Ramazani po vjen ...!



Të nderuar vëllezër!

Në radhë të parë falënderojmë Allahun e Madhërishëm, Zotin e botëve. I Lartësuar është Ai, ashtu siç ka dashur të jetë Ai dhe larg çdo dobësie dhe të mete është Ai, ashtu siç e meriton Ai të jetë larg tyre. Falënderojmë Krijuesin për përkushtimin tonë në besim, për udhëzimin tonë në rrugën e drejtë, për nxjerrjen tonë nga errësira në dritë dhe për të gjitha dhuntitë e pandërprera dhe mirësitë e pakufishme që na i ka dhënë!

Nga bindja më e thellë dhe nga kënaqësia më e madhe e zemrës i themi disa fjalë për t'i çuar përshëndetje dhe bekime Muhammedit, Pejgamberit të fundit të Allahut të Madhërishëm. Gjithashtu, me ndjenjat më të larta kujtojmë dhe lusim Zotin e Gjithëmëshirshëm që ndaj Familjes së Muhammedit a.s., të lëshojë mëshirë dhe bekim, ndërsa mbi shokët e tij shpëtim dhe lartësim!

Allahu i bekoftë të gjithë ata, që me të drejtën dhe të çmuarën e tyre lartësuan mësimin dhe sistemin islam. Amin!


Të dashur vëllezër!

Më se gjashtëqind vite flasim islam. Më së gjashtëqind vite jetojmë me islamin dhe mësimet e tij. Më se gjashtëqind vite për Zot i besojmë Allahut dhe asnjë zoti tjetër nuk i bëmë përkulje, përpos Një, të Vetmit, Allahut. Asnjë zoti tjetër nuk i gjetëm vend në zemrat tona. Asnjë fije dashurie nuk ia përkushtuam një zoti tjetër, përpos të Vetmit, Allahut. Më se gjashtëqind vite themi el-hamdulilah, e subhanallah! Më se gjashtëqind vite jetojmë nën hijen fjalëve la ilahe il-lall-lah. Po kaq vite, ne jetuam edhe me një dashuri tjetër, e dyta me radhë për nga rëndësia, e që është dashuria ndaj profetit, Muhammedit s.a.v.s..

Më se gjashtëqind vite, pa reshtur e pa ndalur, të përkëdhelur e të shtypur, të kënaqur e të zëmëruar, edhe kur na mbronin, edhe kur na sulmonin, të fuqishëm e të dobët, në kohëra e sisteme të ndryshme, ne, asnjëherë, nuk u thyem nga besimi dhe idealet tona të larta fetare e kombëtare. Vazhdimisht, këto vlera i ruajtëm si sytë e ballit dhe i kultivuam në atë mënyrë siç i kemi ruajtur deri më tani.

E sot, vallë ç'po ngjet me ne? Ramazani po vjen. Dëshmitari më i fuqishëm i rrugëtimit tonë shekullor, e ne vazhdojmë të futemi në kllapa të skepticizmit, lajthitjes dhe hamendësimit! Ne sot vazhdojmë të marrim rrugën e daljes nga kurmi dhe zhveshjes nga petku ynë fetar, e që kaq shumë vite e ruajtëm për shpirti e zemre. Vallë a nuk e ndiejmë këtë? A nuk e vërejmë se si jemi bërë? Ku do të shkojmë përtej kësaj, përpos që t'i kthehemi sërish rrugës që e rritëm dhe vazhduam ta rruajmë për kaq shumë vite me radhë. Cila, pra, është kjo rrugë? Shikoni se ç'thotë Allahu i Madhërishëm në Librin e Tij Fisnik:

{وَهَـٰذَا صِرَاطُ رَبِّكَ مُسْتَقِيمًا}, - "Kjo është rruga e Zotit tënd, që është e drejtë ...", (En'am, 126).

