Manifestimi për ditëlindjen e Muhammedit a.s.



Sipas mendimit të disa individëve që i takojnë grupit të ashtuquajtur "selefijjun", siç është edhe drejtimi "Vehabij", mevludi respektivisht, tubimi i njerëzve për të lexuar mevlud duke menduar se me atë arrihet ndonjë thevab - shpërblim është bid'at i përbuzur. Sipas tyre, tubimet e tilla për të dëgjuar ndonjë kaside, salavate, apo për të lexuar ndonjë ashere nga Kur'ani, janë risi bid'ate të këqija, andaj duhet larguar dhe braktisur ato.

Sa është i drejtë dhe me vend ky konstatim i tyre? Sa është i lavdishëm ose i përbuzur organizimi i tubimeve për këtë qëllim? Me këtë organizim a fitohet ndonjë e mirë - thevab ose jo? Lidhur me këtë përgjigjen dijetarët më eminentë të botës islame!

Së pari po e sjellë përgjigjen që e dha Hafidh Xhelaludin Abdurahman bin Ebi Bekr es-Sujuti Iidhur me mevludin. Në veprën e tij "El-Havilu li'l-Fetava" ai thotë: "Thelbi i punës rreth mevludit, siç është: tubimi i njerëzve, lexim i pjesëve të Kur'anit, rrëfim i ngjarjeve dhe i ndodhive para, gjatë dhe pas lindjes së Pejgamberit të mbështetiira në fakte, shtruarja e sofrës, ngrënia dhe shpërndarja e njerëzve nga ai tubim pa shtuar diçka tjetër, është bid'ati hasene dhe organizuesi i tij shpërblehet me thevab, ngase me të i bëhet respekti autoritetit të Pejgamberit dhe shprehet kënaqësi e gëzim për lindjen e tij të famshme".

Kjo është përgjigja dhe fetvaja e Sujutiut rreth mevludit. Madje, në veprën e tij "el-Havi" shënon: "Mbreti i Irbilit, Mudhafer Ebu Seid sundimtar i lavdishëm, i devotshëm dhe bujar, ishte i pari që e filloi organizimin e manifestimit për ditëlindjen e Pejgamberit. E për hir të madhështisë së këtij manifestimi Ebu'l-Hatab ibni Dihje e thuri një vepër në vargje mbi lindjen e Muhammedi dhe e quajti 'Ndriçim mbi lindjen e më të Gëzuarit'". Sipas Ibni Hal-likan-it, Ebul Hatabi ishte një nga dijetarët e dalluar dhe autoritativë.

Sujutiu na sjellë edhe vërejten e Taxhudin Ymer Fakihaniut dhe përgjigjen që ia kushton vërejtjes së tij.

Taxhudin Fakihaniu ishte një nga malikijët e fundit, i cili e shkroi veprën "El- Mevridu li'l- kelam ala amel'il-mevlid", në të cilën pos tjerash thotë: "Unë nuk di se për mevlud ka bazë në Kur'an apo në sunnet Nuk është përcjellur se dikush prej dijetarëve që ishin shembull në fe dhe që i përmbaheshin traditave të të parëve kanë bërë diçka kështu. Pra, ky është bid'at i shpikur prej grykësve për t'u ushqyer. Këtë nga fakti se kur shqyrtojmë pesë dispozitat e sheriatit themi do të jetë: vaxhib, mendub, mubah, mekruh ose haram. E s'ka dyshim se nuk është vaxhib. Nuk është as mendub, sepse mendub është ajo që e kërkon sheriati, por pa qortim për moskryerje. E këtë nuk e kërkoi sheriati. Për sa di unë, nuk e bënë sahabët as tabiinët. Kjo është përgjigja ime para Zotit, nëse do të pyetem. Nuk është as mubah, sepse sipas ixhmait të muslimanëve risia në fe (bid'at) nuk mund të jetë mubah. Nuk mbetet tjetër vetëm se të jetë mekruh ose haram. E kjo varet nga organizimi që mund të jetë: nëse njeriu e bën këtë për familjen e vet duke mos tubuar njerëz për ngrënie e të tjera, është bid'at mekruh, e nëse e bën për një rreth më të gjërë, shtron sofra të ushqimit, e posaçërisht, nëse aty sjell edhe muzikë, përzihen meshkuj e femra të shfrenuara, pa kurrfarë dyshimi është haram ...".

Në këto konstatime të Fakihaniut, imami Sujuti përgjigjet: "Thënia e Fakihaniut se: nuk di ndonjë bazë për mevlud as në Kur'an e as në sunnet, nuk paraqet kurrfarë fakti sepse, mosdija nuk do të thotë mosekzistim i bazës".

