Argumentet për përcaktimin astronomik të Hënës së re [1]



Dallimi ndërmjet mjetit të përkohshëm dhe qëllimit të përhershëm në hadith

Një nga shkaqet e kuptimit të gabuar dhe konfuz të Sunetit është edhe ngatërrimi i qëllimeve të përhershme që synon tradita profetike me mjetet e përkohshme të cilat e bëjnë të mundshme arritjen e këtyre qëllimeve në rrethana të caktuara. Kështu, do të vërejmë se një pjesë e njerëzve përqendrohen krejtësisht në mjetet dhe metodat sikur ato të ishin qëllim në vetvete, pa kuptuar se, nëse do të hynim më thellë në Sunetin e Profetit a.s., do të bindeshim se ajo që ka rëndësi është qëllimi dhe jo mjeti. Qëllimi është i përhershëm dhe i pandryshueshëm, ndërkohë që mjetet ndryshojnë me ndryshimin e rrethanave, kohës, zakoneve dhe faktorëve të tjerë relevantë.

Për këtë shkak shohim se shumë njerëz që studiojnë dhe hulumtojnë, bie fjala, mjekësinë profetike, i orientojnë hulumtimet dhe mundin e tyre në njohjen e ilaçeve, ushqimit, barërave dhe farërave që Pejgamberi s.a.v.s. i ka preferuar të përdoren për mjekimin e një sërë sëmundjeve dhe problemeve fizike. Për këtë, ata citojnë shpesh hadithet e njohura nga kjo fushë siç janë:

- "Metoda më e mirë për tu shëruar është derdhja e gjakut". [2]
- "Ju sugjeroj alajin (një lloj druri) ngase në të ndodhen shtatë ilaçe". [3]
- "Në kurekatin e egër (habes seuda) ka ilaç për çdo sëmundje përveç vdekjes". [4]

Mendimi im është se thelbi i mjekësisë profetike nuk qëndron në receta të tilla si dhe të ngjashme me to, por qëndron në ruajtjen e shëndetit dhe jetës së njeriut, vitalitetit dhe fuqisë së tij trupore, si dhe ruajtjen e trupit nga lodhja, uria dhe sëmundjet. Gjithashtu thelbi i haditheve të tillë qëndron edhe në qartësimin se shërimi nëpërmjet barërave mjekësore nuk vjen në kundërshtim me besimin në përcaktimin e Zotit dhe as me mbështetjen tek Allahu.

Mjetet mund të ndryshojnë dhe të kenë dallim në bazë të kohës dhe vendit. Në realitet ato janë të ndryshueshme, andaj kur një hadith përmend ndonjë mjet në lidhje me diçka, ai vetëm na ofron instruksione për situatën konkrete dhe nuk ka për qëllim të na kufizojë duke na ndaluar nga përdorimi i mjeteve të tjera.

A nuk thuhet në Kuranin famëlartë: "Dhe kundër tyre përgatitni sa të mundni forca dhe kuaj për luftë, në mënyrë që me këtë ti frikësoni armiqtë tuaj dhe të Allahut, dhe të tjerët pos tyre?", (Enfal 60).

Ndërkohë që pavarësisht nga kjo, askush nuk mund të thotë se armikut duhet ti kundërvihemi me kuaj, ashtu siç thuhet në këtë ajet. Përkundrazi, kushdo që ka mend dhe kupton gjuhën e qëllimit të sheriatit e ka të qartë se "kuajt" e sotëm janë tanket, automjetet luftarake, si dhe armë të tjera bashkëkohore. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për hadithet që flasin mbi çështje të tilla si p.sh. vlera e shigjetarisë.

Gjithashtu, mendoj se në të njëjtin prizëm duhet parë edhe zgjedhja e misvakut si mjet për mirëmbajtjen e higjenës së dhëmbëve. Qëllimi është pastërtia e gojës në mënyrë që të fitohet kënaqësia e Zotit, siç thuhet në hadith: "Misvaku pastron gojën dhe kënaq Zotin". Mirpo, a është misvaku qëllim në vetvete apo thjesht ka qenë një mjet i përshtatshëm i cili ishte lehtësisht i gjendshëm në gadishullin arabik? Nuk ka pengesë që ky mjet të zëvendësohet me ndonjë mjet tjetër, siç është furça e dhëmbëve, e cila mund të prodhohet në masë për të plotësuar nevojat e të gjithë njerëzve.


