Hytbeja e Kurban Bajramit



Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra

I lartësuar qoftë Allahu në Madhërinë e Tij, të Cilit i nënshtrohet cdo gjë në këtë ekzistencë, kurse salavatet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi krijesën më fisnike - Muhamedin a.s., i cili na udhëzoi drejt shtigjeve të dritës, i cili na mësoi se ç'është besimi, paqja dhe urtësia, na mësoi se ç'është, sakrifica, ndihma dhe dashuria e ndërsjellë.

Ç'do festë e jona e ka urtësinë dhe porosinë e vet, por porosia e Kurban-Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë, flijimit dhe sakrificës, sepse përveç tjerash është edhe kurorëzim i haxhit, kushtit të pestë të Islamit, në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti, devotshmëria dhe madhështia e Ymetit të Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Haxhi është moment ekskluziv i eliminimit të të gjitha diferencave nacionale, racore, klasore, etj.. Është një demonstrim i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit të përgjithshëm të muslimanëve ngado që ata të kenë ardhur. Është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit duke reflektuar gatishmërinë për t'i sakrifikuar interesat shpirtërore e materialë në shërbim të Allahut xh.sh. dhe duke rikujtuar se Qabeja është edhe drejtim shpirtëror i të gjithë myslimanëve.

Lidhur me obligueshmërinë e Haxhit-kësaj dispozite të lartë islame, Allahu xh.sh. në Kur'an urdhëron e thotë: "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta", (El-Haxh-xh, 27).

Feja islame e ka karakterizuar Kurban Bajramin edhe me një vlerë tjetër nga vlerat sociale e ajo është: kurbani-sakrifica.

I dërguari i Allahut thotë: "Dita e Fitër bajramit karakterizohet me namaz dhe Sadakatul fitr, kurse Dita e Kurban Bajramit me namaz dhe flijim".

Kurbani është institucion fetar i cili synim të vetin kryesor dhe objektiv parimor ka humanizimin e njeriut, pastrimin e tij shpirtëror, begatimin e tij me vlera dhe aspirata të larta, edukimin dhe kalitjen e tij.

Prerja e Kurbanit ngërthen në vete edhe dimensionin social, ngase, në mënyrën më të mirë të mundshme, ata që kanë, shprehin solidaritetin në vepër me skamnorët, kurse në kohën e sotme, kjo fiton edhe më shumë në peshë, sepse sot, më shumë se kurrë, njerëzimi ka nevojë për ndihmë reciproke, për solidaritet dhe bamirësi.


Vëllezër besimtarë

Parimet universale të Islamit konsistojnë në formimin e një shoqërie të shëndoshë, dinjitoze e humane, me vlera të larta etike e të vlefshme, të një shoqërie të barabartë, përparimtare, të lirë, demokratike dhe bashkëkohore, të një shoqërie të njerëzishme, në të cilën të gjithë njerëzit pa kurrfarë dallimesh, do të gëzonin lumturinë e vërtetë shpirtërore dhe atë materiale trupore.

Roli i njeriut në këtë botë është që ai së pari ta njohë natyrën e ambientin që e rrethon, që në shpirtin e tij të zgjojë vetëdijen dhe ndërgjegjen e heshtur të humanitetit dhe të njerëzores, të cilat e shtyjnë dhe e motivojnë për realizimin e idealeve të larta.

Nëse njeriu e kupton drejt këtë mision, padyshim do të jetë një pjesëtar i vlefshëm në shoqëri, e shoqëria mburret me ata që zbukurohen e stolisen me këto virtyte të larta të moralit e të fisnikërisë.


Të nderuar vëllezër e motra!

Le të jetë kjo festë e Kurban - Bajramit demonstrim i fuqisë së besimit tonë, i dashurisë dhe i tolerancës si dhe forcim i zemrave tona drejt shkallëve të larta të devotshmërisë, për të na siguruar prosperitet në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër. Le të jetë festa e Kurban bajramit moment i vetëdijesimit tonë, kur ne do të dimë ta respektojmë dinjitetin njerëzor.

Uroj që në zemrat dhe shpirtin tuaj të shndritë besimi i sinqertë, që me veprat tuaja të jeni mirëbërës, humanë e solidarë, që në sjelljet tuaja të dominojnë respekti dhe mëshira, toleranca, dashuria dhe mirëkuptimi. Sot, tek ne nuk duhet të ketë urrejtje e armiqësi, po vetëm fytyra të gëzuara, buzëqeshje dhe përqafime vëllazërore. Vetëm në këtë mënyrë do t'i japim festës sonë domethënien e vërtetë.

Përfitoj nga rasti, që nga ky vend i bekuar, t'ju ftojë që të kontribuojmë edhe më shumë për ndërtimin dhe fuqizimin e mëtutjemë të atdheut tonë - Kosovës. E kemi amanet nga Krijuesi ynë fuqiplotë që si qytetarë, të japim kontributin tonë, që në këtë vend të mbretërojë rendi, ligji e rregulli, të ndërtojmë një shoqëri e cila do të respektojë vlerat qytetëruese të popujve të Kosovës duke respektuar etninë, gjuhën dhe besimin e çdo qytetari të saj, dhe duke u angazhuar për afirmimin dhe kultivimin e vlerave pozitive të të gjithë popujve të Kosovës.

Në fund, më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë islame të Kosovës, nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës t'ju uroj festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit Islam në Kosovë, brenda trojeve tona etnike shqiptare dhe në diasporë.

Me fat ju qoftë festa e Kurban - Bajramit! .



Autor: Sabri BAJGORA, nëntor 2011.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...