Ixhtihadi



Ixhtihadi është bazë prej bazave të Usuli Fikhut dhe planprogram Islam. Usuli Fikhu konsiderohet si sinonim i kësaj shkence. Imam Raziu Usuli Fikhun e përkufizon kështu:

1. Studim dhe analizë e argumenteve të fikhut në përgjithësi - kjo është baza e parë,
2. Mënyrë e përpunimit dhe e përfundimit (konkluzionit) prej argumenteve - kjo është baza e dytë,
3. Studim dhe elaborim i sërishëm pas përfundimit (konkluzionit) - kjo është baza e tretë.

Për këtë arsye kjo shkencë titullohet në shumës dhe jo në njëjës "Bazat e bazave".

Nga kjo që përmendëm më lart kuptohet se Usuli Fikhu merret me studimin e Burimeve të studimit dhe konkludimit prej atij studimi, pra merret me studimin e rrugëve të studimit, kushteve të studimit, dhe kjo është ajo, siç e quajnë perëndimorët, si Rogjer Bekoni, e të tjerët - thelb i shkencave, program shkencor në shkencë, ndërsa tek muslimanët është program shkencor i shkencave të tyre.

Tek muxhtehidi, studimi dhe Ixhtihadi nuk përqendrohet vetëm në shkencat e sheriatit, por hulumtimi dhe studimi përqendrohet edhe në rregullimin e mendimit njerëzor.

Fjala "Ixhtihad" do të thotë përpjekje, angazhim, shpenzim, kërkim, etj.. Të gjitha këto kuptime rezultojnë prej fjalës Ixhtihad.

Në aspektin terminologjik, dijetarët kanë dhënë shumë definicione, por ne do t'i përmendim vetëm disa prej tyre.

Imam Gazaliu e përkufizon kështu: "Shpenzimi i atomit të fundit të muxhtehidit duke kërkuar dituri për ligjet e sheriatit".

Imam Neveviu e përkufizon kështu: "Shpenzimi i energjisë për t'i perceptuar ligjet e sheriatit".

Imam Kemal bin Hemami e përkufizon kështu: "Shpenzim i tërë energjisë së Fekihut për të arritur deri te ligji sheriatik, qoftë logjik, qoftë tekstual (Kur'an dhe Sunet), qoftë argument i prerë, qoftë argument jo i prerë".

Disa dijetarë e kanë përkufizuar kështu: "Arritja e aftësisë për të nxjerrë (përfituar) ligjet e sheriatit praktik nga argumentet e detajuara".

Dijetari ynë i njohur, Xhelaludin Err-Rrahman definicionin e ka ndarë në dy pjesë: "Pjesa e parë ka kuptimin e perceptimit, pjesa e dytë ka kuptimin e zotërimit dhe të pronësisë".

Duhet theksuar se asnjë dijetar nuk e ka përkufizuar ixhtihadin si "Rregull" apo "Rregullore".

Si përfundim, mund të thuhet "shkenca e fikhut", "shkenca e mjekësisë", etj. etj., por për ixhtihadin nuk mund të thuhet "shkenca e ixhtihadit".


Argumentimi i lixhësimit të ixhtihadit

1. Argumentimi me Kur'an

Shumë ajete nxisin për të menduar dhe për të logjikuar, e që në këtë rast po përmendim:

"Vërtet në këtë ka fakte për popullin i cili mendon", (Err-Rra'd, 3).
"Vërtet, në këtë ka fakte për popullin i cili logjikon (dhe analizon)", (Err-Rra'd, 4).

Ajetet të cilat qartazi shprehin ixhtihadin janë:

"Dhe konsultohu me ta për çdo çështje", (Ali Imran, 159).
"Dhe çështja e tyre është se ata në mes vete konsultohen", (Shura, 38).

"Konsultimi" ka kuptimin e hulumtimit të së drejtës kur paraqiten çështjet, vetëm se duhet të bëhet në harmonizim me argumentet e sheriatit, qoftë të tekstualizuara (nga Kur'ani dhe Suneti), qoftë pa qenë të tekstualizuara.

2. Argumentimi me Sunet

Transmeton Amr Ibn Asi se ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Kur gjyqtari gjykon dhe me ixhtihadin e tij ia qëllon, ka dy shpërblime; por nëse gjykon me ixhtihadin e tij dhe nuk ia qëllon, ai ka një shpërblim".