Caktimi i fillimit të muajit në bazë të shikimit optik të hënës së re

Këtu mund të marrim në shqyrtim hadithin e njohur sahih, në të cilin thuhet: "Agjëroni kur ta shikoni (hënën e re) dhe prisheni kur ta shikoni sërish. E nëse është vranët, atëherë llogaritni tridhjetë ditë prej shabanit". Apo në versionin tjetër: "E nëse është vranët, plotësojeni shabanin tridhjetë ditë". Prej këtej juristi mund të deklarojë se hadithi ka një qëllim, i cili realizohet duke përcaktuar mjetet e tij. Vetë qëllimi i hadithit është evident dhe i qartë: të përcaktojë agjërimin e Ramazanit duke mos lejuar të shpëtojë asnjë ditë prej tij, apo që të agjërohet ndonjë ditë e një muaji tjetër, sha'banit apo shevalit. Një gjë e tillë ka qenë e mundur të arrihet duke caktuar fillimin dhe fundin e muajit me një metodë të qartë dhe të arritshme për shumë njerëz, e cila nuk paraqet vështirësi dhe barrë për tu realizuar.

Në atë kohë, shikimi fizik i hënës së re ka qenë një metodë e thjeshtë dhe e arritshme për shumë njerëz, prandaj edhe hadithi ka përcaktuar këtë metodë. Në të kundërtën, sikur njerëzit të obligoheshin që në fillim me një metodë tjetër, siç janë llogaritjet astronomike, kjo do të shkaktonte shumë vështirësi dhe të të sillte një problem, pasi umeti nuk ka ditur as shkrim dhe as llogaritje. Ndërkohë, Allahu dëshiron për robërit e tij që ti lehtësojë dhe jo ti vërë në vështirësi. Vetë Pejgamberi a.s. deklaron për veten e tij: "Allahu më ka dërguar si mësues që lehtëson dhe nuk më ka dërguar të vështirësoj". [5]

Prandaj, nëse gjendet një mjet tjetër që është më i saktë për realizimin e qëllimit të hadithit, i cili gabon më pak dhe është lehtësisht i arritshëm, nëse nuk është jashtë mundësive të sotme të ummetit, në një kohë kur ai ka sot shkencëtarë dhe ekspertë mjaft të famshëm në të gjithë botën, në astronomi, gjeologji, dhe fizikë, dhe nëse dituria njerëzore ka shkuar sot aq larg sa ti bëjë të mundur njeriut të ulet në këtë hënë, të ecë në sipërfaqen e saj si dhe të sjellë në tokë mostrat e pluhurit dhe shkëmbinjve të saj, pra nëse është kështu atëherë përse të instistohet me këmbëngulje në një mjet, i cili shndërrohet në qëllim në vetvete, ndërkohë që lihet anash qëllimi që synon hadithi?

Hadithi lejon që caktimi i muajit të bëhet në bazë të dëshmisë së një apo dy njerëzve, të cilët pohojnë se e kanë parë me sy hënën e re, sepse kjo ka qenë metoda e vetme e përshtatshme për nivelin e zhvillimit të umetit. A është e mundur atëherë të mohohet një metodë tjetër e cila nuk lejon mundësi për gabime, mashtrime apo gënjeshtra, por që ka arritur nivelin e vërtetësisë dhe saktësisë së plotë? Vallë a mund të refuzohet ajo metodë që bën të mundur bashkimin e umetit në mbarë rruzullin tokësor, dhe që mund ti sheshojë përfundimisht debatet e shumta dhe të vazhdueshme në lidhje me fillimin e agjërimit, prishjen e tij dhe caktimin e bajramit? [6] Kjo është e pakuptueshme dhe e papranueshme nga pikëpamja e shkencës dhe fesë. Eshtë e sigurt se nga këto debate vetëm një pjesë ka të drejtë, ndërsa të tjerët pa asnjë dyshim e kanë gabim.

