protestash provinciale në duar, ishin "ulur" në poste gjyqtarësh, e shumë shpejt, duke lënë pas krahëve të shkuarën e tyre (shpeshherë jo të bardhë), nisën të bëjnë "gjyqe publike" për hoxhallarët e rinj. I ngjasonin revolucionaristëve të kuq përballë "armiqve të popullit".

Nuk nguronin, kudo që shkonin nëpër xhami e mexhlise të ndryshme, të krekosur si intelektualë e ideatorë të aftë province, të hedhnin baltë e vrerë ndaj njërit e tjetrit prej teologëve të rinj. Si nuk shpëtoi ndonjëri xhanëm, prej helmit të gjuhëve të tyre? "Njëri selefist, tjetri sufist, ai mu'tezili me akide të prishur, ky tjetri pa mjekër, ai atje me mjekër të gjatë, ky afër me medhheb e ai atje larg pa medhheb. Njëri me prejardhje kështu e tjetri me prejardhje ashtu, njëri i biri i filanit e tjetri nipi i iksit ..." nuk shpëtoi njeri, derisa në mjediset e xhamive tona kjo frymë e ulët xhahile e këtyre vegjetuesve në fushat e Thirrjes Islame, filloi të përhapej si një epidemi frikësuese (reflektim i gjendjes së përgjithshme tranzicionale të shoqërisë shiptare).

S'domend, kjo është një sprovë e madhe për të gjithë shërbestarët e përhapjes së fjalës së Njësisë, pas sprovës së komunizmit mbi baballarët e tyre shpirtërorë, nga njerëz të paformuar, provokues e pse jo edhe të futur në mjediset tona për të përçarë, për të deformuar, për të përdorur të drejtën në shërbim të së shtrembërtës, për të krijuar dasira e për të nxitur urrejtje e dashakeqësi në mesin e muslimanëve.

E karshi këtij realiteti, detyra e hoxhallarëve të rinj është e madhe. Angazhimi i tyre me xhematet e xhamive, e përtej tyre, për të përhapur dije të dobishme, kulturë e urtësi e për t'u mësuar abëcënë e fesë islame sipas rregullave shumëshekullore, jo sipas epsheve të vegjetuesve në fushat e Thirrjes Islame e kapriçove të tyre, është një parësi në detyrën dhe angazhimet e tyre të sinqerta.

All-llahu iu bëftë ndihmë!

Shembulli i tyre në këtë sprovë i ngjason shembullit të tabiiut të ditur, imamit të imamëve fukaha, Ebu Hanife Nu'manit, të cilit i erdhi një ditë një person që e shau dhe e fyu rëndë në syrin e një grupi njerëzish, duke i thënë: "o qafir, o zindik!", pra "o i pafe dhe o shfaqës i besimit duke fshehur mosbesimin". Ndërsa Imami i urtë ia ktheu: "Të faltë All-llahu! Ai di për mua të kundërtën e asaj që the!".

E sa herë që epshet e vegjetuesve në fushat e Thirrjes shumëshekullore Islame do të ngrihen e do të ulen, ne do të lutemi për ta, duke u lutur fillimisht që Zoti të na ruajë nga debatet shterpë, mbytëse të zemrave dhe ndjenjave të pastra besimore: "Zoti i faltë, i udhëzoftë, a të dyja sëbashku! Amin!".



Autor: Muhamed Sytari, dhjetor 2007.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...