Në Hadithin i Muadhit, kur Pejgamberi s.a.v.s. e ka dërguar si gjykatës në Jemen, dhe e ka pyetur se me çka do të gjykonte, ai i është përgjigjur: Me librin e Allahut, pastaj me Sunetin e të Dërguarit të Allahut, e pastaj me Ixhtihad, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. e ka pëlqyer këtë renditje dhe e ka miratuar, e dihet se Kijasi është lloj prej llojeve të ixhtihadit me mendim hulumtues, kështu që është i ligjësuar.

3. Argumentimi me Ixhmaë

Dijetarët e umetit janë dakorduar për ligjësimin e ixhtihadit.

4. Argumenti logjik

Edhe argumentet logjike dokumentojnë për ligjësimin e Ixhtihadit, sepse Sheriati është vula e sheriateve të më hershme dhe është i përshtatshëm për të gjitha kohërat dhe për të gjitha vendet. E pasi që tekstet janë të kufizuara, ndërsa ngjarjet të pakufizuara, e që ndodhin kohë pas kohe, atëherë për ngjarjet e reja, për çështjet dytësore, patjetër duhet të ekzistojë Ixhtihadi, që duke i analoguar ligjet bazë me ngjarjet e paraqitura merren vendime, të cilat rezultojnë me interesin e përgjithshëm shoqëror, të cilin pikësynim e ka edhe Sheriati islam.


Për cilat çështje bëhet ixhtihad

Ixhtihadi bëhet në çështje të sheriatit të cilat nuk janë të vendosura në mënyrë të prerë, me argument të qartë, ose në çështje për të cilat nuk ka fare argument. Pra, për çështjet e argumentuara me argument të prerë nuk lejohet ixhtihadi, sepse e vërteta është një, e cila nuk lejon mendim të kundërt, si p.sh. nuk lejohet ixhtihadi në: çështjen e pesë kohëve të namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e ramazanit, kryerjen e haxhit, ose në ndalimit e prostitucionit. Po ashtu nuk lejohet ixhtihadi në hiset e përcaktuara të trashëgimisë.

Nga kjo shihet se Ixhtihadi bëhet si në çështjet në vijim:

1. Në argumente të cilat janë të paqarta dhe jo të sigurta,
2. Në çështje të cilat argumentimi është i prerë, por që tregon dyshim në çështjen e cila rezulton prej argumentimit,
3. Në çështje të cilat argumentimi është i dyshimtë, por tregueshmëria është e prerë,
4. Argumentet që kanë kuptim logjik, ashtu që analogohet me një çështje tjetër,
5. Në rregulla të përgjithshme, të cilat burojnë nga ajetet e Kur'anit dhe Sunetit të Pejgamberit s.a.v.s.. Shembull: Në interes të përgjithshëm "Istihsan", "Seddu dherai", etj..


Kushtet e ixhtihadit

Kushtet e Sheriatit ndahen në kushtet e personit fizik dhe në kushtet e personit në kuptimin shkencor.

Kushtet e personit fizik janë si vijon:

1. Te jete i moshës madhore,
2. Te jetë besimtar,
3. Te jetë i lirë,
4. Te jete i drejtë, dhe
5. Te jete i mençur, që do të thotë, t'i kuptojë gjerat drejtë.

Sa i përket kushteve të personit në kuptimin shkencor, e që duhet t'i plotësojë muxhtehidi, për të cilat janë pajtuar dijetarët janë:

1. Që të njohë gjuhën arabe, sepse Kur'ani dhe hadithet janë në gjuhën arabe (nuk lejohet ixhtihadi prej ajeteve dhe haditheve të përkthyera). Muxhtehidi duhet t'i dijë sekretet e gjuhës arabe, përdorimin e llojllojshmërisë së fjalëve, duhet të dijë qëllimin dhe kuptimin e fjalëve të gjuhës arabe.

2. Të njohë Kur'anin Fisnik, imtësitë e ajeteve ligjore; ajetet gjenerale, pastaj ajetet specifike; ajetet shfuqizuese, pastaj ato të shfuqizuara; ajetet e përcaktuara, pastaj ato të papërcaktuara; ajetet e qarta dhe jo të qarta, dhe çështjet të cilat kanë të bëjnë me ajetet ligjore. Mjafton të dijë ajetet të cilat kanë të bëjnë me ligjet e Sheriatit, e që janë 500 ajete, ose së paku të dijë se ku gjenden ato ajete në Kur'an, ky është minimumi.