Fakihaniu: "E shpikën grykësit për të ngrënë, e jo dijetarët".

Sujutiu: "E shpiku një sundimtar i drejtë dhe fetar ndërkaq, e prezentuan dijetarë të devotshëm. Dihje i thuri vargjet. Të gjithë ata pra, ishin dijetarë të devotshëm, e pëlqyen, e vërtetuan dhe nuk e urrejtën!".

Fakihaniu: "Nuk është mendub pasi që, nuk e kërkoi sheriati".

Sujutiu: "Kërkesa e sheriatit ndonjëherë është me tekst (en-nassu) e ndonjëherë me kijas - analogji. Sipas analogjisë bid'atet mund të jenë: vaxhib, haram, mendub, mekruh, mubah. Këtë mund ta kuptojmë kur parashtrojmë bid'atin përbri rregullave të sheriatit. Nëse bën pjesë në rregullat e vaxhibit ai është vaxhib, e kështu me radhë edhe në të tjerat. Imami Shafiu thotë: "Çka është kundër Kur'anit, sunnetit dhe ixhmait është bid'at i keq, është haram, e çka sjellë dobi është bid'at i mirë, nuk është i përbuzur". Në këtë nuk ka kundërthënie. E ky nuk është kundër Kur'anit, sunnetit as ixhmait dhe si i tillë është bid'at i mirë".

Fakihaniu: "Nuk është mubah, sepse risia në fe nuk mund të jetë mubah".

Sujutiu: "Është tezë e papranueshme, sepse risitë nuk janë të kufizuara vetëm në haram e mekruh. Përkundrazi, ato munden të jenë edhe mendub e edhe vaxhib. Neveviu thotë: "Bid'at në sheriat është një shpikje që s'ka qenë në kohën e Pejgamberit, e ai mund të jetë i mirë ose i keq"!".

Fakihaniu: "Nuk duhet shtruar sofër për ngrënie...".

Sujutiu: "Shtruarja e sofrës së ushqimit konsiderohet bujari, e bujaria është virtyt i porositur!".

Fakihaniu: "Po sjellja e muzikës dhe përzierja e meshkujve me femra?".

Sujutiu: "S'ka dyshim se një punë e tillë është haram, por ai haram vjen nga ato sende, që janë të ndaluara, e jo nga vetë baza e tubimit për mevlud. Baza, pra, është e shëndoshë, e bishtërimet janë të ndaluara. Nëse tubimit për namazin e xhumasë i përbishtrohen sende të këqija nuk mund të thuhet se tubimi për xhuma është haram, por përbishtrimet janë haram. E kështu është puna edhe me mevlud!".

Këto ishin përgjigjet e Sujutiut në vërejtjet e Fakihaniut.

Ibni Haxheri e gjen një bazë edhe në sunnet për mevludin, për të cilin thotë: "Pejgamberi vjen në Medine dhe i gjen jehudët, që po agjëronin ditën Ashuraë". Kur i pyeti ata i thanë: "Është ajo ditë kur Zoti e fundosi faraonin dhe e shpëtoi Musanë, e ne agjërojmë në shenjë falënderimi ndaj Zotit të madhërishëm", (Sahihajn). Nga kjo kuptohet puna e falënderimit ndaj Allahut për hirë të ndonjë të mire që na e sjellë ose për largimin e ndonjë të keqeje duke përsëritur atë për çdo vit. Falënderimi i shprehet Zotit me Iloj-lloj adhurimesh siç janë: agjërimi, namazi, sadaka, leximi i Kur'anit etj.. Atëherë, a ka mirësi më të mirë e më të madhe se shfaqja, lindja e këtij Pejgamberi që është mëshirë jo vetëm për muslimanët, vetëm për njerëzit, por edhe për të gjitha krijesat në ekzistencë.

Derisa edhe vetë Pejgamberi e agjëroi atë ditë në shenjë falënderimi ndaj Zotit që e shpëtoi Musanë, a mos t'i bëhet falënderim Zotit për lindjen e Muhammedit, me anën e të cilit e shpëtoi njerëzimin nga errësira, injoranca, mizoria, armiqësia në këtë jetë e do t'i shpëtojë edhe në ditën e gjykimit të gjithë ata që i besuan?

Ky është një argument i fortë për tubimin në mevlude duke u mbështetur në kijasin, i cili në këtë rast kuptohet nga vetë puna e Pejgamberit, e puna e tij është sunnet për ne. Pra, ai falënderoi Zotin për shpëtimin e Musasë, e ne kemi për detyrë të falënderojmë për dërgimin e Muhammedit. Ky fakt nuk mund të mohohet ngase i njëjti qëllim është në të dy rastet.