{وَأَنَّ هَـٰذَا صِرَاطِي مُسْتَقِيمًا فَاتَّبِعُوهُ ۖ وَلَا تَتَّبِعُوا السُّبُلَ فَتَفَرَّقَ بِكُمْ عَن سَبِيلِهِ ۚ ذَٰلِكُمْ وَصَّاكُم بِهِ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ}, - "Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.", (En'am, 153).

{قُلْ هَـٰذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللَّـهِ ۚ عَلَىٰ بَصِيرَةٍ أَنَا وَمَنِ اتَّبَعَنِي ۖ وَسُبْحَانَ اللَّـهِ وَمَا أَنَا مِنَ الْمُشْرِكِينَ}, - "Thuaj: 'Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është All-llahu, e unë nuk jam nga idhujtarët'.", (Jusuf, 108).

{وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الْإِسْلَامِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الْآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ}, - "E kush kërkon fe apo sistem tjetër përveç islamit, atij kurrsesi nuk do t'i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.", (Ali Imran, 85).

Pra, të dashur vëllezër, rruga e sigurt dhe e vërtetë është ta adhurojmë Allahun dhe t'i bindemi plotësisht Atij, që nëpërmjet kësaj të përfitojmë kënaqësinë dhe përkrahjen e Tij. Njeriu, si përherë ka nevojë të jetojë me Emrin e Zotit të vet të Vetëm dhe sa herë që largohet një çik prej Tij, ai ndjehet i pafuqishëm. Pse? Sepse njeriu është krijuar në atë mënyrë që nuk mund gjatë kohë të jetojë pa Krijuesin e vet. Nuk ka mundësi që ai Zotin e vet ta harrojë plotësisht. Sikur një fëmije të vogël t'i humbej nëna për një kohë, ai ndoshta gjatë asaj kohe do të mund të mashtrohej me diçka, por në momentin e parë që do ta sheh atë do të ngazëllehet dhe do të nxitojë drejtë saj, duke u kënaqur në krahët e nënës. Kështu është edhe me njeriun. Ai sa largohet pak nga Krijuesi i vet, ndjen mall, respektivisht ndjen mungesën dhe mospraninë e Tij.


Të nderuar vëllezër!

Jemi në ditët e fundit të muajit Shaban dhe në prag e kemi një muaj madhështor, e që është muaji i shenjtë i Ramazanit. Në këtë muaj kanë ndodhur mrekulli dhe çudira të mëdha që vazhdimisht e kanë tronditur mendjen njerëzore. Mrekullia më e madhe e këtij muaji padyshim është zbritja e Kur'anit Fisnik, është Fjala dhe udhëzimi i Zoti që si dhuratë i erdhi njerëzimit, respektivisht Ummetit të Muhammedit s.a.v.s..

Në fakt, ç'është Shpallja Hyjnore? Ajo është baza nga e cila njeriu ndërton veten dhe sistemin e tij të jetës, gjegjësisht me anë të saj njerëzimi përjetoi rilindjen/renesancën dhe iluminizmin e vërtetë. Atëherë, ç'është Ramazani? Ajo është koha kur njeriu më së miri dhe më së lehti mund të bëjë kthesën dhe të pastrojë vetveten (spiritual catharsis). Pra nëse e shfrytëzojmë Kur'anin dhe Ramazanin për ripërtëritjen tonë, s'do mend se këtë do të mund ta bëjmë shumë më lehtë në këtë muaj. Do të mund t'i dalim në ballë kthesës për një të sotme më të qëndrueshme dhe një të ardhme më sigurt.