3. Që të dijë hadithet deklarative, vepruese dhe miratuese, që të dijë shkencën e tekstit të hadithit, të dijë hadithet që kanë të bëjnë me ligjet e Sheriatit.

4. Që të dijë çështjet për të cilat janë dakorduar dijetarët (Ixhmai), së paku duhet të dijë që për atë çështje për të cilën jep fetva nuk është në kundërshtim me mendimin e Ixhmait.

5. Që të dijë shkencën e Usuli Fikhut. Kjo është domosdoshmëri e muxhtehidit (myftiut). Pra, duhet të dijë Burimet e Sheriatit për të cilat janë pajtuar dijetarët, siç janë: Kur'ani, Hadithi, Ixhmai dhe Kijasi, dhe kushtet për të cilat nuk janë pajtuar dijetarët, por që janë burime dytësore të Sheriatit, siç janë: Istihsani, Meslehatul murseli, Urfi, Istis'habi, etj.. Pastaj duhet t'i dijë kushtet e argumentimit të këtyre argumenteve, siç janë: Tregueshmëria e urdhërorit, ndaluesit, gjenerales, specifikës, përcaktorit, jo përcaktorit, etj.. Imam Raziu në librin "Mahsul" thotë: "Shkenca më e rëndësishme e muxhtehidit (myftiut) është shkenca e Usuli Fikhut". Imam Gazaliu thotë: "Shkencat më të rëndësishme të ixhtihadit janë: Hadithi, gjuha dhe Usluli Fikhu".

6. Që të dijë qëllimet kryesore të sheriatit Islam, e që në renditje janë:

a) Çështjet e patjetërsueshme,
b) Çështjet e nevojshme, dhe
c) Çështjet e dobishme.

7. Që të njohë rrethanat e kohës dhe të vendit. Muxhtehidi nuk duhet të jetë i mbyllur nga shoqëria ku jeton, sepse nëse është i vetizoluar, nuk mund t'i njohë problemet e shoqërisë.

8. Të ketë nijet të shëndoshë dhe besim të sinqertë.


Vlera e ixhtihadit

Ixhtihadi është i rëndësishëm, i nevojshëm dhe ka vlerë të madhe.

Muxhtehidi - Muftiu është si përkthyes (zëdhënës) i Zotit të Lartmadhëruar, ndërsa Muxhtehidi qeveritar është si zëvendës (zbatues) i ligjit të Zotit të Lartmadhëruar.

Muxhtehidi - Muftiu shpalos vendimin e argumentit më të preferuar, ai përkthen çka ka kuptuar prej thënieve të Zotit të Lartmadhëruar, pra prej argumenteve të Zotit të Lartmadhëruar; njesoj sikurse zëdhënësi i qeveritarit i cili i tregon popullit për vendimet, mesazhet apo porositë e qeveritarit ose sikurse zëdhënësi i qeveritarit i cili i tregon popullit për planprogramin dhe projektin e qeveritarit.

Muxhtehidi Qeveritar kur të merr vendim për të ligjësuar (hukmin) një çështje, ai e vendos në bazë të argumentit të cilin e sheh më të preferuar dhe që për atë moment është më praktik. Kjo do të thotë se ai vetëm zbulon atë çka është vendosur (ligjësuar) prej Allahut. Qeveritari kur ta lajmërojë popullin për fetvanë, ai u ka lajmëruar për vendimin (gjykimin) e Allahut, të cilin fetva e ka kuptuar prej argumenteve të sheriatit, e që burimin e kanë prej Allahut. Pra, ai në vendimmarrje është si Qeveritari i cili vendos (gjykon) vetë, por atë vendim e ka kuptuar prej Ligjvënësit (Allahut xh.sh.).

Qeveritari muxhtehid u tregon të tjerëve për atë që vet për vete e sheh obligative, sepse ai në vendin e vet ku jeton është zëvendës i Allahut, dhe i sqaron popullit për atë që është i autorizuar të gjykojë. Vendimi i tij është si një lloj specifikimi i tekstit, i cili në këtë kohë vjen prej Allahut për këtë çështje.

Për këtë arsye edhe nuk mund të ndodhë kundërshtimi i ixhtihadit, sikurse nuk mund të ndodhë kundërshtimi në mes të ligjit të përgjithshëm dhe atij specifikues me tekstin, sepse ligji specifikues ka prioritet ndaj ligjit të gjenerales.

Këtu pra është edhe dallimi në mes të gjykimit të gjyqtarit (Qeveritarit) me ixhtihadin e tij dhe muxhtehidit mufti, i cili jep fetva me ixhtihadin e tij.


