Hutbeja e bajramit të ramazanit



( اَلْحَمْدُ للهِ الَّذِي لَمْ يَتَّخِذْ فِي تَدْبِيرِ مُلْكِهِ مُدَبِّراً وَ لاَ وَزِيراً . وَ لاَ فِي تَقْدِيرِ حُكْمِهِ مُعِيناً وَ لاَ مُشِيراً . سُبْحاَنَهُ وَ تَعاَلَى عَمَّا يَقُولُونَ عُلُوًّا كَبِيراً . تَكْبِير .
اَلْحَمْدُ للهِ الَّذِي نَوَّرَ الْعاَلَمَ بِقُدْرَتِهِ تَنْوِيراً . وَ فَجَّرَ الْأَنْهاَرَ بِحِكْمَتِهِ تَفْجِيراً . فَسُبْحاَنَ الَّذِي خَلَقَ كُلَّ شَىْءٍ فَقَدَّرَهُ تَقْدِيراً . تَكْبِير .
اَلْحَمْدُ للهِ الَّذِي نَزَّلَ الْفُرْقاَنَ عَلَى عَبْدِهِ لِيَكُونَ لِلْعاَلَمِينَ نَذِيراً . وَ وَعَدَ لِلْمُتَّقِينَ جَنَّةَ الْخُلْدِ كاَنَتْ لَهُمْ جَزاَءً وَ مَصِيراً. فَسُبْحاَنَ مَنْ لَمْ يَكُنْ لَهُ وَلِىٌّ مِنَ الذُّلِّ وَ كَبِّرْهُ تَكْبِيراً . تَكْبِير . نَشْهَد . غَفُوراً رَحِيماً عَفُوًّا قَدِيراً . وَ نَشْهَد . )


Besimtarë të dashur!

Sot është Bajram ejani të falënderojmë Zotin që ta falë çdo kënd që ndodhet në këtë vend!

Me qindra herë e falënderojmë Zotin që na ka dhuruar këtë Bajram!

Me qindra herë pikëllohemi që përfundoi muaji ramazan!

Ja, tashmë e përcollëm muajin bujar dhe fisnik, muajin e agjërimit, namazit dhe Kuranit, muajin e mirësive dhe veprave fisnike. Fitoi kush fitoi dhe humbi ai që humbi.

Ju që agjëruat, Kjo ditë për ju është ditë e madhe, festë madhështore. Sot dalin rezultatet dhe sot ndahen shpërblimet, sot gëzohen ata që kanë punuar dhe janë munduar në ramazan. Disa iu rrekën punës dhe fituan, ndërsa të tjerë ishin dembelë dhe asgjë nuk fituan. Sot gëzohen ata që faleshin, ndërsa ndihen keq përtacët, gjumashët dhe ata që talleshin.

Shpërblimet, mirësitë dhe gëzimet që Allahu na i mundëson sot, janë vetëm një pjesë nga shpërblimet që Allahu i ka përgatitur për agjëruesit. Pejgamberi, savs, tregon se: ( قال الله : للصائم فرحتان يفرحهما: إذا أفطر فرح ، وإذا لقي ربه فرح بصومه ) - "Allahu i Madhërishëm ka thënë: Agjëruesi ka dy gëzime të cilave u gëzohet, kur të bëjë iftarin (bajramin) dhe kur ta takojë Zotin, do të gëzohet me agjërimin që e ka bërë", për shkak të shpërblimeve të mëdha që Allahu i ka përgatitur për agjëruesit.

Allahu i Madhërishëm, sillet gjatë gjithë kohës me robin e Tij me butësi, e veçon atë me mirësinë dhe mëshirën e Tij, i vjen në krah me ndihmën dhe suksesin e Tij, e kështu robi i Tij e shton njohjen për Zotin e tij, e shton dashurinë, pendimin, mbështetjen dhe nuk e do askënd tjetër përveç Tij, nuk adhuron bashkë me Të asnjë. Ky është ai që e njeh vlerën e së mirës, e njeh Allahun, e pranon mirësinë e Tij dhe e harxhon atë në kënaqësinë e Tij.