Zgjedhja e përllogaritjeve precize astronomike, që sot është metoda më të mirë për caktimin e muajve hënorë, përbën obligim sipas principit të analogjisë prioritare (kijasul evla), gjë që do të thotë se suneti, përballë metodës që mbështetet në një mjet më të dobët, siç është shikimi me sy, nuk mund të mohojë metodën më të mirë, më precize dhe më cilësore për caktimin e fillimit të agjrimit, të bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit, medotë e cila ndihmon në realizimin e bashkimit të ummetit, gjë që përbën synimin e të gjitha ibadeteve, simboleve dhe që është e lidhur ngushtë me parimet më të rëndësishme të fesë. Kjo metodë është ajo që i përcakton muajt nëpërmjet llogaritjeve të sakta astronomike.

Dijetari i madh muhadith Ahmed Shakir, rahimehullah, ka ardhur në këtë përfundim nëpërmjet një rruge tjetër. Ai mbështet përcaktimin e fillimit të muajve hënorë me përllogaritje astronomike, duke pohuar se dispozita juridike që mbështetet mbi shikimin e hënës ekziston për arsye të një shkaku, të cilin e identifikon qartë edhe vetë suneti. Meqë ky shkak nuk ekziston më, atëherë edhe dispozira e bazuar në të duhet të abrogohet, për arsye se është e kuptueshme që dispozita nuk mund të qëndrojë pa shkakun për të cilin është vënë (el hukmu jeduru ma'iletihi vuxhuden ve ademen). Nëse ka shkak ka edhe dispozitë, në jo, atëherë nuk mund të ketë. Na duket e udhës që të sjellim këtu tekstualisht fjalët e tij, duke parë fuqinë e tyre bindëse.

Në traktatin e tij "Fillimet e muajve arabë" ai shkruan: "Nuk ka dyshim se arabët përpara Islamit dhe në fillim të tij nuk kanë njohur dituri të sakta mbi disiplinat astronomike. Ata ishin një popull i pashkolluar, i cili as shkruante dhe as dinte të bënte llogaritje të tilla. Ata që dinin pak nga kjo fushë, kishin dije elementare dhe sipërfaqësore të parëndësishme, të cilat i kanë mësuar me anë të vëzhgimit të drejtpërdrejtë, apo edhe duke dëgjuar të tjerët. Njohuria e tyre nuk ka ardhur si rezultat i njohjeve matematike apo të argumenteve të sakta që do të bazoheshin në premisa të sakta. Prandaj Pejgamberi s.a.v.s. ka caktuar që fillimi i muajve hënorë për nevoja fetare, të bëhet me atë metodë që ishte relativisht e saktë dhe lehtësisht e arritshme për çdonjërin apo për shumicën prej tyre. Kjo metodë ishte ajo e shikimit me sy të lirë. Në ato rrethana, kjo ishte mënyra më e sigurtë dhe më precize për caktimin e kohës së ceremonive dhe ibadeteve. Në këtë mënyrë arrihej të merrej njohuri dhe siguri relative, brenda mundësive të muslimanëve të atëhershëm, ndërkohë që Allahu nuk e obligon askënd tej mundësive të tij.

Në këto kushte, nuk ka qenë e arsyeshme të caktohej që fillimi i muajve hënorë të bëhej mbi bazë të llogarive astronomike, kur arabët vendas nuk kishin kurrfarë diturie lidhur me këtë, për të mos thënë që shumica e tyre e çonin jetën si beduinë, pa pasur kurrfarë kontakti me mjediset urbane, ku edhe lajmet arrinin me vonesë, madje ndonjëherë pas një kohe shumë të gjatë. Nëse do të caktohej mbështetja në përllogaritjet astronomike, kjo do të shkaktonte vështirësi të pazgjidhshme në një koh kur vetëm pak prej tyre kanë ditur diçka për këtë, dhe në një kohë kur arabët vendas kanë mundur të kenë vetëm disa matematikanë dhe astrologë, prej të cilëve thuasje të gjithë një për një, ishin hebrej ose të krishterë.

Më vonë muslimanët pushtuan një hapësirë të jashtëzakonshme, u njohën me studimet shkencore dhe i zotëruan ato, u përsosën në të gjitha disiplinat shkencore, përkthyen në gjuhën arabe arritjet e gjeneratave të mëparshme, por dhanë edhe vetë një kontribut të madh në zhvillimin tyre, duke zbuluar shumë gjëra të panjohura më parë dhe duke ua transmetuar ato pasardhësve të tyre. Prej këtyre shkencave ishte edhe astronomia dhe degët e saj.