Domosdoshmëria për ixhtihad

Ixhtihadi është i domosdoshëm për dy arsye:

E para: Ekzistojnë tekste jo të qarta në të kuptuar, tekste me kuptim të dyfishtë dhe të shumëfishtë. Zoti i Lartmadhëruar ka dashur që për çështje dytësore (sekondare) të studiohet, të hulumtohet dhe të zbulohen sekrete. Pasi që Sheriati (Kur'ani) është libri i fundit dhe është për të gjitha kohërat, për të gjitha vendet dhe për të gjithë njerëzit, atëherë Ixhtihadi është lehtësim për umetin, e jo vështirësim. Sheriati Islam duhet të jetë i përshtatshëm që të pranohet me lehtësi nga të gjithë njerëzit, nga të gjitha civilizimet dhe në të gjitha kohërat. Për të qenë kështu, sheriati nuk duhet të jetë i ngurtë dhe statik, por kontinuel dhe dinamik, dhe duhet të ketë argumente të bazuara në tekste, të cilat tekste marrin vlerë të veçantë dhe rëndësi të posaçme.

E dyta: Tekstet (Kur'ani dhe Suneti) janë të kufizuara, ndërsa ngjarjet, rastet dhe ndodhitë janë të pakufishme.

Dihet se për çdo ngjarje, rast, ndodhi kur të gjykohet, patjetër duhet të ketë mbështetje në Sheriatin Islam, ndërsa baza e cila korrespondon me të gjitha ngjarjet është Kijasi (Analogjia), e Analogjia është e ngjashme me Ixhtihadin. Fikhu është program shtesë, sepse është shkencë e ligjeve të rasteve të cilat paraqiten dhe ndodhin, ndërsa ndodhitë janë të panumërta dhe të pakufishme, kështu që duke bërë Ixhtihad plotësohet.

Shkenca e fikhut është shkencë kontinuele dhe dinamike, është shkencë e të gjitha kohëve. Kohët, situatat, rrethanat ndryshojnë, ndërsa Ixhtihadi vazhdon dhe nuk ndërpritet asnjëherë.

Në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. Ixhtihadin Zoti i Lartmadhëruar e ka vendosur në peshojën e Vahjit (Shpalljes), kështu që kur kanë ndodhur ngjarjet, kur janë paraqitur rastet ka zbritur shpallja, e cila i ka sqaruar ato dhe i ka ligjësuar. Kur ka përfunduar shpallja Zoti i Lartmadhëruar e ka lënë Ixhtihadin, që nëpërmjet dijetarëve të fikhut të sqarohen Ligjet e Zotit, e pastaj njeriu t'i pranojë dhe t'i veprojë.


Klasifikimi i ixhtihadit

Ixhtihadi klasifikohet në baza të ndryshme, e ato janë:

- Ixhtihadi në bazë të sqarimit,
- në bazë të angazhimit të muxhtehidit,
- në bazë të tematikave,
- në bazë të ligjeve obligative,
- në bazë të qëllimit,
- në bazë të rrugës të cilën e zgjedh muxhtehidi, dhe
- në bazë të mënyrës së ixhtihadit.

Ixhtihadi në bazë të sqarimit klasifikohet në:

1. Ixhtihad të plotë, dhe
2. ixhtihad të mangët.

1. Ixhtihadi i plotë. Nëse muxhtehidi e jep maksimumin e tij duke analizuar dhe duke u thelluar, ashtu që e ndien veten se nuk ka mundësi që të thellohet më shumë, ky quhet Ixhtihad i plotë.

2. Ixhtihadi i mangët quhet Ixhtihadi kur gjatë hulumtimit nuk shikohen të gjitha rrugët dhe të gjitha mundësitë, si dhe hulumtimit nuk i jepet maksimumi, që do të thotë nuk bëhet analizë maksimale. Duhet pasur parasysh se ky Ixhtihad nuk llogaritet Ixhtihad Sheriatik.

Ixhtihadi në bazë të angazhimit të muxhtehidit klasifikohet në:

1. Ixhtihad absolut, dhe
2. Ixhtihad relativ.

1. Ixhtihadi absolut është kur muxhtehidi gjatë Ixhtihadit nuk i përmbahet asnjë drejtimi apo asnjë imami të përcaktuar, por në mënyrë absolute i shikon argumentet dhe burimet e Sheriatit, dhe pa kurrfarë ndikimi, në mënyrë të drejtpërdrejt, sqaron çështjet.