Pra, mos besoni se dikush tjetër mund të barazohet me Allahun, nuk ka askush përveç Tij që mund të na sjellë dëm e as dobi. Kush beson ndryshe, ai ka bërë shirk. Shirku padyshim që është gjynahu më i madh, siç tregohet kjo nga Ibn Mesudi, që thotë, i thashë: "O i Dërguari i Allahut, cili është gjynahu më i madh tek Allahu"? Ai tha: "T'i bësh Allahut ortak, kur është Ai që të ka krijuar ty".

Vëllezër të nderuar, Islami është fe e ngritur mbi baza dhe themele të forta, është fe nga Zoti ynë. Aty janë të përmbledhura ligjet e Allahut, të dobishme për gjithkënd. Është fe e plotë që i drejtohet logjikës dhe e thërret njerëzimin për të shpresuar dhe për të pasur frikë Allahun e Madhëruar.

Feja Islame është fe e qartë, larg besëtytnive, larg gjërave të kota dhe paqartësive. Është udhëzim që nuk ka nevojë të vërtetohet me përvoja. Islami është sirati mustekim, i vetmi i vërtetë që na mëson rrugën drejt xhenetit dhe na mbron prej xhehenemit.

Besimtarë të dashur, Çështja e namazit në Islam është e lartë dhe shumë e madhe. Namazi është shtyllë e fesë, letërnjoftim për besimtarin dhe amaneti më i madh. Ai që bën namaz edhe punët edhe fjalët i ka më të mira. Namazi u bë farz në vendin më të lartë dhe më të ndershëm, mbi 7 qiej, atëherë kur Pejgamberi a.s. udhëtoi në Miraxh. Ai që falet, e fiton nurin e fytyrës dhe zemrës, e rregullon fenë e tij dhe shpirtin. Me namaz fshihen gjynahet, fitohet risku e po ashtu edhe bereqeti. Allahu i Madhërishëm thotë: ( وأمر أهلك بالصلاة و اصطبر عليها لا نسألك رزقا نحن نرزقك ) - "Urdhëroje familjen tënde le të falin namazin dhe bën durim në këtë, nuk kërkojmë riskun nga ti, Ne të japim riskun", Ta-Ha 132.

Puna dhe malli hallall ta shpëtojnë fenë dhe ta ruajnë nderin. Të mundohemi o musliman që të mos hamë asgjë përveç hallallit dhe të mos e shpenzojmë pasurinë tonë përveç në hallall, sepse siç thonë dijetarët: "sikur të bëje ibadet pandërprerë nuk do të bënte dobi nëse nuk e shikon se çka ke ngrënë"! Ngrënia e haramit na e verbon shikimin e zemrës, na e largon bereqetin, na shkakton përçarje dhe urrejtje dhe na e pengon pranimin e lutjeve, sepse Allahu i Madhërishëm pranon vetëm nga të devotshmit. Të kënaqemi me hallall dhe ta falënderojmë Allahun pandërprerë. Ai thotë: "Zoti juaj ju lajmëron që nëse ju falënderoni, Unë do t'ua shtoj". Pra, me falënderim të mirat që i kemi shumëfishohen.

Shtëpitë më të mira të muslimanëve janë ato shtëpi ku ka jetimë, të cilët i rrisin me kujdes dhe përgjegjësi. Mbikëqyrja e jetimëve dhe njerëzve të ngratë është argument i njerëzisë dhe dashamirësisë. Kush e bën këtë, Allahu i Madhërishëm e mbron nga sprovat dhe belatë.

Vëllezër të nderuar, Njeriu është i vogël kur është vetëm, por është i madh kur ka vëllezër dhe shokë. Ta duam njëri-tjetrin për hir të Allahut, kjo është argument për Islamin tonë dhe kështu do ta ndjejmë ëmbëlsinë e imanit. Ta ndihmojmë njëri-tjetrin në punë të mira dhe devotshmëri, e jo në të këqija dhe armiqësi, ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta bërë një xhami e mos ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta bërë një lokal ku do të pihet alkooli. Ta ruajmë fenë e Allahut, e Allahu do të na ruajë neve dhe do të na bëjë të kënaqemi me jetën dhe familjen tonë edhe në këtë botë para se të na jepe xhenetin në botën tjetër.