Megjithatë, shumica e juristëve dhe muhadithëve nuk e njihnin astronominë, ose dinin vetëm gjëra elementare rreth saj, aq sa një pjesë apo shumica e tyre, nuk kishin besim tek astronomët, madje kishte raste kur i akuzonin ata për risi (bidat) në fe dhe mashtrim, dhe e gjithë kjo për shkak të mendimin se astronomia i shpie njerëzit në pranimin parashikimit të së ardhmes (gjë me të cilën merret astrologjia). Ndërkaq, ata dijetarë dhe juristë që i njihnin mirë këto shkenca nuk kanë përcaktuar pozicionin e vërtetë të tyre në raport me fenë dhe sheriatin, por vetëm kanë aluduar për këtë duke u treguar të kujdesshëm.

E gjithë kjo vinte në një kohë kur, me gjithë zhvillimin e dijes së umetit, shkencat kozmologjike nuk kishin atë përhapje që kishin shkencat fetare si dhe shkenca të tjera, dhe ato ende nuk bazoheshin në parime të qarta shkencore.

Ndërkaq, sheriati famëlartë dhe madhështor mbetet për të gjithë kohët, derisa Allahu të vendosë për përfundimin e jetës në këtë botë. Ky është ligj për të gjithë popujt dhe të gjitha kohët. Prandaj në tekstet e Librit dhe Sunetit hasim shënime për atë që do të sjellë koha, dhe kur kohët ndryshojnë ndryshon edhe mënyra sesi i kuptojmë ato, madje edhe nëse pararendësit tanë i kanë komentuar ndryshe.

Ndërkaq, Suneti autentik mbështet këtë që po themi. Kështu, Buhariu shënon nga Ibn Umeri se Pejgamberi s.a.v.s. ka deklaruar: "Ne jemi popull i pashkollë. Nuk shkruajmë dhe as llogaritim. Muaji është herë kështu e herë ashtu" (d.m.th. një herë është 29 ditësh dhe një herë tjetër 30 ditësh). [7]

Ndërsa Maliku në Muvetta, [8] Buhariu dhe Muslimi në Shahihët e tyre dhe të tjerët e shënojnë me këto fjalë: "Muaji është 29 ditë, prandaj mos agjëroni deri sa të shikoni hënën e re, dhe mos prishni (mos ndërprisni Ramazanin) deri sa ta shikoni atë. Nëse është vranët llogaritni 30 ditë të Shabanit".

Dijetarët tanë më të hershëm, Allahu i mëshiroftë, e kanë kuptuar drejt këtë hadith, por e kanë zbatuar atë gabim. Një prej mendimeve të tyre, është edhe ai i Ibn Haxherit, [9] i cili shprehet: "Me llogaritje hadithi kupton llogaritjen e lëvizjeve të trupave qiellorë, gjë për të cilën ata dinin shumë pak. Për këtë arsye, agjërimin dhe ceremonitë e tjera janë përcaktuar me anë të shikimit, duke i liruar ata nga vështirësitë rreth studimit të astronomisë. Megjithatë në rastin e agjërimit, kjo dispozitë mbetet në fuqi edhe nëse vjen dikush që i njeh këto fusha. Madje, konteksti i hadithit është në kundërshtim me dispozitën për futjen e astronomisë: "E nëse është vranët, atëherë plotësoni shabanin tridhjetë ditë". Nuk thotë të pyesim astronomët. Urtësia qëndron në faktin që të gjithë bartësit e obligimeve (Mukel lefun) në rast të kohës së vranët agjërojnë numër të njëjtë ditësh dhe kështu i ikin mospajtimeve dhe grindjeve".

Nga disa juristë transmetohet të kenë pasur të njëjtin mendim. Mirpo El-Baxhi shprehet se: "konsensusi i pararendësve mohon këtë mendim. Edhe ibn Bezize shprehet: Ky është mendim i gabuar, sepse sheriati ndalon të merremi me astronomi, duke pasur para sysh se bëhet fjalë për supozime dhe vlerësime, për të cilat nuk ka fakte të njohura apo edhe relativisht të njohura. Përveç kësaj, sikur caktimi i ceremonialit të jetë i lidhur me llogaritjet astronomike kjo do të ishte magji, duke pasur para sysh numrin e vogël të njerëzve ekspertë në këtë fushë".