2. Ixhtihadi relativ është Ixhtihadi i cili bëhet duke iu përmbajtur bazave të një imami apo të një drejtimi të caktuar.

Ixhtihadi në bazë të tematikave klasifikohet në:

1. Ixhtihad gjeneral, dhe
2. Ixhtihad specifik.

1. Ixhtihadi gjeneral. Ky lloj i Ixhtihadit përfshin të gjitha tematikat e fikhut pa përjashtim.

2. Ixhtihadi specifik është Ixhtihadi përkufizuar vetëm në një tematik prej tematikave të fikhut, ose i përcaktuar vetëm në një burim prej burimeve të Sheriatit, si f.v. në Ixhmaë ose në Kijas.

Ixhtihadi në bazave të ligjeve obligative të Sheriatit klasifikohet në:

1. Ixhtihad obligim individual,
2. Ixhtihad obligim kolektiv,
3. Ixhtihad mendub,
4. Ixhtihad mekruh, dhe
5 .Ixhtihad haram.

1. Ixhtihadi obligim individual. Nëse një person, i cili ka arritur nivelin që të bëjë Ixhtihad për një ndodhi të caktuar, dhe nuk ka mufti tjetër për të dhënë fetva, atëherë për të zgjidhur atë çështje ai muxhtehid e ka obligim individual të bëjë Ixhtihad.

2. Ixhtihadi obligim kolektiv. Nëse në një kohë ekzistojnë shumë muxhtehidë tek të cilët mund të mbështetemi për çështje te fesë, dhe nëse njeri prej tyre jep fetva për një çështje të caktuar, e tjerët nuk japin fetva, atëherë muxhtehidët e tjerë lirohen nga ky obligim. Por, nëse asnjeri prej tyre nuk jep fetva, atëherë të gjithë muxhtehidët bëhen mëkatarë. Pra, kjo ka të bëjë edhe me të gjitha obligimet e tjera të ngjashme kolektive.

3. Ixhtihadi mendub. Nëse muxhtehidi angazhohet për të arritur te dispozitimi i çështjeve te Sheriatit të cilat veç ende nuk kanë ndodhur, mirëpo ekziston mundësia që ato të ndodhin, atëherë Ixhtihadi i tillë është i pëlqyer (mendub).

4. Ixhtihadi mekruh është Ixhtihadi për çështjet e supozuara të cilat normal nuk mund të ndodhin, ndërsa angazhimi për të është vetëm humbje kohe.

5. Ixhtihadi haram është Ixhtihadi në çështjet të cilat janë të argumentuara me argument të prerë, për të cilat janë dakorduar dijetarët. Pra, nuk guxon të bëhet Ixhtihad në tekstet e Kur'anit dhe të Hadithit, dhe as për çështjet për të cilat janë dakorduar dijetarët (për të cilat ka Ixhmaë).

Ixhtihadi në bazë të qëllimit klasifikohet në:

1. Ixhtihad Sheriatik, dhe
2. Ixhtihad logjik.

1. Ixhtihadi Sheriatik është Ixhtihadi që bëhet për çështjet për të cilat ndihet nevoja të hulumtohet dhe të argumentohet me argument të Sheriatit. Në këtë Ixhtihad bën pjesë Ixhtihadi i institucionit të Ixhmait, Ixhtihadi i institucionit të Kijasit (analogjisë), e pastaj Ixhtihadi i parimit të Istihsanit, pastaj Ixhtihadi i interesit të përgjithshëm, si dhe Ixhtihadi i burimeve të tjera të Sheriatit.

2. Ixhtihadi logjik është Ixhtihadi që bëhet në çështje logjike, të cilat çështje nuk kanë të bëjnë me dispozitat e Sheriatit.

Në bazë të rrugës të cilën e zgjedh muxhtehidi, Ixhtihadi klasifikohet në:

1 .Ixhtihad sqarues,
2. Ixhtihad analog (i rregullt), dhe
3. Ixhtihad me interes të përgjithshëm.

1. Ixhtihadi sqarues është Ixhtihadi i cili sqaron rrugën se si ka ardhur deri te një dispozitë nëpërmjet të teksteve të Sheriatit. Në këtë Ixhtihad bëjnë pjesë ajetet e Kur'anit dhe sunetet e pejgamberit s.a.v.s., të cilat tekste ndonjëherë tregojnë tregueshmëri të përcaktuara, ndonjëherë tregueshmëri të papërca-ktuara, ndonjëherë ajeti është i përgjithshëm, ndo-njëherë ajeti është specifik, etj. etj..