Si bazë tjetër për mevludin është edhe kjo: "Theri kurban (akika) për vetveten pas pejgamberllëkut", e dihet se atë detyrë e pat kryer gjyshi i tij në ditën e shtatë të lindjes së Muhammedit. Ajo detyrë nuk do të duhej përsëritur sikur të mos ishte për qëllim falënderimi ndaj Zotit, që e bëri mëshirë për botën. Ky është pra, edhe një sinjal për ne se duhet përkujtuar dhe shprehur falënderim për ditëlindjen e tij.

Është thënë prej Pejgamberit se Ebu Lehebit do t'i lehtësohet ndëshkimi (adhabi) për çdo të hënë ngase qe gëzuar për lindjen e Muhammedit dhe në shenjë gëzimi e pat liruar nga robëria shërbetoren Thuveibe.

Sipas mendimit të Sujutiut përkujtimi i ditëlindjes së Muhammedit është i argumentuar me: "sunnet, ixhma dhe kijas". Të gjithë muslimanët në botë e festojnë ditëlindjen e tij. E festoi edhe vetë Pejgamberi ngase agjëronte ditën e hënë dhe të enjte e kur e pyetën pse agjëron të hënën, ai u përgjegj: "Të hënën linda, të hënën më erdhi shpallja, të hënën bëra hixhretin".

S'ka dyshim se tubimi për mevlud duhet të jetë i kufizuar në ato punë, që janë falënderim i vërtetë dhe i sinqertë ndaj Zotit xh.sh., përkujtim i shëmbëlltyrës së Muhammedit, që e praktikonte në të gjitha poret e jetës, përkujtim i këshillave nga Kur'ani, të cilat përforcojnë besimin dhe nxisin në punë të mira duke lexuar ndonjë pjesë nga ai, këndim i kasideve që nxisin edhe më shumë dashuri ndaj Pejgamberit dhe përkujtojnë jetën e ardhshme, shpërndarja e ndonjë sadake në të mirë të bashkësisë islame e edhe ndonjë ushqim për familje dhe për miq.

Çdo gjë që shpreh gëzim e hare, për Pejgamberin, është punë e lejuar, ndërsa duhet ruajtur prej haramit dhe punëve tjera që nuk përputhen me normat e sheriatit.

Nuk duhet të harrojmë se përkujtimet për ditëlindjen e Muhammedit duhet të jenë nga dashuria shpirtërore e besimtarit, të cilën e ndien në shpirtin e vet. Kështu është ngase as besimi i besimtarit nuk është i vlefshëm te Zoti pa dashuri ndaj Pejgamberit të Tij. Mirëpo, duhet ditur se vetëm këto manifestime nuk mjaftojnë për shprehjen e dashurisë ndaj tij. Nuk mjafton si shprehje e dashurisë ndaj Muhammedit a.s. vetëm tubimi për mevlud, leximi i disa ashereve, këndimi i disa kasideve, me të cilat lavdërohet ai, shtruarja e sofrave etj..

Dashuria e sinqertë dhe e vërtetë ndaj tij është:

- zbatimi i sunneteve që na i la ai, orientim i jetës dhe i sjelljeve sipas udhëzimeve, që na i porositi ai,
- ndjekje e rrugës së tij ashtu sikurse e ndoqën dhe e praktikuan as'habët e tij,
- njohja sa më e thellë e jetës dhe e sjelljeve të tij në raste të ndryshme, në familje, në ibadete etj..

Nëse tubimet e tilla luanjë këtë rol atëherë, ato janë të mira dhe shumë të nevojshme, e nëse në ato tubime lexohen vetëm vargjet e njëjta që i përktheu në gjuhën shqipe Tahir ef. e që gati janë bërë si "tabu" atëherë, nuk është arritur ajo që është kërkuar për të shprehur dashurinë ndaj Muhainmedit a.s..

Në tubimet e tilla duhet të jetë për qëllim lartësimi i vlerës së shehadetit - besimit, të cilin na e mësoi Muharnmedi a.s. me anën e shpalljes që ia kumtoi Zoti i Madhëruar, sepse ne nuk kemi gjuhë as nuk jemi të zotët ta lavdërojmë Pejgamberin, edhe nëse përpiqemi me të gjitha fuqitë tona, pas lavdërimit që i bëri Zoti i Mëshirshëm kur tha: "Lart ta ngritëm zërin (përkujtimin) tënd (Muhammed)".