Ky është një komentim i drejtë në lidhje me arsyet se përse duhet të mbështetemi në shikimin me sy dhe jo në llogaritje. Por është gabim të konkludohet se edhe në rastet kur kemi një numër të madh eskpertësh, dispozita mbetet e vlefshme. Në këtë rast përfundimi është i gabuar pasi urdhëri për mbështetjen vetëm në metodën e shikimit ka ardhur me arsye eksplicite, e cila ka të bëjë me faktin se ata ishin popull që nuk dinin as shkrim e as llogaritje. Dispozita mund aplikohet kur ka arsye për këtë dhe nuk mund të aplikohet kur këto arsye nuk qëndrojnë më. Për këtë arsye, nëse umeti nuk është më i pashkollë dhe ka mësuar të merret me shkrime dhe astronomi, nëse tani ka mjaft njerëz që i njohin këto shkenca dhe nëse është e mundshme që të gjithë njerëzit të mësojnë datën e saktë të fillimit të muajve hënorë ..., nëse rrethanat gjenerale kanë ndryshuar në atë masë dhe nëse tani nuk ekziston shkaku i analfabetizmit, atëherë umeti e ka obligim të orientohet në atë që është e sigurt dhe e saktë, të mbështeten në astronomi dhe të mos përdorin shikimin, përveç rasteve kur nuk kanë mundësi të bëjnë ndryshe, siç mund të jetë në shkretëtirë apo në ato fshatra ku nuk arrijnë dot në kohë lajmet e sigurta.

Nëse tashmë mbështetjen në astronomi e kemi obligim dhe nuk e kemi më të ndaluar, për shkak të zhdukjes së shkakut që e ka bërë të tillë, atëherë jemi të obliguar të pranojmë llogaritjet astronomike edhe për hënën e re duke refuzuar diskutimet mbi mundëinë apo pamundësinë e shikimit të saj. Kështu, fillimi i vërtetë i muajit hënor do të ishte atë natë në të cilën hëna e re del pas perëndimit të diellit, madje edhe sikur të qëndrojë vetëm për një çast. [10]

Ky mendim nuk është i vetmuar, duke pasur para sysh se në sheriat ka shembuj të shumtë që konfirmojnë rregullin, sipas të cilit, dispozita ndryshon në varësi nga bartësi i obligimeve, gjë që është e njohur si për ekspertët ashtu edhe për besimtarët e zakonshëm. Një shembull i tillë është edhe dispozita për të cilën po flasim. Kështu hadithi, "Nëse është vranët atëherë llogaritni/vlerësoni", vjen në një version tjetër në këtë mënyrë: "Nëse është vranët, plotësoni shabanin tridhjetë ditë". Transmetimin e parë të paqartë (muxhmel) dijetarët e kanë komentuar nën dritën e versionit të dytë, më të qartë (mufesser). Mirpo imami i madh i shkollës juridike shafiite, apo më saktësisht imami i kohës së Ebu Abbas Ahmend ibn Umer ibn Surejxhi [11] i ka harmonizuar këto dy transmetime, duke mos komentuar të parën me të dytën, por duke i parë ato të veçuara, ku secila vlen për një situatë të caktuar. Kështu fjalët e Pejgamberit a.s. "në atë rast vlerësoni/llogaritni" nënkuptojnë vlerësimin në bazë të përllogaritjeve astronomike duke iu drejtuar ekspertëve në këtë shkencë, kurse fjalët "atëherë plotësoni shabanin tridhjetë ditë", i janë drejtuar popullit të thjeshtë. [12]

Ky mendim është thuajse identik me mendimin e ibn Surejxhit, me dallimin që ai e konsideron obligim të bazuarit në astronomi vetëm në rast të motit të vranët, kur hëna e re nuk mund të shikohet me sy, dhe në këtë rast kjo vlen vetëm për një pakicë, duke pasur para sysh numrin e vogël të njohësve të astronomisë në kohën e tij, mosbesimin tek ta dhe llogaritjet e tyre si dhe mundësitë e kufizuara për bartjen e lajmeve për caktimin e fillimit të muajit në vise të tjera. Ndërkohë unë mendoj se duke pasur parasysh mjetet e sotme të komunikimit, të cilat mundësojnë informimin e shpejtë të njerëzve, ndërkohë që të dhënat e sotme në vlerësimin e hënës janë të sakta, ky obligim vlen për të gjithë ata. Shikimi me sy i hënës së re sot u lejohet vetëm pak njerëzve, ata tek të cilët nuk arrijnë lajmet dhe të cilët nuk gjejnë ekspertë të sigurt në fushën e astronomisë.