2. Ixhtihadi analog është Ixhtihadi i cili definon arsyen e dispozitave pa marrë parasysh se dispozitat a janë të qarta apo të paqarta, e muxhtehidi e vendos arsyen e dispozitës në njërën anë dhe e krahason (analogon) me një çështje tjetër, e cila nuk është në tekstet e Kur'anit apo të Sunetit, e nëse e sheh se arsyeja apo shkaku është i njëjtë, atëherë e dispoziton.

3. Ixhtihadi i interesit të përgjithshëm. Nëse ndodh ndonjë ngjarje e re dhe nevojitet të dispozitohet, atëherë shikohet ai dispozitim a është në interes të përgjithshëm apo jo. Nëse është në dobi të përgjithshme, ashtu që largon dëmin dhe sjell dobinë, atëherë Ixhtihadi për këtë çështje quhet Ixhtihad i interesit të përgjithshëm.

Në bazë të mënyrës së qasjes, Ixhtihadi klasifikohet në:

1. Ixhtihadi individual, dhe
2. Ixhtihadi kolektiv.

1. Ixhtihadi individual. Nëse një person i ka plotësuar kushtet e Ixhtihadit dhe, pa iu bashkangjitur askush tjetër, bën Ixhtihad për një çështje, ky quhet Ixhtihad individual.

2. Ixhtihadi kolektiv është Ixhtihadi që bëhet kur të gjithë dijetarët konsultohen në mes vete dhe debatojnë për problemet e paraqitura, posaçërisht për çështjet për të cilat kanë nevojë qytetarët. Kjo është ajo që quhet sistemi parlamentar.


Vështirësitë e ixhtihadit

Vështirësitë me të cilat ballafaqohet dijetari deri sa të arrijë te niveli i Ixhtihadit janë të shumta, por ne, në këtë rast, do t'i paraqesim vetëm disa prej tyre, e ato janë:

1. Vështirësia e të kuptuarit të Kur'anit,
2. Vështirësia e të kuptuarit të Sunetit,
3. Vështirësia e Usuli Fikhut,
4. Vështirësia e Kijasit (analogjisë),
5. Vështirësia parimeve dhe rregullave të përgjithshme,
6. Vështirësia e përkufizimit të definicioneve termino-logjike,
7. Vështirësia e literaturës se Fikhut, dhe
8. Vështirësia e argumenteve kundërshtuese në mes vete, e që pastaj duhet kuptuar, duhet dalluar dhe përkrahur argumentin më të fuqishëm.


Përfundim

Ixhtihadi është farz kifaje, ndërsa të vepruarit me të është çështje jo e prerë. Kjo nga shkaku se:

1. nëse secili drejtim i të menduarit (gjykuarit) mendon se ka të drejtë në mendimin e vet, atëherë obligimi shfuqizohet nga secili drejtim.

2. nëse secili drejtim i të menduarit (gjykuarit) mendon se tjetri nuk e ka për obligim të veprojë sipas vendimit të tjetrit, por sipas mendimit të vet, atëherë që të gjitha drejtimet e kanë obligim për të vepruar sipas mendimit të vet (e nuk ka obligim për të vepruar sipas mendimit të tjetrit), kështu do të ndodhte që secili drejtim do të bënte mëkat nëse nuk ka vepruar sipas mendimit të tjetrit.

3. nëse njëri drejtim mendon se edhe drejtimi tjetër ka të drejtë në vendimin e marrë, ndërsa drejtimi tjetër e mendon të kundërtën, pra drejtimi tjetër nuk ka të drejtë në vendimin e marrë, atëherë drejtimi i parë nuk e ka për obligim të veprojë sipas mendimit të vet, ndërsa drejtimi tjetër nuk e ka për obligim sipas mendimit tjetër, e tjetri e ka për obligim të veprojë sipas vendimit të vet.

Për këtë arsye thuhet se Ixhtihadi është farz kifaje, kështu që nëse një pjesë e shoqërisë nuk vepron (me fetvanë e tjetrit) nuk ka mëkat, sepse po të mos ishte kështu, e tërë bota do të bënte mëkat.

Përfundojmë me atë se Ixhtihadi është farz kifaje, ndërsa pretenduesit që thonë se nuk ka Ixhtihad, dhe nuk ka nevojë për Ixhtihad, duhet të na sjellin argumente!



Autor: Dr. Musli VËRBANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...