Në Ramazan është koha e vetëdijesimit, pastrimit, ringjalljes, ngadhënjimit dhe pranimit të lutjeve drejtuar Zotit. Nuk është rastësi kur lexojmë se si ka pasur njerëz që kanë agjëruar tërë jetën, duke synuar me këtë të arrijnë kënaqësinë e vetme të Allahut. Agjërimi më i mirë është agjërimi i Davudit a.s. i cili agjëroi gjatë gjithë jetës së tij, një ditë po e një ditë jo, ndërsa pas kësaj praktike, është ajo e Muhammedit s.a.v.s, i cili agjëronte dhe prishte, ndonjëherë agjëronte gjysmë muaji, e ndonjëherë vetëm ca ditë nga se cili muaj, përpos Ramazanit, të cilin e agjëronte të tërin. Edhe në traditën tonë kemi shembullin më të mirë sesi duhet pritur Ramazanin. Respektimi dhe manifestimi i tre muajve, siç njihen në mesin tonë, nga ana e të moshuarve tregon qartë që ata në këtë aspekt janë më të përgatitur që Ramazanin ta presin më mirë, më këndshëm dhe më bujarisht.

Ramazani po vjen! Ku janë vëllezërit e mi të rinj? Si po e presin ata muajin e bekuar, që shpesh ka mundësuar të bëhen revolucione? A vazhdojnë vëllezërit dhe motrat e mia të qëndrojnë të palëkundur në këtë rrugëtim të lashtë e me plotë sakrifica? A është rinia jonë shpresë e së ardhmes dhe shpëtuese e shoqërisë sonë, dhe në përgjithësi e Ummetit të Muhammedit s.a.v.s.? Me çfarë përgatitjeje shpirtërore e fizike do t'i dalim përpara agjërimit? Si do të durojmë në këto ditë të nxehta, apo do të vazhdojmë akoma të mendojmë se është herët që t'i harxhojmë energjitë tonë duke agjëruar! Do të agjërojmë apo jo?

Vëllezër, më thoni sinqerisht ju lutem! Do ta kënaqim edhe këtë vit Allahun, apo se do ta zemërojmë Atë? Do të ndryshojmë, apo se do të vazhdojmë të ngulfatemi edhe më? Do të bëhemi njerëz të idealeve dhe flamurtarë të vlerave të çmuara, dhe atë edhe duke agjëruar, apo do të vazhdojmë të dalim nga feja, ashtu siç del "kungulli sipër ujit". Do të jemi anësh fesë, apo se do të jemi në suaza të saj? Më thoni, ju lutem! Ç'bëjmë dhe për ku jemi nisur me këtë avaz të praktikës jetësore që jemi duke e kapërdirë sot? A kështu do ta çojmë fjalën e Muhammedit s.a.v.s. në vend, kur ka thënë: "Nuk do të ngel në botë asnjë qytet dhe fshat, e që në të Allahu të mos e depërtojë emrin e Islamit, qoftë kjo me dëshirë apo të nënshtruar".

Pra të bëhemi prej atyre njerëzve, nëpërmjet të cilëve Allahu të bëjë që Islami të depërtojnë në secilin vend tokës dhe nëpërmjet nesh, njerëzimi të nis një trend dhe rend të ri botëror. Ta shfrytëzojmë agjërimin drejtë shërimit dhe ringjalljes sonë, dhe nga ana tjetër, po ashtu, ta shfrytëzojmë kundër drogës, alkoolit, prostitucionit, bixhozit, gripave të ndryshim, etj..

Të bëhemi njerëz të idealeve të gjalla dhe shembullore! Të ngrihemi në këmbë dhe të hapim një dritare të re dhe një shpresë për t'u kthye në rrugën e të parëve tanë të ndershëm. Poeti, përndryshe, kësaj i këndon kështu: "Ummeti im, kthehu në Kur'an / Gjej një tjetër jetë! / Vallë mos pret një tjetër kambanë, / Apo një gjumë tjetër pretë"!

Për fund, do të them edhe një mesazh, e që është specifik dhe me të cilin rifilloi e mbaroi profetësia, ku dhe filloi një epokë e re e jetës njerëzore. Ajo që e bën të rëndësishëm këtë mesazh, është fakti që ai zbriti pikërisht në muajin e Ramazanit. Dhe ai është:

{اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ}, - "Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)!", (Aalak, 1).



Autor: Mehas ALIJA



_________________________

Hytbe mbajtur më 14.08.2009., në Xhaminë e Rinisë në Tetovë.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...