Detyrë e jona është ta përkujtojmë Pejgamberin tonë, ashtu që të na bëhet shembull në çdo moment të jetës, veprim dhe sjellje tonën. Nëse për këtë qëllim organizohen tubimet, atëherë vjen në shprehje thënia e Pejgamberit: "Çka vlerësojnë si të mirë muslimanët edhe te Zoii është mirë". "Dora e Zotit është me xhematë, e kush ndahet, ndahet në Xhehennem". "Zoti nuk i lejon muslimanët të bien në ujdi për një punë që është e gabueshme".

Kur qëllirni i organizimit për përkujtimin e ditëlindjes së Muhammedit është ky që u përmend, atëherë nuk iu duhet vënë veshi fjalëve të vëllezërve vehabijë e selefijjë, të cilët as nuk u bashkohen muslimanëve të botës në këso manifestimesh e as nuk pajtohen me qëndrimet e tyre. Prej tyre duhet kërkuar që të ndalin gjuhën dhe t'i lënë thashethëniet, pse siç përmendëm, është rrezik i madh ndarja prej xhematit islam, e këtu është fjala për xhematin botëror islam.

Qëllimi i të gjithë muslimanëve në organizimin e manifestimeve të tilla është të arrihet një pikë mëshirë nga Mëshiruesi i pakufishëm në atë ditë kur do të jemi më të nevojshëm dhe kur do t'i lejohet shefaati këtij Pejgamberi të lavdishëm, për të cilin organizojmë tubime në shenjë gëzimi dhe përpiqemi të shprehim dashuri të sinqertë ndaj tij.


Mevludi (ditëlindja) dhe ditët e Zotit

Nga pikëpamjet e përgjithshme:

Çdo punë, që i sjellë të mira bashkësisë e nuk është kundër ndonjë dispozite të fesë, e as nuk është çështje e porositur prej fesë, Islami nuk e ndalon atë. Qëllimi Islam, fillim e mbarim, është për të mirën dhe interesin e njerëzisë. Pra, aty ku është dobia, aty është sheriati i Zotit.

Gjersa baza, motivi në manifestimin dhe përkujtirnin e ditëlindjes është respekt i traditës së personit të ditëlindjes, është përfitim nga sjelljet dhe vetitë e tij të bukura, madje është i tubimit, bashkimit dhe afrimit të njerëzve, i ndihmës dhe bëmirësisë reciproke ndërmjet njerëzve, është kthesë në të përkujtuar dhe përmendur më shumë Zotin xh.sh. duke dëgjuar pjesë të leximit nga Kur'ani dhe këshilla të larta nga hadithi. Të gjitha këto janë mirënjohje dhe falënderim ndaj Zotit, i cili iu dhuroi atë, të cilit i përkujtojmë ditëlindjen, dhuroi të mira në fe dhe në Dynja. Padyshim, një përkujtim i këtillë është i dobishëm dhe i frytshëm.

Mirëpo, pasi që këto tubime më vonë filluan t'i përshkojnë gjëra të pakëndshme, lloj-lloj bid'atesh, filloi edhe kundërshtimi, jo ndaj vetë esencës së tubimeve dhe përkujtimeve, por ndaj devijimeve të futura në këto raste, andaj edhe shpesh herë kemi patur rastin të dëgjojmë fjalë edhe për vetë "mevludin" si bid'at etj..

Nga i njëjti aspekt dhe i njëjti motiv edhe qytetarët organizojnë, në manifestimet dhe përkujtimet e këtilla, tubime kulturore, fetare, sociale etj. Njerëzit përkujtojnë heronjtë dhe ditët heroike, i përkujtojnë dëshmorët me mirënjohje duke ngacmuar ndër të tjerët ndjenja patriotike, duke zgjuar ndjenja morale e shpirtërore.

Nga pikëpamja fetare:

Eshtë mirë të themi çka thanë dijetarët (aty ku është dobia e bashkësisë, është dispozita e Zotit) dhe nuk është haram gjithçka që nuk e bënë të parët dhe nuk është bid'at as gjë e keqe gjithçka që u lajmërua nga çështjet e futura në ideologji, në adhurime, në sjellje, derisa ato nuk janë të përfshira me ndonjë dispozitë apo të mbështetura në ndonjë bazë. Ne e pamë më parë se çka është baza e tubimeve të tilla.

Për këtë justifikim të këtyre tubimeve dhe manifestimeve po shtojmë:

- Fjalën e Zotit: "Ve selamun alejhi jevme vulide ve jevme jemut" madje, përsëritjen e tekstit nëpërmjet gjuhës së krijesës, e fjalët e Zotit: "Ve selamun alejje jevme vulidtu ve jevme emutu".

