Fetvaja për Mukalidin, argumenti për Muxhtehidin



Meqë sqaruam edhe më parë se çështja e ixhtihadit është gradë shkencore dhe ekskluzivitet i njerëzve të dalluar në aftësi dhe kapacitet shkencor, e jo e çdo kujt, vetvetiu nënkuptojmë se muxhtehidi ballafaqohet drejtpërdrejtë me argumentet, tekstet autentike, kurse Mukalidi nuk ka asnjë mundësi minimale të shkoqisë apo përfitojë diçka prej argumenteve autentike, atëherë vetvetiu shtrohet pyetja: "Cili është argumenti që ai duhet të mbështesë veprimtarinë e tij"?

Kësaj çështjeje juristët islamë i dhanë përgjigje adekuate dhe ekzakte, e në mesin e tyre është edhe dijetari i famshëm Shejh Muhamed Hasanejn Mahlufi në veprën tij "Bulugu es-sul" kur thotë: "Dijetarët e shkencës së Usuli fikut dhe fukahatë konsiderojnë se mendimet e muxhtehidëve në relacion me mukal-lidin - avamin (jo muxhtehidët) janë identike sikur argumentet autentike për muxhtehidin. Kjo nuk nënkupton se vetë fjalët e muxhtehidit janë argument, nga shkaku se janë fjalë të muxhtehidit, por nga fakti se fjalët e tyre janë të mbështetura në argumente autentike islame". Tërë këtë dijetari në fjalë e mbështetë në ajetin kur'anor ku thotë: "pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini". [1] Imam Shatibiu thotë: Fetvat e muxhtehidit për avamin (jomuxhtehidin) janë sikur argumentet autentike për muxhtehidin. Argumenti që vërteton këtë çështje, është vetë fakti se ekzistimi dhe mosekzistimi i argumentit për mukalidin janë të barabartë, sepse ai edhe kur ka argument nuk mund ta shfrytëzoj [2] dhe kuptojë pa ndihmën e muxhtehidit, bile edhe vetë tentativa e mukalidit për ta interpretuar argumentin konsiderohet gabim edhe nëse e qëllon.

Nga tërë kjo që thamë deri tani konstatojmë se nëse njeriu i cili i plotëson kushtet e ixhtihadit që i kanë kushtëzuar dijetarët islamë, për të nuk lejohet imitimi, porse obligohet me ixhtihad dhe vepron sipas mendimit të tij të ndërtuar mbi fuqinë e argumentit, kurse individi i cili ka mundësi të lexojë dhe kuptojë argumentet ku medhhebet mbështesin mendimet e tyre, atëherë vepron sipas mendimit që ai mendon se është më i shëndoshi pavarësisht se cilit medhheb i takon. Kjo kategori e njerëzve janë mes ixhtihadit dhe avamit, pra që nuk janë avam i thjeshtë por që nuk kanë arritur nivelin e muxhtehidit, që disa dijetarë i quajnë me nocionin Tebsir, kurse disa të tjerë i quajnë Itba.

Kurse kategoria e tretë janë njerëzit të cilët janë nga avami e që detyrimisht duhet të jenë imitues për implementimin e çështjeve praktike të sheriatit islam dhe të pyesin dijetarët për çështjet që nuk i dinë dhe nuk është kusht për ta që të dinë argumentet sepse ekzistimi i tyre është i barabartë me mos ekzistimin. Të kërkosh nga avami të bëjnë ixhtihad është një lloj sikur të kërkosh nga i paralizuari të dalë në gara maratonike të vrapimit.



Autor: Jusuf ZIMERI



_________________________

[1] - Suretu En-Nahl: 43.
[2] - Imam Shatibiu, El-Muvafekat, 4/292.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...