Në Natën e Kadrit shumica e harrojnë këtë ibadet ...!



Ka një lloj ibadeti i cili në atë natë harrohet dhe lihet anash, ndërsa ka një vlerë shumë të madhe ...

Të gjithë ne i dimë mirësitë e Natës së Kadrit. Vetë fakti se në këtë natë të bekuar filloi zbritja e Kuranit Fisnik, se në këtë natë meleku Xhibril, me një numër të madh të melekëve tjerë zbret në planetin tonë, se në këtë natë caktohet fati i njerëzve për vitin e ardhshëm, se në këtë natë ibadeti është më i mirë se muajt tjerë një mijë herë, tregon vlerën e madhe të kësaj nate e cila gjendet në dhjetë ditët e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit.

Kjo është nata në të cilën ibadeti është shumë i vlefshëm, sepse kush e kalon këtë natë në ibadet (namaz, dhikr, lexim Kurani, lutje) do t'i falen mëkatet e kalueshme. Thamë se kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj. Namazi i falur në kët natë, është i vlefshëm sa 30 mijë namaze, kërkimi i faljes dhe dhikret tjera janë po aq të rëndësishme. Pra, çdo ibadet i kryer në Natën e Kadrit është sikur të bësh ibadet një mijë muaj, qoftë falja e namazit, dhikri, leximi i Kuranit, etj., sepse i Madhërishmi thotë se Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.

Mirëpo, ka një lloj ibadeti i cili në këtë natë lihet pas dore, nuk kryhet, respektivisht, njerëzit shumë dobët mendojnë për këtë. Para se ta përmendim, së pari të potencojmë se i Dërguari i Allahut na ka porositur që Natën e Kadrit ta kërkojmë në dhjetë netët e fundit të muajit të Ramazanit edhe atë në netët teke, edhe pse shumica e dijetarëve mendojnë se Nata e Kadrit është në natën e 27. Pra çdo natë nga netët teke të dhjetëditëshit të fundit të muajit të bekuar të Ramazanit mund të jetë Nata e Kadrit.

Transmetohet nga Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Kërkojeni natën e Kadrit në netët tek të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit", (Buhariu).

Andaj çdo natë teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit duhet ta zbukurojmë me namaz nate, ku duhet të lexohet më gjatë nga Kurani, namaz ku në ruku dhe sexhde do të qëndrohet më gjatë, pastaj duhet ta zbukurojmë me lutje, kërkim falje, lexim të kuranit, ata që nuk dinë të përsëritin ato sure që i dinë, pastaj të lutemi Allahun në mënyrë të përulur, të lutemi për falje të gabimeve, për prindërit, qoftë të gjallë apo të vdekur, të lutemi për fëmijët, familjen, për bereqet, për shërim nga sëmundjet dhe gjëra tjera që njeriu ka nevojë.

Mirëpo, siç thamë edhe më herët një lloj ibadeti, gjatë këtyre ditëve, një numër i madh i muslimanëve e harron, e ai është: 'ndarja e sadakasë atyre që kanë nevojë'!

Po, një gjë shumë e madhe, sadakaja bën pjesë në ato vepra që Allahu i pëlqen më së shumti, ndërsa vlera e saj është e veçantë gjatë muajit të Ramazanit, sidomos gjatë Natës së Kadrit sikur edhe ibadetet tjera, siç është namazi. Pra, nëse ai që fal namaz në Natën e Kadrit shpërblimi i tij është sikur me falë namaz një mijë muaj, atëherë ai që në Natën e Kadrit ndanë sadaka prej një euro, tek Allahu do t'i shkruhet sikur me nda sadaka një mijë muaj nga një euro.

Po, kjo është vlera e sadakasë në Natën e Kadrit. Ndërsa e dimë mirë, se nëse ti e përkujton dikë që ka nevojë me sadaka, apo e ndihmon dhe e shpëton, dije se Allahu do të përkujtoj, do të ndihmojë dhe do të shpëtoj. E dini shumë mirë se kur dikush shpëton nga ndonjë ndeshje, thuhet: "sadakaja e ka ruajtur, sigurisht se e ka ndarë në vend të drejtë"! Nuk e ka ruajtur sadakaja por e ka ruajtur Allahu, sepse ai me sadakanë e tij ka shpëtuar dikë.

Për këtë, ja një sugjerim i vogël për ju që do t'ju jap shumë sevape në Natën e Kadrit.

Kështu para se të hyj pjesa e tretë e Ramazanit, ndajë së paku dhjetë euro apo edhe më shumë nëse ke mundësi, të cilat do t'i shpërndash në netët teke në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Nëse nuk duash të ndash para, mund të ndash edhe artikuj ushqimorë, të themi se për çdo natë mund të blejsh një qese me miell dhe ta ndash dikujt që ka nevojë.

Lusim Allahun e Madhërishëm të na nderoj me Natën e Kadrit. Allahumme amin.



Përktheu: Arsim DAUTI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...