Gjykoj që ky mendim është më i drejtë dhe më i afërt me të kuptuarit e drejtë dhe komentimin e vërtetë të hadithit, i cili transmetohet lidhur me këtë temë. [13]

Kjo ishte ajo që ka shkruar dijetari Shakir para më se gjysëm shekulli, në muajin dhulhixhe 1357 ose në janar të vitit 1939. Në atë kohë astronomia ende nuk ishte e zhvilluar sa sot. Kjo shkencë sot ka arritur një precizitet të lartë ku mundësia e gabimit, nëse llogaritet për një sekondë, është 1:10000. Shejh Shakiri mbron këtë mendim megjithëse, para së gjithash, ka qenë tradicionalist. Ai ka qenë një tradicionalist i pastër dhe nuk ka trilluar risi. Ai nuk e ka kuptuar tradicionalizmin si një pranim të verbër të gjithçkaje që kanë deklaruar gjeneratat e mëparshme, por ka besuar se tradicionalizmi i vërtetë qëndron në pasimin e rrugës, metodologjisë dhe frymës së tyre. Ne jemi thirrur të bëjmë çmos në zgjidhjen e problemeve të kohës sonë, siç i kanë zgjidhur ata problemet e tyre, në mënyrë që zgjidhjet për realitetin tonë ti gjejmë në mendjen tonë, jo në mendjen e tyre. Gjithashtu, gjatë kësaj përpjekjeje jemi thirrur të mos kemi asnjë kufizim përveç dispozitave të qarta të sheriatit, tekstet eksplicite dhe intencat gjenerale.

Gjatë këtij Ramazani kam lexuar një artikull të gjatë të një shejhu të shquar, [14] i cili pohon se hadithi i saktë i Pejgamberit, "Ne jemi një popull që as lexon e as llogarit", përmban ndalesën e llogaritjes dhe mbështetjes së umetit në të. Sikur kjo të ishte e vërtetë, atëherë do të duhej të pranonim se hadithi ndalon edhe shkrimin, ngase hadithi përmend dy gjëra që dëshmojnë analfabetizmin e umetit: shkrimin dhe llogaritjen.

Megjithatë ka një sërë dijetarësh që deklarojnë se Pejgamberi s.a.v.s. nuk na ka caktuar të merremi me llogaritje dhe astronomi, dhe as të bazohemi mbi të për të caktuar fillimin e muajve hënorë, ndërkohë që për këtë na ka urdhëruar që të mbështetemi në shikimin me sy. Kjo vërejtje është e gabuar për dy arsye:

1. Nuk është logjike që Pejgamberi të urdhërojë mbështetjen në astronomi në kohën kur umeti ishte analfabet, kur nuk dinte as shkrim e as llogaritje. Për këtë arsye ai kishte përcaktuar atë metodë që i përgjigjej vendit dhe kohës, që ishte e arritshme për të gjithë njerëzit, që është, shikimi me sy. Por kur zbulohet një mjet tjetër, më i saktë, më preciz, më i sigurt dhe që gabon më pak, atëherë në sunet nuk ka pengesë që ai të përdoret.

2. Vetë suneti na udhëzon të mbështetemi në astronomi në rast të motit të vranët. Fjala është për hadithin të cilin Buhariu, në kapitullin mbi agjërimi në Sahihun e tij, e transmeton me zinxhirin e artë prej Imam Malikut, ky nga Nafi, kurse ky nga Umeri, në të cilin thuhet se Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. bën fjalë për Ramazanin, ndërsa pastaj ka deklaruar: "Mos agjëroni derisa nuk shikoni hënën e re dhe mos festoni bajramin derisa ta shihni atë. E nëse është vranët, atëherë vlerësoni/llogaritni" (fakdiru leh). Me fjalën vlerësim apo llogaritje këtu mund të kuptojmë fare mirë llogaritjet astronomike, për atë që e njeh mirë dhe i cili mund të arrijë rezultate të sigurta.