Në këto dy ajete gjejmë argumente të forta mbi respektin e ditëlindjes dhe të vdekjes, pse, po në këto dy raste, manifestohet fuqia e Zotit dhe fshehtësitë specifike të mprehtësisë së Tij si krijues. Atëherë, si është rëndësia e përkujtimit të ditëlindjes apo të vdekjes së njeriut, për të cilin është vërtetuar në dijen e Zotit se do të ketë ndikim të madh apo të vogël në bashkësinë njerëzore.

- I dërguari jonë, Muhammedi, përkujton ditëlindjen e tij në çdo shtatë ditë dhe në shenjë falënderimi ndaj Zotit agjëronte ditën e hënë. Në realitet, me këtë agjërim ngjallte përkujtimin e një dite të ndershme nga ditët e Zotit. Kur u pyet, pse rregullisht agjëron atë ditë ai tha: "Ajo është ditë, në të cilën u linda dhe në të cilën u dërgova (u gradova me gradën pejgamber)". Me këtë kujdes që pati Pejgamberi ndaj kësaj dite, udhëzon mbi pozitën e saj dhe rëndësinë e përkujtimit dhe të respektit.

- Përmendet se në haxhxhin lamtumirës, Pejgamberi theri kurban aq deve, sa ishte numri i viteve të jetës së tij të bekuar.

- Gjithashtu, thuhet se Pejgamberi përkujtonte ditën e shtatë të lindjes së foshnjes, duke e emëruar dhe bekuar në atë ditë. Dita e shtatë nuk do të kuptohej ndryshe vetëm duke e përkujtuar ditëlindjen, pra manifestim i përnjëhershëm i dy ditëve.

- Pejgamberi përkujtoi edhe ditën e "Ashuras" duke porositur agjërimin e saj.

- Kur bashkojmë të gjitha këto dokumente dhe të gjitha dobitë e përmendura, ngjallja e përkujtimit të ditëlindjeve, është dobia më e madhe e ditëve të Zotit për njerëz, kur tubimet e tilla nuk përcillen me ndonjë ves të keq.

Për të parën herë, sipas burimeve më të besuara, në mënyrë të organizuar dhe të përshtatshme, ditëlindjen e Pejgamberit e manifestoi sunduesi Mudhafer (Togrol, sundues i Irbilit) në Irak, por pasi që dijetarët e asaj kohe e lejuan dhe konstatuan se është çështje e ligjëshme. Me atë rast ai bëri shpenzime të mëdha duke shpërblyer dhe gostitur masën e popullit, duke i lënë të kënaqur, sa që në histori nuk është e njohur prej ndokujt tjetër një organizim i tillë. E kur hartuan dijetarët vepra me përkujtime të lindjes, jetës dhe mrekullive të Pejgamberit, ai i shpërbleu me dhurata të mëdha sa askush pas tij.

Më vonë, tradita e përkujtimit të ditëlindjes së Pejgamberit me manifestime të ndryshme e të mëdha, filloi edhe në shtetet dhe qytetet tjera islame. Pastaj, u zgjerua manifestimi edhe në ditëlindjet e disa evlijave etj.. Mirëpo, në shumë raste, kuptohet shumë më vonë, manifestimet e tilla u përshkuan edhe me gjëra të ndaluara e të dëmshme, u bënë sëmundje të vet fesë dhe të bashkësisë, andaj dijetarët u angazhuan që, ose të kthejnë manifestimet e tilla në bazë, ose t'i ndalon në përgjithësi. Dhe sigurisht, më mirë do të ishte të ndalohen në tërësi, sesa të praktikohen kur në to përdoren gjëra të ndaluara - haram.

Muslimanët manifestojnë dhe përkujtojnë ditëlindjen e Pejgamberit Islam, të dërguarit për dashuri dhe paqë mes njerëzisë, udhëzues dhe ndriçues i rrugës së drejtë, të cilin e dalloi Zoti nga të gjithë njerëzit tjerë, duke i dhënë atij çka nuk i dha kujt më parë, duke e mësuar sa asnjë më parë as prapa, duke e frymëzuar dhe pajisur me libër që nuk zbriti si ai prej qiellit në tokë dhe duke e bërë kusht vërtetimin e tij në deklaratën e besimit sa që besimi i njeriut nuk është i plotë pa vërtetimin e dërgatës së tij.

Zoti dhe melaiket e tij lavdërojnë dhe bekojnë Pejgamberin, lavdërojeni pra, dhe respektojeni e përshëndeteni edhe ju, o besimtarë!



Autor: Sherif AHMETI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...