Xhemat të dashur, Familja e njeriut janë njerëzit më të rëndësishëm, që më së shumti meritojnë interesimin, nderimin dhe mbrojtjen. Kush i mban lidhjet me farefisin, kjo ia shton evladët dhe pasurinë, i jep bereqet në furnizim, sukses në jetë dhe rehati në shtëpi. Pejgamberi, savs, thotë: "Kush dëshiron që t'i zgjerohet risku dhe t'i shtohet jeta, le t'i mbajë lidhjet familjare".

Mbajtja e lidhjeve familjare është shenjë e shpirtit të mirë dhe mendjes së mençur. I afërmi ynë është një pjesë e jona, nëse atij i bëjmë mirë, i kemi bërë vetvetes, nëse ndaj tij bëhemi koprrac, jemi bërë ndaj vetvetes. Nëse ndaj të afërmve s'mund të bëjmë më shumë, atëherë tu themi fjalë të mira, sepse ato janë nderim, shpresë dhe bukuri.

Farefisi ndonjëherë flet edhe gjëra të gabuara, mund të na prekin dhe nënçmojnë. Nëse kjo ndodhë me ne, atëherë t'i përmbahemi faljes edhe më fuqishëm, sepse faljen e bëjnë vetëm njerëzit e mirë. Ndërsa armiqësimi me akrabanë është sherr dhe bela e keqe, kush mendon se është ngritur, ai në të vërtetë është poshtëruar dhe kush mendon se ka fituar, ai në të vërtetë ka humbur. Çdo anëtar i farefisit, ditën e Kiametit do të vijë dhe do të dëshmojë nëse i kemi mbajt lidhjet me të, apo i kemi këputur dhe e kemi harruar.

Le të jetë kjo ditë e Bajramit nisma jonë për ta varrosur sjelljen e keqe ndaj farefisit, për t'i mbyllur fletoret e gabimeve dhe zemërimeve. Ta përmirësojmë sjelljen tonë duke i vizituar fytyrëçelur, duke ju dhënë selam të ngrohtë, me sjellje të bukur, me fjalë të mira, me buzëqeshje të sinqerta, me vizita, me takime, me telefonata, me dhurata, me ndihma materiale, etj..

O muslimanë, Ta kemi frikë Allahun dhe mos të harrojmë se jemi përgjegjës për familjet tona. Të bëhemi dashamirë të shtëpive tona, të bëhemi të sjellshëm ndaj grave, Pejgamberi ynë, savs, ka thënë: "Më i miri prej jush është ai që është më i miri me familjen e tij, ndërsa unë jam më i miri me familjen time".

Xhemat të dashur, Ramazani shkoi, të gjithë kemi agjëruar dhe kemi bërë punë të mira. Kujdes, prej sot, mos t'i harrojmë adhurimet për çdo ditë, mos ta prishim sjelljen tonë me Allahun dhe të bëhemi muslimanë të devotshëm gjatë gjithë kohës.

Po ju përkujtoj me një këshillë të ngjashme sikur Ebu Bekri, r.a. që i këshilloi shokët e tij kur Pejgamberi, savs, ndërroi jetë. Po ju them: "Kush e adhuroi ramazanin, le ta dijë se ramazani shkoi, e kush e ka adhuruar Allahun sinqerisht, le ta dijë se Allahu është me neve përgjithmonë, na sheh dhe na dëgjon në çdo çast".

Pra, o musliman, ta falim namazin rregullisht dhe mundësisht me xhemat.

Ai që nuk i respekton prindërit, le të pendohet dhe le ta di se pendimi pranohet edhe pas ramazanit.

Ai që nuk është i drejtë me gruan, le të pendohet.

Ai që nuk është i drejtë me fëmijët, le të pendohet.

Ai që u bën padrejtësi fqinjëve, le të pendohet.

Ai që i nënçmon njerëzit, i përgojon, i fyen dhe u bën padrejtësi, le të pendohet dhe le ta di se pendimi pranohet edhe pas ramazanit.

Allahu na i pranoftë adhurimet tona dhe na shpërbleftë me xhenetin më të lartë, xhenetin Frdevs, të qëndrojmë së bashku me pejgamberët, me të sinqertët, me shehidët dhe me njerëzit më të mirë. Amin!

Me fat ju qoftë Bajrami, e gëzofshi për shumë mote!



Autor: Miftar AJDINI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...