Autor: Dr. Jusuf KARDAVI



_________________________

[1] - Ky tekst është marrë nga libri i Shejh Kardavit "Të kuptuarit e sunetit: Orientimet metodologjike dhe rregullat", SH.B "Drita e Jetës", Gilan 2001/2002. Pjesa e përzgjdhur është një prej temave të kapitullit "Dallimi i mjetit të ndryshueshëm nga qëllimi i përhershëm në Hadith". Tema përkatëse titullohet "Caktimi i fillimit të muajit në bazë të shikimit optik të hënës" dhe synon të ilustrojë atë që jepet në mënyrë përgjithësuese në fillim të kapitullit. Për të ruajtur logjikën, ne kemi përzgjedhur një sërë pasazhesh nga pjesa kryesore e kapitullit dhe më pas kemi vjiuar ne mënyrë të prmbledhur dhe të shkurtuar me temën që flet në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështjen në fjalë. Ky tekst është vetëm ilustrues dhe se shejhu nuk na ka sjellë një paraqitje të plotë të kësaj cështjeje, pasi nuk është ky qëllimi i librit. Qëllimi i botimit të këtij materiali nuk është përhapja e qëndrimit që mbron përllogaritjen astronomike në përcaktimin e Bajrameve dhe Ramazanit. Ky blog nuk mban qëndrim ndaj kësaj çështjeje dhe nuk është në fokusin tonë të ofrojmë zgjidhje për debatet mes diejtareve. Qëllimi i këtij botimi është të mbrojmë frymën e debatit, duke parë se shpesh fryma përjashtuese ndaj qëndrimeve të ndryshme, krijon ngurtësim, duke vështirësuar zgjidhjet e nevojshme. Kjo fryme ka bërë që në raste të mëparshme të krijohen precedentë të papëlqyeshëm, si ai i faljes së bajramit në një ditë tjetër nga një grup besimtarësh http://www.e-zani.com/2010/09/10/fitneja-e-pervitshme-e-henes/.
[2] - Hadithin e shënojnë Ahmedi dhe Taberani nga Semire, ndërsa Albani e ka futur në "Sahihul Xhami Sagir".
[3] - Në "Sahihul Xhami" thuhet se Buhariu e transmeton nga Ummu Kajs.
[4] - Muttefekun 'alejh. "Lu'lu vel merxhan", hadithi nr. 1430.
[5] - E shënon Muslimi dhe të tjerë.
[6] - Në vitin 1409 h. Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Bahreini, Tunizia dhe disa vende të tjera e kishin filluar agjërimin të enjten më 6 prill 1989, në bazë të lajmeve mbi shikimin e hënës së re në Arabinë Saudite. Të premten filluan agjërimin Egjipti, Jordania, Iraku, Algjeria, Maroku dhe disa vende të tjera, ndërkohë që një sërë vendesh të tjera si Pakistani, India, Omani, Irani etj. filluan vetëm të shtunën.
[7] - Sahihul Buhari: Kitabu savm.
[8] - "Muveta", 1/269.
[9] - Fet'hul Bari 4/108-109.
[10] - Eshtë zgjedhur mendimi i ekspertëve se duhet pritur një periudhë e shkurtër kohore prej 15-20 minuta pas perëndimit të diellit, në të cilin hëna e re mund të shfaqet në mënyrë që të mund të shikohet edhe me sy të lirë.
[11] - Nxënës i Ebu Dacudit, autorit të Sunenit të njohur. Ebu Is'haku thotë për të në veprën "Tabekatul fukaha" (f. 89): Ishte një nga kolosët e shkollës juridike shafiite dhe imam i muslimanëve, si dhe ishte më i ditur se të gjithë nxënësit e Shafiut madje edhe se El Mudhni".
[12] - Shih Shehrul Kadi Ebi Bekr Ibn Arabi alTIrmidhi 3/207-208; "Tahrul tethrib, 4/111-113 dhe "Fethul Bari" 4/104.
[13] - Ahmed Shakir, Risale: Evailu shuhuril arebije. Mektebu Ibn Tejmije, 7-17.
[14] - Ky është shejhu i nderuar Salih ibn Muhamed Luhajdani, Kryetar i Këshillit të Lartë GJyqësor në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Artikulli është botuar në shtypin ditor në mbretëri më 21 ramazan 1409 h..

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...